web analytics

Të veçanta

Majtizmi” i protestës dhe “ekonomia politike” e Shqipërisë.- Nga Armand Dedej

Nga: Armand Dedej

“Majtizmi” i protestës dhe “ekonomia politike” e Shqipërisë

Po, dashuria është te Fojerbahu kudo dhe kurdoherë çudibërëse, që duhet të na ndihmojë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë e jetës praktike – dhe kjo në një shoqëri të ndarë në klasa me  interesa diametralisht të kundërta! 

F. Engels

Protesta aktuale është pa dyshim ngjarja më kryesore që po ndodh në vendin tonë. Nëse në botë ka luftra, te ne ka protestë – d.m.th. “protestë”, jo “revolucion”. Sigurisht, për protestën është folur shumë dhe do të flitet shumë. Një arsye më tepër pse do të ndodhë kështu është se sipas organizatorëve të saj, protesta do të vazhdojë pa ndalim. Kështu, për sa kohë që ajo do të vazhdojë, sigurisht që do të flitet për të! Siç shihet, do të kemi kohë të flasim për protestën. Prandaj, në vend të ndalesha te protesta në vetvete, do të kisha dashur të fokusohesha te çështje të caktuara, që kanë rezultuar prej saj.

Një çështje që ka qarkulluar në media është majtizmi radikal i presupozuar si i pranishëm në protestë. Këtë e ka nxitur ndonjë fotografi e Che Guevarës, ndonjë këngë partizane, apo edhe ndonjë parullë. Sigurisht, këto manifestime të tipit adoleshentesk nuk mund të merren seriozisht jo vetëm sepse protesta ka qenë shumë heterogjene nga pikëpamja ideologjike, ajo e bindjeve dhe e përkatësive të ndryshme, – kujtojmë që në protestë ka pasur madje edhe turistë! – por sepse vetë realiteti ynë politik nuk shquhet për substancë ideologjike. Në Shqipëri, “E Majta” dhe “E Djathta” janë më shumë etiketa nominale partish se sa shprehje qëndrimesh të dallueshme ideologjike dhe ideore. Në këto kushte të përgjithshme iedologjikisht sterile, nuk ka se si të ketë ndonjë rrezik të majtizmit radikal, siç mund të ketë pretenduar ndonjë “analist” nga ata që i thonë qeverisë ato që ajo ka qejf të dëgjojë. Neve nuk jemi si Gjermania e zhgënjyer e periudhës pas Luftës së Parë Botërore, e cila do të shndërrohej në një fushëbetejë të përplasjes së ekstremit të majtë të komunistëve me ekstremin e djathtë të Hitlerit. Madje nuk jemi as si Rusia e sotme e Putinit, në të cilën vetë shteti nxit grupet e ekstremit të djathtë dhe atij të majtë me qëllim për të përhapur frymën anti-perëndimore në vend: ekstremistët e djathtë e kritikojnë Perëndimin se është larguar nga vlerat tradicionale konservatore, ndërsa ata të ekstremit të majtë e kritikojnë atë, sepse ka mbetur po aq kolonialist sa ç’ka qenë në të shkuarën. Fatmirësisht fenomene të tilla nuk kanë ndonjë lidhje me realitetin tonë social-politik. Ne jemi pro amerikanë dhe duam të antarësohemi në Bashkimin Europian (BE). Ndoshta ia vlen t’ia rikujtojmë vetes një gjë të tillë, duke qenë se jetojmë gjithsesi në Ballkan dhe kemi fqinj vende si Serbia!

Majtizmi, apo E Majta në përgjithësi, janë në një gjendje jo të mirë në nivel global. Madje Žižeku është shprehur, se përhapja e populizmit të djathtë në përgjithësi dhe trampizmi në veçanti, duhen parë si një dështim i Të Majtës, e cila është prej kohësh në një krizë të thellë identiteti. Një situatë e tillë është deri-diku e ngjashme me atë që do të ndodhte në Europën e viteve ‘20-’30 të shekullit të kaluar, e cila do ta detyronte Walter Benjaminin të dilte në përfundimin fatalist, se çdo triumf fashizmi është një revolucion socialist i dështuar (d.m.th. që nuk është realizuar). Sigurisht, situata aktuale nuk është kaq tragjike, duke qenë se fashizmi është tashmë një kapitull i mbyllur në historinë e Europës. Sado që në pamje të parë populizmi t’i ngjajë fashizmit dhe sado që Rusia të dërdëllisi më kot për neonazizëm në Ukrainë, gjithsesi nuk ekziston mundësia konjukturale për një rikthim të tij në Europë. Problemi është te vetë E Majta, e cila është tepër e çorientuar ideologjikisht. Pasi u përballë me katastrofën historike të marksizëm-leninizmit, dështimin e kejnsianizmit dhe revanshizmin e ethshëm neoliberal, duket sikur E Majta e ka humbur identitetin e vet politik. Ajo ka rendur pas temave të ndryshme të veçanta si çështja transgender, të drejtat e grave, racizmi, apo dhe çështje të tjera periferike të këtij lloji. Në këtë aspekt, E Majta është bërë njëlloj si “analistët” dhe “opinionistët” tanë të nderuar, të cilët duke mos pasur asnjë ide politike të qëndrueshme dhe koherente, rendin pas çdo çështje të ditës që iu del përpara.

Majtizmi klasik, radikal apo jo radikal, ka qenë i bazuar në çështjet ekonomike. Atij do t’i duhej t’i kundërpërgjigjej djathtizmit liberal jo vetëm në planin politik, por edhe në atë ekonomik. Sipas pretendimit themelor majtist, barazia formale para ligjit e predikuar nga liberalizmi ishte e pamjaftueshme për të siguruar kushte të barabarta qytetarie, duke qenë se pabarazitë ekonomike mund të shndërroheshin në pabarazi politike. Situata do të komplikohej edhe më tepër, kur përvoja historike e “kapitalizmit shtetëror” të totalitarizmit tregoi se pabarazitë ekonomike mund të prodhoheshin edhe nga vetë ushtrimi i drejtpërdrejtë i pushtetit politik. Kjo e fundit mund të ndodhë edhe me format më liberale të të ashtuquajturit “kapitalizëm shtetëror”, duke qenë se ndërhyrjet e shtetit në ekonomi mund të privilegjojnë vetëm klasa të caktuara të shoqërisë dhe jo gjithë shoqërinë. Në këtë kontekst, Žižeku ka vënë në dukje, se madje edhe një çështja specifike si ajo e racizmit është trajtuar në terma ekonomikë nga një aktivist negroid si Malcolm X. Ky u fundit do të vinte në dukje, se pabarazia racore aktualizohej para së gjithash në aspektin ekonomik të mundësive më të favorshme të punësimit dhe kushteve më të mira të punës për të bardhët në raport me personat me ngjyrë. Kështu, për t’i dhënë kuptim vetes, E Majta do të duhej të rikthej dhe do të duhet të rikthehet te e ashtuquajtura “ekonomi politike” e kohërave të Marxit. Sigurisht, ajo nuk duhet të rikthehet te marksizmi, por te tematikat ekonomike, në të cilat përfshihet para së gjithash ajo e raportit të ekonomisë me politikën.

Realitetin tonë social-politik shqiptar e karakterizojnë dy gjëra: problemet e thella strukturore të natyrës ekonomike e politike dhe çështja e famshme e antarësimit në BE. Arsyeja pse këto të dyja i kemi vendosur pranë njëra-tjetrës është se në rastin tonë ato janë të lidhura me njëra-tjetrën. Duke qenë se jemi në procesin e antarësimit në BE, të gjitha problemet tona duhet të kalojnë detyrimisht në filtrin e këtij procesi. Mirëpo problemi nuk është vetëm te politikanët tanë, të cilët pavarësisht nga ajo që thonë me fjalë, në të vërtetë nuk e duan aspak antarësimin. Kemi vënë re që vetë ata të BE-së po merren më tepër se ç’duhet me çështje periferike të dorës së dytë. Sigurisht, në kushtet aktuale të protestës të shkaktuar prej çështjes së investimeve në Zvërnec, detyrimisht që do të dilte në pah problemi i “zonave të mbrojtura mjedisore” dhe ai i “investimeve strategjike”. Por vetë ata të BE-së, përpara se të impresionoheshin prej problemesh të karakterit “global” – duke qenë se çështja e mjedisit përfshin gjithë njerëzimin dhe jo vetëm ne shqiptarët – ndoshta do të duhej të ndaleshin te probleme pak më specifike, të cilat tregojnë shumë për realitetin tonë social-politik shqiptar.

Sigurisht, neve nuk pretendojmë t’i japim leksione Europës! Nuk kemi ndërmend të sillemi si shoku Enver me Kinën, i cili do t’i jepte leksione ideologjike dhe gjeopolitike Mao Ce Dunit lidhur me marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në – ndërkohë që Kina i kishte dhënë 6 miliardë dollarë Shqipërisë dhe Shqipëria i jepte Kinës vetëm muhabet.[1] E vetmja gjë që dua të vë në dukje, është se besoj që përfaqësuesit e BE-së duhet të kenë vënë re edhe probleme të tjera pak më specifike se ato mjedisoret. Kjo mund të ketë ndodhur veçanërisht kur do të kenë hasur në problematikën e administrimit nga qeveria shqiptare të fondeve të BE-së për sektorë të caktuar, apo edhe çështje të caktuara. Por edhe sikur shteti ynë të mos kishte manifestuar ndonjë problem konkret, apo të mos kishte bërë ndonjë shkelje tepër domethënëse, gjithsesi kemi të dhëna të sigurta bibliografike, se europianët në përgjithësi dhe gjermanët në veçanti kanë njohuri të sakta lidhur me raportin katastrofik, që ka ekonomia me politikën në vendet e Botës së Tretë si i yni. Për këtë mjafton t’i referohemi fjalëve të një autori të famshëm gjerman si Ralf Dahrendorf.

“Për njëfarë kohe, Nikaragua e Somozës ishte një vend me rritje të konsiderueshme ekonomike. Sidoqoftë, kjo është tabloja që del nga të dhënat makroekonomike. Por të mirat e kësaj rritjeje i gëzonte vetëm një pakicë. Pjesëmarrja ishte e kufizuar, jo thjesht në procesin politik, por edhe në ekonomi; kjo krijonte barriera të pakapërcyeshme për të drejtat. Rritja nuk gjente përhapje, sepse brenda shoqërisë nokaraguane kufijtë e tagrave ishin thjesht të padepërtueshëm. E njëjta gjë ndodh në shumë vende në zhvillim. Ideja e vjetër se, po t’i transferosh paratë në një vend të Botës së Tretë, kjo fillimisht mund t’i bëjë të pasurit edhe më të pasur, por dikur do të precipitojë dhe do të krijojë klasën e mesme, është një ide krejtësisht e gabuar. Pasuria e të pasurve nuk ka kufi, sikurse as cinizmi i tyre ndaj të varfërve. Madje edhe projektet qëllimmira të Bankës Botërore, pjesërisht për shkak të përdorimit të tyre të kufizuar dhe pjesërisht për shkak të korrupsionit, anojnë në favor të atyre që kanë, ndërsa shtresat e skamura mbeten me gisht në gojë. Sa kohë që nuk shkatërrohen strukturat tradicionale të tagrave dhe nuk krijohen elementet e një shoqërie civile, rritja makroekonomike pothuajse nuk ka rëndësi për shumicën, sado të kënaqshme të jenë statistikat për Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por nuk përfundon gjthçka me shkatërrimin e këtyre strukturave. Në radhë të parë, shumë pak vende kanë arritur vërtetë të gjejnë një rrugë të drejtpërdrejtë, që të çon njëherësh në shoqërinë civile dhe në ekonominë e tregut. Ndoshta rrugët janë vetëm dy, Britania dhe SHBA, por madje edhe rreth historive të tyre dalin pyetje. Sa universale ishte shoqëria civile britanike lur lulëzoi ekonomia e vendit? Deri në ç’masë karakterisohej ekonomia perandorake nga tiparet e ekonomisë së tregut? Dhe sa e zhvilluar ka qenë shoqëria civile në Amerikë gjatë viteve të skllavërisë, apo dhe më pas? Sulmet më të fundit ndaj mbrojtjes autoritariste që u bëhet barrierave të tagrit kanë përfunduar me shfaqjen e formave të reja të privilegjit, të tilla si nomenklatura e funksionarëve të vetëcaktuar dhe të vetëpërjetësuar. Shumëkush po druan se pikërisht kjo po ndodh sot në Nikaragua.”[2] Pikërisht kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe në Shqipëri, jo vetëm qysh prej vitit 1992, por madje qysh prej vitit 1944! Mirëpo përderisa europianët e dinë shumë mirë se çfarë ndodh edhe në një zonë të largët të influencës amerikane si Nikaragua, – d.m.th. të influencës amerikane sipas Doktrinës Monroe dhe Doktrinës Donroe – sigurisht, që ata e dinë shumë mirë se çfarë ndodh edhe në Shqipëri! Thjesht unë po tregoj se edhe ne e dimë që ata e dinë!

                                                                                         Korrik 2026


[1] Rusha S., “Shqipëria në vorbullat e historisë”, Afërdita, Tiranë, 1999, f. 132-133

[2] Dahrendorf R., “Konflikti shoqëror modern”, Dituria, Tiranë, 2009, f. 32-33

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP