web analytics

Të veçanta

Lufta si akt fundor i qenies njerëzore

       Njerëzimi historikisht ka shkuar deri në fazën e luftës për dy arsye kryesore, ose për të kërkuar me forcë diçka që një pale nuk i përket, ose për t’u mbrojtur nga një sulm i padrejtë, nga i cili agresori synon të përvetësojë diçka që i takon palës së sulmuar. Në thelb nisja e luftës është e pajustifikueshme, ndërsa vazhdimi i proçeseve luftarake mund të arsyetohet në sajë të rrethaneve dhe kontekstit të secilës luftë.

       Lufta nis në çastin kur palët kundërshtuese kanë hequr dorë nga përdorimi i të gjitha mjeteve të komunikimit dhe nga të gjitha hapësirat e marrëveshjeve në kushte paqeje. Konfrontimi luftarak përgjithësisht vjen në atë moment kur pala sulmuese ose agresori, kërkon me çdo kusht përvetësimin e elementëve bazë të jetës së palës tjetër: territorin, pasurinë, pushtetin politik ose lirinë. Ndërsa pala e sulmuar shkon deri në fazën e luftës në çastin kur cënohet thelbi i saj ekzistencial, liria, dinjiteti dhe jeta e qytetetarëve të saj. Ky moment kritik, harxhimi i çdo mjeti paqësor për t’u marrë vesh mes palëve, përkon me shndërrimin e gjendjes shoqërore dhe shtetërore, nga e zakonshmja tek e jashtëzakonshmja. Pikërisht kjo fazë përbën aktin më të rëndësishëm, shmangien e të cilit kanë pasur për qëllim marrëdhëniet diplomatike para se të ndodhte, po ashtu kjo fazë shenjon nisjen e një procesi të përballë-vënies midis lirisë dhe armiqve të saj, përballje e cila kushton shumë…

       Lufta është akti që qenia njerëzore e aktualizon si mjetin e fundit të mundshëm për të ruajtur vlerat më të mëdha që përfaqëson. Lufta nuk përbën aspak një proces të pasqyrimit dhe testimit të fuqisë ushtarake dhe diplomatike. Në thelb, ajo (lufta) tregon dobësinë e qenies njerëzore, paaftësinë e njeriut për t’u mirë-kuptuar rreth çështjeve të jetës dhe shoqërisë. Në njëfarë kuptimi moral, lufta ka vlerat e veta sepse vë në pah besnikërinë e qytetarëve ndaj shtetit të tyre, sakrificën dhe vetflijimin për hir të lirisë dhe të shenjtërisë së jetës dhe tokës, veçanërisht nga pala e cila mbrohet. Por, në kuptimin apo aspektin e jetës materiale, në luftë nuk ka fitues. Jetët e humbura përgjatë një lufte, qoftë jetë ushtarësh apo civilësh, nënkuptojnë ndërprerjen e ciklit të tyre jetësor në një formë jonatyrore, mohimin e së drejtës që ata kishin për të përjetuar jetën në ‘botën’ apo rrethanshmërinë që i përkasin. Flijimi i tyre ka kuptim, siç do të shprehej Izetbegoviç, vetëm në rast se ekziston një jetë tjetër. Mirëpo, edhe për ata njerëz të cilët luftojnë  nën hijen e kësaj bindje, edhe pasi të marrin pozitat shpërblyese që u takojnë në botën tjetër, kjo gjë nuk e mohon dot faktin që lufta nuk ka palë fituese në sferën shoqërore.

       Derisa në një luftë nuk ka fitues, sepse dominimi nuk nënkupton fitoren, atëherë duhet të kuptojmë nëse ka ndonjë vlerë që lufta të zhvillohet? Faktikisht po! Njerëzit i ngre që të luftojnë një domosdoshmëri akute. Kjo domosdoshmëri përcaktohet e tillë për shkak se; për agresorin janë disa gjëra të cilat nuk fitohen ndryshe, pëveçse me luftë, sikurse ekzistojnë edhe disa çështje të cilat nuk mbrohen dot ndryshe nga pala e sulmuar, veçse me anë të luftës. Moralisht, pasi ka nisur lufta, pala e cila kërkon me pa të drejtë çka i përket palës tjetër, duhet të tërhiqet, ndërsa nga pala e sulmuar, tërheqja nënkupton dorëzim, turp moral. Kështu që, domosdoshmëria e përfshirjes në luftë prodhon, me gjasa pothuajse të sigurta, një domosdoshmëri morale për ta vazhduar luftën. Ky intesitet i lartë i tensionit i cili është karakteristikë e të gjitha palëve luftuese si edhe e shoqërive të tyre, shpërhap perceptime dhe ndjenja psiko-sociale të cilat e ushqejnë ‘zjarrin e luftës’. Kur ky ‘zjarr i luftës’ intesifikohet, atëherë kemi të bëjmë me shkelje  të rënda të të drejtave të njeriut dhe mohim të lirive bazë. Shmangia e këtyre gjendjeve të të drejtave dhe lirive, është arsyeja pse një luftë nuk duhet të nisë, ndërsa ruajtja e tyre është arsyeja pse lufta duhet të vazhdojë.

       Sot për sot në botë, ka shumë rajone, shtete apo formacione shtetërore, të cilat luftojnë apo duhet të luftojnë për të ruajtur të drejtat e tyre themelore dhe për hir të lirisë nga fuqitë nënshtruese. Mirëpo, aktualisht, nuk ekziston asnjë shtet i fuqishëm i cili udhëhiqet nga parime të drejta, që synon të luftojë për të kthyer një të drejtë të humbur. Çdo luftë e iniciuar nga një superfuqi, sot për sot përbën cënim të të drejtave të njeriut dhe lirive bazë të të gjithë njerëzve. Ashtu sikurse kanë ndodhur shumë luftëra, barrën e të cilave  e kanë mbajtur shtetet e pafuqishme, po ashtu gjendemi edhe sot përballë të njëjtit rrezik.

       Në këndvështrimin metafizik dhe atë fetar, jemi të urdhëruar për të luftuar me egon tonë, duke shtypur çdo dëshirë të dëmshme, dhe kjo është një luftë me pasoja pozitive, nëse qëndron brenda disa kufijve logjikë. Synimi i saj thelbësor është arritja e paqes së brendshme dhe shndërrimi në njerëz të dobishëm për shoqërinë, pra shmangia e një marrëdhënie konfliktuale shtatzarake me tjetrin, apo siç do shprehej Hobssi, shmangia e gjendjes natyrore. Ata njerëz apo shtete (drejtues shtetetesh), të cilët e kanë humbur betejën e brendshme morale dhe njerëzore, janë potencial të iniciimit të luftërave. Ose thënë ndryshe- lufta zakonisht nis nga të tillë njerëz. Mirëpo, kur një palë sulmohet, i cënohen liritë e saj bazë dhe shenjtëritë e saj, atëherë, në luftën me palën sulmuese, i duhet shumë edhe fitorja e brendshme, çka është më e lehtë në të tilla kushte.

…mbi luftën Ukrainë-Rusi

      Çdo gjë që ndodh në rruzullin tokësor, rrjedhimisht edhe lufta, ka së paku një interpretim ontologjik[1]. Në rastin e luftës që ka nisur sot, midis Rusisë dhe Ukrainës, shkaku i përplasjes ndodhet tek marrëdhënia shumë e dobët e njeriut të sotëm me Qenien, apo me Zotin. Kjo marrëdhënie e dobët ontologjike është përgjegjëse edhe për nivelin e ulët, deri në shkallë kritike, të aksiologjisë[2] së shoqërive bashkëkohore. Pra, boshti i burimit të vlerave  njerëzore, duke qenë që prej dekadash ka nisur një proçes të shterrjes dhe të minimizimt të funksionit të vet, sot ka arritur një pikë kulmore. Kur shtetet udhëhiqen nga njerëz, natyra e të cilëve përkon me një armiqësi cinike dhe të verbër ndaj vlerave madhore morale, atëherë rrugët e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit zvogëlohen derisa mbyllen krejtësisht. Një lidership dhe shoqëri tek e cila mbizotërojnë këto dukuri, ku vlerat shpirtërore pothuajse përhumben, dalëngadalë kalon në një stad të rendjes pas materies. Realisht, që pas Luftës së Dytë Botërore, materializmi ka qenë sinonim i strategjive të zhvillimit të pjesës më të madhe të shteteve. Materializmi nënkupton vendosjen e materies në piedestalet e kauzave shtetërore dhe shoqërore, vlerësimin e pasurive materiale si gjenë më të çmuar që mbart qenia njerëzore.

       Duke e ndërtuar jetën mbi këto vlera – ose më saktë në kushte kur vlerat janë në krizë – shtetet e sotme, veçanërisht superfuqitë, u zhvilluan duke perceptuar si burimin më të madh të vlerave të tyre, fuqinë materiale, çka sot nënkupton, popullsinë (vështruar në aspektin sasior), ekonominë, ushtrinë dhe armët, edhe diplomacinë e ndërthurur me ndikimin e shërbimeve informative. Në këtë mënyrë, kuptojmë se Rusia, gradualisht është bërë një shtet i fuqishëm materialisht, edhe nën diktimin e rrethanave globale – tërheqejes së SHBA-së nga Afganistani, dëmeve të shkaktura nga pandemia – duke pasur në përbërje të qeverisë udhëheqës tek të cilët mbizotëron adhurimi ndaj fuqisë materiale, por edhe një shoqëri që reflekton tiparet e udhëheqësve, duam apo nuk duam, një ditë do zgjaste krahët e Leviatanit[3] të vet për të kërkuar rritjen dhe fuqizimin e saj. Në kuptimin ontologjik, nuk gabojmë nëse themi se kjo luftë në thelb buron nga shndërrimi i njeriut bashkëkohor, më konkretisht nga braktisja prej tij e vlerave dhe parimeve parësore që njerëzimi ka trashëguar historikisht, dhe zvëndësimi i tyre me vlera të rrejshme, apo antivlera, sipas të cilave qëllimi i njeriut është fuqizimi material dhe arritja e mbizotërimit luftarak, pikëpapmje kjo që përngjan më shumë me gjendjen e kafshëve, dhe një udhëzim apo mësim shumë negativ që për bazë ka bindjen se kemi ardhur në këtë jetë për të mbijetuar, çka përkon me realitetin e botës së kafshëve.

       Natyra materialiste e njeriut në kohën e sotme[4] ka sjellë një gjendje gare dhe rivaliteti midis shteteve, veçanërisht midis vendeve të zhvilluara. Kjo rendje pas shtimit të kapaciteteve prodhuese, luftarake, teknologjike dhe informative, pashmangshëm ka çuar në ndryshim të ekuilbrave politikë. Rusia është nga ato shtete, zhvillimi dhe fuqizimi i së cilës ka bërë që t’i kthehet historisë dhe të synojë ndryshimin e disa ekulibrave ndërkombëtarë, të cilët më herët i ka pranuar për shkak të dobësisë së saj në kohën kur janë caktuar. Ukraina përbën një çështje, gjendjen e të cilës Rusia e ka pranuar vetëm për shkak se ka qenë e detyruar nga kjo dobësi. Sot gjërat janë ndryshe. Ukraina gjendet pa armë bërthamore, të cilat i hoqi nga arsenali i saj në vitin 1994 si shkak i një premtimi për siguri nga SHBA-të, Britania dhe Rusia. Pa këto armë, edhe mbrotja e saj shfaqet e dobët përballë një armiku të fuqishëm dhe të pabesë si Rusia, fuqia e të cilës më së shumti është e paekspozuar. Nën ndikimin e euforisë së fuqisë dhe ekspansionit kulturor në rritje në territoret ish-sovjetike, Rusia ka prodhuar një tension në sajë të të cilit janë vendosur përballë, konservatorzimi i saj me neoliberalizmin amerikan. Konservatorizmi rus ka si vlerë më të madhe të tijin autoritrizmin, fuqinë pothuajse absolute të udhëheqësit, ndërsa liberalizmi amerikan ka si vlerë më të lartë hegjemoninë amerikane edhe  hyjnizimin e njeriut dhe shoqërisë Perëndimore.

      Deri më sot, qysh pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të nuk kanë zhvilluar ndonjë luftë në të cilën nuk kanë pasur përfitime të drejtëpëdrejta ekonomike. Me sa duket edhe në Ukrainë nuk do ndërhyjnë, përderisa nuk cënohen interesat e saj të drejtpëdrejta. Vendosja e sanksioneve nga vendet e Perëndimit kundër Rusisë, shfaq tërheqjen e tyre nga mbështetja ushtarake. Në këtë tension, konservatorizmi rus po dominon, dhe kjo rrjedhë e ngjarjeve paralajmëron kushte të reja të jetës në mbarë globin, mbi ekuilibra që janë në ndryshim e sipër.

      Të gjendur në një situatë të tillë lufte dhe përplasjesh, por duke mësuar dhe nga rezluatet e pandemisë, si edhe duke iu referuar karakterit materialist tejet lakmues së njeriut bashkëkohor, me të drejtë mund të pranojmë edhe faktin se sulmet e para të kësaj lufte mund të jenë edhe të fundit, derisa një numër i vogël njerëzish që zotërojnë monopole tregtare, të shohin veten e tyre në kushte shumë të favorshme përfitimi, shenjat e të cilave kanë nisur të shfaqen me kërcënimin e Rusisë për shtrenjtimin e  çmimit të gazit dhe rritjen e çmimit të naftës në tregun botëror.

       Lufta e sotme ka nisur me inisiativën dhe dirigjimin e njeriut materialist, i cili deri dje materien e kishte idhull, ndërsa sot e zotëron në përmasa të frikshme. Të tilla luftëra mund të mbarojnë me fundit e një etape babëzie materialiste të një shteti të fuqishëm, por rreziku i tyre do të jetë i pranishëm për aq sa ontologjia mbizotëruese do të jetë e tillë, e gabuar, Ontosi i të cilës është vetë njeriu dhe dëshirat e tij të shfrenuara.

Romeo Ismahilaj


[1] Ontologjia është disiplinë e shkencave të mendimit/filozofisë që ka për object të hulumtimit dhe qasjes Qenies, dija rreth Qenies, që nënkupton Qenien mbinatyrore, apo Zotin.
[2] Aksiologjia është disiplina që hulumton burmin e vlerave shoqërore.
[3] Nënkuptojmë se ky karakter njerëzor sot është mbizotërues, dhe ekzistojnë plot njerëz që nuk janë materialistë, por ndikimi i tyre në çështje të mëdha nuk është përcaktues.
[4] Trupi politik i një shteti, vullneti i shoqërisë, i deleguar tek qeveria me qëllimin për të ruajtur jetën dhe të drejtat e tyre. Koncepti i shtetit sipas Thomas Hobbs

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP