web analytics

Të veçanta

ANEMIA AFATSHKURTËR E MODERNİTETİT

      Ky shkrim ka si qëllim të trajtojë një nga fenomenet më të përhapura të kohës moderne të cilën më duket e vendit ta cilësojmë si “anemia afatshkurtër”. Së pari në emër të kuptueshmërisë sa më të thellë të temës që po trajtohet është e nevojshme të japim një shpjegim të këtij koncepti i cili ka rëndësi jetike në realizimin e këtij synimi. Anemia sociale është një gjendje e mosekzistencës së piketave të orientimit për individët e një shoqërie të caktuar. Kjo lloj inekzistence mund të vijë si pasojë e shumë faktorëve, si për shembull kriza ekonomike, luftërave, ndryshimeve të shpejta sociale, sëmundjeve të ndryshme me gamë të gjerë veprimi etj. Duke mbajtur parasysh faktin se të gjithë këto faktorë janë të një rëndësie të madhe në shfaqjen e anemisë sociale, rasti aktual ka të bëjë me një lloj të veçantë anemie; “anemia afatshkurtër”. Jo vetëm afatshkurtër por edhe kronike me efekte që shtrihen në një dimension mjaft të gjerë te jetës shoqërore. Anemia në fjalë rëndon më shumë në kurrizin e mekanizmave vendimarrëse të personave të ndershëm, të cilët jetojnë me dinjitet dhe përpiqen të jetojnë me ndershmëri të plotë në rrafshin e marrëdhënieve sociale të kohës sonë të cilat janë tejet komplekse kur i hedhim një sy elementëve përbërës të shoqerisë ku jetojmë. Për këtë arsye është e një natyre etike. Gjithashtu edhe ekonomike. Siç u kuptua, shkrimi do referohet ne dy dimensione; etik/moral dhe ekomomik. Por përpara se të fillojmë analizën e thellë të këtij fenomeni, së pari duhet të shikojmë një rast tepër të rëndësishëm dhe që lidhet drejtpërdrejtë me këtë fenomen.

Liria individuale dhe kafazi social

      Në kohën kur jetojmë natyrisht që një nga temat më të përfolura dhe më të nxehta që qarkullojnë është liria individuale. Veçori kjo e paimagjinueshme për shumë shoqëri të mëparshme; sidomos ato me natyrë të skajshme totalitare. Pyetja që lind është se: ku dhe si duhet të jetë vendi i individit në këto dy botëra të kundërta me njëra – tjetrën. Natyrisht që, përgjigja e duhur do ishte një botë e re e ndërtuar nga një sintezë e këtyre të dyjave. Në botën ku jetojmë liria është tepër e shenjtë për individin. Por përsëri ai nuk jeton dot në shoqëri pa mbyllur disa hapësira lëvrimi me kangjellat e kafazit social, në mënyrë që të mos humbas në drejtime të paditura me pasoja fatale përplasjesh me pjesët e tjera të shoqerisë. Megjithatë, nuk është i pakët numri i njerëzve që e konceptojnë lirinë si shkëputje nga çdo lloj determinimi social, edhe nëse ky i fundit është i vlefshëm. Vetëm e vetëm që të përjetojnë iluzionin e të jetuarit në një botë ku liria është pa limite. Edhe nëse njeriu nuk do jetonte në formën e organizimeve sociale – nga ku kuptohet që burojnë përgjegjësi dhe rregullësi të formave të ndryshme -, nëse do jetonte në mënyrë të veçuar, në natyrë përshembull, përsëri nuk mund të jetojë i lirë në mënyrë absolute. Ai do ishte i kufizuar nga vetë natyra. Mënyrën e jetesës do e ndërtonte në bazë të kushteve. Ja pra, ka një të vërtetë të pathyshme që njeriu nuk mund të jetë kurrë i lirë në mënyrë absolute. Për sa i përket njeriut si pjesë e shoqerisë natyrisht që kufizimi është edhe më i madh. Duke filluar që nga përgjegjësi të formave nga më të ndryshmet, normat shoqërore, vlerat kulturore e deri te detyrimet formale ndaj institucioneve të ndryshme formale. Edhe pse është e nevojshme që të theksohet me të madhe pakuptimësia e përpjekjeve për t’u shkëputur sa më shumë të jetë e mundur nga këto “zinxhirë të nevojshëm” duhet të theksohet gjithashtu edhe domosdoshmëria e zëvendësimit të këtyre zinxhirëve në bazë të nevojave të kohës. Por asnjeherë nuk mund të kemi një këputje të plotë të tyre. Madje ka nga ata të cilët janë të rezistueshëm në çdo kohë dhe nuk ndryshojnë, ose ndryshojnë shumë pak; ose të paktën kështu duhet të jetë për të mirën tonë individuale dhe shoqërore.

      Ajo që unë e quaj anemi afatshkurtër shkaktohet pikërisht si pasojë e kërcënimit të këtyre zinxhirëve. Siç e dimë të gjithë sot jetojmë në një botë ku institucioni mbizotërues në shoqëri është ekonomia, të paktën për botën moderne mund ta themi pa frikë. Dhe si pasojë individi jeton në një kohë ku standarti i tij i jetesës varet nga gadishmëria e tij për të plotësuar kushtet për përmbushjen e nevojave të ndryshme pragmatiste, shumica e të cilave kanë karakter ekonomik. Siç do të shprehej dhe Maks Veberi, kërkesat e ekonomisë së tregut janë shkaktarët kryesorë të transformimit të sjelljes me karakter të vlerave në atë me karakter racional. Dhe racionaliteti në kohën tonë nuk është gjithmonë në përputhje me vlerat ku mund të besojë një individ. Kjo është dhe arsyeja se përse, siç e përmendëm dhe pak më sipër, anemia afatshkurtër rëndon më shumë mbi njerëzit e ndershëm. Sepse këta njerëz e kanë më të vështirë të realizojnë veprime në kundërshtim me parimet e strukturës së vlerave ku mund të besojnë, që mund të jenë fetare, morale, kombëtare apo të ndonjë lloji tjetër. Pikërisht po këtu individi merr nismën e pozicionimit të vetes në botën e iluzionit të lirisë së pafundme, me mendimin e sëmurë që sjellja në menyrë racionale në kundërshtim me vlerat është çelësi i lirisë individuale, ndërsa e kundërta është burgosja e vetes në kafazin social. Duhet theksuar gjithashtu se përsëri ai është nën ndikimin e kërkesave pragmatise dhe jo i lirë, ai thjeshtë është duke jetuar në përputhje me këto kërkesa dhe natyrisht që për këtë merr shpërblime. Ndërsa një njeri i ndershëm e ka më të vështirë përjetimin e kësaj dileme. Nga njëra anë vlerat ku beson fuqishëm, nga ana tjetër ajo që është më ekonomike dhe e përshtatshme me kohën e natyrës në kundërshtim me vlerat.

      Kjo anemi është afatshkurtër për faktin se bota moderne nuk të lë shumë kohë të vendosësh. Individi është i detyruar të vendos shpejt se çfarë do bëjë në mënyrë që të mos humbas ekuilibrat. Dhe shpejtësia është kusht themelor ekzistencial jo vetëm në arritjen e sukseseve në aspektin shoqëror por edhe në atë biologjik. Problemi më i madh qëndron në faktin se kjo shpejtësi imponon që për kalimin e kësaj anemie individi detyrohet të zgjedh vazhdimisht racionalen e cila është e dëmshme për pjesën tjetër të shoqërisë. Për shembull a duhet të japë ai para për të zënë një vend pune? A duhet të mashtrojë kolegët apo pronarin qoftë edhe për pak perfitim? A duhet të dëmtojë në masë mjedisin natyror me qëllim realizimin e një objektivi me kosto sa më të ulët? E të tjera…

     Përfundimisht duhet cekur edhe një e vërtetë tjetër e dhimbshme. Ky individ është i detyruar që këtë anemi ta përjetojë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së tij. Dhe kjo peshë e rëndë për këta njerëz, është fatale deri në shtypjen e tyre dhe si rrjedhojë në brumosjen e mentalitetit të tyre në formën e një përfytyrimi të realizimit të një sjelljeje normale. Për këtë arsye, po të bazohemi në këto konstatime të jetës empirike, e ardhmja e shoqërive njerëzore nuk duket aspak e mirë. Prandaj shteti, institucionet e tjera, por edhe ne si individ duhet të marrim masa dhe të bëjmë çdo gjë për të parandaluar humbjen e individit në këtë botë iluzionare dhe të përpiqemi që me anë të mjetëve të duhura të ringjallim nevojën e konceptit të sjelljes së bazuar në vlera si kusht themelor për ruajtjen e solidaritetit social dhe ndërtimin e një klime pozitive dhe më shpirtërore midis njëri – tjetrit.

                                                                                                                                                                Ledjo Zeneli

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP