Kompromisi
Nga Kevi Muçllari
Ose revolucion ose kompromis. Mundësi të tretë nuk ka. Në sistemet demokratike, revolucioni është më i pagjasshmi, ngase kërkon zhbërjen e sistemit dhe rishpikjen e rregullave. Kësisoj, për nga natyra, revolucioni implikon një gjendje të re. Një gjendje me aktorë të rinj, jo vetëm politikë, por edhe ekonomikë. Revolucionarët pretendojnë puritanizëm moral, të cilin e gërshetojnë me aksionin politik. Për ata, ndryshimi është vetëm i jashtëm. Mjafon një ndryshim i kushteve (politike, ekonomike dhe shoqërore) për të mundësuar një ndryshim total, i cili është i mjaftueshëm për të përmirësuar gjendjen njerëzore. Sipas kësaj qasje, vetëm një zell revolucionar mund ta transformojë shoqërinë. Pa revolucion nuk ka fitore. Në këtë kontekst, kompromisi duket se humbet terren. Kompromisi është negociatë, është zgjatim i sferës publike. Sfera publike nuk dominohet (dhe nuk mund të dominohet) nga një aktor i vetëm. Ajo është e detyruar t’i nënshtrohet negociatës. Ekzistenca e pikëpamjeve dhe bindjeve të ndryshme, bën që sfera publike të konfigurohet në formë plurale. Lidhur me pikëpamjet dhe bindjet, askush nuk e ka të drejtën e vetos. Grupi dominues (në pikëpamje demokratike), është i përligjur të qeverisë, por jo të imponojë bindjet e tij. Bindja formësohet përmes proceseve të brendshme dhe të jashtme, të ndërthurura me vullnetin autonom. Gjithsecili është i lirë të zgjedhë atë që dëshiron. Kompromisi nuk nënkupton zhbërje, as eklektizëm, përkundrazi, ai nënkupton vetëdije mbi realitetin. Në një realitet ku shumëkush dëshiron ndryshim, por, ndërkaq, gjithsecili mendon se e përfaqëson më së miri ndryshimin, nevojitet domosdoshmërisht kompromis. Askush nuk ka të drejtë të pretendojë superioritet. Kjo është e vërteta e protestës. Ajo është shprehje e pakënaqësisë popullore kundrejt kastës politike (sidomos kastës së vjetër). Shumica dërrmuese e njerëzve në shesh, dëshirojnë hapjen e sistemit. Mirëpo, që kjo të ndodhë, nevojitet kompromis mbi gjërat që na bashkojnë. Nevojitet organizim mbi të përbashkëtat. Arsye për t’u ndarë, ka dhe do të ketë gjithmonë. Shpesh, kjo shndërrohet në çështje prioritetesh, ose këndvështrimesh.
Parimet shërbejnë edhe si udhëzues edhe si përbashkues. Parimi mbi të cilin kërkohet bashkimi është i qartë: Lufta për hapjen e sistemit. Në këtë luftë, nuk kemi vetëm dy palë, establishmentin dhe popullin, përkundazi, kemi shumë palë (çka në një shoqëri të lirë, është krejtësisht normale). Kësisoj, realiteti politik implikon kompromis. Për më tepër, kundërvënia establishment – (për të cilin nuk ka një përkufizim të pranuar) popull, ndodh në kushte të pabarabarta. Establishmenti është i unifikuar, ndërsa populli divergjent. Një përballje e barabartë do të kërkonte unifikimin e forcave, sidomos në planin strategjik. Askush nuk mund të pretendojë ekskluzivitetin e protestës. Aq më tepër, pretendimin e të qenit mbi protestën. Askush nuk mund të mendojë se platforma e tij është më e rëndësishmja. Askush nuk ka të drejtë të vendosë njëanshëmrisht duke pretenduar se përfaqëson protestën, apo se do ta çojë në një nivel tjetër. Në gjendjen aktuale, protesta ka nevojë për organizim dhe strategji afatgjatë. Përfaqësia e protestuesve nuk mund të “delegohet” askund. E vetmja gjë që nevojitet, nëse duam që protesta të jetë e suksesshme, është unifikimi kundrejt establishmentit. Zbutja e egove personale dhe ndershmëria në diskutim. Kërkesat e protestës janë një ofertë për bashkim. Oferta e protestës është legjitime sa kohë që ruan vetëdijen e kundërshtisë kundrejt establishmentit, përndryshe, protesta shndërrohet në kolateral të kalkulimeve grupore.
Protesta nuk mund të shërbejë si trampolinë për ambiciet personale, ajo duhet të jetë shërbestare e shpresave dhe aspiratave të shoqërisë, sidomos, pjesës më vitale të saj, rinisë. Kompromisi është rrruga e vetme. Por, që të ndodhë, ai duhet të konceptohet si instrument i aspiratave. Refuzimi i realitetit aktual, është tregues i vetëdijësimit. Vetëdijësimi është parashenjë e ndryshimit. Sakaq, ndryshimi, duhet të përfytyrohet në detaje. Aspiratat ndihmojnë për të ndezur sentimentin, por, ravijëzimi ose realizimi, bëhet i mundur vetëm përmes planifikimit. Çdo planifikim që i ndajshtohet protestës, është në dëmin e saj. Andaj, planifikimi më i mirë (në këto kushte) është organizimi. Një e ardhme më e mirë është e mundur. Ajo nis me organizim. Me organizimin e zemrave dhe mendjeve që duan ndryshim, dhe që besojnë se Shqipëria meriton më shumë se kaq.
Komente