web analytics

Të veçanta

Zhvillimet kryesore të muajit Mars

Shqipëria

Marsi, “urra “e fundit drejt zgjedhjeve

Ashtu siç edhe ishte parashikuar, muaji mars prodhoi ngjarjet më të rëndësishme të parazgjedhjeve. Data 8 mars shënoi afatin e fundit të dorëzimit të listave me emrat e kandidatëve të partive dhe koalicioneve. Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike (Aleanca Për Ndryshimin), u paraqit e fundit për dorëzimin e listave, rreth mesantës. Megjithatë, KQZ i ktheu për korigjim listat e 4 partive, mes të cilave edhe të PS e PD. Ndërsa në datë 17 ishte përsëri KQZ që hoqi nga lista e PD 69 kandidatë me pretekstin e ekzistencës së më shumë kandidatëve nga sa e lejon ligji në lista. Më vonë PD e apelon këtë vendim në KAS. Ky komision ( i ankimimeve dhe sanksioneve) i riktheu kandidatët e skualifikuar.

Karakteristikë e kësaj përgatitje për zgjedhjet vendore kanë qenë edhe risitë e sjella nga KQZ, në lidhje me votimin elektronik, çka është një risi për vendin tonë; po ashtu edhe formati i madh i fletës së votimit i mbushur përplot me emra kandidatësh edhe partish. Ky muaj do kujtohet edhe për përplasjet e gjeneruara në Elbasan gjatë vizitave të njëkohshme të kryeministrit dhe të kryetarit të opozitës, sherri mes Luçiano Boçit, kandidat i PD dhe Gjergj Lucës, biznesmen nga Elbasani. Këto janë shenja që pasqyrojnë papjekurinë politike.

Kacafytja e “djajve”

Përplasja e presidentit Meta me policinë bashkiake në zyrat e FRD-së në datën 12 mars pasyroi frymën e vërtetë të klasës politike shqiptare të këtyre 3 dekadave demokraci. Nga një anë kemi të bëjmë me një lukuni pushtetarësh, me në krye kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë Tiranë, të cilët kanë humbur sensin e kufizimit të instikteve dhe ndalesave morale duke kryer çfarëdolloj veprash anti-kushtetuese dhe korruptive për interesat e tyre. Nga ana tjetër qëndron presidenti Meta, i katapultuar në atë pozitë falë pazarllëqeve politike me pushtetin, akte absurde të cilat me sa duket nuk e kanë ngopur egon e tij. Veliaj e Rama janë të babëzitur pas pushtetit dhe akumulimit të sa më shumë prej pasuruve kombëtare, ndërsa Meta është i padurueshëm tek sheh këto gllabërime, pa pasur mundësi të bëhet pjesë e tryezës së turpit, ndërkohë që hahet mishi (pasuria) dhe gjaku ( shëndeti) i njerëzve të thjeshtë e të përvuajtur të kombit.

Reagimet dhe qëndrimet ndaj panoramës që u krijua nga skena e vërshimit të presidnetit në zyrat e FRD-së, na tregoi edhe një herë arsyen se pse niveli i zbatimit të parimeve të drejtësisë dhe atyre morale është ende shumë ulët. Asnjë shqiptar nuk duhet të pozicionohet duke i dhënë të drejtë njërës palë në këtë rast. Të dyja palët janë fajtorë, askush nuk duhet përkrahur. Janë pjesë e të njëjtit sistem politik të kalbur ku ‘peshku i madh ha të voglin’.

Ndahet nga jeta ish-kryeministri Bashkim Fino

Vetëm 2 ditë nga fundi i muajit mars, si pasojë e virusit covid-19, humbi jetën Bashkim Fino, deputet nga radhët e PS, si edhe ish kryeminsitër. Kjo vdekje shënon viktimën e parë nga radhët e deputetëve të parlamentit shqiptar si shkak i virusit covid-19, pas më shumë se 1 viti të prezencës së sëmundjes në vendin tonë. Po ashtu, Fino bëhet i pari ish-kryeministër i periudhës pluraliste që ndërron jetë. Me vendim të kryeministrit, dita e vdekjes së tij u shpall ditë zie kombëtare. Partia Socialiste ndërpreu të gjitha aktivitetet në kuadër të fushatës elektorale. Edhe nga opozita në datën 29 mars u ndalën aktivitetet elektorale. Bashkim Fino do kujtohet si kryeministër i pajtimit kombëtar në mars të vitit 1997, në një situatë kaotike dhe të një gjendje të konfliktit civil.

 Vaksinohen 100.000 shqiptarë

Sfida e vaksinimit në Shqipëri vazhdon të prodhojë përplot retorikë politike dhe angazhim social. Ky muaj nisi debate me të cilët në thelb synonin të mblidhnin pikë elektorale, ndërsa qasja adekuate ndaj problemit ishte e largët.  Gjithsesi, suksesi në fushën e vaksinimit u arrit gradualisht dhe kulmoi me marrëveshjen midis kryeministrit Rama dhe presidentit të Turqisë Erdogan për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave. Menjëherë pas këtij proçesi pasoi vaksinimi masiv, çka mundësoi që muaji mars të kalojë shifrën e 100.000 të vaksinuarëve në shoqërinë tonë. Ky sukses është nga hapat më të rëndësishëm në rrugën drejt normalizimit të jetës sociale dhe heqjes seë masave kufizuese.

Rajoni

 Kunstituohet qeveria e re e Kosovës

Kosova, një shtet me përvojë të shkurtër politike, por i karakterizuar nga pjekuria dhe toleranca e lartë. Këtë tipar e vërtetoi më së miri akti i konstituimit të qeverisë së re të Albin Kurtit. Vetëvendosja, edhe pse më herët shfaqte rebelim dhe sjellje revolucionare, pas votimit të mocionit të besimit vitin e kaluar, priti e qetë dhe punoi plot maturi në kuadër të riardhjes në pushtet.  I fituan zgjedhjet në mënyrën më demokratike të mundshme dhe fituan respektin e shumë faktorëve politikë nga partitë kundërshtare.  Shpresohet që veprimet e suksesshme dhe të dobishme poltike nëpërmjet të cilave u konfigurua forca dhe konsolidimi i LVV-së, të pasojnë me sjellje politike, projekte dhe punë të sukseshme edhe gjatë periudhës së qeverisjes.

 Maqedonia e Veriut nis regjistrimin në fillim të marsit dhe e pauzon në fund të po këtij muaji

Me fillimin e muajit mars, pikërisht në datën 2, nisi zbatimi i ligjit për regjistrimin  e popullsisë së Maqedonisë.  Fillimisht ishte planifikuar regjistrimi i shtetasve maqedon që jetojnë jashtë shtetit, i diplomatëve, të burgosurve edhe të pastrehëve. Por ende pa ardhur data e përfundimit të afatit të kësaj faze të parë regjistrimi, e cila bëhej online, në një takim të rrallë midis kryeministrit Zaev dhe kryetarit të opozitës Mickoski, u ndal proçesi deri në një moment tjetër. Pikërisht në datën 29 mars u vendos shtyrja e regjistrimit për në shtator, duke u argumentuar  me faktin e ruajtjes nga përhapja e virusit covid-19, pasi faza e dytë e regjistrimeve përkonte me procedura fizike.

Serbia demonstron tipare superfuqie në Ballkan edhe në pandemi

Vetëperceptimi i serbëve, më konkretisht i drejtuesve të shtetit, po tregon edhe në këtë kohë krize shëndetësore globale prirjet për t’u shfaqur si superfuqi rajonale. Filimi i vitit 2021 e gjeti vazhdimisht Serbinë në krye të listës së vaksinimeve të popullsisë. Përveç vaksinimeve në popullsinë e vet, Serbia bëri një ftesë të hapur për vaksinim falas për të huajt në fund të marsit. Në total u vaksinuan rreth 20 mijë të huaj, mes të cilëve rreth 9 mijë  persona nga sektori i biznesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi). Kryeministrja serbe, Bernabiq, u shpreh se arsyeja e dhurimit të vaksinave ‘Astra Zeneca’ për shtetas nga vendet fqinje, mbi të gjitha qëndronte tet fakti i skadimit të këtyre vaksinave në fillim të muajit prill. Pyetja e thjeshtë që shtrohet në këtë situatë është: A nuk kishte nevojë Serbia për një vaksinim sa më masiv të popullsisë së saj, pasi pjesa dërrmuese e shtetasve të vet ende nuk janë vaksinuar, edhe pse performanca e shtetit në këtë aspekt është e lartë, por gjithsesi vetëm  afër 5 % e popullsisë kanë marrë vaksinë deri tani. Apo qëndron më shumë arsyeja tjetër që na bën të kuptojmë se shteti serb historikisht ka synuar dominancën politike në Ballkan, dhe rritja e fuqisë së saj politike, fuqizimi i faktorëve që gjenreojnë ekspansion dhe demonstrimi i një fuqie të madhe ekonomike e shtetërore, bëjnë që ky shtet të sakrifikojë shumëçka, edhe nga vitaliteti i popullit të saj.

Bota

Navalny si buton i ‘rindezjes’ së “Luftës së Ftohtë”

Ndryshimi i ekulibrave gjeopolitikë vitet e fundit ka sjellë edhe forma të reja të shprehjes së armiqësive dhe të realizimit të ‘luftërave’. Marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Rusisë, por edhe midis BE-së edhe Rusisë, së fundi na kanë treguar një formë të re të diplomacisë apo të sulmeve politike. Kjo formë e re konsiston në retorikën e maskave, shprehjen e formalitetit në marrëdhënie ndërshtetërore dhe fiktivitetin e qëllimeve të shprehura. Kjo mënyrë e sjelljes politike haset më së miri në rastin e opozitarit më të fuqishëm rus, Navalny, i cili në fillim të vtit udhëtoi drejt Gjermanisë pas helmimit në vendin e vet. Pasi gjeti shërim dhe rikuperim në shtetin superfuqi të Europës, Navalny u burgos në Rusi. Gjatë gjithë muajit mars, çështja e tij u kthye në epiqendër të komunikimikt politik midis Shtëpisë së Bardhë, Kremlinit edhe Brukselit. Në datën 2 mars ShBA dhe BE vendosën sanksione të koordinuara kundër zyrtarëve rusë, për shkak të helmimit dhe burgosjes së liderit të opozitës, Aleksei Navalny. Nga ana  e tyre, udhëheqësit rusë  deklaruan se do iu përgjigjen këtyre sanksioneve, se do përdorin reciprocitetin, si një mekanizëm themelor të diplomacisë. Navalny si prekekst mbetet shumë i dobët për ShBA-të dhe BE-në, të cilat së fundi janë përballur me sfida të mëdha politike dhe sociale. Sulmet në Capitol për ShBA-të dhe Brexiti që ndau nga BE një superfuqi si Britania e Madhe, duhet të ishin arsye të mjaftueshme që këto vende të tregonin rezerva ndaj asaj që ndodh në Rusinë autoritare.

Korea e Veriut dhe Pakistani si dy “bërthama’ të armëve bërthamore

Korea e Veriut ka bërë traditë të politikës së jashtme testimet e armëve bërthamore fill pas zgjedhjes së kryetarëve të shtetit të ShBA-ve dhe Koresë së Jugut. Në fund të muajit mars, pasi udhëheqësit e shtetit komunist refuzuan kërkesën e presidentit Biden për dialog, ky refuzim u shoqërua edhe me testimin e 4 raketave me rreze të vogël në det. Ndryshe nga herët e tjera, këto teste bërthamore vijnë në përmasa më të vogla, për shkak të mobilizmit të amerikanëve në rast përplasjesh. Nga ana tjetër, një tjetër shtet aziatik, Pakistani, jo më larg se në datën 27 mars  testoi raketën balistike me kapacitete bërthamore, “Shaheen-1A”, e cila ka rreze veprimi prej 900 kilometrash. Pakistani është 1 nga 9 shtetet e botës që zotërojnë armë bërthamore të shkatërrimit në masë, dhe i vetmi vend me shumicë myslimane në këtë 9-she. India ka qenë shpesh subjekti armiqësor i Pakistanit për shkak të Kashmirit, si zonë e kontestuar mes dy shteteve. Por testimet e armëve në këtë fund muaji nga ana e Pakistanit nuk besohet se kanë lidhje me këtë konflikt, pasi në fund të muajit shkurt, ushtritë e të dyja vendeve bënë pakt për të ndaluar luftimet. “Të dy palët ranë dakord për respektimin e rreptë të të gjitha marrëveshjeve, mirëkuptimeve dhe ndalimit të zjarrit përgjatë ‘Linjës së Kontrollit’ dhe të gjitha sektorëve të tjerë, me efekt nga mesnata e 24/25 shkurtit të vitit 2021”, thuhet në njoftimin e ushtrive të Indisë dhe Pakistanit.

Epoka e Erdogan, për të shtatën herë kryetar i AKP

Tashmë Erdogan është fenomen politik dhe jo vetëm. Atij iu besua edhe një herë drejtimi i partisë në pushtet me një mbështetje që përkthehet në 100 %  të votave të vlefshme. Historia poltike e Turqisë, por edhe historia politike moderne në përgjithësi, nuk kanë parë rast tjetër të një lideri të natyrës së Erdogan. Mbështetja popullore dhe prestigji ndërkombëtar që ka fituar presidenti turk, e bëjnë atë rast unik. Tek ai janë mishëruar cilësitë e politikanit, me ato të reformatorit, bamirësit, gjenralit, sindikalistit, këshilltarit edhe heroit që lufton pë popullin e tij. Erdogan, së bashku me bashkë-udhëheqësit e shtetit turk, kanë arritur suksesin e deritanishëm për shkak të konsekuencës që kanë treguar ndaj parimeve për të cilat premtonin. Qëndrimet parimore dhe veprimet pozitive politike janë shprehur në mënyrë rigoroze edhe gjatë muajit mars. Erdogan vazhdimisht ka dialoguar me udhëheqit e shteteve më të fuqishme të BE dhe SHBA duke arritur marrëveshje të rëndësishme por edhe duke mbajtur qëndrime kur është kërkuar. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm, Çavushoglu, ka kryer takime negociouese dhe diplomatike me homologët e shteteve të rëndësishme si Azerbajaxhan, Afganistan, Katar, Egjipt etj. Ndihmat monetare dhe dhurimi i vaksinave nuk kanë munguar as gjatë muajit mars, duke ruajtur performancën e lartë të bamirësisë dhe investimeve njëpalëshe nga ana e Turqisë. Ndërkohë nuk kanë munguar as arrtijet e radhës në fushën e shkencës  dhe teknologjisë. Vaksinat e prodhuara nga kompania turke  u pranuan nga OBSH, ndërsa u deklarua arrtje edhe në fushën e animimeve nga sektori përkatës turk. Këto zhvillime që janë të ndryshme nga muaji në muaj bëjnë që në këtë aktualitet kjo epokë për arrtjet e Turqisë të njihet si epoka e Erdogan-it.

ShBA ndryshon politkën e jashmte me ardhjen në pushtet të Biden

Pas largimit nga pushteti të Trump-it, presidentit amerikan që ndërtoi një politikë të jashtme nën devizën ‘Amerika e para’, parardhësi e tij Joe Biden mesa duket ka ndryshuar kurs. Në pjesën e tretë të muajit mars viziton Brukselin Antony Blinken, skretari amerikan i shtetit në qeverinë e re të drejtuar nga Biden. Blinken e vizitoi Brukselin me synimin e forcimit të aleancave me BE-në, si edhe të faktorizimit sa më të madh të ShBA-ve brenda NATO-s. Sekratari amerikan i shtetit u takua me drejtuesin e NATO-s, Stolenberg si edhe me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Në fokus të bisedimeve ishin Kina dhe Rusia, ashtu si edhe roli i NATO-s në Afganistan, siguria kibernetike, luftimi i terrorizmit, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe sfida të tjera të përbashkëta. Kjo vizitë u cilësua edhe si hap i ‘rivendsojes’ së marrëdhënieve midis ShBA-ve dhe BE.

Superfuqitë e botës kërkojnë paqe në Afganistan

Më 18 mars, përfaqësues të ShBA-ve, Kinës, Rusisë edhe Pakistanit artikuluan një kërkesë të përbashkët me anë të së cilës i kërkuan palëve luftuese në Afganistan të shpallin armëpushim në konfliktin e brendshëm 20-vjeçar. Kjo kërkesë vjen si përpjekje për të zbutur konfliktin mes palëve pas ashpërsimit që u shfaq fill pas diskutmeve mes qeverisë afgane dhe talebanëve në shtator të vitit të kaluar në Katar. Qeveria afgane akuzoi talebanët se nuk kanë bërë aq sa duhet për arritjen e paqes, kjo solli rebelimin e talebanëve dhe ngërçin e dialogut. Kërkesa e 4 shteteve të fuqishme për paqe në Afganistan vjen vetëm 1 muaj e gjysëm para se të mbarojë afati i tërheqjes së trupave amerikane paqeruajtëse nga vendi. Vendimin për tërheqjen e ushtarëve e morri vitin e kaluar ish-presidenti i ShBA, Trump, por presidenti aktual Biden deklaroi se nuk është e mjaftueshme koha për të bërë tërheqjen e trupave.

Izraeli në udhëkryq

Izraeli, si shprehje e dominimit Perëndimor në luftën e ekulibrave ndërkombëtarë të pas luftërave botërore, në rreth 8 dekada përvojë historike, shënon së fundi krizën më të thellë politike. Brenda 2 viteve të fundit, në mars të këtij viti u mbajtën zgjedhjet e 4-ta të përgjithshme të cilat kanë vënë në pikëpyetje postin e Netnyahut, si kryeministri më jetëgjatë i Izraelit. Destabiliteti politik, ilegjitimiteti dhe autokracia ka karakterizuar kryesisht shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, kryesisht shtetet arabe, ndërsa Izraeli është spikatur për demokracinë dhe liberalizmin socio-politik. Edhe pse shtet i vogël, në periudhën e pandemisë qeveria e Izraelit ka qenë shumë aktive për menaxhimin e situatës, vaksinimin e popullsisë dhe zhvillimin mjekësor në kuadër të covid-19. Në këtë aspekt qeveria izraleite pati sukses, mirëpo pritet të shihet a do jetë ky sukses aq i fusqishëm sa të  dominojë pakënaqësitë e shoqërisë në lidhje me krimet shtetërore ndaj palestinezëve dhe korrupsionin për të cilin akuzohet Netanyahu.

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP