web analytics

Të veçanta

Nga “revolucioni” te “filozofia”

[Pjesa e parë]

Është e pamundur t’i ngresh njerëzit artificialisht. Revolucionet popullore kanë lindur nga rrjedha e ngjarjeve… Ka periudha historike kur revolucionet janë thjesht të pamundura; ka periudha të tjera kur ato janë të pashmangshme…                                                             

                                                                M. Bakunin, letër dërguar S. Neçajevit, 2 Gusht 1870

            Filozofi slloven, Slavoj Žižek, ka sugjeruar gjithmonë në mënyrë të përsëritur, se jo vetëm kemi nevojë të largohemi nga aktivizmi shterpë i “tezës” së vjetër marksiste të “ndryshimit të botës” (teza nr.11 tek “Teza mbi Fojerbahun”) , por se do të bënim mirë t’ia nisnim edhe një herë nga fillimi. Me fjalë të tjera, jo vetëm që “botën” do të duhet ta “interpretojmë” dhe jo ta “ndryshojmë”, por do të duhet që vetë “interpertimit” t’ia nisim edhe një herë nga fillimi. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët. Problemi ynë nuk është se kemi “vepruar” pa “menduar”, por se as nuk kemi “vepruar” dhe as nuk kemi “menduar” ndonjëherë aq sa duhet. Megjithatë, çfarë po vëmë në dukje në rastin konkret, është se aktualisht na nevojitet më shumë “mendimi filozofik” se sa “veprimi politik”, ndonëse nuk kemi traditë në të dyja këto fusha. Sigurisht, nuk jemi të vetmit në botë që ndodhemi në këto kushte të mjerueshme politike dhe kulturore! Ka vende të Azisë dhe Afrikës, të cilat janë edhe më keq se Shqipëria jonë e dashur! Por ne po flasim në kontekstin tonë specifik. Në këtë kontekst, nuk aspirojmë të antarësohemi as në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të Rusisë dhe as në Bashkimin Afrikan, por aspirojmë të antarësohemi në Bashkimin Europian (BE).

Në rastin tonë, bëhet fjalë për të marrë si shembull dhe për të vendosur si standart, pikërisht atë që rusët e konsiderojnë në mënyrë armiqësore si “Perëndimi Kolektiv”. Në ndryshim nga rusët, apo edhe nga serbët, ne shqiptarët duam të jemi pjesë e këtij të fundit. Çështja e “interpretimit” të “botës” duhet vendosur në këtë kontekst. Kështu, në rastin konkret, nuk e kemi fjalën për “interpretim” në kuptimin e retorikës boshe dhe abstrakte të tipit spektakolar të emisioneve televizive. E kemi fjalën për mendim të thelluar sistematik, apo pikërisht për “mendim filozofik” të tipit perëndimor. E kemi fjalën për “kulturën”, të cilën e kanë harruar fare jo vetëm politikanët, por edhe vetë ata që merren me të! Realiteti social-politik përcakton zhvillimin kulturor, por ama edhe ky i fundit ndikon në mënyrë të anasjelltë mbi këtë realitet. Pikërisht këtë manifeston fakti se vende si Italia, Franca dhe Gjermania nuk kanë pasur vetëm politikanë dhe shtetarë të mëdhenj, por edhe lëvizje të mëdha kulturore si Rilindja, iluminizmi dhe idealizmi gjerman. Me fjalë të tjera, gjithmonë do të ketë nevojë për pak “teori” dhe “ideologji” sado e vogël të jetë kjo nevojë. E vetmja gjë që më duhet të vë në dukje këtu, është se në ndryshim nga çfarë mund të pretendojë kryeministri ynë aktual Edi Rama, “teorinë” dhe “ideologjinë” nuk mund ta zhvillojnë shoferët, marangozët, elektriçistët, basketbollistët dhe pompistët (d.m.th. “arsimi profesional”). Nuk besoj se vende si Anglia, SHBA, Gjermania, Franca, Italia, etj., e kanë dominuar historinë botërore për arsye se kanë pasur elektriçistë dhe pompistë të aftë! Madje ata nuk e kanë dominuar botën as për arsye se kanë pasur kamarierë dhe banakierë të aftë!

Bazuar në sa më sipër, na rezulton se ne kemi nevojë për analiza strukturore dhe jo për kritika morale. Kemi nevojë të shqyrtojmë dhe kuptojmë organizimin politik të jetës sociale dhe jo të ankohemi për degradimin moral të politikanëve, biznesmenëvë, gazetarëve, kolegëve të punës, komshinjëve etj. Madje vetë marksizmi, të cilin e braktisëm në vitet ’90, kur na u desh të kalonim nga proletarizimi despotik i shoqërisë te borgjezimi i saj katastrofik, parqiste një analizë me natyrë strukturore të marrëdhënieve sociale. Ndonëse është i kritikueshëm në shumë aspekte, ai nuk është i kritikueshëm pikërisht në këtë aspekt. Edhe problemet më intime të natyrës morale dhe psikologjike, marksizmi i shpjegon përmes strukturave të prodhimit ekonomik dhe pushtetit politik. Ndoshta këtë duhet të bëjmë edhe ne lidhur me aktualitetin tonë. Megjithatë, pavarësisht nga mungesa e “mendimit”, gjithsesi aktualisht na është shfaqur “veprimi”. Jemi në kushtet e një proteste permanente me qendër në Tiranë. Turma njerëzish janë ngritur në protestë! Duket sikur “revolucioni” i ka paraprirë “filozofisë”, duke mos na lënë kohë të mendojmë! Por a është vërtetë e mundur një gjë e tillë?

Protestat aktuale për çështjen e investimeve turistike të dhëndrit dhe vajzës së presidentit Trump, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, duket sikur kanë realizuar atë që mungonte: “veprimin” për të sjellë “ndryshimin”. Prej disa ditësh ka tashmë protesta masive përpara kryeministrisë, të cilat nuk organizohen nga partitë politike të opozitës, por nga e ashtuquajtura “shoqëri civile” dhe nga qytetarë të ndryshëm. Këto protesta nuk kanë qenë të kufizuara vetëm në Tiranë. Madje ato janë shtrirë jo vetëm edhe nëpër qytete të tjera të vendit, por edhe nëpër disa qytete të caktuara të Europës, në të cilat kanë protestuar emigrantë shqiptarë që jetojnë në to. Asaj i ka bërë gjithashtu jehonë edhe shtypi ndërkombëtar. Duket sikur të gjithë kanë mbetur të kënaqur nga një gjë e tillë! Jemi kënaqur jo vetëm neve me veten tonë, por kanë mbetur të kënaqur edhe “ndërkombëtarët” me ne! Madje ka shumë mundësi, që nga pikëpamja “ndërkombëtare”, protesta të shndërrohet në një “atraksion turistik”!

Ndërkohë brenda vendit është folur gjithë entuziazëm për “reagim qytetar”, “spontanitet”, “revoltë”, etj. Ndërsa ndër parullat e ndryshme që janë artikuluar nga vetë protestuesit, është shfaqur madje edhe termi i famshëm maksimalist: “revolucion”! Situacionistët, një ndër grupet ultramajtiste më radikale të revolucionit francez të 68-ës, do të thoshin për një anëtar të një tjetër grupi ultramajtist si Castoriadisi, se problemi i tij i përhershëm ishte se ai mendonte që të flasësh për diçka është njëlloj si ta realizosh atë.[1] Pikërisht! Ta thuash diçka nuk do të thotë se po e bën atë – d.m.th. se po bën atë që po thua! Ne shqiptarët e kemi provuar një herë një gjë të tillë në vitet ’90. Edhe atëherë thamë se “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, por nuk e realizuam dot këtë! Në vend të kësaj, thjesht na emigroi një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nëpër vende të ndryshme të Europës! Prandaj ne shqiptarët kemi njëkohësisht edhe thënien e bukur: “Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.” Kjo është madje edhe një shprehje me figuracion “detar”, njëlloj si dhe vetë natyra e “investimeve strategjike”, të cilat janë bërë shkas për shpërthimin e protestës aktuale!

Nuk duam të bëjmë këtu as një analizë të thelluar të protestës dhe as një analizë të realitetit tonë social-politik. Po kufizohemi të vëmë në dukje, se lidhur me qëndrimet ndaj protestës ka dy palë: ata që janë entuziazmuar prej saj dhe ata që janë skeptikë. Sado kontradiktore të duket, i mirëkuptojmë të dyja palët. Janë vetëm ekstremet përkatëse të secilës prej tyre, ato që duhen kontestuar. Në ekstremin e të “entuziazmuarëve” janë disa anëtarë organizatash të së ashtuquajturës “shoqëri civile”, të cilët shfaqen pothuajse në çdo protestë, duke e pasur një gjë të tillë si “profesion”; nëse bolshevikët do ta konsideronin dikur veten si “revolucionarë profesionistë”, këta “aktivistë” të “shoqërisë civile” mund të konsiderohen si “protestues profesionistë”. Ndërsa në ekstremin e skeptikëve gjendet në mënyrë të pashmangëshme, ai që është në krye të qeverisë: kryeministri Edi Rama. Ky i fundit është shprehur se kjo protestë është nxitur nga Greqia dhe Irani. Duke parë përmasat dhe qëndrueshmërinë e protestës, kryeministri filloi të artikulonte “teori konspiracioni”; ndërkohë, vetë propaganduesi “profesionist” i këtyre “teorive”, Alfred Cako, do të bëhej pjesë e protestës!

Nuk diskutohet që kontradikta dhe paradokse vihen re te të dyja palët – edhe tek të “entuziazmuarit”, edhe tek “skeptikët”. Me pak fjalë, ajo që ka “1000 probleme” – për të përdorur një frazë të famshme të kryeministrit – është jo vetëm qeverisja e Ramës, por edhe vetë protesta, e cila po i kundërvihet asaj. Ndonëse mund të kemi plotësisht të drejtë të demonizojmë qeverisjen e Ramës, gjithsesi nuk duhet të idealizojmë në mënyrë romantike protestën. Ajo është tepër kaotike në aspektin ideor dhe tepër e pastrukturuar në aspektin politik për të rezultuar në ndonjë përfundim, apo qëllim të qartë përbashkues. Është më shumë një reagim për të mohuar status quo-në se sa një pikënisje e mundshme e diçkaje konstruktive. Por është pikërisht ky sens “nihilist” i saj, në të cilin manifestohet edhe gjerësia e kësaj proteste. Nëse ka diçka që i përbashkon të gjithë, për të cilën të gjithë janë dakort, ky është fakti se realiteti aktual duhet kundërshtuar. Me fjalë të tjera, kjo protestë ka karakter të gjerë jo sepse asaj i është bërë jehonë ndërkombëtare nga emigrantët shqiptarë dhe mediat e huaja, por sepse ajo është një reagim ndaj situatës së përgjithëshme të vendit, që thjesht ka marrë shtysë nga një ngjarje e veçantë si çështja e investimeve në Zvërnec.

Protesta nuk duhet reduktuar te çështja e Zvërnecit, apo akoma më keq te lufta kundër “imperializmit amerikan”, apo dhe “zionizmit”. Ky është një gabim që nuk duhet ta bëjnë jo vetëm protestuesit, por as qeveria dhe kryeministri. Në vend të mendojmë për SHBA-në dhe Iranin, duhet të mendojmë për veten. Njëlloj siç është e vërtetë se vende të vogëla si i yni mund të bëhen viktima të influencave të huaja dashakeqe, po ashtu është njëkohësisht e vërtetë se vendi ynë po vuan nga një qeverisje tepër problematike, e cila i ka përkeqësuar në mënyrë progresive kushtet e jetesës. Ky përkeqësim nuk prek vetëm fushën e “investimeve strategjike”. Vuajmë njëkohësisht edhe nga korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, kolonizimi partiak i administratës publike, problemet e mëdha infrastrukturore, gjendja e keqe e sektorit të shëndetësisë, “masakra urbane” në sektorin e ndërtimit, degradimi katastrofik i arsimit dhe kulturës, etj. Qeveria e Ramës duhej të fokusohej më shumë te këto të fundit se sa te çështja e Iranit! Me sa dimë ne, Shqipëria nuk bënte pjesë te ato vende, të cilave Trumpi do t’i kërkonte ndihmë për të hapur Ngushticën e Hormuzit! Madje në këtë çështje nuk është përfshirë as Kina, shteti i së cilës, në ndryshim nga shteti ynë, është i fuqishëm edhe në sektorë të tjerë përveç atij të dërdëllisjes virtuale në Facebook – një sektor ky i fundit, tepër jetik për qeverinë Rama. Prandaj le të mos delirojmë kot!

            Por siç edhe e vumë në dukje, delirime ka jo vetëm nga ana e qeverisë Rama, por edhe nga ana tjetër – d.m.th. nga ajo e protestuesëve. Një fraksion i caktuar i këtyre të fundit – i cili, sigurisht, është po aq i paqartë sa dhe çdo fraksion tjetër i kësaj proteste – ka ligjëruar parullën e vjetër të viteve ’90: “Poshtë komunizmi!”; duke pretenduar të vazhdohet ajo që presupozohet se është lënë përgjysëm nga proceset demokratizuese të atyre kohërave të përmbysjeve të mëdha historike. Kështu, për të kuptuar më qartë se çfarë presupozohet në rastin konkret, duhet të rikutjojmë se çfarë ndodhi gjatë atyre kohërave, në të cilat ajo që ndryshoi nuk ishte vetëm Shqipëria, por gjithë Europa Lindore se bashku me Rusinë (ish-Bashkimin Sovjetik). Për të realizuar këtë do të na duhet pikërisht t’ia nisim edhe një herë nga fillimi! Me pak fjalë, përveçëse të protestojmë, do të duhet që edhe të mendojmë! Jemi të detyruar të mendojmë! Nuk kemi rrugë tjetër!

T’ia nisësh nga fillimi në rastin konkret nënkupton jo vetëm “filozofinë”, por edhe “historinë”. Bëhet fjalë për të reflektuar rreth fenomenteve historike, të cilat prodhuan realitetin social-politik që kemi sot. Por ky rishqyrtim i së shkuarës duhet bërë në funksion të së tashmës dhe jo në formën e një qëllimi në vetvete. Ne folëm për “interpretim”, por nuk duhet të harrojmë se i njëjti “fakt” mund të “interpretohet” në mënyra të ndryshme. Vetë data e “9 Majit”, interpretohet pikërisht në mënyra të ndryshme. Në Europën Perëndimore e konsiderojnë si datën e ndërtimit të BE, ndërsa në Rusi si datën e shkatërrimit përfundimtar të Gjermanisë naziste. Nga njëra anë kemi një këndvështrim konstruktiv, sepse bëhet fjalë për ndërtimin e diçkaje si BE, ndërsa në anën tjetër (të “Perdes së Hekurt”) kemi një këndveshtrim destruktiv, sepse bëhet fjalë për shkatërrimin e diçkaje si perandoria naziste e Hitlerit. Në këtë kontekst, “interpretimi” ka të bëjë me çështjen se si të dimë të zgjedhim ndërmjet versioneve të botëkuptimeve që përcaktojnë jetën tonë social-politike. Do të mbetemi peng i së shkuarës duke diskutuar historira me “partizanë” siç bëjnë rusët, apo do të shohim përpara nga e ardhmja siç bën “Perëndimi Kolektiv” “antirus”? Sigurisht, Trumpi i ka komplikuar paksa gjërat, por gjithsesi në fushën e të ashtuquajturave “vlera”, opsionet mbeten të qarta, duke qenë po ato që kanë qenë gjithmonë. Me fjalë të tjera, përveç “diktaturës”, ajo që nuk del kurrë nga moda është njëkohësisht edhe “demokracia”. Por në bazë të vetë përvojës sonë 30 vjeçare të “tranzicionit”, besoj se tashmë e kemi kuptuar më në fund atë që nuk ishin në gjendje të kuptonin studentët e Dhjetorit të ’90-ës: se “demokracia” nuk është thjesht çështje “pluralizmi”, “lirie shprehjeje”, apo edhe proteste. Është më shumë një çështje ndarjeje pushtetesh dhe funksionimi institucionesh. Dhe këto të fundit nuk realizohen me tubime, fjalime dhe podcaste.

Eksperimentuesi i Kundërzbulimit                                                                                                                       

Qershor 2026


[1] Jappe A., “Guy Debord”, University of California Press, 1999, f. 129

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP