web analytics

Të veçanta

Uni, e Vërteta Egoiste dhe i Vërteti

Nga: Ibrahim Xhepmeta

Kur flasim për qenien njerëzore në aspektin jo-biologjik, kemi parasysh kompleksin e marrëdhënieve dhe komunikimit “intro-extera” që ai zhvillon në dinamikën e ngjarjeve që ndodhin brenda-jashtë tij. Në aspektin biologjik -psikologjik është e vështirë të bësh ndarje të qartë mes Uni-t dhe Ego-s të cilat varësisht kuptimit gjuhësor shprehin pak a shumë domethëniet që veçojnë dhe unifikojnë individët. Kështu p.sh: Fjala Un-ë, tregon për personin të drejtuar nga vetja, në veten e parë, që do të thotë qendërzim të marrëdhënieve (nga jashtë brenda-brenda-jashtë), sikurse ego-ja shpreh individualizimin e natyrshëm të kërkesave të pafundme të Un-it. Natyrisht kur flasim për egoizëm termi merr kuptim tjetër, sepse ngushton kuptimin në konotacion kryesisht negativ dhe denigrues. Në fakt Uni- është centralizimi i botëve në një botë të vetme, atë brenda njeriut, ku  përceptimet, përjetimet, konkludimet, besimet kufizohen brenda një kallëpi të përcaktuar brenda kapacitetit shqisor (për rrjedhojë atij intelektual) dhe ndikimit  emocional.

Atëherë, ku qëndron e vërteta?!

Nëse apriori pranojmë se e vërteta ekziston dhe është absolute, i bie që ajo është e unifikuar në vetvete, megjithatë jo domosdo vjen e plotë tek njeriu, madje është aq e vërtetë të themi  me siguri se ajo vjen gjithnjë në trajtë relative, për shkak të pamundësisë së gjërave në trajtë relative për t’u lidhur plotësisht me qeniet jo-absolute. Pra dy ekzistenca relative krijon vetëm këtë llojë marrëdhënie, ndërsa kulmi që i mbledh të gjitha dimensionet relative është Absoluti (Zoti) dhe Absolutja (e vërteta që buron prej Tij). Njeriu si vepër Krijimi  është i përsosur, por vetë si  ‘krijues’, në aftësi, kapacitet, të kuptuar etj, është i papërsosur dhe defiçent, për më tepër është i paqëndrueshëm, ndërsa e vërteta dhe i Vërteti ka veti bazike qëndrueshmërinë apo Vetëmjaftueshmërinë (Imanencën).

Kjo do të thotë që Uni-  përherë e transferon dhe transformon të vërtetën kah vetja, duke i dhënë dashje padashje fuqinë e vetisë së të qenit absolute prejnga vetja. Mirpo e vërteta është unike dhe e parelativizueshme në vetvete, s’pranon të ndahet, që i bie ne ndajmë vetëm kuptimet për të, këto domethënie bashkohen vetvetiu vetëm jashtë nesh, pavarësisht qasjes tonë ndaj saj.

Për shembull: Njeriu edhe kur s’ka qoftë edhe një argument (ose fakt) prapseprap priret të gjykojë bindshëm për të (pavarësisht pasigurisë relative), sepse udhëhiqet natyrshëm nga ndjesitë dhe emocionet që kushtëzojnë perceptimet e tij. Në fakt, edhe nëse supozojmë që në një çështje X, ai të ketë gjithë argumentet e mundshme, gjithë kapacitetin për ta përfshirë të vërtetën, përsëri do t’i japë të vërtetës ngjyrat e Uni-t, në fakt as kjo nuk është e mundshme dhe kontradiktore në vetvete sepse përndryshe njeriu nuk është i tillë, por Zot,  i Cili është një dhe  s’pranon çift të barabartë e as konkurrent me Të e s’mund të jetë i Ndryshueshëm (për pasojë as relativ).

Por si relativizohet e vërteta tek njeriu? Çfarë ndikon në formimin e besimeve, kuptimeve, përfytyrimeve për të vërtetat tek ai?!

Së pari biem dakord se është informacioni bazik që merr nga shqisat si konsumim konstant i tingujve, imazheve, aromave, prekjeve, shijeve, më pas është diçka thellësisht shpirtëore që i ndërlidh këto dhe krijon konceptime, përjetime dhe bindje krejtësisht unike dhe personale.

Së dyti nëse unifikohemi në faktin se njeriu është qenie përtej-materiale i bie të ketë burime të tjera ndoshta më autentike dhe më të fuqishme nga prej ku ai ushqen shpirtin dhe mendjen e tij me dije (jo-empirike).

Çfarë do të thotë kjo? Për të njëjtin fakt njerëzit flasin ndryshe, gjëra të ndryshme, bëjnë përshkrimie të dallueshme. Për të njëjtën çështje projektojnë vështrime nga kënde të ndryshme, ku secili pasqyron një të vërtetë (pjesë nga e vërteta absolute), përsa munden pjesën e të vërtetës relative që mbart në vetvete Uni. Nëse unifikimi referon të gjithë në të paktën një pikë mund të pretendojmë për të vërtetë absolute. P.sh: Interpretimet për vdekjen janë të ndryshme të pafundme, por realitetin e saj nuk e mbërrin askush, përpos dakordësimit me fjalë apo në heshtje që ajo ekziston si ngjarje dhe është fakt Pra kundërshtia lind gjithmonë kur një Un-ë i paplotë prenoncon dhe pretendon një të vërtetë të plotë, një Un-ë jo perfekt deklaron një të vërtetë perfekte. Interesante është se edhe kur Uni pandeh vetëdije për këtë, konfirmon funksionin e qenësishëm të saj, qendërzimin e të gjitha marrëdhënieve dhe komunikimit me të vërtetën, pa mohuar asgjë nga të vërtetat që “i njeh”. Pra edhe kur “Uni” thotë që “nuk di” , në fakt po aprovon që ” e di”, që ” nuk e di”, përsëri nuk shmang dot asgjë nga vetja e vet. E vërteta egoiste është pikërisht relativizimi i egoizmit.

Egoja natyrshmërinë e ka të marrë-tërheqë çdo gjë e ta përkthejë në “Un-ë.” Uni është toponimi i veprimeve dhe aktiviteteve të Ego-s. A jemi në thelb qenie egoisite?! …Relativisht po! Absolutisht jo! -reagoi Egoja.

 

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP