web analytics

Të veçanta

Hapërimi i Shqipërisë nga adoleshenca drejt pjekurisë

        Të përbashkëtat dhe ngjashmëritë ndërmjet njerëzve dhe popujve janë një e vërtetë ashtu sikurse edhe dallimet mes tyre. Dallimet mundësojnë krijimin e cilësive kryesishit të jashtme identifikuese. Tiparet e përbashkëta përbëjnë themelet strukturore mbi të cilët ngrihet personaliteti individual apo shoqëror. Një tipar i përbashkët psiko-social është edhe cikli i domosdoshëm i zhvillimit dhe rritjes, të cilit i nënshtrohen të gjithë, njerëz e popuj.

       Nëse tek njeriu fazat e zhvillimit përkojnë me moshën dhe rritja ndjek një linjë lineare, progresiste, tek popujt apo shoqëritë nuk funksionon njësoj. Fazat e ndryshme te njeriu depërtojnë nga njëra tek tjetra duke respektuar hierarkinë: fëmijëri; adoleshencë; rini; pjekuri; pleqëri. Kurse, te shoqëria nuk e ndjekin këtë proces. Kalimi i qenies njerëzore nëpër këto etapa është fenomen i lindur me natyrën e vet njerëzore, ndërsa te shoqëria varet nga faktorët e ndërveprimit social, nga vetë mënyra e organizimit dhe funksionimit të shoqërisë.

       Njeriu si qenie e pajisur me cilësi racionale, morale, logjike e sociale, në natyrën e tij zotëron edhe potencialin për ta humbur ekuilibrin dhe rrjedhimisht për të cënuar zhvillimin e vet psiko-social apo fazat e rritjes. Mirëpo, kjo përbën përjashtim, dalje nga natyra e vet. Ndërsa te shoqëria, rritja dhe konsolidimi përbëjnë një proces që perceptohet dhe më pas realizohet nga vetë faktori njerëzor. Për shoqërinë, të kuptuarit, konceptimi i realitetit dhe krijimi i raporteve me mjedisin, vetveten dhe shoqëritë e tjera, janë një sërë aktesh dhe veprime të cilat sendërtohen së brendshmi saj. Prandaj popujt ndahen në të zhvilluar, në zhvillim dhe të prapambetur, sepse kalimi i fazave zhvillimore tek ta, nuk është si te qenia njerëzore të cilës i frymëzohet rritja falë ligjeve strikte e të përsosura organike edhe psiqike që i janë dhuruar. Shoqëria duhet ta gjejë forcën te potencialet njerëzore për të planifikuar dhe realizuar rritjen e vet, duke respektuar dhe gradualitetin e fazave si kusht të domosdoshëm të zhvillimit të vet.

       Shqipëria bën pjesë në atë kategori vendesh të cilat po përjetojnë periudhën e adoleshencës shoqërore. Tiparet, të cilat e argumentojnë këtë pohim, përkojnë me disa sjellje kulturore dhe politike, të cilat mund të krahasohen me sjelljet e adoleshentëve dhe të gjenden ngjashmëri mes tyre. Në këtë qasje synohet më shumë një zbulim i problemit dhe njohja  me disa tregues karakteristikë të fazës zhvillimore të shoqërisë sonë, dhe nuk synohet ngritja e një kritike për hir të të bërit kritikë dhe përshkrimi negativist. Qasja shkencore në disiplinat shoqërore duhet konsideruar mjet për të njohur potencialet dhe pengesat e zhvillimit të segmenteve shoqërorë duke parashtruar edhe orientime.

Përqëndrimi tek pamja dhe largimi nga thelbësorja

       Çdo adoleshent gjatë përjetimit të kësaj periudhe të jetës zotërohet nga dëshira e madhe për t’u dukur sa më bukur dhe i intereson shumë përshtypja që lë te njerëzit. Prirjet e përgjithshme tregojnë  se adoleshenti vendos si parësore çështjen e pamjes, bukurisë apo fasadës duke neglizhuar thelbin e jetës, përgjegjësitë arsimore, familjare dhe komunitare. Shoqëria jonë gjendet ende në adoleshencë sa i përket këtij treguesi.

       Ndërkohë që qytetet e vendit janë mbushur përplot me dyqane veshjesh, pajisjesh zbukuruese dhe mobileri të cilësisë së lartë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me mundësitë e formimit profesional dhe intelektual. Institute profesionale, akademi dhe qendra të formimit intelektual ka  shumë pak. Të rinj dhe të reja, por edhe të rritur të cilët vishen shumë bukur estetikisht, pjesa më e madhe nuk gëzojnë formim të admirueshëm profesional dhe kulturor, madje edhe banesa apo ndërtesa të ndryshme publike të cilat shfaqen tepër të bukura nga jashtë, brenda tyre rrallë gjen njerëz impresionues sa i përket kominikimit dhe marrëdhënieve familjare apo atyre me punën.

       Vendi ynë është nga të vendet e rallë që i përket kategoisë së vendeve me ekonomi të dobët, por paradoksalisht në të shohim që vazhdimisht qarkullojnë makina luksi në rrugët e qyteteve dhe në rrugë nacionale duke thyer rëndom rregullat e qarkullimit. Madje edhe makinat zyrtare që blihen nga buxheti i shtetit me ekonomi të dobët, përgjithësisht përzgjidhen nga të shtrenjtat. Por a nuk përbën ky fakt një rendje të panevojshme pas manisë për t’u dukur, duke lënë pas dore nevoja elementare thelbësore për shoqërinë? Sigurisht që bëhet fjalë për fenomen, dhe jo prezencë të kësaj sjellje tek e gjithë shoqëria. Më e drejtë do të ishte që shteti, po ashtu edhe individët, – ata të cilët nuk arrijnë të ekuilibrojnë – të zgjidhnin makina më ekonomike, të qarkullonin më me kujdes dhe atë kapital të madh financiar ta shfrytëzonin për pajisjen me makineri të sofistikuara në fushën e bujqësisë, zjarrëfikësve, shëndetësisë, industrisë dhe transportit.

       A nuk i ka ndodhur shumëkujt në fazën e adoleshencës që të kryejë një vepër të mirë dhe më pas të mburret para rrethit të vet duke lëvduar prejardhjen apo vetveten e kësisoj të synojë të mbulojë të metat e tij shumë të dukshme?! Ky është një fenomen i shpeshtë gjatë adoleshencës dhe vepra të tilla, të cilat ndoshta janë më së shumti produkt i faktorëve të jashtëm, instrumentalizohen për shkak të një instikti që kulmon gjatë adoleshencës, dëshirës për t’u dukur! I njëjti arketip[1] shfaqet edhe në sjelljet shoqërore në përgjithësi. Pritja dhe strehimi i emigrantëve afganë nga ana e shtetit duke i mbështetur maksimalisht, në të njëjtën kohë, lënia pasdore dhe mosinteresimi i shtetit për mijëra emigrantë nga Siria, Maroku, Libia etj, të cilët vijnë në vendin tonë nëpëmjet maleve kufitarë, përbën argumentin e prirjes sociale pas pamjes së jashtme duke braktisur thelbin e problemit, duke u sjellë sikur të mos ekzistonin emigrantë të tjerë në vendin tonë, përveç atyre që zbresin nga avionët në Rinas. Pra, një trajtim me dy standarte i grupeve shoqërore të cilëve iu janë mohuar të drejta themelore në vendet nga vijnë.

       Edhe menaxhimi i situatës së shkaktuar nga pandemia pasqyron këtë cilësi të fazës zhvillimore të vendit tonë. Nga ana e shoqërisë mbizotëron prirja për ta interpretuar virusin edhe politikën kombëtare dhe globale në lidhje me shëndetësinë. Shumë syresh flasin sikur e dinë burimin e kësaj pandemie, arsyet se pse gjërat po shkojnë kështu dhe si do jetë fundi. Këto janë aspekte të jashtme, të cilat edhe nëse çdokush do përpiqej të ishte sa më korrekt në komente dhe qasje, nuk do kishte ndonjë dobi të madhe. Thelbi i menaxhimit të pandemisë nga ana e shoqërisë qëndron në aftësinë për të krijuar imunitet personal, duke minimizuar faktorët prej të cilëve merret apo transmentohet virusi, rritja e kudjesit personal shëndetësor dhe përqëndrimi tek jeta e përditshme, për të shtuar optimizmin dhe shmangur frikën e panikun. Një zhvendosje e tillë nga thelbi drejt pamjes u shfaq edhe nga ana e institucioneve shëndetësore. Vendsoja e masave ekstreme për të ndaluar përhapjen e virusit e më pas lejimi i aktiviteteve pa asnjë masë; investimi në marketingun e raporteve të pandemisë dhe politizimi i saj, i zunë vendin investimit në sistemin spitalor dhe stafet mjekësore të cilat veçanërisht në këtë kohë meritojnë pagesë të denjë, për të mos u detyruar të emigrojnë për arsye pune siç po ndodh ende.

Rendja pas të resë dhe braktisja e të vjetrës

       Një kërkesë e brendshme për më shumë liri dhe pavarësi lind rishtas gjatë periudhës të adoleshencës. Gjatë kësaj faze adoleshenti priret ta konsiderojë të vjetëruar dhe demode një pjesë të madhe të traditës familjare. Përvetësimi i sjelljeve, mënyrave të komunikimit dhe veshjeve të kohës shihet nga kjo kategori si mjeti i shpëtimit dhe lumturimit të përhershëm. Mirëpo, me kalimin e fazës, kuptohet që tradita familjare ngërthen në vetvete një mori vlerash jetike të cilat nuk mund të gjenden tek asnjë risi kulturore apo teknike.

       Tendenca e rendjes pas së resë dhe largimit nga e vjetra përbën një fenomen shoqëror shqiptar të shfaqur që me fillimin e demokracisë, por që ende ruan vitalitetin e vet. Kjo tendencë dallohet më shumë në aspektin kulturor. Mënyra e jetesës, veshja, raporti me artin, muzikën, festat dhe hidhërimet, dalëngadalë u shndërruan duke sjellë një tëhuajësim tek një pjesë e shoqërisë. Ky shndërrim ndodhi edhe në aspektin ligjor, i cili u hartua duke iu referuar kryesisht kushtetutave perëndimore edhe pa marrë parasysh kulturën dhe traditat e së drejtës shqiptare. Ndërsa në aspektin politik, rendja e jashtëzakonshme pas BE-së, si një profil gjeopolitik dhe social shumë i huaj për ne deri në vitet 90’, duke braktisur në masë të madhe idealin e moçëm kombëtar, të pavarësisë tërësore dhe të zhvillimit të gjithanshëm, tregon papjekurinë e madhe prej adoleshence të shtetit tonë demokratik. Në aspektin politik ndodhemi ende në atë fazën kritike në të cilën adoleshenti gjendet i zhgënjyer nga rrethi shoqëror dhe nga një sërë veprash devijante, e më pas, i penduar kthehet në familje për të kërkuar këshilla dhe për të mësuar nga pararadhësit se si të jetojë duke qenë i lirë, krenar e me dinjitet, pasi vetëm ngrohtësia  familjare e prodhuar nga respektimi i traditave të vjetra morale, mund t’ia ofrojnë njeriut këtë mirësi. Politikisht do të jemi ende në adoleshencë derisa shoqëria jonë, me në krye elitat sunduese, të rikthehet tek ‘baballarët’ e vet me të gjithë përkushtimin akademik, intelektual, shpirtëror dhe praktik, për të mësuar udhën e rikthimit tek vlerat e larta, e zhvillimit e fuqizimit të brendshëm dhe të të jetuarit me dinjitet. Ndoshta është koha që më shumë se kurrë t’i përgjigjemi thirrjes dhe përkufizimit të Sami Frashërit – “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s`ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë!”[2]

Revolta iracionale

       Shpërthimet e befta, nervozizmi, fajësimi dhe kritika ndaj tjetrit, janë sjellje që karakterizojnë fazën adoleshente tek njeriu. Por, ngjashmërisht ndodh edhe me popujt kur ata përjetojnë të njëjtën fazë. Nga këndvështrimi sociologjik, karakteri i shqiptarit, përgjithësisht i ngjason adoleshentit nga aspekti i interpretimit të tjetrit apo të botës së jashtme. Për prapambetjen dhe dobësinë sociale e ekonomike, ne gjithmonë bëjmë me gisht sepse e dimë kush e ka fajin. Kur ndodhin ngjarje jonormale në institucione shtetërore, e mbajmë gishtin gati për të treguar fajtorin dhe për ta demaskuar. Ne revoltohemi dhe iritohemi kur në vend ndodh një fatkeqësi apo tragjedi, por nuk e shohim veten si faktorë të mundshëm për ta përmirësuar gjendjen. Madje edhe kur ndodhin anomali nëpër botë, në vend të përpiqemi për të kuptuar dhe të hulumtojmë me gjakftohtësi, ne revoltohemi, etiketojmë dhe akuzojmë, sikur ta njohim problemin në thelb e me detaje. Ne revoltohemi edhe në rrugë, në shkollë, në punë, në dyqan edhe kudo tjetër ku nuk na pëlqejnë gjërat. Revoltohemi dhe i qëndrojmë pozitave në të cilat na dërgon revolta, pa shkuar më tej. Revoltohemi sepse shumë gjëra nuk shkojnë mirë, ama jo duke iu drejtuar me revoltë faktorëve kyçë të cilët kanë sjellë këtë gjendje. Ne revoltohemi shumë dhe me shumëçka, por shumë pak, ose fare me veten. Revolta ndaj vetes, e arsyeshme dhe e drejtë, është premisa e shtrimit të paradigmave të arsyeshme të revoltimit ndaj gjendjes shoqërore. Derisa gjendja të vazhdojë e tillë, ne ende do ndodhemi në stadin e adoleshencës kulturore e politike.

Paqëndrueshmëria e marrëdhënieve

       Edhe ky tipar bën pjesë në atë mori sjelljesh e qëndrimesh që karakterizojnë adoleshencën si fazë e zhvillimit njerëzor. Kjo grup-moshë e ka të vështirë të stabilizojë marrëdhëniet me rrethin shoqëror. E ngjashme është edhe çështja me shtetet e popujt “adoleshentë”. Shqipëria, si një shtet i kësaj shtrese, dikton vazhdimisht lëkundje të marrëdhënieve të brendshme e të jashtme. Sa i përket marrëdhënieve shoqërore e kulturore të brendshme, ndasitë krahinore, ndasitë midis shtresave sociale dhe ndasitë e reputacionit kanë krijuar rrjetet e grupeve të interesit, ecuria e të cilëve varet nga ekuilibra politikë dhe ekonomikë. Këto marrëdhënie nuk janë asnjëherë statike, ato tronditen vazhdimisht nga ndryshimi i forcave politike dhe financiare të rrjeteve të ndryshme sociale. Statik mbetet vetëm interesi që mban gjallë sistemin. Nga ky mekanizëm prodhohet korrupsioni, kanceri i shoqërisë sonë. Ndërsa në marrëdhëniet e jashtme, po ashtu vërehet e njëjta gjë. Mospërcaktimi i qëndrimeve prioritare në politikën e jashtme shqiptare dhe tendosja e bashkëpunimeve diplomatike sa në një krah politik në tjetrin, na bëjnë të ndodhemi ende në fazën adoleshente të shtetit. Argumenti  më i freskët i këtij pohimi është zbritja në nivel dytësor i marrëdhënies me Kosovën në diplomaci, duke e zvëndësuar me ngritjen në pidestal të projektit “Open Balkan”[3], si një koncpet politik sllav, epiqendër e të cilit është Serbia.

Popull shumë i politizuar

            Të flasësh për aktualitet politik, pothuajse është e pamundur të mos komentohesh nga të njohurit e të etiketohesh. Të qëndrosh i paanshëm ndaj ngjarjeve politike duke mos komentuar asgjë, përsëri do etiketohesh se hesht për interes pasi përkrah filan krah politik. Sot është thuajse e pamundur të gjesh njerëz të cilët politikën e shohin të ndarë nga dyzimi partiak, duke e përkufizuar atë si një element konfliktualiteti dhe tensioni të vazhdueshëm. Politika është raporti i të gjithëve ne me të përbashkëtën – qoftë ajo pronë, interes, ideal, ligj, fatkeqësi etj – duke pasur për qëllim trajtimin e çdo gjëje publike me drejtësi dhe në bazë të barazisë së kushtetve. Kuptimi dhe pranimi i kësaj të vërtete do na bënte njerëz joparagjykues, dhe do reduktonte etiketimin e njëri-tjetrit politikisht.

Potencial i fuqishëm formimi dhe zhvillimi

       Njeriu gjatë adoleshencës has disa ndryshime të cilat reflektojnë gjendje delikate dhe krijojnë përshtypjen se këto ndryshime mund të cënojnë të ardhmen e tij. Nëse në adoleshencë do shfaqeshin vetëm këto vështirësi dhe prirjet devijante, pa praninë e emocioneve, intelektit dhe aftësive pozitive, asnjëherë njeriu nuk do e kalonte këtë fazë. Aftësia e jashtëzakonshme e pëvetësimit të dijes, e të kuptuarit dhe e zhvillimit të aftësive, janë  burimet e pjekurisë dhe e zhvillimit të qëndrueshëm tek çdo individ. Ngjashëm ndodh edhe me fazën adoleshente tek shoqëritë njerëzore. Së bashku me mangësitë dhe çekulibrimet e ndryshme, te segmente të ndryshme të shoqërisë shfaqen burime energjie dhe zhvillimi të përmasave të mëdha.

       Natyra punëtore e shqiptarit, e konstatuar historikisht dhe e argumentuar edhe në aktualitet, përbën një nga burimet më shpresëdhënëse të përmirësimit të shqiptarisë dhe të maturimit tonë shoqëror. Një potencial të tillë nuk e zotërojnë vetëm se pak vende në botë. Në thelb shqiptari e do punën dhe në të dëshiron përsosmërinë, saktësinë edhe pastërtinë. Kur ka përjashtime nga kjo cilësi, atëherë ndodh për shkak të mosorganizimit të mirë të politikave në lidhje me punën dhe me shpërblimin jo të kënaqshëm. Ky tipar kulturor vërtetë është një potencial i madh për ne, por me potencialet duhet punuar. Potenciali i ngjason tokës dhe roli i shoqërisë bujkut. Bujku duhet ta njohë mirë përbërjen e tokës dhe nevojat e saj gjatë kultivimit dhe rritjes së bimëve. Rregullimi i politikave shtetërore në lidhje me punën e punësimin, si edhe përmirësimi i raportit të forcës punëtore me tregun e punës dhe punën si koncept, patjetër që do i shtojnë frytet në ekonomi, zhvillim kulture dhe konsolidim identiteti.

       Afrimi i rajoneve të vendit falë zhvillimit të infrastrukturës rrugore, shkurtimit të distancave dhe përmirësimit të cilësisë së tyre, është një nga burimet më premtuese që dhurojnë forcim të vizionit dhe sigurisë për përparimin e mëtejshëm të vendit. Rrugët më të mira për shoqërinë nënkuptojnë mundësi më të mira për bashkëpunime tregtare, arsimore, kulturore e turistike. Për të pranuar se ky tregues përbën një potencial të fuqishëm në funksion të fuqizimit dhe konsolidimit të vendit tonë, mjafton si argument fakti se nga infrastruktura e përmirësuar rrugore e Shqipërisë kanë përfituar jo pak vendet fqinje që e përdorin vendin tonë si tranzit për aktivitetet e tyre tregtare. Afrimi i cepave të Shqipërisë me anë të rrugëve më të mira, ka rritur përfitimin edhe nga një potencial gjigand i Shqipërisë – të cilin mjafton ta cekim vetëm në këtë paragraf për shkak se është i pranuar nga të gjithë – burimet natyrore.

       Prania e burimeve të jashtme të investuara në vend është një tjetër faktor që mund të konsiderohet si burim i zhvillimit dhe fuqizimit të vendit. Shumë njerëz kanë patur fatin që diçka shumë pozitive që ka ndodhur në moshën e rinisë së tyre, iu ka ndryshuar jetën për mirë. Dikush ka fituar një bursë për studime pranë një universiteti prestigjioz, dikujt i ka ofruar punë një kompani e suksesshme apo dikujt i kanë ofruar pozita të rëndësishme në një institucion të rëndësishëm. Kush ka shfrytëzuar rastin, ka përfituar. Edhe Shqipëria ka fatin që gazsjellësi ‘TAP’, që kalon tranzit në vendin tonë, pas pak kohe të nisë funksionimin. Mirëpo, ky rast duhet shfrytëzuar dhe specialistët e fushës dinë të orientojnë më mirë në këtë çështje. Edhe prania e shumë shoqatave të huaja bamirësë të cilat dhurojnë një ndihmë tepër të madhe e të vyer, duhen shfrytëzuar pozitivsht, duke u orientuar në investime jo thjeshtë bamirëse akute, por në investime strategjike që nxisin dhe mundësojnë punësimin e fuqizimin e njerëzve më të varfër.

Përfundim

       Shembujt dhe argumentet që dëshmojnë për fazën adoleshente në të cilën ndodhet shoqëria dhe shteti ynë janë më shumë se ato të shtruara në këtë artikull. Më me rëndësi se identifikimi specifik dhe gjthëpërfshirës është vetëdijesimi shoqëror për këtë fakt. Vetëdijesimi është si katalizator që ndriçon mendjet e njerëzve dhe ngjall tek ta shpresë dhe dashuri për një jetë më të arsyeshme, më të mirë dhe më të denjë. Një shoqëri e kthjellët, e angazhuar me vepra që i shërbejnë dobisë së saj dhe e pushtuar nga ndjenjat e forta të lirisë dhe dëshirës për të jetuar një jetë të denjë materiale e shpirtërore, patjetër do jetë e gatshme të hedhë hapin e parë drejt maturimit dhe pjekurisë.

       Të ndodhur në kushtet e kësaj periudhe dinamike dhe të rrezikshme të shoqërisë, nga ana e shtetit, del për detyrë hartimi i një strategjie të mirëfilltë me anë të së cilës të synohet identifikimi i elementëve socialë, ekonomikë e politikë të paqëndrueshëm e të dobët e më tej të caktohen plane e politika në funksion të konsolidimit të tyre. Ashtu siç janë krijuar plane e strategji që i shërbejnë zhvillimit të vendit në kuadër të plotësimit të kushteve për të përparuar në rrugëtimin e integrimit në Bashkimin Eurpian, po ashtu ka nevojë edhe për plane e strategji të ringritjes shpritërore dhe të kultivimit e rizgjimit të vlerave të larta historike, kulturore, fetare dhe politike shqiptare.

       Nga ana e shoqërisë gjithashtu kërkohet të jenë më të matur, të përpiqen të kuptojnë më shumë dhe akoma edhe më shumë të përpiqen të përmirësojnë veten dhe rrethin e afërt familjar e shoqëror. Shteti ka detyrë ta mbështesë çdo individ në plotësimin e nevojave bazë jetësore të cilat i garanton edhe kushtetuta, në mënyrë që të gjithë ta shohin të ardhmen e tyre brenda atdheut dhe të mendojnë edhe për realizimin e arritjen e vlerave të tjera jomateriale, shpirtërore e kulturore.

       Një tjetër domosdoshmëri që kërkon zbatim sa më të hershëm në situatën shoqërore e politike të Shqipërisë është edhe zhbërja e miteve, veçanërisht e mitit sipas të cilit ne jemi popull i pandreqshëm, ndërsa shtetet e tjera, veçanërisht në Perëndim, janë të përsosura! Diçka e tillë nuk ekziston! Popujt në natyrë kanë prirje drejt së mirës, por kushtet e ndryshme dhe organizimi i grupeve të ndryshme të interesit bëjnë që një pjesë e shoqërisë të devijojë dhe të ketë prirje për të shtypur të drejtat e shoqërisë. Kështu ka ndodhur edhe në vendin tonë. Mirëpo duhet  ta kuptojmë edhe pranojmë se nuk ekzistojnë vende e shoqëri të përsosura, kudo në botë ka probleme të shumta shoqërore. Udhëheqësit politikë e dinë më mirë këtë fakt, prandaj një reformë e zhbërjes së këtij miti e të ngjashmëve nevojitet më shumë tek masat.

       Vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi janë udha e tejkalimit të kësaj faze tranzitore të shoqërisë, ndërsa investimi në përmirësimin e veteve tona në aspektin profesional, kulturor dhe investimi në vepra e projekte bashkëpunimi komunitar edhe institucional me qëllim luftimin e padrejtësive, përhapjen e dijes, kulturës, dhënien e ndihmës ku dhe kur duhet, janë mënyrat e ndërveprimit të cilat duhet të zbatohen nga të gjithë ata që e duan të mirën e tyre dhe të vendit, dhe të  mirën e pasardhësve në atdhe.

[1] Sjellje e vjetër që buron nga periudha e hershme, por që mësohet si diçka e natyrshme, simbolike

[2] Frashëri Sami, – “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhet” – Dija 2013 – Tiranë

[3] Ballkani pa kufij shtetërorë, pa ndalesa për marrëdhënie ekonomike dhe i hapur për marrëdhënie kulturore

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP