web analytics

Të veçanta

Nga “komunizmi” tek “imperializmi”- Nga Armand Dedej

Ata që ishin realisht kundër fashizmit spanjoll shkuan ta luftonin atë. Askush nuk shkon të luftojë “imperializmin yankee” [imperializmin amerikan].  (M. Khayati)

Duke pasur parasysh situatën globale, nuk mund të mos e kthejmë vëmendjen tek kjo e fundit. Sigurisht, një gjë e tillë nuk duhet bërë për t’i ikur problemeve tona kombëtare. Protestat që pushtuan vendin na bënë të injoronim jo vetëm sistemin e demokracisë përfaqësuese në të cilin gjendemi, por edhe situatën globale. Për një moment na u krijua ndjesia romantike se bëmë realisht “revolucion” dhe mbërritëm në shoqërinë ideale të komunizmit. Ndërkohë në arenën ndërkombëtare nuk ka pasur ndonjë “revolucion”, ose diçka të ngjashme me këtë. Në arenën ndërkombëtare ka pasur protesta, por mbi të gjitha ka pasur edhe luftra. Në Europë protestat kanë ndodhur kryesisht për shkak të luftrave – ngritjes së çmimeve të shkaktuara nga luftrat. Por ne nuk duhet ta lidhim situatën tonë katastrofike të një vendi të “botës së tretë” me atë të vendeve të zhvilluara të Europës. Nuk duhet harruar, se pavarësisht të gjithave, Europa është një nga zonat më të pasura në botë, e cila nuk është larguar nga kushtet e përgjithshme të së ashtuquajturit “shtet social”. Europa shpenzon 27% të GDP-së për sigurime shoqërore, teksa mesatarja botërore e një gjëje të tillë është 19% e GDP-së. GDP per capita e Europës është 47.000 $, ndërkohë ajo e botës është rreth 27.000 $. E thënë në një mënyrë artistiko-letrare, le të mos kemi iluzione duke e ngatërruar Parisin me Tiranën!

Majtistët radikalë kanë qenë tradicionalisht kundër luftrave jo vetëm për arsye pacifiste, por edhe për faktin se ato, duke paralizuar jetën sociale, pengonin “revolucionin” – ndonëse një “revolucion” si ai bolshevik do të realizohej në një kontekst lufte si Lufta e Parë Botërore. Pra, çështja në fjalë nuk ishte morale, por politike. Me këtë urrejtje politike ndaj luftës, në njëfarë mënyre, këta “komunistë” të sinqertë manifestonin në mënyrë të pandërgjegjshme konstatimin e Napoleonit, se mbretërit i bëjnë luftrat për të shpërqëndruar vemendjen e popujve të tyre, në mënyrë që këta të fundit të mos ngrihen në revoltë kundër vetë mbretërve. “Lufta, si gjithmonë, kur nuk është civile, vetëm sa ngrin procesin e revolucionit social. Në Vietnamin e Veriut, ajo ka çuar në mbështetjen e fshatarëve si kurrë më parë për burokracinë që i shfrytëzon ata. Në Izrael ajo ka vrarë për një kohë të gjatë opozitën ndaj Zionizmit, dhe në vendet arabe është duke forcuar – përkohësisht – shtresën më reaksionare. Në asnjë mënyrë nuk mundet që rrymat revolucionare të gjejnë atje ndonjë gjë me të cilën të identifikohen.”[1]

            Sigurisht, qysh prej viteve ’90 presupozohet që ne shqiptarët të mos kemi më “mbretër”; dhe ndërkohë të kemi revolta. Por në të vërtetë ka rezultuar e kundërta: kemi pasur “mbretër”, por nuk kemi pasur “revolta”! “Liderët historikë” janë “mbretër” dhe “protestat” partiake që ata bëjnë, nuk janë “revolta”. Ato i ngjajnë më shumë “anti-mitingjeve”, në formën e një mase parandaluese ndaj mundësisë së ndonjë revolte të vërtetë. Është politika partiake që imiton politikën qytetare, në mënyrë që ta pengojë këtë të fundit duke e zëvendësuar. (Sali Berisha, për shembull, ka mbi 30 vjet rrjesht që e bën një gjë të tillë në mënyrë konsistente.) Ndërsa luftrat nuk kemi nevojë t’i bëjmë vetë neve; madje nuk kemi nevojë t’i bëjmë ato as në mënyrë imagjinare si “shoku Enver”! Luftrat i bëjnë superfuqi si SHBA dhe fuqi të mëdha si Rusia, apo edhe ndonjë shtet ushtarakisht i zhvilluar si Izraeli – i mbështetur, sigurisht, nga një supërfuqi si SHBA. Në botë mund të mos ketë komunizëm, por s’mund të themi të njëjtën gjë për imperializmin! Ai vazhdon të ekzistojë si gjithmonë!

            Një arsye pse ne shqiptarët duhet të jemi të vëmendshëm ndaj situatës globale është pikërisht fakti, se duke qenë një vend i vogël, jemi shumë të varur prej vendimeve dhe veprimeve të të tjerëve. Madje për një moment i kthyem sytë edhe nga Serbia! U tunduam të imitonim realitetin e saj politik të protestave dhe zgjedhjeve, duke harruar se e kemi bërë një herë këtë me “komunizmin” e importuar prej Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Siç shihet, ndikimi ndërkombëtar nuk vjen vetëm përmes luftrave dhe pasojave të tyre. Nuk është fjala vetëm për efektet e drejtpërdrejta ekonomike të luftrave si ngritja e çmimeve të karburanteve dhe mallrave, të cilat neve i kemi gjithsesi në një nivel katastrofik edhe pa nevojën e luftrave. Fenomene si korrupsioni, monopolet, oligarkët dhe ekonomia informale, të cilat shkaktojnë rritjen e kostos së jetesës, nuk na i kanë krijuar luftrat. Madje, për ironi të fatit, ato na janë shfaqur si rezultat i mbarimit të “luftës” – i përfundimit të Luftës së Ftohtë!

Kështu, nëse në Europë (Francë, Itali, Gjermani etj.) protestat janë kryesisht një reagim ndaj rritjes së kostove të jetesës të shkaktuar nga luftrat (Lufta e Ukrainës dhe Lufta e Iranit), në Shqipëri çështja themelore nuk janë jo vetëm luftrat, por madje as investimet e huaja. Problemi ynë kryesor është korrupsioni. Mirëpo ai nuk është i karakterit sporadik, por sistemik. Në fund të fundit, edhe vetë “oligarkia” s’është veçse një sinonim i korrupsionit, në kuptimin e gjerë politik të fjalës. Një gjë e tillë është çështje sistemi. Influencat e huaja janë mishëruar tek ne në formën e imponimit imperialist të një sistemi politik autoritarist dhe monopolist – d.m.th. të sistemit oligarkik të kapitalizmit crony. Në këtë aspekt, jemi deri-diku njëlloj si në kushtet e dikurshme të Luftës së Ftohtë, ku secila prej fuqive të mëdha imperialiste prirej ta shtrinte influencën e saj përmes imponimit të një sistemi të caktuar politik.

            Kështu, duke qenë një vend i vogël jemi shumë të varur nga të tjerët. Ky është një fakt me natyrë strukturore. Me fjalë të tjera, ne nuk mund ta ndryshojmë këtë fakt nëse fillojmë të sillemi si nacionalistë duke iu rikthyer avazit populist të sovranitetit, apo dhe budallallëqeve të tjera të këtij lloji. Të gjithë e kemi parasysh, se ish-Bashkimi Sovjetik u shpërbë pavarësisht se “shoku Ramiz” (Ramiz Alia) u betua se “edhe do të hante bar”, “edhe do të derdhte gjak”. Madje as Reagani nuk i mori leje Ramizit, kur i sugjeroi publikisht Gorbaçovit të shembëte Murin e Berlinit. Sigurisht, nuk duhet të sillemi si servilë ndaj më të fortit, duke u treguar më katolikë se papa, por njëkohësisht as nuk duhet të imitojmë budallallëkun megaloman të shokut Enver, që do të vetëshpallej “fanar ndriçues”. Përpara se të pretendojmë të “ndriçojmë” të tjerët, duhet të përpiqemi të “ndriçojmë” veten. E thënë më kontekstualisht, përpara se t’i “shpallim luftë” Iranit, duhet t’i “shpallim luftë” korrupsionit, në mënyrë që të mos përfundojmë duke i “shpallur luftë” SPAK-ut, të cilin e ka krijuar “imperializmi amerikan”, për hir të të cilit i kemi “shpallur luftë” Iranit! Irani nuk është “gjermani” dhe neve nuk jemi “partizanë” si “shoku Enver” me “shokun Ramiz”! Kemi qenë dikur “bolshevikë”, por nuk mund të bëhemi “zionistë”! Për ironi të fatit, Mustapha Khayati ka thënë se “socializmit në një vend të vetëm” të bolshevizmit do t’i bënte jehonë “drejtësia për një popull të vetëm” e zionizmit. Ne shqiptarët “socializmi në një vend të vetëm” na la pikërisht “vetëm”, duke na izoluar nga bota; ndërsa “drejtësinë për një popull të vetëm” nuk ka nevojë ta kërkojmë tek “zionizmi”, sepse na mjafton SPAK-u.

6 – 7 Nëntor 2026


[1] Khayati M., “Two local wars”, “Situationist International Anthology”, Revised and Expended Edition, 2006, f. 262

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP