web analytics

Të veçanta

E rëndësishme është të fitojmë lek

     Prej vitesh, në televizionet shqiptare transmetohet emisione që kanë  aktorë kryesorë dhe fokus qytetarët e thjeshtë. Të tillë emisione kanë një shikueshmëri të konsiderueshme në shoqërinë tonë. Një nga rubrikat e një prej këtyre emisioneve i përngjan skenave të gjykatave dhe synon të  pasqyrojë mosmarrëveshje të llojeve të ndryshme duke u përpjekur t’iu japë  zgjidhje aty drejtpërsëdrejti me anë një gjykatëseje. Ky format emisoni i përngjan një gjyqi joformal, ku palët mbrohen vetë, pa përfshirë avokatë dhe pa prezencën e dikujt në rolin e prokurorit. Pra, edhe informal, edhe i paplotë si gyq, ndërkohë që një juriste bën njëkohësisht rolin e gjykatëses, prokurorit edhe avokatëve.

     Parimisht gjithçka është në rregull, pasi janë disa raste që me të vërtetë sensibilizojnë shoqërinë për mashtrime me shitblerje pronash apo shtëpish në kurthin e të cilëve mund të bie kushdo që nuk ka informacion. Pavarësisht nëse zgjidhen apo jo këto çështje, mendoj se sensibilizimi është mjaft me vlerë pasi fatkeqësisht nuk ka një mekanizëm informimi dhe paralajmërimi për këtë çështje.

     Problemi qëndron në konfliktet familjare që paraqiten në këtë rubrikë pasi “përzgjidhen” pa kriter. Le të themi “përzgjidhen” pasi ekziston mundësia që personat që bëhen pjesë e emisionit, jo vetëm që nuk paguajnë për “shërbimin”, por ato paguhen nga televizioni për arsye të audiencës që mbajnë lidhur pas ekranit. Le të qëndrojmë tek efektet që ka në shoqëri shfaqja pa kriter e këtyre rasteve të zgjedhura.

     Konflikte mes pjestarëve të ngushtë të një familjeje, si prind-fëmijë, bashkëshortët me njëri-tjetrin, vëllezër dhe motra mes njëri-tjetrit, kushërinjtë me njëri-tjetrin, etj. Konfliktet janë me karakter të ndryshëm, por është e qartë që në të gjithë këta konflikte, cënohet drejtpërdrejt institucioni kryesor i shoqërisë, ai i familjes. Pjestarë të së njëjtës familje apo të afërm të ngushtë teksa përpiqen “të gjejnë drejtësi në një spektakël televiziv”, dalin nga çdo normë morale dhe shoqërore duke  u sharë e fyer mes tyre. Etika në komunikim është një nga elementet më të çmuar të kulturës së një vendi, dhe si e tillë duhet ruajtur, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje familjare dhe personat në konflikt kanë lidhje gjaku mes tyre.

     Në këtë mesele, tri palë duken përgjegjës për cënimin e institucionit të familjes , të parët janë ‘personazhet’, më pas është shteti, dhe së fundmi vjen televizioni. Fillimisht ata që i hapin rrugë këtij problemi janë personazhet që pranojnë të zgjidhin çështjet familjare në një platformë e cila ka për synim grumbullimin e audiencës. Siç e përmendëm edhe më sipër, familja është hallka kryesore që një shoqëri të jetë e shëndoshë, dhe çdo gjë  – sado e vogël të jetë – e cila cënon familjen duhet kuruar në formën më të mirë. Ndaj është jashtë çdo logjike që problemet familjare, të cilitdo niveli të jenë, të shfaqen përpara 3 milionë shqiptarëve dhe të përpiqen të ‘zgjidhen’.

     Për fat të keq institucioni i familjes në vendin tonë nuk e ka gëzuar vëmendjen e merituar në këto 30 vite demokraci. Mungesa e politikave të mirëfillta për konsolidimin e familjes kanë munguar nga ana shtetërore dhe shumë pak përmendet në aktualitetin tonë. Një tjetër element që ka kontribuar në përkeqësimin e institucionit të familjes është edhe televizioni i cili me shfaqjt e tij tejet liberale, pa asnjë lloj kufizimi moral vazhdon edhe sot prodhon një shumëllojshmëri shfaqjesh televizive të cilat jo vetëm që nuk edukojnë, por krejt e kundërta, po ç’edukojnë rininë dhe familjen tonë në emër të të qenurit ‘mendjehapur’ dhe ‘modern’.

     Le t’i kthehemi problemit tonë qëndror, duke marrë shkas nga tradita jonë, të parët tanë gjithmonë kanë ndjekur rrugën e mospublikimit të konflikteve të brendshme, madje as fëmijët e familjes dhe të farefisit nuk arrinin të kuptonin nëse ndonjë konflikt ekzistonte ose jo. Dhe kjo mënyrë përdorej jo pa qëllim, pra qëllimi kryesor ishte të ruante pastërtinë dhe nderin e figurës së familjes në përgjithësi dhe të çdo pjesëtari në veçanti. Dukej qartë që gjithçka vërtitej në zgjidhjen e konfliktit pa zhurmë dhe pa dëmtuar askënd. Në ditët e sotme, asgjë nuk ka ndryshuar, pra e njëjta rrugë mund të ndiqet; konflikti fillimisht të përpiqet të zgjidhet nga vetë pjestarët e familjes, duke pasur parasysh vlerat e njëri tjetrit pa vepruar në bazë të gjërave sipërfaqësore. Nëse nuk arrihet marrëveshje mes anëtarëve të ngushtë të familjes, atëherë u kërkohet ndihmë të afërmve të cilët gëzojnë respektin e të dyja palëve dhe shquhen për asnjëanësi  dhe janë të gatshëm të ndërmjetësojnë për konfliktin në fjalë.

     Në rastet kur palët e konfliktuara nuk ia dalin të zgjidhin konfliktin me anë të të afërmve të tyre dhe mendojnë se është i mundur ndërmjetësimi, legjislacioni shqiptar e përfshin si problematikë dhe ka ligjin si rregullator. Ligji nr 10 385 i vitit 2011 ‘PËR NDËRMJETËSIMIN NË ZGJIDHJEN E MOSMARRËVRSHJEVE’ i ka të detajuara të gjitha elementët përbërës që ka ‘institucioni i ndërmjetësimit’ gjë që nuk ka pse të krijojë hapësira për zgjidhjen e konflikteve familjare në sytë e miletit. Rrugët e zgjidhjeve janë të shumta, ndaj kërkohet pak vëmendje në përzgjedhjen e tyre duke ruajtur me çdo kusht dinjitetin e individit dhe të familjes.

Elham Jashari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP