web analytics

Të veçanta

Peisazhi mediatik në Shqipëri

Sfidat që po has në ditët e sotme shtypi i shkruar dhe televizioni.

Debati përsa i përket krizës në shtypin e shkruar nuk është një debat i kohëve tona, por ai e ka zanafillën qysh herët, fillimisht pas daljes së radios, më pas me daljen e televizorit dhe është përforcuar më së shumti në ditët e sotme më ekzistencën e një rreziku të ri siç është interneti.

Sa i takon Shqipërisë, vlen të theksohet fakti se qysh në fillimet e veta dhe deri në ditët e sotme shtypi në Shqipëri ka pasur uljet dhe ngritjet e veta. Tregu mediatik në Shqipëri ndryshon vit pas viti, madje ka arritur të ndryshojë dhe muaj pas muaji. Kjo shpeshherë  ka çuar dhe në zhdukjen e titujve dhe zëvendësimin e tyre me të tjerë.

Kryesisht gazetat shqiptare e zgjerojnë informacionin e tyre duke përfshirë fusha të ndryshme si politika, ekonomia, kultura, sporti, informacionet ndërkombëtare, analizat dhe opinionet e ndryshme.

Po ti referohemi Shqipërisë dhe raporteve të fundit që janë bërë në lidhje me lexueshmërinë e gazetave print, do të vemë re se tirazhi i shitjeve ulet çdo ditë edhe më shumë duke bërë që shtypi i shkruar të mos jetë më preferenca e parë e publikut.

Njerëzit tashmë blejnë jo më shumë se një gazetë një ditë. Kështu gazetat duhet të konkurojnë mes njëra- tjetrës. Rënia në qarkullim në raport me vitin e kaluar lidhet me rënien e fuqisë blerëse, por gjithashtu dhe me faktorë të ndryshëm psikologjikë.

Remzi Lani në artikullin e tij “Media e Ballkanit” thotë se: “Shtypi ballkanik i ditëve të sotme është më shumë një zgjatim i politikës se sa përfaqësues i opinionit publik. Një pjesë e konsiderueshme e medias vazhdon të kontrollohet nga grupe të fuqishme politike. Në njëfarë kuptimi: Shtypi u bë pluralist, por jo i pavarur” dhe “Shtypi u bë i lirë, por jo i pavarur”.

Kjo tregon se në këtë formë nuk kemi liri të medias, dhe duke mos patur liri kjo do të çojë në një mungesë të theksuar të profesionalizmit, sepse gazetarët nuk do të shkruajnë më për interesin e publikut, por do të shkruajnë për interesat e pronarëve të tyre që njëkohësisht ndodh të kenë lidhje të ngushta me një parti të caktuar politike.

Një situatë e ngjashme po ndodh edhe me televizionet. Edhe pse televizionet nuk e kanë humbur shikueshmërinë dhe vazhdojnë të jenë lider në tregun mediatik, ato po humbin pikë në cilësinë e produkteve që prodhojnë.

Televizioni ka në thelb të tij dramaticitetin, ai vë në imazh një ndodhi apo një fenomen të caktuar duke ja ekzagjeruar rëndësinë dhe karakterin strategjik të tij.
“Televizioni trazon”-thotë Bourdie. Por si do ta kuptojmë ne këtë?
Kur thotë “trazon”, Bourdie do të thotë që televizioni promovon të pazakonshmen, atë që është larg të përditshmes, atë që nuk është e pranuar nga një pjesë e madhe. Fakti që televizioni kërkon “të parin për lajmin e fundit”, mediat, që të jenë të parët që shohin apo bëjnë diçka, janë gati të bëjnë gjithçka, dhe duke qenë se të gjithë synojnë t’ia kalojnë tjetrit, përfundojnë duke bërë të njëjtën gjë.

Jo rrallëherë televizoni prodhon dhunë. Dhunën në televizion mund ta gjejmë në të gjitha dimensionet e saj. Ai, duke u përpjekur që të promovojë të pazakontën, nxit kronikën e zezë, e cila zbulon në detaje në lidhje me ngjarje të ndryshme që kanë në themel të tyren dhunën. Kjo ndodh sepse një ndër funksionet e medias është të prodhojë modele…edhe pse në këtë rast modeli që prodhohet është ai negativ, që mund të shkaktojë trazira dhe të japë alternativa negative që nxisin dhe përhapin akoma më shumë dhunën.

Giovanni Sartori thotë në librin e tij Homo Videns se; “televizioni i është nënshtruar llogjikës së spektaklit, ka rënë në grackën e imperializmit dhe thithjes së audiencës; kultura dhe informacioni televiziv janë sipërfaqësore dhe të rëndomta, sepse shpejtësia dhe thjeshtëzimi sundojnë mbi realitetin, aktualiteti i lajmeve mbizotëron ndaj përthellimit, pamjet mbresëlënëse mbizotërojnë mbi idetë, emocionet mbizotërojnë mbi shpjegimin.”

Të gjitha pohimet e mësipërme zënë vend mirë dhe në aktualitetin shqiptar. Fakti që televizionet janë kthyer tanimë në industri fitimi ka bërë që në tregun shqiptar ndikimi mediatik të ndahet midis pronarëve të televizioneve lider në treg. Deri këtu nuk ka asnjë problem, por kur këto individë janë pronarë dhe të bizneseve të tjera mediatike, si dhe kanë lidhje të forta me politikën bën që të vihet në dyshim të madh pluralizmi mediatik në vend. Lidhjet e forta me politikën kanë sjellë që, për shkak të presionit që vjen nga pronarët e medias me interesa politike dhe ekonomike, shumë gazetarë shqiptarë të vetëcensurohen.

Në këtë mënyrë, media në Shqipëri e thellon dhe më shumë krizën duke humbur besueshmërinë e publikut,dhe kjo për shkak të  lidhjes së fortë me politikën dhe biznesin, trajtimin e temave komerciale, mostrajtimin e shumë problematikave shqetësuese për vendin, profesionalizmit të gazetarit si dhe rënien e besueshmërisë së reklamave.

Sfidat që po has media tradicionale me zhvillimin e internetit.

Tanimë me ritmet e shpejta të zhvillimit të teknologjisë duket sikur një medium i ri ka fituar dhe po fiton terren çdo ditë edhe më shumë në tregun mediatik. Shtypi i shkruar, radio dhe televizioni nuk janë më në epokën e tyre të artë. Interneti  po bëhet pjesë e pandarë e shoqërisë duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në disa nga revolucionet që kanë ndodhur në botë. Sepse është pikërisht kjo media ajo që ka arritur të alternojë elementët kryesorë të bërit gazetari si tekstin, imazhin dhe zërin.

Ishte ky pushtet i medias së bashku me teknologjinë, i cili bëri që revolucioni iranian të quhej ‘revolucioni i twitter’, ai egjiptian ‘revolucioni i facebook’ dhe në Tunizi të ishte celulari mjeti kryesor që luajti rolin qëndror për përhapjen e informacionit dhe për mobilizimin e turmave.

Në kushtet e zhvillimeve marramendëse të internetit, media tradicionale po përballet më një sërë krizash.

Së pari, është i dukshëm largimi i audiencave të gjera nga konsumi i mediave të shkruara, kjo nënkupton përdorimin e ulët të gazetave print. Në Shqipëri ndër gazetat më të lexuara  print janë vetëm ato sportive. Sepse në kushtet e komunikimit në web, informacioni merret nëpërmjet ekranit të laptopit dhe të celularit. Pra informacioni është pa pagesë kundrejt pagesës minimale të printit.

Së dyti, kemi politizim të informacionit të ofruar publikut, si nga ana e mediave të shkruara, ashtu edhe nga ana e atyre audiovizive. Kjo nënkupton që lajmet dhe kronikat televizive nuk janë më punë plotësisht e pavarur e gazetarëve, por vijnë nga zyra e shtypit të partive politike (përmendim këtu konferencat për shtyp, lëvizjet e udhëheqësve politike). Rasti i ERTV është shembulli më i mirë sesi politizohet informacioni që i serviret publikut. Mediat e marrin lajmin nga kanali në fb i kryeministrit dhe ia përcjellin publikut. Në këtë mënyrë ato nuk paguajnë shpenzime shtesë as për mjete dhe as për dieta, të cilat i duhen stafit për të ndjekur kryeministrin në vizitat e tij. Por nga ana tjetër, kostoja e kësaj metode të përdorur është e madhe në raport me ndjekësit, sepse mediat në këtë rast humbin besueshmërinë dhe shikueshmërinë e audiencës. Së fundmi, mediat ushqehen financiarisht nga kompanitë jomediatike që janë në pronësi të të njëjtëve operatorë ekonomikë dhe financiarë. Ky është rasti i pronarëve të cilët përveç medias, kanë dhe biznese të tjera, si psh në sektorin e tregtisë së mallrave apo ndërtimit. Kjo çon që ta përdorin median për të rritur imazhin e bizneseve të tjera që kanë nën kontroll, në mënyrë që të arrijnë një përfitim financiar sa më të lartë.

Greta Bullari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP