web analytics

Të veçanta

Një prelud për Palestinën

Nga: Rigers BALLIU

Një prelud për Palestinën

(ose Palestina një prelud i Qenies)

Min el-maiyeh lel mayieh

Nga uji në uji[1]

 

 

Prej ditësh gjen vend tek unë një mundim për të thënë dy fjalë për Palestinën, kjo jo për hir të të thënit diçka (besoj se nga ata që thanë “diçka” ka patur mjaft ditët e fundit), por se në një farë mënyre sidomos në këto ditë, që luftimet (bombardimet izraelite mbi Gaza) kanë hyrë në javën e tretë, Palestina fitoi nëpërmjet ëndrrave të mija një farë autorizim fenomenal[2] duke e ngarkuar dyfish peshën e ekzistencës së saj. Nuk e kam fjalën këtu për ëndrrat me luftra botërore që shikon një superstar i rrjeteve sociale dhe televizive[3], por për ëndrra përmes të cilave Qenia gjen shteg të afirmojë veten. Ëndrra që bëhen plan ontik prej nga ku Qenia e shpalos të vërtetën e saj, pikërisht kur mbulimi i saj duket më i thellë se kurrë. Lufta e fundit trejavore në tokat e Palestinës, sado që të zgjasë dhe kurdo të mbarojë, tashmë e ka shtrirë efektin e saj globalisht. Çdo luftë në tokat e Palestinës e ka shtrirë globalisht efektin e saj nëpër histori, kjo për shkak të karakterit kozmologjik të asaj toke, por raportuar me eksperiencën time jetësore kjo e fundit më zuri akoma më të vetëdijshëm mbi kuptimin dhe të vërtetën që autorizon fenomeni Palestinë.

Palestina është emri tjetër për Qenien, ose e thënë ndryshe emëruesi tjetër për me shpreh përpjekjen për me qenë. Pra, Palestina s’duhet kuptuar kurrë vetëm si qenësor, por si element gjenetik që e bën Qenien atë që është dhe që përcillet prej saj në rrafshin ontik përmes qenësorit palestinez. Rezistenca palestineze nga lumi në det, nga West Bank-u në rripin e Gazës, është e izoluar politikisht dhe ushtarakisht nga regjimi aparteid i Izraelit (me bekimin e Perëndimit), por dhe të vetëvendosur në izolim përballë zgjedhjes tjetër për t’u shuar si ekzistencë, apo siç preferohet të thuhet ndryshe dhe pak më ëmbël: të largohen nga toka e tyre dhe të shpëtojnë kokën. Përtej faktit që palestinezët në Gaza janë të izoluar dhe u është pamundësuar largimi nga zona e luftës, (nësë mund të flasim për një “zonë”), ata e kanë kuptuar se e vetmja mundësi për të qenësuar ekzistencën e tyre është qëndrimi aty, edhe nëse do t’u mundësohej e kundërta. Çdo largim është lëshim i ngulimit në Qenie, çdo qendresë është për ta, nën breshërinë e rraketave Izraelite, ngulmim për me qenë. Fundja për me qenë a nuk është kusht ngulmimi, vendosmërija dhe përpjekja? Sepse palestinezët dijnë ta zgjidhin paradoksin që krijon fakti i “të mos qenit nga largimi” dhe “të mos qenit nga bombardimi”, sepse ata mbajnë emrin tjeter foljor të Qenies, palestinezë. Prandaj shpëtimi i kokës së tyre për ta nuk paraqet zgjidhje, sepse ata e dinë që emërojnë përmes qëndresës së tyre një plan ontik të Qenies. Ai që largohet nuk është më palestinez, ai që u bashkohet në çfarëdolloji forme është palestinez. Ata nuk janë një nacionalitet, as grup etniko-religjoz, por vendi-qenësor ku manifestimi i Qenies ka gjetur një botë për tu dukur. Kefija[4] palestineze është simbol i këtij plani ontik ku Qenia manifestohet përmes ngulmimit në ekzistencë të qenësorit palestinez. Kështu them se dhe tautologjia parmenidiane “Qenia është” mundet me u zgjidh, dhe bëhet: Qenia është Palestinë. Palestina është nëna ontologjike e palestinezit. Palestinezi është vendi ku e vërteta e Qenies gjen shteg për t’u zbuluar

Po, palestinezëve mund t’ua japësh edhe ferrin[5], dhe njëkohësisht të të bëjnë të shohësh ëndrra me luftëra botërore. Sepse Palestina është autori i fenomenit të vetes i ngarkuar me aq shumë qenie sa të mund të prodhojë edhe përmes realitetit të endrrave një autorizim fenomenal, madje kjo nga premisa ontologjike prej nga ku niset ky merak i shkruar është me rëndësi për t’u sqaruar. Koncepti i autorizimit fenomenal përkufizon (duke i’u raportuar një logosi jo si një logjikë matematike dhe analitike por si element kozmik që i tejkalon ato), se edhe ëndrrat që përfshijnë elemente absurde dhe që zbulohen nga e pavetëdijshmja kolektive apo personale dhe kthehen në narracion përmes të vetëdijshmes, riformësojnë “botën e botës”[6] tonë. Duke e bërë Palestinën aq fort të ngulur në folklorin dhe pavetëdijen e palestinezit, një fenomen që edhe nëse vdes, nëse diçka e tillë do të ndodhë, ajo do të shfaqet nga e pavetëdijshmja në ëndrra, duke fituar një autorizim fenomenal dhe do të vijë në ekzistencë sërish fill sapo të hapësh sytë dhe të narratosh ëndrrën e parë.

A gëzon konsistencë një kërkesë për kompromis mes konfliktit Izrael-Palestinë (lexo: entitet i çfarëdoshëm – Palestinë)? Ndoshta duke e lexuar Izraelin si hiçin dhe Palestinën si Qenien, mundet të thuhet se hiçi bën vend në të si papërcaktueshmëri, por vetëm e vetëm që t’i mundësojë qenësorit palestinez përmes provës dhe ngulmimit që ai të vijë në duk në botën tonë, duke zbuluar të vërtetën e Palestinës (lexo: Qenies). Prandaj nuk ekziston një konflik Izrael-Palestinë. Ka vetëm një palë që ngulmon në ekzistencë: baballarë, nëna, fëmijë, gra të veja, nëna jetimësh, jetimë dhe çdo emëror tjetër për palestinezin në Palestinë. Për më tepër që kuptimi i konceptit të kompromisit është problematik kur vihet në diskutim e vërteta, (këtu një e vërtetë ontologjike) dhe asnjë raport dialektik nuk mund të na ndriçojë rreth saj përmes kompromisit (lexo: lëshimit pe nga pozicioni i së vërtetës). E vërteta nuk është një realitet logjik që i raportohet një realiteti faktik, (të vertetat matematikore dhe dialektike të Hegelit dhe Žižek-ut, mbase), dhe sidomos e vërteta e Palestinës dhe palestinezëve që nuk njeh palë, sepse i takon një rendi ontologjik. Qenies hiçi nuk i raportohet si pala tjetër, por vetëm si mungesa që sjell në ndërgjegje gjithnjë gjënë që gjuha sjell në frazë. Për shembull, fraza: “në botë nuk ka Palestinë”, nuk shquan ekzistencën e asgjëje tjetër për ndërgjegjen vetëm se të Palestinës.

Për fund, ky shkrim sugjeron se çështja palestineze nuk mund të gjejë zgjidhje përmes politikës dhe gjeopolitikës moderne[7], por vetëm nisur nga një trajtim ontologjik i saj mundet të pretendohet një zgjidhje politike për çështjen palestineze. Ky shkrim është gjithashtu një përpjekje për t’i shpëtuar mendimit dialektik, prandaj dhe ndonjë akuzë e mundshme për antisemitizëm është e pavend.

[1] Fraza “nga uji në uji” është e ngulitur ne folklorin palestinez, duke i’u referuar Detit mesdhe dhe lumit Jordan dhe nënkupton lirinë nga kolonizimi dhe fundin e pushtimit në tërë tokat palestineze.

[2] Për më tepër rreth konceptit të autorizimit fenomenal shih: Uber Man të Jason Reza Jorjani.

[3] Bëhet fjalë për superstarin Jordan Peterson i cili postoi në platformën X pak ditë pas fillimit të luftimeve mes Izraeilit dhe Hamasit, se kishte parë një ëndërr që paralajmëronte luftë botërore..

[4] Shamia tradicionale Palestineze

[5] Referuar postimit ne platformën X të Jordan Petersonit, “Give ‘em hell”, thirrje që i drejtohet kryeministrit të kolonializmit Izraelit, postim i cili u fshi më pas nga vetë superstari pas reagimeve të shumta të përdoruesve të rrjetit, dhe jo vetëm.

[6] Për më tëpër shih: Sein und Zeit të Martin Heidegger

[7] Me politikë dhe gjeopolitikë moderne i referohem këtu, interpretimit të Charl Schmitt, se konceptet e shtetit modern janë koncepte teologjike të shekullarizuara dhe aplikimi politik i sovranitetit shfaqet si hyjnizim i shekullarizuar.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP