web analytics

Të veçanta

Kur liria cungon të natyrshmen

    Shpërndarësit e informacionit gjithmonë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në informimin, disinformimin, përhapjen dhe implementimin e ideve. Në shekullin e fundit dhe në këtë që po jetojmë këtë rol e kanë luajtur mediat e shkruara, vizive, sociale dhe kinematografike.  Ndër këto, filmat kanë shumë ndjekës, dhe nga ana tjetër qëndrojnë  shumë subjekte e faktorë të cilët synojnë përcjelljen e më tej përvetësimin e ideve që duan të shpërndajnë tek shoqëria. Njerëzit shohin teksa realizohet një ide me zë dhe figurë, diçka vërtetë praktike në jetën e tyre. Po ashtu një psikologji tjetër e filmit është fjala: “ja, kështu ndodh edhe në jetët tona, dhe një ide e ngritur në mendje.. po pse të mos veprojmë edhe ne kështu?!” – Dhe kjo ide përforcohet akoma më shumë kur aktori i cili shpalos simbolikën është një model bukurosh, i përfolur dhe i njohur për publikun edhe në fusha të tjera të jetës mediatike dhe të famës, që në fund të fundit filmi të shihet edhe vetëm për hatër të tij. Dhe ky është qëllimi, ideja të përhapet sa më shumë. Me anë të kësaj analize filmi kemi për qëllim të shpjegojmë, brenda mundësive tona, mënyrën se si media dhe kinemaja instrumentalizohet për të deformuar koncepte bazike mbi jetën, familjen, vlerat e moralin.

     Në rastin konkret, tek filmi “Palmer” protagonist është Justin Timbërlake, një këngëtar dhe aktor i njohur e i pëlqyer në botën e artit. Në këtë film ai luan rolin e një të riu të braktisur nga  nëna e vet që në moshën 5 vjeçare, ndërsa babi i vdes në një aksident në moshën e adoleshencës. Këto dy ngjarje ndikojnë  në ndjeshmërinë e publikut ndaj fatit të tij dhe rrjedhimisht mënyra e tij e jetesës  dhe veprat që ai bën gjejnë pranim të gjerë edhe justifikim.

     Aktori pasi del nga burgu ku kishte qëndruar për 12 vjet për shkak se kishte rrahur dikë gati për vdekje, kur kishte shkuar për të vjedhur te ky i fundit, shkon të jetojë te gjyshja e tij, e cila jetonte në një zonë tradicionale fetare (katolike).  Për fat, para shtëpisë së gjyshes jetonte një familje në një rulot. Në këtë familje nëna ishte një grua me probleme me drogën, me një djalë 6 vjeçar i cili pëlqente çdo gjë të vajzave, lojrat, veshjet, qëndrimin dhe rregullimin e vetes me kapëset e flokëve dhe  lyerjen e buzëve. Në këtë sekuencë të filmit nis censura mediatike në funksion të ideologjisë që synohet të shpërndahet. Djali 6 vjeçar i cili për shkak të problemeve të nënës së tij qëndron shpesh te gjyshja e Palmerit. Ky fëmijë 6 vjeçar paraqitet si një fëmijë shumë inteligjent, aq të lë përshtypjen që pëlqimi për të jetuarit si vajzë është një zgjidhje që buron nga natyrshmëria e një mendje të pjekur. Ose ndryshe mund të themi se një fëmijë që akoma nuk e percepton se çfarë është seksualiteti arrin të bëjë përzgjedhjen mbi natyrën seksuale që do ketë për vete. Palmeri, aktori kryesor, për shkak të vuajtjeve të tij, që i përmendëm më lart, do bëhet mburojë e këtij djali, ose më mirë të themi e idesë që duhet shpalosur. Po ashtu edhe edukatorja e këtij djali do t’i bashkangjitet këtij misioni. Detajet në film janë të shumta por do të ndalem në dy prej tyre.

  1. Festa e halloween-it. Fëmijët të gjithë përzgjedhin për të veshur kostumet e personazheve të preferuar, ku për djalin 6 vjeçar, Semin, ishte një zanë nga një emision i animuar me zana. Palmeri duke u kthyer si një prind i cili do e mbronte nga çdo gjë që ai vetë kishte pësuar do ia plotësonte këtë dëshirë. Edhe edukatorja për ta bërë akoma më shumë të pranueshme idenë dhe me  akoma më shumë me qëllim që Semi të mos bullizohej, vishet si burrë dhe shton: “Çdokush mund të jetë kush të dojë në çdo ditë të jetës së tij”.
  2. Fragmenti i dytë ndodh gjatë emisionit të prefurar të Semit; emisioni i zanave që kishte një ofertë për ndjekësit e saj – iu dhuron një çertifikatë ku deklarohej se ajo që e merr është një zanë në grupin e tyre. Semi i kërkon Palmerit t’i shkruajë një letër emisionit që edhe ai të marrë një çertifikatë të tillë. Palmeri edhe pse i pranonte pëlqyeshmëritë e Semit i thotë që te emisioni nuk kishte asnjë djalë, dhe Semi me një gjykim dhe vendosmëri prej të rrituri i thotë:” Unë do jem i pari”. Absolutisht që regjisori e plotëson këtë ëndërr të Semit dhe në fund Semi merr një çertifikatë me mbishkrimin :” Zana Sam…”

     Një nga pasojat që në pamje të parë ka një vlerë humane është mëshira, mëshira ndaj tjetrit, ndaj veprimeve dhe sjelljeve të tij. Deri këtu nuk ka ndonjë problem, por kur kjo mëshirë shndërrohet në pranim të koncepteve të reja, të prirjeve anormale në sjellje dhe veprave të pahijshme, çështja problematizohet. Fenomenet në fjalë, sikurse edhe idetë që përfaqësojnë edhe përcjellin, nisin të fitojnë mbrojtës dhe simpatizantë. Elementi i mëshirës që shfaqet tek ky film, apo të tjerë të ngjashëm, përbën një mekanizëm të fuqishëm për t’a përfshirë audiencën në një çështje që i bashkon të gjithë e nëpërmjet saj ta orientojë tek pranimi i çfarëdolloj prirjeje thjeshtë për faktin e të qënit gjynah, të dobët, të mangët…

     Por një pasojë akoma më e rëndë, që duket se kërkon që të instalohet, është liria e ndërtimit të koncepteve. Ku secili i jep kuptimin që do vetes së tij, jetës, lirisë, familjes, shoqërisë etj. Duke pranuar këtë pranojmë që çdo perceptim që vjen në mendjen tonë mund të jetë një konceptim  i pranueshëm për çfarëdolloj fenomeni. Kështu vijmë në një shoqëri ku qëllimet justifikojnë mjetet, ku nuk mund të gjykojmë dikë për veprimet pasi ai në mendjen e tij e ka të drejtë perceptimin, të pranueshëm, madje edhe autentik pasi e ka krijuar vetë të tillë. Normalisht kjo do sillte mosgjykimin e asgjëje dhe kaos shoqëror, ku secili do vepronte çfarë të donte,  do ishte kush të donte dhe çfarë të donte, pasi ai e ka këtë të drejtë dhe ne duhet ta pranojmë pasi ndryshe do ishim njëkohësisht mizorë dhe johumanë.

     I gjithë filmi, duke filluar nga aktori i famshëm,  dhimbjet që kishte përjetuar ai, nga fëmija minoren i cili iu imponon pranimin dhe mbështetjen për zgjedhjet e seksualitetit të tij, rolit prindëror, Palmerit, dhe rolit edukativ e edukatores, nuk është tjetër vetëm se një rrugë me arsye  prekëse dhe bindëse për ta bërë edhe auditorin që të pranojë idenë e tij. Rolet e vendosura në personazhet e Palmerit dhe edukatores janë dy role shumë të rëndësishme në jetën e një fëmije drejt udhëzimit për të kuptuar natyrshmëritë në këtë jetë dhe jo për të pranuar çdo ide dhe dëshirë sepse kështu njeriu do ishte si uji që është bazë e jetës, por kur nuk ka një vijë ai do të përmbytë  çdo gjë. Gjithmonë flasim për të drejtat, detyrimet, liritë dhe përgjegjshmëritë që ka qenia njerëzore, dhe për t’i ruajtur të gjitha këto kurrsesi nuk mund të lihet uji të derdhet si të dojë dhe nga të dojë, por duhet t’i japim udhëzimin për tek vija e cila e drejton tek e dobishmja dhe e frytshmja. Edhe në jetën shoqërore ekziston mundësia e mënjanimit të këtyre pasojave shkatërruese duke mos pranuar si të drejtë çdo orientim moral e kulturor. Ose në të kundërt koncpetet e gabuara që përcillen e përhapen me mjete mediatike efikase do përmbytin bedenat e moralit dhe familjeve tradicionale, siç edhe ka nisur të ndodhë në masë tek vendet perëndimore ose properëndimore. Pavarësisht të gjithave ekziston një fakt që kurrsesi nuk mund të shpërfillet, Jeta! Dhe për aq kohë sa sa jeta do vijë jo prej nesh, por nga Krijuesi që  e dhuron atë, rrjedhimisht edhe  natyrshmja e jetës  e merr kuptimin nga Qenia. Dhe çfarëdo manipulimi njerëzor që do kërkohet që të bëhët brenda kësaj natyrshmërie nuk do ta eleminojë kuptimin e çdo gjëje të dhuruar te jeta dhe bashkëngjitur saj.

     Tërësia e produkteve mediatike të cilët realizohen me prapavija dhe qëllime të cilët godasin drejtpërdrejt familjen tradicionale dhe vlerat e trashëguara të moralit kanë një histori jo të shkurtër dhe një perspektivë të rrezikshme. Tejkalimi nga ana e tyre i çdo pengese shoqërore, më tej dhe i pengesave politike e institucionale, përbën një alarm të vërtetë për vlerat e larta morale. Këtij fenomeni që përbën rrezik të vërtetë në aktualitet , duhet patjetër t’i përgjigjen faktorë të shëndoshë me produkte mediatike edukative që të theksojnë e përforcojnë vlerat e vërteta morale dhe rëndësinë e familjes e shoqërisë së natyrshme.

Redi Goroveci

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP