“Revolucioni i Madh” i Shqipërisë së vogël ose nga lufta e klasave tek lufta e kastave- Nga Armand Dedej
Nga: Armand Dedej
…Gjithçka varet nga qeverisja; e keqja e çdo pjese ndikon mbi të tërën.
Saint Just
Kemi vënë në dukje, – veçanërisht në esenë “Një rikthim tek Marxi” – se nuk mund të sillemi sikur jetojmë (të lumtur!) në demokracinë liberale dhe në kapitalizmin liberal të Perëndimit. Kjo nënkupton se disa gjëra që predikohen në mënyrë demagogjike prej ideologjisë së spektaklit, nuk kanë asnjë lidhje me realitetin tonë social. Ato janë thjesht një mashtrim i rëndomtë. Ky lloj mashtrimi ushtrohet, sa nga ata që e mbrojnë “sistemin”, aq edhe nga ata që e kundërshtojnë atë. Arsyeja pse të dyja palët gënjejnë bashkarisht dhe në ortakëri me njëra-tjetrën, është se ato nuk tregojnë se si është realisht “sistemi” që respektivisht mbrojnë dhe kundërshtojnë. Mbrojtësit mbrojnë sistemin liberal të kapitalizmit liberal dhe kundërshtuesit kundërshtojnë sistemin liberal të kapitalizmit liberal; ndërkohë ky sistem thjesht nuk ekziston në rastin konkret. Është e kotë të vazhdojmë të gënjejmë veten lidhur me këtë.
Realiteti ynë post-totalitar është interpretuar gjithmonë sikur kishim mbërritur tashmë në demokracinë liberale të tregut të lirë, e cila ende nuk ishte instaluar 100% dhe ku arritja e këtij objektivi ishte vetëm çështje kohe. Pra, sikur mjaftonte të “importoheshin”, apo “transplantoheshin” edhe disa elemente shtesë nga Perëndimi, në mënyrë që demokracia liberale të aktualizohej plotësisht. Përvoja na ka treguar se ky pretendim ka qenë ose krejtësisht i gabuar, ose krejtësisht i gënjeshtërt. “Demokracia e brishtë” e “tranzicionit”, e cila është konsideruar nga unë si “neobolshevizëm” (bolshevizëm i ri), nuk është një fazë kalimtare. Ajo nuk është një kalim nga totalitarizmi stalinist drejt demokracisë liberale. Kjo “demokraci” është një deformim i demokracisë liberale dhe një kamuflim i totalitarizmit stalinist, e cila konsiston në ruajtjen e bërthamës monopoliste të këtij të fundit nën aparencën e demokracisë liberale. Në momentin që “tranzicioni” rezulton të jetë një sistem i mirëfilltë i tipit neobolshevik, i cili ka një strukturë të vetën autokonsistente të funksionimit social-politik, është e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për një fazë kalimtare, në të cilën demokracia liberale përmirësohet gradualisht drejt përmbushjes së saj të plotë. Çështja është shumë e thjeshtë: ose demokracia liberale ekziston, ose ajo nuk ekziston. Nuk ka faza të ndërmjetme me natyrë hibride. Këto të fundit janë thjesht justifikime demagogjike, të cilat synojnë të fshehin faktin se aty ku vihen re probleme strukturore në funksionimin e demokracisë liberale, do të thotë se ajo nuk ekziston.
Teza e “tranzicionit” post-totalitar nga stalinizmi për tek demokracia liberale, është po aq e gabuar sa dhe teza e dikurshme marksiste e socializmit si fazë kalimtare drejt komunizmit – d.m.th. si një fazë e kalimit nga kapitalizmi në komunizëm. Njëlloj siç një shtet totalitar nuk çonte drejt shoqërisë pa klasa të komunizmit, por drejt një forme të caktuar kapitalizmi (kapitalizmit shtetëror monocentrik), po ashtu edhe një demokraci difektoze nuk çon drejt demokracisë liberale. Përderisa nga difektet e evidentuara të “demokracisë” së rastit konkret, rezulton një i ashtuquajtur “autoritarizëm” “autokratik”, atëherë kjo nënkupton se “klasa politike” e “tranzicionit” nuk është se nuk e di se si është “demokracia” – ajo thjesht nuk e do atë. Nëse do të vazhdonim me analogjinë e mësipërme, një gjë e tillë do të ishte e krahasueshme me kritikën që i bën Castoriadisi pikëpamjes së Trockijit rreth burokracisë staliniste. Castoriadisi vë në dukje që gabimi i Trockijit ishte se ai e konsideronte burokracinë staliniste si jo efektive në raport me arritjen e objektivit të komunizmit, duke mos kuptuar se ky i fundit nuk ishte objektivi i saj.[1] Sipas Castoriadisit, burokracia staliniste kërkonte të eliminonte mundësinë e komunizmit në funksion të ruajtjes së status quo-së kapitaliste, duke qenë shumë efektive në lidhje në realizimin e një gjëje të tillë, që ishte objektivi i saj i vërtetë. E njëjta gjë vlen edhe në rastin tonë të “tranzicionit” “post-totalitar”. “Klasa politike” e “tranzicionit” tonë pa fund, e cila e ka origjinën nga e njëjta klasë e dikurshme burokratike për të cilën ka folur Castoriadisi, nuk ka synuar të shkojë nga totalitarizmi tek demokracia liberale. Objektivi i saj ka qenë të mbeteshim gjatë gjithë kohës atje ku ishim. Dhe ajo ka qenë shumë efektive në arritjen e këtij objektivi, përderisa “tranzicioni” ka zgjatur, deri më tani, mbi 30 vjet! Me pak fjalë, fakti institucional i themelimit të Partisë Socialiste (Qershor 1991) vetëm pasi ajo i fitoi zgjedhjet e para pluraliste si Parti e Punës (31 Mars 1991), rezulton të jetë më tepër se thjesht një ironi e fatit – nëse e konceptojmë këtë fakt si një tregues të vazhdimësisë së re të të njëjtit sistem të vjetër! Të njëjtën gjë manifeston edhe fakti se nënprodukti ekskluziv i “pluralizmit”, Partia Demokratike, është drejtuar dhe drejtohet nga një ish-sekretar i Partisë së Punës.
Por një tregues po kaq tipik i pranisë në një formë të re të totalitarizmit të vjetër, është edhe vetë dukuria e mosfunksionimit efikas të institucioneve të shtetit liberal, duke qenë se totalitarizmi karakterizohet në përgjithësi nga prirja për t’i mbajtur institucionet e dobëta, pavarësisht nga trajta dhe struktura e këtyre të fundit. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për raste të veçanta sporadike, siç është rasti i famshëm i urdhërit verbal të Hitlerit për krijimin e kampeve të përqëndrimit, për të cilin nuk ekziston ndonjë dokument zyrtar. Siç ka treguar Gream Gill, totalitarizmi është në përgjithësi një regjim i institucioneve të dobëta. Nuk mund të ndodhë ndryshe, përderisa “institucioni” kryesor i totalitarizmit është “kulti i individit”, i cili presupozon një formë të ushtrimit të pushtetit, që Gill do ta konsiderojë si “diktaturë e personalizuar” të një “tipi patrimonial të shtetit”. Kjo bënte që Stalini të ndërhynte sipas dëshirës në veprimtarinë e çdo institucioni, duke vendosur për fatin e çdo çështjeje me të cilën ai zgjidhte të merrej. Pikërisht këtë karakteristikë thelbësore të totalitarizmit të vjetër mishëron fakti i mirënjohur neobolshevik i mosfunksionimit të institucioneve, që manifestohet në dukuri të tilla si korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, etj., të cilat janë thjesht pasoja të caktuara të një gjëje të tillë. Por shpallja e kryetarit të partisë të plotfuqishëm nga kodi zgjedhor i vitit 2008 do të ishte tashmë një përpjekje konkrete për ta institucionalizuar në një formë të re “kultin e individit” dhe “personalizimin e pushtetit”, të cilat kanë karakterizuar të shkuarën bolshevike që jemi prirur ta harrojmë. Këtu kemi të bëjmë me një formalizim të lidhjes informale të së tashmes me të shkuarën, përmes të cilit (formalizimit) e tashmja ka tradhëtuar hipokrizinë e vet ideologjike.
Kështu, përderisa sistemi liberal nuk ekziston, nuk ekzistojnë as tiparet që e karakterizojnë atë. Nuk mund të ketë konkurencë të tregut të lirë pa treg të lirë, ashtu siç nuk mund të ketë luftë klasash pa klasa. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të ketë as “revolucion” – d.m.th. nuk mund të ketë revolucion pa revolucion. Në këtë kontekst, do të na duhet të ripërkufizojmë edhe një herë atë që kemi konsideruar si “neobolshevizëm”. Do të duhet të rikujtojmë ato që kemi thënë rreth tij. Duhet rikujtuar se çfarë ky sistem realisht është pa makiazhin ideologjik të pluralizmit partiak dhe pronës private, të cilat janë një kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm i demokracisë liberale.
Duke lënë mënjanë çdo lloj “teorie konspiracioni”, pretendimi kryesor i konceptit të “neobolshevizmit” është se në Shqipëri sistemi autoritarist dhe oligarkik që kemi aktualisht është, në një farë mënyre, një lloj vijueshmërie në një formë të kamufluar me “demokraci” aparenciale i totalitarizmit të dikurshëm (d.m.th. i bolshevizmit dhe stalinizmit). Në rastin tonë, autoritarizmi nuk do të duhej të krijohej si devijim nga “demokracia”; mjaftonte thjesht të mos krijohej ashtu si duhej vetë “demokracia”, duke bërë kështu të mundur që të vazhdonte të ekzistonte “diktatura” – sigurisht, në një formë tjetër tashmë të re. E thënë “ndërkombëtarisht”, rezulton se Muri i Berlinit nuk është shembur për të gjithë njëlloj. Por është pikërisht aspekti “ndërkombëtar” i çështjes, ai që nuk do të trajtojmë këtu. Do të fokusohemi vetëm në realitetin tonë kombëtar, duke presupozuar për një moment sikur influencat e huaja nuk ekzistojnë. Kjo është thjesht, sigurisht, një “marrëveshje fjale”!
Devijimi karakteristik prej shtetit të së drejtës vihet re kur pushteti ekzekutiv fillon të ketë supremaci ndaj pushteteve të tjera, duke cënuar bazën e demokracisë liberale: ndarjen e tre pushteteve. Në rastin tonë kjo ishte akoma më e lehtë të bëhej, duke qenë se për arsye historike (stalinizmi i “shokut Enver”), neve nuk e kemi pasur ndonjëherë ndarjen e tre pushteteve. Ne do ta zëvendësonim aprioristikisht Montesquieun dhe Voltarein me Leninin dhe Stalinin. Prandaj në rastin tonë nuk bëhet fjalë për devijim nga demokracia liberale, por për vazhdimin e logjikës së një pushteti që është i kundërt me të (vazhdimi neobolshevik i bolshevizmit). Tek ne pushteti ekzekutiv ka qenë dhe mbetet prioritar në ushtrimin e pushtetit politik. Supremacia e tij nuk është shprehje e ndonjë devijimi, sic ka ndodhur në rastet perëndimore të protofashizmit të Lui Bonapartit dhe të fashizmit të Hitlerit e Mussolinit. Ajo që në Perëndim është quajtur “qeveri kryeministrore”, tek ne të anës tjetër të Murit të Berlinit është një gjendje e natyrshme e gjërave, e cila ka vazhduar pa asnjë ndryshim deri në ditët e sotme, duke mbërritur pikën e saj kulmore në qeverisjen e gjatë të Ramës. “Pikërisht kur lideri partiak, i identifikuar me partinë, është në krye të ekzekutivit, ndodh përqëndrimi i pushtetit në hallkën ekzekutive dhe në duart e kryeministrit me rolin e spikatur të tij, të shprehur edhe si: ‘qeveri kryeministrore’, që sipas A. Heywood, karakterizohet nga: a) udhëheqja e distancuar, është prirja e kryeministrit për të distancuar veten nga partia e tij; b) mbështetja e shtrirë populiste, që nënkupton përqëndrimin e vëmendjes së kryeministrit në organizimin e kontakteve dhe të komunikimeve të drejtpërdrejta e të vazhdueshme me qytetarët, të paraqitura si ‘bashkëqeverisje me qytetarët’; c) këshilltarë të veçantë, që nënkupton prirjen për t’u mbështetur më shumë në këshillëtarë të zgjedhur e të punësuar prej tij, se sa tek anëtarët e kabinetit qeveritar, apo në forumet partiake.”[2]
Por regjimi hibrid i “demoracisë së brishtë”, e cila për ne ka rezultuar të jetë një gjendje stanjative, më shumë se sa një çështje individësh është një çështje klasash. Oligarkizmi politik dhe ekonomik i neobolshevizmit e ka origjinën në faktin se klasa e dikurshme burokratike e bolshevizmit stalinist është shndërruar në kastë. Ajo është e tillë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës: një shtresë individësh që lindin me privilegje të trashëguara mbi baza gjenetike dhe që ua trashëgojnë këto privilegje pasardhësve të tyre gjenetikë. Si mund të ketë konkurencë dhe meritokraci në këto kushte? Ideja perëndimore me bazë liberale e mobilitetit social të individëve të suksesshëm, që ngrysen të varfër e të panjohur dhe gdhihen të pasur e të famshëm, është në rastin konkret thjesht një mit ideologjik. Çdo gjë është e paracaktuar. Të vetmit që kanë “sukses në jetë” janë anëtarët e kastës dhe shërbëtorët e tyre.
Neobolshevizmi konsiston në një sistem të shtresëzimit social, i cili është i ngjashëm me atë kastave lindore, apo të rendeve feudale të Europës së mesjetës. Kështu, kur themi se vendet neobolshevike janë nja 200-300 vjet mbrapa në kohë në raport me Perëndimin, në këtë rast nuk po flasim metaforikisht, por literalisht. Kemi të bëjmë me një realitet social-politik mesjetar, apo me një mesjetë të re, – ndonëse në kushtet globaliste të (post)modernitetit. Pikërisht pse kjo “mesjetë” është “e re”, ndaj saj nuk mund të aplikohet logjika e revolucionit që përmbysi mesjetën e vjetër. Nevojitet një përqasje më specifike në përputhje me kushte gjithashtu specifike. Kjo nuk nënkupton se historia duhet harruar. Thjesht nuk duhet të mbetemi robër të së shkuarës. Nuk duhet të katandisemi si Rusia e Putinit, e cila e ka projektuar të ardhmen e saj (gjeo)politike në të shkuarën e largët të shekullit të nëntë të Rus Kievianit, që ka me Rusinë e sotme po aq lidhje sa ç’kishte miti hitlerian i arianëve me gjermanët – d.m.th. asnjë lidhje.
Gjëja e parë që duhet bërë është të dallojmë çfarë është e ngjashme dhe çfarë nuk është në raport me të shkuarën. Me fjalë të tjera, nuk mund të ketë një Revolucion të Madh Francez të dytë, pavarësisht se çfarë mund të kenë menduar, nënkuptuar, shpresuar, apo ëndërruar protestuesit tanë të të gjitha partive dhe ngjyrave kur kanë shqiptuar fjalën “revolucion”. Çështja është se çfarë duhet bërë për ta shtrirë Revolucionin e Madh Francez (1789) edhe në Shqipërinë tonë të vogël, në anën tjetër të ish-Perdes së Hekurt. Përderisa po flasim, tashmë prej 30 vitesh, për ndërtimin e shtetit liberal; dhe përderisa këtë e promovoi si askush tjetër Revolucioni i Madh, i cili çuditi Kantin, entuziazmoi Hegelin dhe hipnotizoi Marxin; atëherë bëhet fjalë për shtrirjen e këtij të fundit tek ne, në kuptimin pikërisht literal të fjalës. Kështu, diskutimi ynë është çështje “metode”, duke qenë se është e qartë që arritjet e revolucionit në fjalë nuk mund të aktualizohen kudo në të njëjtën mënyrë. Në këto kushte, sigurisht që nuk mund të bëhet fjalë për gijotinë. Në fund të fundit, këtë na e ka ndaluar nga pikëpamja parimore edhe njëri prej idhujve të të gjithë ekzistencialistëve tanë ish-markistë: Camusja.
Ndarja e shoqërisë neobolshevike në kasta të ngjashme me ato të despotizmit oriental, apo edhe me ato të monarkisë absolute europiane tregon se ndryshimi i shumëpritur dhe i shumëvonuar nuk mund të vijë në trajtën e revolucionit klasor, që do të shfaqej gjatë Revolucionit të Madh Francez. Nga pikëpamja sociale, realiteti oligarkik i neobolshevzmit tonë është madje më i ngjashëm me atë të shoqërisë tradicionale agrare të despotizmit oriental se sa me atë të monarkisë absolute europiane, pavarësisht se bëhet fjalë për një realitet social borgjez si ai i monarkisë absolute europiane dhe jo agrar si ai i despotizmit oriental. Pa hyrë në detaje në lidhje me arsyen se pse ekonomia jonë oligarkike duhet trajtuar si një lloj i caktuar neomerkantilizmi, mjafton të themi se në këtë rast nuk mund të ketë një klasë borgjeze të papërfaqësuar politikisht që i kundërvihet aristokracisë, sepse vetë “aristokracia” neobolshevike është borgjeze. Jemi, gjithsesi, në një kontekst të përgjithshëm kapitalist. Ky, pra, është ndryshimi me Revolucionin e Madh. Nëse dikur ishin “proletarë” (“komunistë”), tashmë ish-stalinistët u bënë “kapitalistë” (“oligarkë”).
Nëse nuk ekziston një dualizëm antagonist ndërmjet shtetit dhe shoqërisë civile si ai që shembi monarkinë absolute më 1789-ën, – sepse e njëjta kastë që zotëron pushtetin politik të shtetit, zotëron njëkohësisht dhe ekonominë kapitaliste të shoqërisë civile – atëherë nga do të na vijë ndryshimi i shumëpritur? Përgjigjia është e thjeshtë: nga vetë kasta në fjalë. Pesha e përgjegjësisë historike bie mbi të. Përgjegjësinë më të madhe për të ardhmen e re të shoqërisë e ka veçanërisht “brezi i ri” i kësaj kaste drejtuese. Bëhet fjalë për përgjegjësinë e distancimit nga e djeshmja dhe e sotshmja e gjyshërve dhe e baballarëve. Sipas disa të dhënave jo edhe aq sekrete të para disa viteve, përgjatë qeverisjes transgresive dhe postmoderne të Ramës janë mbajtur vakante me dhjetra vende pune në administratën e shtetit, të cilat ishin të destinuara për fëmijët e politikanëve dhe biznesmenëve tanë të ndritur. Sigurisht, këta filiza që janë “e ardhmja e kombit”, nuk do t’i nënshtrohen ndonjë kriteri tjetër kualifikimi përveç atij gjenetik. Nuk është hera e parë që ndodh kështu! Kjo është një praktikë e rregullt, që daton qysh në vitin 1944, kur shoku Enver do të shfaqej me veshje ushtarake pas “çlirimit”, duke ardhur nga Labinoti. Me fjalë të tjera, ndonëse ne themi sot se jemi në krizë, në të vërtetë na rezulton se kështu kemi qenë gjithmonë qysh prej 1944-ës!
Fakti që ndryshimi i status quo-së do të vijë nga e njëjta kastë që e mban atë të pandryshuar, nuk është diçka krejt e paprecedentë në histori. Ky fakt bën që rasti konkret të jetë paradoksalisht sa i ndryshëm aq edhe i ngjashëm me Revolucionin e Madh Francez (1789). Ndonëse forca lëvizëse e këtij të fundit ishte borgjezia revolucionare, me të u bashkuan edhe elementë me prejardhje nga aristokracia reaksionare, pushteti klasor i së cilës u shemb bashkë me monarkinë. Persona si Mirabeau, Condorcet dhe Talleyrandi ishin me prejardhje aristokratike. Sigurisht, kjo nuk nënkupton se ethet e revolucionit kishin depërtuar tek e gjithë aristokracia. Deri në pranverën e 1789-ës, revolucioni përfytyrohej në qarqet e oborrëtarëve feudalë me në krye Maria-Antonetën, si një garë oratorie në funksion të rishpërndarjes së posteve dhe portofoleve ministrore. Çdo gjë reduktohej në luftë klanesh dhe tarafesh. Askush prej tyre nuk i imagjinonte përmasat shkatërruese të tërmetit që do të ndodhte. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për “aristokracinë” tonë neobolshevike, e cila ka qenë gjithmonë e zhytyr në meskinitetin e interesave të ngushtë apolitikë dhe ahistorikë të përfitimit imediat. Por tashmë qysh prej ditës kur Jared Kushner dhe Ivanka Trump vendosën të investonin në Zvërnec dhe Sazan, kjo “aristokraci” ka hyrë në një krizë politike që askush nuk është në gjendje t’i japë zgjidhje. “Politika zyrtare” e partive të vjetra është në gjendje kolapsi dhe ndërkohë asgjë e re nuk po shfaqet nga gjiri i protestave permantente kundër saj. Me fjalë të tjera, ajo që është në “krizë” është vetë kasta drejtuese e neobolshevizmit tonë. Ndonëse e mirëkuptojmë, nuk dimë se si ta ndihmojmë! Nuk na vjen në mendje asnjë “ide”, e cila të mos bazohet apriroristikisht në dy kushte objektive universale: demokracinë përfaqësuese dhe kapitalizmin. Në kontekstin tonë gjeopolitik europian, këto dy kushte janë minimumi i mundshëm i modernitetit. Askush prej nesh, sado radikal të jetë, nuk pretendon më tepër se kaq. Në këtë pikë, mund të themi se “realpolitika” ka triumfuar ndaj “ideologjisë”.
Tetor – Nëntor 2026
[1] Shih esenë e Castoriadisit: “Sartrei, stalinizmi dhe punëtorët”.
[2] Filo Ll., “Tranzicioni i vonuar: shkaqe dhe shkaktarë”, Albas, Tiranë, 2020, f. 95
Komente