web analytics

Të veçanta

Mohimi i gjenocidit dhe riafirmimi i projektit nacionalist serb

Një çerek shekulli pas mizorive në Bosnjë, ëndrrat për një Serbi të Madhe ende jehojnë.

Gjenocidit i Srebrenicës, krimi më i tmerrshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shënoi së fundmi vjetorin e 25-të. Ky fenomen barbar që çoi në vdekjen e mbi 8,000 burrave dhe dëbimin e mbi 25,000 grave dhe fëmijëve,  megjithëse i faktuar me prova të pakontestueshme,  mohoet gjerësisht në ligjërimin aktual politik dhe publik serb. Ky ligjërim subjektiv dhe jokoherent është një shprehje e qartë dhe bazë për riafirmimin e ideologjisë ekspansioniste “Serbia e Madhe”, që tashmë për një shekuj e gjysmë pretendon territore nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosovën e konsideron si pjesë të Serbisë.

Ky riafirmim sistematik i ideologjisë nacionaliste serbe po ndodh nën kujdestarinë personale të presidentit aktual serb Aleksandar Vuçiq, i cili në vitet 1990 shërbeu në qeverinë e “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviç dhe ishte një nga udhëheqësit e Serbisë neofashiste në Partinë Radikale (SRS) e udhëhequr nga i dënuari për krime lufte Vojislav Seselj.

Pjesë e mjeteve politike që përdor Vuçiq është makineria mediatike pro-regjimit, e cila këmbëngul në mohimin e gjenocidit përmes revizionizmit historik, rehabilitimit dhe promovimit të kriminelëve të luftës, të cilwt janë përgjegjës për gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj popullatës myslimane në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ish personel i lartë ushtarak si Nebojsha Pavkovic dhe Vladimir Lazarevic, të cilët ishin dënuar nga Tribunali i Hagës po botojnë libra të sponsorizuar nga shteti dhe po japin leksione në akademitë shtetërore. Për më tepër, politikanë të shumtë aktivë janë dënuar gjithashtu për krime lufte, ku më i njohur ndër ta ishte Vojislav Seselj, i cili mban postin e deputetit teksa promovon ide brutale fashiste dhe mohon haptas gjenocidin e Serebrenicës.

Përveç kësaj, intelektualë të tillë si Srđa Trifkovis, Dragan Vanja Bokan dhe Darko Tanaskovic, të gjithë ithtarë të flaktë të ekspansionizmit serb dhe ndjenjave anti-muslimane gjatë viteve 90,  sërish promovohen në mediat pro-regjimit.

Këta intelektualë promovojnë idenë e një kërcënimi nga “fondamentalizmi (pan) islamik serbo-fobik” dhe  sipas tyre ekziston plani për të krijuar një lloj shteti islamik në Ballkan. Përveç kësaj, në njëzet vitet e fundit një brez i ri akademikësh, kryesisht historianë, vazhdojnë të popullarizojnë projektin ekstremist nacionalist serb.

Përveç pastrimit dhe lartësimit të figurave të kriminelëve të luftës si Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, ata gjithashtu janë të përkushtuar në pastrimin e figurës së lëvizjes çetnike e cila është përgjegjëse për gjenocidin e popullatës myslimane në Bosnjën Lindore dhe rajonin e Sanxhakut gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përkrah revizionizmit historik dhe rehabilitimit të kriminelëve të luftës, qeveria aktuale ofron gjithashtu mbështetje të rëndësishme të drejtpërdrejtë ose indirekte për lëvizjet ultra të djathta të tilla si Avant-Garda Kombëtare, E Djathta Serbe, Shoqata Leviathan dhe Nderi Serb, të cilat mbjellin urrejtje të hapur ndaj myslimanëve në Serbi dhe në rajonin e gjerë.  Gjithashtu, përmes llogarive të tyre në mediat sociale, ata po u drejtohen brezave të rinj të cilëve po u paraqesin kriminelët e luftës përgjegjës për gjenocidin si “ikona popullore”.

Sa i përket marrëdhënieve me vendet që u prekën nga gjenocidi dhe spastrimi etnik i kryer gjatë viteve 1990, Vuçiç dhe qeveria e tij vazhdojnë të degradojnë marrëdhëniet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës.  Gjatë vitit 2019, në disa raste Kryeministrja Ana Brnabic, Ministri i Brendshëm Nebojsa Stefanovic dhe Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, të gjithë kërcënuan hapur ofensiva të armatosura mbi territorin e Kosovës. Për më tepër, udhëheqja serbe vazhdimisht punon së bashku me serbët e Bosnjës në shkëputjen e Republikës Srpska, presidenti aktual Milorad Dodik është një mohues famëkeq i gjenocidit të Srebrenicës dhe një pasues i politikave të Radovan Karaxhiç.

Në këtë kontekst, presidentit Milorad Dodik vazhdimisht i është dhënë hapësirë në mediat elektronike dhe të shkruara serbe për të promovuar idenë për t’i dhënë fund asaj që filloi me gjenocidin e muslimanëve boshnjakë në Bosnjë në një të ardhme të afërt ose të largët. Kështu, në disa raste, Dodik madje ka hartuar harta në të cilat Serbia dhe Republika Srpska janë një shtet.  Aspirata të tilla duhet të shërbejnë si një flamur i kuq për komunitetin ndërkombëtar, i cili dikur lejoi që ideologjia nacionaliste serbe të rezultojë në mizoritë kundër myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve të Kosovës.

Nën hijen e riafirmimit të nacionalizmit serb, komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë parasysh se kjo ideologji hije dhe raciste që rezultoi në gjenocidin e muslimanëve në Bosnjë dhe spastrimin etnik në Kosovë është akoma e gjallë dhe manifestohet edhe në rrjetet ndërkombëtare.

Grupet ultra të djathta dhe neofashiste nga Franca, Gjermania, Polonia, Austria, Italia, Rumania, Rusia dhe Serbia mbajnë lidhje të ngushta, duke shkëmbyer ide rreth Evropës si një kontinent i krishterë në cilin nuk bëjnë pjesë myslimanët.

Figura “heroike” si Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç janë pjesë e narrativës kryesore të nacionalizmit serb që shërbejnë si një burim frymëzimi për organizatat supremaciste. Terroristët Anders Breivik dhe Brenton Tarrant u ndikuan nga veprimet e tyre gjenocidale. Emrat e tyre u bënë referenca në llogaritë personale dhe manifestet politike të ekstremistëve të dhunshëm të ekstremit të djathtë si Breivik dhe Tarrant, të cilët gjithashtu perceptuan individë të tjerë nga historia serbe si figurat më të rëndësishme në luftën për të shpëtuar “Evropën e krishterë” nga pushtimi i “Muhammedan”.

Në dritën e 25 vjetorit të Gjenocidit të Srebrenicës, fryma politike e përhapur e mohimit të gjenocidit dhe riafirmimit të ideologjisë së “Serbisë së Madhe” duhet të merret seriozisht nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë, jo vetëm për shkak të kujtesës së të gjithë të vrarëve, por edhe për shkak të pasigurisë të së ardhmes me të cilën përballen myslimanët në Ballkan.

Ndryshe nga vëllezërit dhe motrat e tyre në Perëndim, myslimanët të cilët janë të rrezikuar në mohimin e të drejtave të tyre të garantuara me ligj, myslimanët në Ballkan vazhdimisht po përballen me një kërcënim elementar ekzistencial. Me fjalë të tjera, për sa kohë që ideologjia e errët nacionaliste serbe është në zhvillim e sipër, myslimanët në Ballkan do të zgjohen çdo mëngjes duke menduar nëse do të ekspozohen ndaj ndonjë gjenocidi të ri. Kujtesa e Srebrenicës, si dhe e ardhmja, i detyron të gjithë aktorët lokalë dhe botërorë që ta kujtojnë dhe mos ta harrojnë kurrë këtë fakt.

Ivan Kostic

Përktheu Elham Jashari

Burimi: TRT World

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP