web analytics

Të veçanta

Po ne a jemi gati?!

Po ne a jemi gati?!
Në kohën kur Roma ishte republikë, ushtria përbëhej kryesisht nga aristokracia. Ky fakt përmban dy kuptime: ushtria për Romën ishte shtylla kurrizore dhe se lufta ishte burimi kryesor i të ardhurave të Romës. Monteskje në librin e tij;”Ngritja dhe rrënimi i Romës” thotë se një nga arsyet kryesore të rrënimit të Romës qe dhe lënia pas dore e ushtrisë gjë që u shpreh përmes ndryshimit të përbërjes së ushtrisë, pra zëvëndësimi i aristokracisë me barbarët. Përmes kësaj hyrje joshteruese dua të them disa gjëra të frymëzuara edhe nga situata USA-IRAN.
E para ka të bëjë me natyrën e civilizimit bashkohor të kryesuar nga USA. Sfondi, thuajse i vetëm të paktën i pretenduar, juridik, organizativ dhe ushtarak i civilizimit bashkohor mbetet civilizimi romak. Pra ushtria, e për pasojë lufta mbetet mekanizmi kryesor i influencës në politikat e jashtme dhe për rjedhojë edhe në krijimin e interesave dhe ruajtjen e tyre. Kjo shprehet akoma më dukshëm tek sjelljet e kryesuesit dhe liderit të civilizimit bashkohor USA. Buxheti qindra miliardash i ushtrisë amerikane e tregon qartë këtë por mbi të gjitha ” fshati që duket nuk do kallauz”, pra sjelljet në teren të USA e vërtetojnë këtë kulturë. USA ndryshe nga BE e ka më të lehtë këtë sjellje për dy arsye të tjera, veç kulturës: unifikimi në sjellje, pra i gjithë sistemi amerikan është i unifikuar në këtë lloj sjelljeje dhe funksionimi, pra të gjithë i besojnë luftës. Arsyeja tjetër ka të bëjë me faktin se USA nuk vuan shumë nga kompleksitetet vlerore të mbartura ndër shekuj duke qenë shtet relativisht i ri dhe për më tepër duke qenë shtet që është themeluar me luftë dhe me gjak që në tullën e parë të tij. Sakaq trashëgimi i kësaj kulture nuk ka qenë i vështirë për një shtet si USA.
Në këtë kuadër, duke pasur shumë mirë parasysh natyrën e civilizimit amerikan, po ashtu dhe interesat madhore të ngritura mbi këtë lloj natyre dhe funksionimi, personalisht e kam shumë të vështirë të besoj se përballja USA-IRAN është produkt i nxehjeve dhe kapriçove të rastit. Parimi “mish për top” ka qenë pjesë thelbësore e kulturës dhe civilizimit romak. Perandorë që eleminojnë bijtë e tyre dhe bijtë që eleminojnë baballarët e tyre perandorë… . Për sakaq, as Kasim Sulejmani e as imazhi i dëmtuar i Iranit, të paktën sipas mendimit tim, nuk përbëjnë në vetvete gurët kilometrik të politikës as të USA por as edhe të Iranit. E them as të Iranit duke pasur parasysh dy elementë:
Elementi i parë: ngjyrimi që i ka imponuar civilizimi amerikan të gjithë botës, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve me luftën dhe paqen dhe në mënyrën e zgjerimit dhe mbrojtjes së interesave. Sakaq edhe sjelljet e Iranit në rastin konkret janë reflektim i së njëjtës mënyrë sjelljeje.
Elementi i dytë: gjeneza e shtetit iranian dhe motivi i themelimit të tij.
Irani, si republikë “islamike” në zemër të botës islame dhe arabe qe pjellë e idesë autentike amerikane dhe implementim franko-anglez. Mjafton fakti se nga fluturoi Humejni për në Teheran për të kurorëzuar revolucionin “islamik”.
Pas çka thashë më sipër theksoj se shkaku kryesor se pse po e bëj këtë qasje nuk është pasurimi i kolazhit të qasjeve ndaj situatës USA-IRAN. Mendoj se është thënë dhe shkruajtur mjaftueshëm edhe pse besoj shumë se pasja parasysh e elementeve kulturorë, ideologjikë dhe historikë të aktorëve dha faktorëve të një situate të caktuar është vendimtare për një analizë dhe gjykim të thellë e të drejtë, ose të paktën për t’iu afruar aq sa duhet nivelit të saktësisë.
Shkaku kryesor, dhe mbase i vetëm për momentin, ka të bëjë me ne, pra me shqiptarët si popull dhe si shtet.
Janë disa arsye shumë reale dhe të prekshme që na bëjnë ne si shqiptarë të mos jemi shumë rehat me veten e as me situatat përreth nesh dhe larg nesh. Madje, mendoj, se koncepti i “zhvillimet larg nesh” tashmë është tretur në epokën bashkohore globaliste të “gjithçka rreth nesh”… .
Arsyeja e parë: E gjithë bota tashmë, pra të gjithë shtetet, siç kishte parashikuar edhe Rene Gueno që në 1920, janë ngjyrosur, për mos thënë brumosur, me kulturën amerikano-perëndimore në Lidhje me luftën dhe paqen si dhe në lidhje me zgjerimin dhe ruajtjen e interesave.
Arsyeja e dytë: Konfliktet janë fryt i natyrshëm dhe i herëpashershëm i kësaj lloj sjelljeje mes shteteve.
Arsyeja e tretë: Civilizimet janë udhëhequr vazhdimisht nga popuj apo shtete liderë, të caktuar që kanë përfaqësuar në Karakter dhe funksionim të gjithë civilizimin dhe që kanë ruajtur ballancat dhe ekuilibrat mes përbërësve të civilizimit, dmth mes shteteve.
Arsyeja e katërt: Në momentet e angazhimit dhe pavëmendjes së liderit të civilizimit, elementët më të vegjël, përbërës të të njëjtit civilizim, pra shtetet më të vegjël, e shprehin natyrën e tyre të konfliktit, ndaj njëri-tjetrit, pra ndaj fqinjëve të tyre.
Arsyeja e pestë: “Peshku i madh e han të voglin” është një element tjetër kulturor dhe karakterial të këtij civilizimi.
Arsyeja e gjashtë: mjerë për peshkun më të vogël dhe më të dobët në të gjitha rastet, e veçanërisht në rastin kur Lideri i madh i civilizimit është i angazhuar me interesa shumë më të mëdha se sa të “peshqëve të vegjël”.
Arsyeja e shtatë: ka dhe një arsye të shtatë që ka të bëjë me parimim e papërjetshmërisë së miqësive mes përbërësve të këtij lloj civilizimi, veçanërisht mes përbërësve gjigand dhe minorë të të njëjtit civilizim, gjë të cilën e mbështet shumë histori e largët dhe e afërt.
Arsyeja e tetë: por që vlen vetëm për popujt realisht të vëmendshëm e largpamës, duke ditur se përjetësia nuk është element përbërës i natyrës së marrëdhënieve mes komponentëve të civilizimeve në përgjithësi dhe këtij civilizimi në veçanti, për rjedhojë: mjerë për peshqit e vegjël nga peshqit e mëdhenj kur peshkaqeni i madh është i preokupuar dhe i angazhuar me interesa më të mëdha.
Përballë këtyre arsyeve reale të induktuara, përmbledhazi, nga natyra e civilizimit bashkohor lind pyetja: a jemi gati, ne si popull, për t’u përballur me pasojat e tyre?! Pyetja, ndryshe, mund të shtrohet edhe; si mund t’ia bëjnë peshqit e vegjël karshi agresivitetit të peshqëve më të mëdhenj rreth tij, duke qëndruar, për hir të këtij kuadri të ngushtë analize, tek rrethi i interesave të ngushtë të peshqëve të vegjël, edhe pse peshqit e vegjël nuk është e thënë të mbesin të tillë përjetësisht nëse rrisin vetbesimin dhe ambiciet e tyre.
Përgjigja, gjithmonë sipas meje, është të stërvisin dhe rrisin ataftësinë e kafshimit, nëse peshqit më të mëdhenj sulmojnë dhe vënë në rrezik ekzistencën e tyre. Normalisht kafshimi i peshqëve të vegjël, në përgjithësi, mbase, nuk mund të jetë aq sa për t’i frikësuar dhe lënduar për vdekje më të mëdhenjtë, në rast agresiviteti, por të paktën duhet të jetë në atë nivel sa t’i preokupojë peshqit e mëdhenj t’i fusin mirë në llogari peshqit e vegjël dhe interesat e tyre jetike.
Realisht çka më sipër, veçanërisht, tetë arsyet, duhet të na e prishin megjithëmend rehatinë neve si popull për të qenë më të vëmendshëm dhe më krahëpërveshur për të mprehur vazhdimisht dhëmbët… . “Ndaj tyre jini gjithmonë të përgatitur sa të keni mundësi, të paktën aq sa për t’i frikësuar…” (Kuran)

 

        Sabaudin Jashari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP