Pastrim i shpirtit
I pata thënë shpirtit kësaj here do të qortoj e do më bindesh. Po s’qe e thënë. Vërtetë s’qe e thënë… Edhe në qoftë bindur ndonjëherë, vërtetë që nuk kishte nxënë. Jo, të nxësh do të thotë të mos lëshosh më. E pata falur disa herë zemrën për hilet që i bëri vetes. Dhe vetes ia bëri. Ama prej saj unë e pësova. Edhe kur e ndëshkova, bëri sikur kuptoi, e prapë ju kthye zakonit. Për të mos ia mohuar, ca gjëra i ndryshoi. Rregulloi diçka. Por përparimi ishte i ngadaltë, i vonshëm, madje disa herë mbrapësohej edhe në ato gjëra që ia dija të kryera. Por jo! Kërkonte vëzhgim të vazhdueshëm. Donte vëmendje të re, analizë, trajtim rigoroz dhe ushtrime përforcuese. Mbaj mend shumë raste kur e pata çlodhur e lehtësuar duke ia nxjerrë të ligën. Aq sa mendova se s’do të më duhet më kurrë të përpiqem ashtu për t’ia larguar ndytësitë. Jo! Ajo çdoherë bëhej e papastër, e nëse e lije gjatë do të duhej t’i kthehesha prapë të njëjtës punë, madje me sforco e normë të re, me plan të ri veprimi. E dija mirë çfarë duhej. Edhe kohën edhe vendin edhe procesin. E dija mirë si funksiononte. Po asnjëherë nuk arrita të shtie në dorë dëshirën e plotë të vullnetit të saj, për t’u vetëmotivuar në pastrim. Gjithnjë kërkonte ndotjen, për të nxitur larjen. Patjetër i duhej një llucë, një rënie, ose një batak i ri, për të punësuar mekanizmat e “ujit të kripur”. Jo rrallë qëllonte që nevoja dhe përdiegia e brendshme ishte vërtet e madhe, saqë rëndesa ta impononte aktivizimin e këtij impianti, mirëpo pikërisht mungonte ai çelësi që do ta aktivizonte, që do ta përpunonte dhe çlironte lëngun shërues, çudibërës. Pa të, pastrimi ishte i mangët, pa aromë, pa shije, pa shkëlqim, madje as i sigurtë. Mungonte diçka tjetër. Edhe kur qëllonte të realizohej me kapacitet të plotë në një nga ato netët, gjithnjë pas punës në fund, ndihej frika e ngopjes. Pastërtia dukej aq e arritur saqë panikoste edhe për papastërtinë më të vogël. Pastërtia e “tepërt” ia shtonte dëshirën për një pastrim tjetër, më të vogël, por të ngjashëm, edhe një tjetër, edhe më, çdo natë, vazhdimisht…Por sërish mungonte lënda e parë dhe vullneti. Një vullnet i sforcuar nuk mund të bënte asgjë më shumë se rendja pas një përlyerje tjetër, një rrëzimi të ri, madje nganjëherë refuzimi të papritur, për t’u kthyer i pastër , të paktën aq sa ishte pa u bërë pis. Me raste ngrihej më lart se normalja. Në raste të tjera më poshtë se e pritshmja, e justifikueshmja. Ishte një stërmundim i vërtetë të kuptoje frazën kur’anore: “Ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.” Mendova: Si mund ta bësh diçka të pastër e njëkohësisht ta pastrosh atë në vazhdimësi?! Kur e ku është limiti që të quhet e bërë, e pastruar?! Po kur të pastrohet ç’duhet bërë?! Edhe nëse arrijmë për te caku a do mundemi akoma, edhe më përtej kësaj? A do çlirohemi nga kjo luftë për shpëtim? Nga domosdoshmëria e këtyre betejave pa armëpushim… E vetmja kohë e ballafaqimit me suksesin e punës dhe të përpjekjes në të, është momenti i paraqitjes për t’u njohur me rezultatin.Kush i paraqitet (Atij) me zemër të pastër…Zemra e shëndoshë mbart edhe mëkate, por një zemër e pastër kurrsesi nuk pranon të kundërtën e saj, papastërtinë, padëlirësinë. Ajo duhet të dorëzohet siç është marrë. Përndryshe me pahirin tënd do të merret e mjekohet e sterilizohet me sforco, me dhimbje, në mos me djegien me zjarr. Ajo duhet të zbardhëllojë, të ndrijë. E ç’të them unë i mjeri…! I lumì ai që e pa veten të shpëtuar pas kësaj.
Ibrahim Xhepmetaj
Komente