web analytics

Të veçanta

Çfarë pret rendi i OKB-së?

OPINION – Çfarë pret rendi i OKB-së?  Tarik Oguzlu (Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave dhe Letërsisë në Universitetin Aydin në Stamboll, Turqi).

Përktheu: Kevi Muçllari, Marrë nga: Anadolu Agency

Këtë vit Kombet e Bashkuara festuan 73 vjetorin e themelimit. Shtetet anëtare – pavarësisht fuqisë së tyre materiale, vendndodhjes gjeografike, llojit të regjimit, karakteristikave demografike dhe atributeve sociale apo kulturore – janë të ekspozuara ndaj një morie sfidash, duke filluar nga kriza klimatike, problemet e migracionit, zhvillimi i qëndrueshëm e deri te tensionet gjeopolitike. Pavarësisht të metave dhe mangësive të saj, ne kemi nevojë më shumë se kurdoherë më parë në historinë njerëzore që Kombet e Bashkuara të veprojnë si organizata ndërkombëtare më gjithëpërfshirëse. Paradoksi është se ndërsa kemi nevojë për OKB-në më shumë se kurrë më parë, ne gjithashtu shohim se ajo nuk funksionon siç duhet dhe nuk përmbush pritshmëritë tona.

Dihet tashmë se Kombet e Bashkuara janë përballur me vështirësi dhe prova të panumërta përgjatë gjithë ekzistencës së tyre gati shekullore. Por në krahasim me të kaluarën, në botën e sotme, Kombet e Bashkuara duhet të kapërcejnë të gjitha mangësitë, nëse duan të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të ruajnë legjitimitetin e tyre në sytë e anëtarëve. Pabarazia e të ardhurave midis vendeve të pasura të “Veriut” dhe vendeve të varfra dhe në zhvillim të “Jugut” është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet rendi i OKB-së.

Pjesa e vendeve anëtare të G-7 në prodhimin ekonomik global, e cila ishte rreth 75% e pasurisë totale ekonomike botërore kur u themelua në 1975, ka rënë në 40% sot. Nga ana tjetër, pjesa e vendeve të përshkruara si Jugu Global është rritur në 60%. Pavarësisht nga kjo zhvendosje e rëndësishme e pushtetit, mbetet një padrejtësi serioze që përfaqësuesit e vendeve të veriut global të emërohen ende në krye të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore. Aksesi i vendeve të Jugut Global në mbështetjen financiare që u nevojitet për zhvillimin e tyre ekonomik është ende në duart e vendeve të Veriut Global.

 

Kalimi në një rend botëror multipolar

Bota tani po lë pas periudhën kur vendet dhe vlerat perëndimore ishin dominuese në politikën globale. Ne po lëvizim me shpejtësi drejt një rendi botëror policentrik dhe multipolar, në të cilin shumë vende joperëndimore në rritje kërkojnë status më të lartë dhe përfaqësim të drejtë në organizatat shumëpalëshe, përfshi edhe OKB-në. Në këtë proces tranzicioni, ku e vjetra është shkatërruar dhe e reja nuk ka lindur plotësisht, fuqitë e reja joperëndimore po bëjnë thirrje për reforma rrënjësore në strukturën institucionale të Kombeve të Bashkuara.

Ajo që nënkuptohet me reformimin e OKB-së nuk është vetëm që Këshilli i Sigurimit dhe institucionet e tjera të lidhura me OKB-në të bëhen më përfaqësuese të dinamikave aktuale të pushtetit në mbarë globin, por gjithashtu që politikat e OKB-së t’u japin më shumë përparësi nevojave dhe shqetësimeve të fuqive joperëndimore në rritje. Slogani “Bota është më e madhe se pesë”, siç shprehet shpesh nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, e kap mjaft mirë këtë mendim të ri.

Përfaqësuesit e vendeve joperëndimore që mbajnë poste drejtuese në institucionet e lidhura me OKB-në dhe u japin këtyre vendeve më shumë të drejta votimi në mekanizmat vendimmarrës nuk duhet të shihen më si një bekim, por si një kërkesë drejtësie. Përndryshe, propozimet për institucione të reja ndërkombëtare do të bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e axhendës globale, dhe kjo do të gërryejë më tej legjitimitetin e rendit të OKB-së.

 

Problemi themelor i OKB-së

Një problem themelor që sfidon rendin e OKB-së është gabimi ideologjik, i cili bën ndarjen midis Perëndimit liberal demokratik dhe Lindjes autoritare joliberale. Në vend që të shërbejë si një justifikuese e qëndrimeve moralizuese dhe hubriste nga ana e fuqive të mëdha globale, OKB-ja duhet të hapë rrugën për bashkëjetesën paqësore midis shteteve që kanë ideologji, tradita dhe grupe vlerash të ndryshme. Qëndrimet polarizuese dhe përqafimi instrumental i OKB-së nga shtetet më të fuqishme anëtare të saj do të thellojnë përçarjet globale dhe kanë për të prodhuar një ndjenjë anarkie e cila mund të sjellë shkatërrime globale.

Siç ka deklaruar Dag Hammarskjold, një nga sekretarët e përgjithshëm më prominentë të OKB-së “OKB-ja u krijua si një mekanizëm për të mbrojtur njerëzimin nga ferri dhe jo për t’i premtuar atij parajsën”.

Një arsye e rëndësishme që e bën të nevojshëm reformimin institucional të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është përshpejtimi i betejave gjeopolitike dhe realpolitike mes fuqive të mëdha në botën e sotme, gjë që e bën të pamundur funksionimin e Këshillit.

Lufta gjeopolitike midis Rusisë dhe Perëndimit për Ukrainën dhe lufta për lidership global midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ushqejnë strukturën anarkike dhe kaotike të politikës ndërkombëtare. Manifestimi më i fundit i dështimit të OKB-së ka ndodhur në Gaza. Një vend i vetëm, Shtetet e Bashkuara, vuri veton ndaj rezolutës së propozuar nga OKB-ja për shpalljen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe dhënien e ndihmave humanitare për banorët e Gazës.

 

Organizatat alternative

Kështu që nuk ka pse të habitemi kur shohim se perceptimi i një rendi botëror i bazuar në rregulla, i ndërtuar mbi parimin e multilateralizmit është gërryer vitet e fundit, dhe mjediset institucionale të bazuara në tematika dhe çështje minilaterale, pragmatike, joformale, kanë zëvendësuar OKB-në si platformë. Për shembull, teksa Shtetet e Bashkuara janë përpjekur që të frenojnë ngritjen e Kinës përmes iniciativave minilaterale si G7, Dialogu Katërpalësh i Sigurisë (QUAD), partneriteti trepalësh i sigurisë midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA (AUKUS) dhe Bashkëpunimi strategjik SHBA-Japoni-Kore e Jugut; Kina dhe Rusia janë përpjekur që të kufizojnë primatin amerikan përmes iniciativave të ngjashme, me klubet si BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait.

Ne e dimë se ka shumë vende në mbarë globin që ndihen mjaft të shqetësuar me zhvillimin e konkurrencës gjeopolitike – të ngjashme me Luftën e Ftohtë – midis SHBA-së dhe konkurrentëve të saj joperëndimorë. Shumë prej këtyre vendeve, fuqitë e mesme dhe të vogla, duan të largojnë rivalitetin dhe të kërkojnë bashkëpunim pragmatik me të gjithë lojtarët në të njëjtën kohë. Rritja e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet vendeve të tilla mund të shpëtojë njerëzimin. Le të vendosim një bast për këtë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP