web analytics

Të veçanta

RËNDËSIA E TË MENDUARIT ANALITIK: RASTI I SHFAQJES SË PUNËS SI VLERË E FUQISHME MORALE NË SHOQËRINË NJERËZORE

     Një nga gjërat më të rëndësishme që na ka mësuar tradita e shkencave shoqërore në përgjithësi dhe sociologjia në veçanti është përforcimi i të menduarit në mënyrë analitike. Të mendosh në mënyrë analitke do të thotë që të pranosh se në realitet asgjë nuk ndodh në mënyrë të rastësishme. Ose e thënë ndryshe, të pranosh që çdo gjë vjen si pasojë e një shkaku të caktuar. Pra, pranimi i kauzalitetit. Pranimi i realitetit shoqëror si një sferë e ndërtuar nga lidhje shkakësore të variablave të ndryshme bën të mundur formimin e perspektivës analitike. E thënë ndryshe, që kjo perspektive të jetë e mundur duhet pranuar se asgjë nuk ndodh pa një ose më shumë arsye. Si rrjedhojë, realieti shoqëror bëhet i kapshëm nga metodologjia shkencore, pjesë e së cilës është edhe mendimi analitik. Të mendosh në mënyrë analitike do të thotë që ta mendosh realitetin në tre dimensione; e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Në këtë kuptim mund të thuhet se e shkuara është shkak i së tashmes. Pra ne jemi kështu si jemi për shkak të ngjarjeve që ndodhën në të shkuarën. Ndërsa e tashmja është shkak potencial i së ardhmes. E theksoj potencial sepse shkakësia në krahasim me botën natyrore nuk është aq e qartë apo e prerë në botën shoqërore. Në këtë kuadër mund të themi pa frikë se puna, si vlerë e fuqishme morale dhe si fenomen social, mund të analizohet me një perspektivë të tillë. Dhe kjo është pikërisht ajo që synojmë të bëjmë në këtë ese.

     Në ditët tona puna është një aktivitet i përditshëm, intensiv dhe i domosdoshëm për njeriun. Dhe një njeri që punon (në të gjitha format e mundshme brenda kuadrit moral të shoqërisë.) respektohet dhe shihet me sy të mirë nga shoqëria. Ndërsa ata që nuk punojnë stigmatizohen dhe nuk pranohen si njerëz normalë në shoqëri. E keni pyetur ndonjëherë veten përse vallë ndodh kjo? Përse vallë jemi kaq të ftohtë dhe indiferent me njerëzit që nuk punojnë? Përse vallë duhet t’i trajtojmë si njerëz që nuk meritojnë respekt? Përgjigja e këtyre pyetjeve është e lidhur ngushtë me një ngjarje historike që ndodhi në Evropën e shekullit të 19-të. Kjo ngjarje është ajo që njihet si revolucioni industrial. Revolucioni industrial është një ngjarje e cila përgatiti kushtet e favorshme të shumë fenomeneve negative dhe pozitive të botës së mëvonshme. Por përpara se kjo ngjarje të jetësohej, puna në realietin e Evropës mesjetare nuk kishte të njëjtin kuptim apo perceptim nga njerëzit me kuptimin dhe perceptimin që ka sot. Në të kundërt me atë që ndodhi më vonë, individi i mëhershëm kur nuk punonte,   kërkonte mbështetje nga shoqëria. Njerëzit që nuk punonin ishin të varfër dhe varfëria shikohej si një mundësi për të qenë më afër me Zotin. Në këtë pikë feja luante një rol tepër të rëndësishëm. Fakti që feja e krishterë e vlerësonte varfërinë dhe përkushtimin e jetës ndaj Perëndisë u jepte këtyre njerëzve një lloj respekti të veçantë në shoqëri. Madje të varfërit shiheshin nga ana e të pasurve edhe si një mundësi për të fituar kënaqësinë e Perëndisë. Në rast se një i pasur ndihmonte të varfërit, atëherë rritej mundësia që ai të afrohej më shumë me Perëndinë. Kjo pikëpamje e bënte varfërinë dhe të papunët një kategori tepër të rëndësishme. Përveç kësaj, siç shprehej dhe Marksi, njerëzit që punonin i zotëronin vetë mjetet e prodhimit dhe gjithë procesin e plotësimit të nevojave bazë. Dhe në këtë aspekt ajo që kishte rëndësi ishte mundi i harxhuar në prodhimin e të mirave materiale. Pra puna nuk ishte qëllim por pasojë. Duke u bazuar në këto fakte mund të themi se ata që nuk punonin dhe varfëria si fenomen nuk shikohej me përbuzje dhe mllef dhe që vlera e punës shtrihej në mundin e harxhuar.

Po revolucioni industrial çfarë ndryshimesh solli në këtë aspekt? Çfarë e bën revolucionin industrial kaq të rëndësishëm për botën e mëvonshme?

     Revolucioni industrial ka një vend qëndror në mendimin analitik në këtë aspekt. Rëndësia e tij qëndron në fuqinë e frikshme transformuese që kishte. Siç e përmendëm dhe më sipër revolucioni industrial u bë shkak i shumë fenomeneve sociale siç ishin zhvillimi teknologjik, rritja e kapitalit, ndryshime të rëndësishme demografike siç ishte fenomeni i shpërnguljes masive të njerëzve nga fshati drejt qyteteve (i cili vazhdon akoma dhe sot) dhe si rrjedhojë edhe ndryshimeve në strukturën e institucionit të familjes. Gjithashtu zhvillimi urban filloi të përparojë me hapa të shpejta duke krijuar kështu një lëmsh të madh social. Ajo që e karakterizon më së miri revolucionin industrial është ndërtimi i fabrikave. Por fabrikat e asaj kohe ishin shumë më ndryshe se të sotmet. Nëse për funksionimin e një fabrike sot nevojiten (për shembull)  10 persona, atëherë nevojiteshin 50 ose 100. Pra ndihej nevoja e fuqisë punëtore. Kjo bëri që njerëzit të drejtoheshin drejt qyteteve me qëllim mbijetesën. Puna në fabrika kërkonte një segment kohor tepër të gjatë (afërsisht 14 orë në ditë). Dhe kjo lloj pune në gjithë tërësinë e saj ishte një sjellje e re për njerëzit e asaj kohe. Si e tillë mund të përfytyrohen qartë vështirësitë me të cilat shoqëria e asaj kohe u detyrua të luftojë. Për të adaptuar dhe detyruar njerëzit me kushtet e reja të sistemit ekonomik nevojitej një sistem i ri vlerash. Dhe siç mund të kuptohet vlerat janë shtysat e veprimeve tona, qofshin ato voluntariste ose jo. Klasa kapitaliste kishte nevojë që njerëzit të punonin në këto kushte dhe si rrjedhojë edhe me ndikimin e kësaj klase lindi një vlerë e re; morali i punës. Sipas Weberit morali i punës u bë shpirti i kapitalizmit. Kjo nënkupton se kusht themelor për ekzistencën e kapitalizmit është perceptimi i punës nga shoqëria si diçka e moralshme ose e thënë më qartazi si një kusht i domosdoshëm për të qenë një njeri normal. Pra morali i punës ishte shpirti që mbante gjallë trupin (kapitalizmin). Vlerësimi në këtë stad ekstrem i punës solli një përmbysje të perceptimit ndaj të varfërve dhe të papunëve. Tanimë ai që nuk punonte (rrjedhimisht edhe të varfërit) shikohej si rrugaç, i pacipë, parazit, dembel, njeri pa principe dhe qëllime. Të papunët dhe të varfërit filluan të etiketoheshin në mënyrat më të dhunshme të mundshme nga klasa kapitaliste dhe pjesa “e pastër” e shoqërisë. Dhe si pasojë u tjetërsuan jo vetëm në aspektin e vlerësimit social por edhe atë territorial. Duke qenë se këta “parazitë” ishin pjesa e pisët dhe forma e kundërt e virtytit, afrimiteti me ta nuk shihej me sy të mirë. Ndërsa ata që punonin ishin njerëz që meritonin respekt dhe vlerësim total. Në këtë mënyrë puna u bë një vlerë e fuqishme morale me një ndikim mjaft të madh në jetën shoqërore. Dhe siç mund të kuptohet, kjo vlerë akoma dhe sot luan një rol kyç në marrëdhëniet tona sociale dhe rrjedhimisht në strukurimin e shoqërisë tonë.

     Si përfundim mund të thuhet se ky fakt historik që u trajtua në vija të trasha më lart është një shembull i qartë i asaj sesi ngjarjet historike ndikojnë jetën tonë aktuale. Dhe këtu del në pah edhe rëndësia e historisë. C. Wright Mills shprehej se nëse duam ta kuptojmë më mirë jetën sociale, kemi nevojë për një perspektivë të atillë e cila të jetë në gjendje të ndërlidhë biografinë tonë me prapaskenën historike të shoqërisë. Në këtë mënyrë si pasojë e kapjes së nivelit analitik nga njerëzit shoqëria mund të rregullohet në shumë aspekte të problemeve që ajo ka aktualisht.

LEDJO ZENELI

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP