Bisedë me vdekjen
“Më pyeti vdekja: ku don të vdesësh?!
I thashë: dua të vdes aty ku për herë të parë rrahu zemra ime, pompuan ajër mushkëritë e mia dhe dhashë shenjën e parë të jetës, teshjen, e nëna ime iu gëzua sakrificës së saj nëntë mujore dhe natyrshëm prindërit e mi përballuan stërvuajtjet e tyre për rritjen time.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku për herë të parë më thirrën emrin, aty ku për herë të parë më mëkuan grimcat e para të ushqimit të tokës sime.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku drita e diellit m’i ndriçoi sytë për herë të parë e aty ku dëgjova tingujt për herë të parë nga cicërrima e zogjve deri te pëllitja e gomarit, aty ku belbëzova për herë të parë, aty ku qava e qesha për herë të parë.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku u gëzova dhe u dëshpërova për herë të parë , aty ku u sëmura e më pas u shërova për herë të parë.
Dua të vdes aty ku më shanë e shava për herë të parë, aty ku rraha e më rrahën për herë të pa, aty ku shijova krenarinë e guximin për herë të parë, aty ku mësova dhe pësova për herë të parë.
Dua të vdes, o vdekje, aty mësova tabelën e mbledhje-zbritjeve e shumëzim-pjesëtimit për herë të parë, aty ku farfuritet e mia i mbetën në dorë mësueses sime për herë të parë nga çapkanllëku im.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku mësova e shijova emrin babë e nanë, vëlla e motër, komshi e katundar, mik e armik, dashamir e dashakeq, për herë të parë.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku shpirti im u mishërua me sinqeritet e syfaqësi, burrëri e hipokrizi, frikë e trimëri, fisnikëri e paburrni, aty ku shijova për herë të parë të mirën dhe të keqen e vetes sime.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku mësova gërmat e para, aty ku mësova emrin mësues, aty ku shijova idhtësinë e katrës dhe ëmbëlsinë e dhjetës, ekzaltimin me suksesin dhe zhgënjimin me dështimin, aty ku ndjeva pesimizmin dhe shpresën, aty ku mu thyen hundët nga kryeneçësia e aty ku kuptova se pas rrëzimit ka sërish ngritje.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku munda veten për herë të parë në ringun e së drejtës, dhe ku e padrejta më gërvishti faqet, por nuk m’i nxorri sytë, në përpjekjen e saj me më verbu me kthetrat e saj të mprehta.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku njoha shumë e më njohën shumë, e aty ku nga të shumtit, I Lartësuari më begatoi me pak miq të sinqertë që m’u bënë dritë për mendjen dhe frymë për shpirtin e ma shtuan dashurinë për jetën e ma forcuan motivin për vdekjen.
Dua të vdes o vdekje, aty ku ëndrrat e mia kapërcyen majën e kullës së Babilionit dhe majat e piramidave të Faraonit.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku baba e nana më bënë të dëgjoj për herë të parë Emrin e Madhështisë, Allah apo Zot, aty ku babai im më mësoi bismilah në fillim të “bukës” dhe elhamdu lilah në fund të saj, aty ku dëgjoja babën tim, çdo natë, të mallkonte:”ah kta i vraftë i Madhi Zot” e nana ime i thoshte:” Ule zanin, njeri, se po na xhexhin e na xhen belaja”.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku dëgjova për herë të parë fjalën “Demokraci”, aty ku kjo fjalë më mbushi me shpresë por dhe më mashtroi, më lodhi dhe më stërmundoi, aty ku fjala politikë e politikan më neveriti e kjo neveri më detyroi të kap kuptimin e vërtetë të saj përtej kufijve të syrit dhe të veshit.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku për herë të parë, u lartësova në tejlartësi, përmes “gjestit” më të thjeshtë e më sublim, sexhdes, aty ku fjala Allah më pushtoi për herë të parë tejskajet e kapilarëve të mushkërive të mia, e m’u aty në atë moment intuita imanore më tha se paepunia ime e ka burimin përtej të përtejshmes, e kështu zemra m’u mbush me forcë për me shpëtu nga gropa e llucit thithës e jo vetëm kaq por mora forcë dhe fuqi me u mobilizu me e tha këtë gropë a kënetë, edhe pse në shumë raste si milingona e Ibrahimit a.s.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku u kënaqa me shijen e hallallit dhe aty ku kafshata e harramit më tha: ki frikë Zotin e mos më ha se të ngec në fyt.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku natë për natë muzikaliteti i fjalës “babi”, më kënaq shpirtin dhe më zbraz nervat e muskujt nga ngarkesat negative, aty ku sytë e mi derdhin lotë të ftohta e të nxehta nga gëzimi dhe hidhërimi i “pjellave” të mia.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku ndër popujt e tjerë, fitova një emër, e këtë emër, shumë prej bashkëndarësëve të së njëjtës sipërfaqe gjeografike e kanë kthyer në tabelë qitjeje për të zbrazur plumbat e padrejtë të mllefit, dëshpërit, dështimit, pashpresës dhe pesimizmit të kultivuar dhe të akumuluar ndër dekada, e megjithatë sërish gjen prej atyre që këtë emër e mbajnë titull krenarie.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku për herë të parë preka Fjalën e të Madhërishmit, aty ku mora në dorë Mus’hafin e madh blu e Hafizi i Verbër më tha: “A qak, plak, je me lexu ke i madhi, shko merre të voglin se je gjal i ri”
Dua të vdes, o vdekje, aty ku për herë të parë dëgjova hytben e parë dhe ligjërova hytben e parë, aty ku për herë të parë më rrahën shpatullat e për herë të parë më tërhoqën veshin.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku brezat më mbushin me shpresë, për të ardhmen e afërt e të largët.
Dua të vdes, o vdekje, aty ku vetja ime nuk shteron asnjëherë sado të mundohem të ta shpjegoj se ku du me vdek.
Dua të vdes o vdekje, atu ku shpresoj pa fund se I Madhërishmi e I Mëshirshmi do ma mundësojë ta përmbush veten time me dëshminë e së vërtetës së përjetshme.
“A do më shumë arsye?!” I thashë vdekjes! Jo, boll më tha, por, më tha, a ka të tjerë si ti?! Ka e nuk janë pak, i thashë unë, dhe shumë të tjerë pritet të vijnë.
Sabaudin Jashari
Komente