web analytics

Të veçanta

Shëndeti mendor dhe konsumizmi i projektuar në kinema

Kultura e vërtetë dhe kultura e rreme

“Problemi nuk është vetëm tek shpikja e një pajisje teknologjike, por edhe tek ajo që na bën t’i përshtatemi asaj, që na bën të ndihemi sikur kemi nevojë për të. (Martin Heidegger)

A është kinemaja dhe filmi vetëm një aspekt i industrisë të kulturës, apo kemi të bëjmë me një proces të civilizimit? – Subjekti i çdo kulture është njeriu si individ, si personalitet, si ‘individualitet i papërsëritshëm’. Subjekti (ose objekti) i kulturës masive është turma, masa, ose “njeriu-masë”.

Njeriu ka shpirtin, masa ka vetëm nevojat. Prandaj çdo kulturë është ngritje, përsosje e njeriut, ndërsa kultura masive është përmbushje e nevojave. Kultura synon individualizimin; kultura masive tërheq në drejtim të kundërt, drejt uniformizimit shpirtëror. Në këtë pikë kultura masive ndahet me etikën edhe me kulturën. Kultura masive arsimon, por nuk edukon. Me prodhimet seri të “të mirave shpirtërore”, me kopjet, me prodhimin në seri ajo shpie drejt zhvetësimit. Për ndryshim nga kultura autentike, ajo masive ngushton lirinë njerëzore pikërisht me tendencën për uniformizim, sepse “liria – është një kundërvënie ndaj uniformitetit” (Max Horkheimer).

Kultura masive na ofron një shembull tërësisht të kundërt. Njerëzit janë të ndarë rreptësisht në “prodhues” dhe në “konsumues” i të mirave kulturore. A ka njeri që mendon se mund të ndikojë vërtet në përmbajtjen e programit televiziv, nëse nuk bën pjesë në atë grup të vogël që e krijon programin? – Të ashtu quajturat mjetet masive të komunikimit – shtypi, radioja, televizioni dhe kinemaja në të vërtetë janë mjete të manipulimit masiv.  Sipas Burdieu,në njërën anë gjenden redaksitë që krijojnë programet, në anën tjetër auditoriumi pasiv i milionave. Duke u nisur nga këto sqarime, të cilat në fakt janë idetë më dominante në epokën moderne të mbështetura gjerësisht nga shumë prej autorëve botëror, na rezulton se kinemaja është një nga instrumentet e krijimit të “kulturës masive” nëpërmjet standartizimit.

Kuptojmë se kinemaja ndonjëherë zëvendëson literaturën dhe meditiminn si edhe pengon intelektin. Ajo ofron zgjidhje të gatshme për të gjitha çështjet në jetë.

Psikologjia e masave na mëson, dhe praktika pohon, se përsëritjet me ngulm mund t’i bindin njerëzit për mitet që s’kanë asnjë lidhje me realitetin, në bazë të “metodës së mësimit të kushtëzuar”.  Psikologjia e mjeteve masive të komunikimit, veçanërisht kinemaja, orientohet për të nënshtruar jo vetëm pjesën e vetëdijshme të njeriut, por edhe atë instinktive e emotive dhe për të krijuar ndjenjën a shprehinë që zgjedhja e imponuar të konsiderohet si e vetja.

“Njeriu i sotëm i ndikuar nga kultura masive sillet si fëmijë, në kuptimin negativ të fjalës, d.m.th., ashtu si i përket shkallës mendore të adoleshencës: argëtimet banale, nevoja për sensacione të forta, prirja për parada masive dhe për parulla, mungesa e humorit, frazat e urrejtjes e të dashurisë, mallkimet e lëvdatat, që merr një përmasë masive e brutale. Media dhe kinemaja kontribuon në konformizmin dhe uniformizmin përmes standartizimit tw kulturës. Standartizimi rrezikon personalitetin e lirë; gjithsesi ajo nuk e rrezikon anëtarin anonim të kolektivit, funksioni i të cilit realizohet në të prodhuar e në të konsumuar, përkatësisht për të përkryer mënyrën dhe teknikën me të cilën prodhon dhe konsumon.”

Ndikimi i kinemasë në vetëdijen sociale

Gjatë viteve 1970, teoria psikoanalitike edhe në film doli si kuadri kryesor në studimet e filmit për filmin dhe për të kuptuarit e angazhimit tonë në të. Shqetësimi kryesor për teoricienët psikanalitikë ishte se si filmi, teknologjia e filmit kanë arritur që me anë të një shikimi të këndshëm të një filmi të shfrytëzohet e pavetëdishmja, e cila edhe e riprodhon ideologjinë dominuese. Shumë nga këta teoricienë, bazën e tyre të të kuptuarit të psikologjisë së shikuesit (spektatorit) dhe të zhvillimit njerëzor në formimin e subjektivitetit, e kanë si një model të Lacan-it. Teoria e Jean-Louis Baudary dhe e Christian Metz, përfaqëson një nga lëvizjet më me ndikim në teorinë psikoanalitike të filmit, veçanërisht për çështjen e spektatorit dhe ndikimeve të tij. Sipas tyre, para se të kuptojmë përgjigjen e spektatorit, ne duhet së pari të kuptojmë natyrën e kinematografisë si teknikë, cila është mënyra në të cilën organizimi dhe paraqitja e bën psikologjinë e njeriut të ndërveprojë me filmin.  Ky konsiderohet edhe si momenti i kapjes së pikës psikike, sepse këtu ideologjia e kupton fuqinë që ka kinemaja dhe media në përgjithësi. Kuptohet që nëpërmjet kinemasë ideologjia mund të aplikohet, të futet edhe aty ku nuk ishte imagjinuar. Kjo edhe sot e kësaj dite e bën kinemanë dhe median në përgjithësi një sferë ku tentohet të ndikohet.

Tanimë është i njohur ndikimi i mediave vizuale dhe pushteti që ushtrojnë në shoqëri. Këto media me atë që shfaqin e bëjnë të pranishme dhe shpeshherë të pranueshme për ne. Pierre Bourdieu, kur flet për fuqinë e kinemasë niset nga maksima e Berkeley-it kur thotë: “Të jesh, do të thotë; të jesh i perceptuar”. Dhe pikërisht ekrani na e mundëson këtë, të shfaqemi, të jemi të pranishëm dhe kështu të bëhemi të perceptuar. Prandaj, që prej ardhjes së tyre në skenë, mediat me ndikimin e tyre e përfaqësojnë një pjesë mjaft të madhe të ngjarjeve historike dhe shoqërore. Për shkak të fuqisë ndikuese që kanë tek shoqëria, ato u bënë edhe shënjestër e pushtetit. Po ashtu edhe kinemaja, si një medium me një potencial mjaft të madh propagandistik, u bë mjet e-i fuqishëm në duart e pushteteve dhe ideologjive të ndryshme.  Duhet ta kemi parasysh se ideologjia ka një konotacion dhe gjithëpërfshirje në sferën e saj.

Ideologjitë e ndryshme, pushtetet autoritare, si qëllim kryesor kishin që të prodhonin kryesisht filma me karakter edukativ dhe dokumentarë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe mbase kështu u bë një lidhje shumë e fuqishme ndërmjet filmit dhe psiqikës së turmave dhe masave. Rasti i kinemasë në Itali, Rusi dhe Gjermaninë e para Luftës së Dytë Botërore (dhe jo vetëm), është tregues se si kinemaja (një pjesë e kinemasë dhe kineastëve) u bënë pjesë e makinerisë propagandistike. Në Rusinë dhe në Gjermaninë e asaj kohe qeveritë kërkonin t’i kontrollonin jo vetëm sjelljet publike të popullit të tyre, por edhe mendimet e tyre private dhe opinionet brenda shtëpive të tyre. Fuqia reale e pushtetit tanimë nga ana e mediave ishte e lartësuar deri në masën e mitit. Për këtë Bourdie pohon se: “Njerëzit konformohen në një formë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme të autocensurës, pa pasur nevojë që t’u kujtohen urdhrat”. Kjo autocensurë përbrendësohet deri në palcë, sepse përveç dhunës reale që pushteti mund ta ushtrojë tek ne, ai ushtron edhe një dhunë vizuale, e cila mendërisht na përgatit që të jemi të dëgjueshëm.

Modele të ndikimit social nëpërmjet filmave

Për të parë aspektin psiko-social nëse i referohemi filmave si: “Taxi driver”, “The clockwork orange” dhe “Fight Club”.  Në filmin “Taxi Driver”, rrëfehet ngjarja e një veterani të luftës në Vietnam i cili vuan nga insomnia, pagjumësia e shoqëruar me kriza nervore. Ai punon natën si shofer taksie në Nju Jork, ku imoraliteti e nxit anën e tij të dhunshme në përpjekje për të shpëtuar një prostitutë adoleshtente.

Filmi “The clockwork orange”; nw thelb tw tij flitet për kreun e një bande që punon për të kryer dhunë të çdo lloji, pasi lihet nga shokët e tij në duart e policisë, ai dënohet dhe burgoset, ndërkohë atij i ofrohet dhe një mundësi për liri: në këmbim që ai t’i nënshtrohet një terapie eksperimentale, por plani nuk shkon siç duhet.

Ndërsa tek filmi “Fight Club” shikojmë një rast tepër të veçantë ku bëhet fjalë për një punonjës zyre, i cili vuan nga pagjumësia, kërkon një mënyrë për të ndryshuar jetën e tij. Ai takohet me një prodhues sapuni të djallëzuar dhe të dy formojnë një klub për ndeshje ilegale e cila zhvillohet më pas në diçka tepër të rrezikshme.

Nga këto filma kuptojmë se si ndërtohet ajo formë e krijimit të kulturës masive dhe se si reklamohet kjo formë jetese, e cila shpesh duket shumë individuale larg  të tjerëve. Por, nëse e shikon efektin e saj kupton se është shumë e lidhur me atë që Albert Kamy e quante “Kaos i rregullt”. Konsumizmin si teori në filmat e sipër përmendur e vërejmë tek mënyra se si çdo proces i jetës kalon në tri faza: 1- Eufori; 2- Banalizim dhe 3- Neveri.

Ndërsa në aspektin e shëndetit mendor, nga filmat kuptojmë thënien e famshme të Karl Gustav Jung “Çdo njeri po ta shohësh nga afër është anormal”. Ashtu siç e shohim dhe në këto filma tek reklamohet anormalja që lë pasoja në shoqëri si diçka normale. Duke u përsëritur në mënyrë të shpeshtë bën të duket si “normale”, nëse i referohemi modelit klasik të të nxënurit të “Kushtëzuar”.

Në filma gjejmë një shoqëri e cila ka indiferentizmin ndaj individit dhe një individ që shfaq indiferentizëm ndaj masës, ku çdo njeri shikon individualitetin e tij. Në fakt, na rezulton komplet e kundërta në momentin kur kupton rrjetin ose network-un e interesave materialiste e kapitaliste që sociologu Castel e quan “rrjetat”, të cilat kanë pikat, “institucionet” dhe fijet që lidhen “interesat”.

Si përfundim, si në çdo dimension të jetës shoqërore,  edhe në fushën e kinemasë ekziston një hapësirë e strukturuar e ndërveprimit të forcave: aty ka të nënshtruar dhe nënshtrues, ka marrëdhënie të qëndrueshme pabarazie. Nga mënyra e bashkëveprimit brenda këtij universi, çdo aktori social i caktohet pozita dhe strategjia. Kësisoj, edhe ajo çfarë shkruan një regjizor filmi, ndikohet nga qasja e tij personale ndaj fenomenit për të cilin shkruan, nga pozita që mban në pushtetin përkatës, por edhe prej pushtetit që zotëron organi i tij i prodhimit të filmit. Ky faktorizim i tillë dhe efektet që ai prodhon,  nuk janë produkt vetëm i  ndikimit ekonomik, por ka struktura të padukshme të cilat përcaktojnë rregulla dhe ligje të caktuara brenda botës kinemtografike. Kështu, për të kuptuar atë çka ndodh brenda një filmi,  duhet marrë parasysh gjithë bashkësia e forcave objektive të kinemasë.

Nga sa kuptuam dhe analizuam më lart, arrijmë në rezultatin se: Gjendja mendore, e këtu kam për qëllim aspektin më thelbësor të mendimit – lirinë, ndikohet nga kontakti me filmin, veçanërisht kur filmi projektohet me qëllime të caktuara ideologjike, politike etj. Filmi jep dimensione metafizike shteruese dhe përgjigje të cunguara e moralizuese. Ka dy alternativa për t’i shpëtuar pasojave të censurimit: ose të ndikohet në formën e duhur në thelbin e kinematografisë duke e shpëtuar nga censura, ose të edukohet më shumë shoqëria me ide dhe koncepte metafizike, aksiologjike e shkencore për të fituar imunitet.

Vladimir Kera

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP