web analytics

Të veçanta

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza

Robert Pape (Marrë nga Foreign Affairs)

Përktheu: Kevi Mucllari

Fushata e dështuar e bombardimeve të Izraelit në Gaza

Ndëshkimi kolektiv nuk ka për ta mposhtur Hamasin

Që nga 7 tetori, Izraeli me rreth 40,000 trupa ushtarake ka pushtuar Gazën veriore dhe e ka goditur atë zonë të vogël me një nga fushatat më intensive të bombardimeve në historinë e vet. Si rezultat, afro dy milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Më shumë se 15,000 civilë (duke përfshirë rreth 6,000 fëmijë dhe 5,000 gra) – sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e drejtuar nga Hamasi – janë vrarë në këto sulme, dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka sugjeruar se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i lartë. Izraeli ka bombarduar spitale dhe ambulanca dhe ka shkatërruar rreth gjysmën e ndërtesave të Gazës veriore. Është ndërprerë pothuajse i gjithë furnizimi me ujë, ushqim dhe energji elektrike për 2.2 milionë banorët e Gazës. Sipas çdo përkufizimi, kjo fushatë konsiderohet si një akt masiv ndëshkimi kundër civilëve.

Aktualisht, edhe pse forcat izraelite po futen në brendësi të Gazës jugore, qëllimi i vërtetë i qasjes së Izraelit nuk është aspak i qartë. Megjithëse liderët izraelitë pretendojnë se synojnë të godasin vetëm Hamasin, mungesa e dukshme e sulmeve të diferencuara ngre pyetje serioze rreth asaj se çfarë po bën në të vërtetë qeveria. A është padurimi i Izraelit për të shkatërruar Gazën produkt i së njëjtës paaftësi që çoi në dështimin total të ushtrisë izraelite për t’iu kundërvënë sulmit të Hamasit më 7 tetor, planet e të cilit disponoheshin nga zyrtarët ushtarakë dhe inteligjenca izraelite më shumë se një vit më parë? A është shkatërrimi i Gazës veriore dhe Gazës jugore një prelud për dërgimin e të gjithë popullsisë së këtij territori në Egjipt, siç propozohet në një “concept paper” të prodhuar nga Ministria Izraelite e Inteligjencës?

Cilido qoftë qëllimi përfundimtar, shkatërrimi kolektiv që Izraeli po i bën Gazës ngre probleme të thella morale. Por edhe e gjykuar thjesht në aspektin strategjik, qasja e Izraelit është e dënuar me dështim – dhe në të vërtetë, ajo tashmë po dështon. Bombardimet masive ndaj civilëve nuk i kanë bindur banorët e Gazës që të ndalin mbështetjen për Hamasin. Përkundrazi, vetëm sa kanë rritur pakënaqësinë mes palestinezëve. Ndërkaq, as fushata e ndërmarrë nuk ka arritur të shkatërrojë grupin që supozohej se ishte shënjestëruar. Më shumë se pesëdhjetë ditë lufte tregojnë se ndërsa Izraeli mund të shkatërrojë Gazën, ai nuk mund ta shkatërrojë Hamasin. Në fakt, Hamasi mund të jetë më i fortë tani se sa ishte më parë.

Izraeli nuk është vendi i parë që gabon duke besuar së tepërmi tek aftësia imponuese e fuqisë ajrore. Historia na tregon se bombardimet në shkallë të gjerë të zonave civile pothuajse asnjëherë nuk i arrijnë objektivat e tyre. Izraeli do të kishte bërë mirë nëse do t’i merrte parasysh këto mësime dhe do t’i përgjigjej sulmit të 7 tetorit me aksione kirurgjikale kundër udhëheqësve dhe luftëtarëve të Hamasit në vend të fushatës së bombardimeve të padiferencuara. Gjithsesi, nuk është tepër vonë për të ndryshuar kursin dhe për të miratuar një strategji alternative për arritjen e sigurisë së qëndrueshme, një qasje që do të nxiste një çarje politike midis Hamasit dhe palestinezëve: ndërmarrja e hapave kuptimplotë dhe të njëanshëm drejt një zgjidhje me dy shtete.

HUMBJA E ZEMRAVE DHE MENDJEVE

Që nga agimi i fuqisë ajrore, disa vende janë përpjekur që të bombardojnë armiqtë e tyre për t’i nënshtruar ata dhe për të thyer moralin e civilëve. Përjetimi i vuajtjeve ekstreme, sipas kësaj teorie, do të bëjë që popullatat të ngrihen kundër qeverive dhe të heqin dorë nga besnikëria ndaj tyre. Kjo strategji e ndëshkimit imponues arriti kulmin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historia ka regjistruar bombardimet e padiferencuara të qyteteve gjatë asaj lufte thjesht nga emrat e vendeve të targetuara: Hamburg (40,000 të vdekur), Darmstadt (12,000) dhe Dresden (25,000).

Gaza mund t’i shtohet kësaj liste famëkeqe. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka krahasuar fushatën aktuale me luftën e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa mohoi përfshirjen e izraelit në aktet e ndëshkimit kolektiv, ai vuri në dukje se gjatë një sulmi të Forcave Ajrore Mbretërore që synonte selinë e Gestapos në Kopenhagë janë vrarë shumë nxënës.

Ajo që Netanyahu la pa përmendur ishte fakti se përpjekjet e aleatëve për të goditur masivisht civilët nuk patën sukses. Në Gjermani, fushata e bombardimeve të Aleatëve, e cila filloi në vitin 1942, shkaktoi kërdi mbi civilët, duke shkatërruar njëra pas tjetrës 58 qytete dhe qyteza gjermane deri në fund të luftës. Megjithatë, ajo kurrë nuk e uli moralin civil dhe as nuk nxiti një kryengritje kundër Adolf Hitlerit, pavarësisht nga parashikimet optimiste të zyrtarëve Aleatë. Në të vërtetë, fushata vetëm sa i inkurajoi gjermanët të luftonin më fort nga frika e një paqeje drakoniane të pasluftës.

Ky dështim nuk kishte pse të përbënte befasi, duke pasur parasysh se çfarë ndodhi atëherë kur nazistët ndoqën të njëjtën taktikë. Bombardimet blitz në Londër dhe qytete të tjera britanike në vitet 1940–41, vranë më shumë se 40,000 njerëz dhe megjithatë kryeministri britanik Winston Churchill refuzoi të kapitullonte. Madje, Churchilli i shfytëzoi masakrat ndaj civilëve për t’i bërë thirrje njerëzve që të bënin sakrificat e nevojshme për fitoren. Në vend se t’ju shkatërronte moralin, operacioni Blitz i motivoi britanikët të ndërmerrnin një përpjekje shumëvjeçare – së bashku me aleatët e tyre amerikanë dhe sovjetikë – për të kundërsulmuar dhe përfundimisht për të pushtuar vendin që i kishte bombarduar.

Në fakt, kurrë në histori nuk ka ndodhur që një fushatë bombardimi të shkaktojë revolta kundër qeverisë në pushet. Shtetet e Bashkuara e kanë provuar këtë taktikë shumë herë, megjithëse pa rezultat. Gjatë Luftës Koreane, SHBA-ja shkatërroi 90 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Korenë e Veriut. Në Luftën e Vietnamit, përdori pothuajse të njëjtën fuqi gjatë sulmeve të kryera. Dhe në Luftën e Gjirit, sulmet ajrore të SHBA-së ndërprenë 90 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Irak. Por në asnjë nga këto raste popullsia nuk u ngrit në revolta.

Lufta në Ukrainë është rast i freskët lidhur me këtë që po flasim. Për gati dy vjet, Rusia është orvatur që t’a nënshtrojë Ukrainën përmes një sërë sulmesh ajrore shkatërrimtare në të gjithë vendin, duke vrarë më shumë se 10,000 civilë, shkatërruar më shumë se 1.5 milion shtëpi dhe duke shpërngulur rreth tetë milionë ukrainas. Rusia qartazi po e shkatërron Ukrainën. Por në vend se t’a shtypin shpirtin luftarak të Ukrainës, goditjet masive kundrejt civilëve vetëm sa i ka bindur ukrainasit që të luftojnë më intensivisht se kurrë më parë.

Një fushatë kundërproduktive

I njëjti model historik po përsëritet në Gaza. Pavarësisht se ka dy muaj që po kryen operacione ushtarake shkatërrimtare – praktikisht të pakufizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës – Izraeli ka arritur rezultate minimale. Sipas çdo standarti sinjifikativ, kjo fushatë nuk i ka shkaktuar qoftë edhe humbje të pjesshmë Hamasit.

Operacionet ajrore dhe tokësore Izraelite kanë vrarë rreth 5000 luftëtarë të Hamasit (sipas zyrtarëve izraelitë) nga një total prej rreth 30,000. Por këto humbje vështirë se do ta reduktojnë ndjeshëm kërcënimin ndaj civilëve izraelitë, pasi, siç dëshmuan sulmet e 7 tetorit, duhen vetëm disa qindra luftëtarë të Hamasit për të bërë kërdi në komunitetet izraelite. Më e keqja është se edhe vetë zyrtarët izraelitë e pranojnë se fushata ushtarake po vret dyfishin e civilëve krahasuar me luftëtarët e Hamasit. Me fjalë të tjera, Izraeli pothuajse me siguri po prodhon më shumë kundërshtarë sesa po vret, përderisa çdo civil i vdekur tashmë do të ketë të afërm dhe miq të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen Hamasit për t’u hakmarrë.

Edhe pas operacioneve shumë të lavdëruara kundër spitalit al-Shifa – për të cilin ushtria izraelite pretendonte se Hamasi e përdorte si bazë operacionale – infrastuktura ushtarake e Hamasit nuk është çmontuar në mënyrë domethënëse. Siç tregojnë videot e publikuara nga IDF, Izraeli ka mundur të gjejë dhe shkatërrojë hyrjet në shumë prej tuneleve të Hamasit, por ato edhe mund të riparohen, njëjtë siç u ndërtuan.

Akoma më e rëndësishme është të pohohet se udhëheqësit dhe luftëtarët e Hamasit duket se i kanë braktisur tunelet përpara se forcat izraelite të hynin në to, që do të thotë se infrastruktura më e rëndësishme e grupit – luftëtarët e tij – kanë mbijetuar. Hamasi ka një avantazh ndaj forcave izraelite: mund të braktisë lehtësisht një betejë, të përzihet në popullatën civile dhe të jetojë për të luftuar përsëri në kushte më të favorshme. Kjo është arsyeja pse një operacion tokësor në shkallë të gjerë I ndërmarrë nga izraeli është gjithashtu i dënuar të dështojë.

Në përgjithësi, fushata ushtarake e Izraelit nuk e ka dobësuar thellësisht kontrollin e Hamasit mbi Gazën. Izraeli ka mundur të shpëtojë vetëm një nga rreth 240 pengjet e kapur në sulmin e 7 tetorit; pengjet e tjerë janë liruar nga vetë Hamasi, çka tregon se grupi vazhdon të mbetet nën kontrollin e luftëtarëve të Hamasit.

Pavarësisht mungesës së energjisë (e ndërprerë disa herë) dhe shkatërrimit në të gjithë Gazën, Hamasi vazhdon të shpërndajë video propagandistike që tregojnë mizoritë civile të kryera nga forcat izraelite dhe betejat intensive midis luftëtarëve të Hamasit dhe trupave izraelite. Propaganda e Hamasit përhapet gjerësisht përmes aplikacionit Telegram, ku kanali i tij ka më shumë se 620,000 abonentë. Sipas përllogaritjeve të Projektit të Universitetit të Çikagos mbi Sigurinë dhe Kërcënimet (të cilin e drejtoj unë), krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Qassam, kanë shpërndarë përmes atij kanali rreth 200 video dhe postera çdo javë nga 11 tetori deri më 22 nëntor.

Tokë për Paqe

Mënyra e vetme për t’i shkaktuar një disfatë dërrmuese Hamasit është sulmi kundrejt liderëve dhe luftëtarëve të tij duke i veçuar ata nga popullsia përreth. Megjithatë, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, pasi Hamasi furnizon radhët e veta drejtpërdrejt nga popullsia vendase dhe jo nga jashtë.

Në të vërtetë, rezultatet e sondazheve tregojnë se operacionet ushtarake të Izraelit po prodhojnë më shumë kundërshtarë sesa po vrasin. Në një sondazh të kryer në datë 14 nëntor nga Bota Arabe për Kërkim dhe Zhvillim me palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor doli se 76 për qind e të anketuarve e shihnin Hamasin pozitivisht. Ballafaquar kjo edhe me rezultatet e shtatorit ku 27 për qind e të anketuarve – në Gaza dhe Bregun perëndimor –  u thanë anketuesve të ndryshëm se Hamasi ishte “më meritori për të përfaqësuar popullin palestinez”. Implikimi është i qartë: një pjesë e madhe e më shumë se 500,000 burrave palestinezë midis moshës tetëmbëdhjetë dhe tridhjetë e katër vjeç tashmë mund të jenë rekrutët e ardhshëm të Hamasit ose grupeve të tjera palestineze që kanë si objektiv goditjen e Izraelit dhe civilëve të tij.

Ky rezultat përforcon mësimet e historisë. Ndryshe nga kuptimi konvencional, shumica e terroristëve nuk e zgjedhin vokacionin e tyre për shkak të fesë ose ideologjisë, paçka se disa e bëjnë një gjë të tillë. Përkundrazi, shumica e njerëzve bëhen “terroristë” për shkak të aneksimit të tokave të tyre.

Për disa dekada, unë kam studiuar terroristët më të frikshëm – terroristët vetëvrasës – dhe studimi im (i shtrirë nga viti 1982 deri në vitin 2003) i 462 njerëzve që kanë vranë veten me synim vrasjen e të tjerëve gjatë akteve të terrorit, mbetet studimi më i madh demografik i këtyre sulmuesve. Sakaq kam zbuluar se ka qindra terroristë vetëvrasës laikë. Në fakt, lideri botëror i terrorizmit vetëvrasës gjatë kësaj periudhe ishin Tigrat e Tamilit, një grup i hapur antifetar, marksist në Sri Lanka  – i cili kreu më shumë sulme vetëvrasëse sesa Hamasi apo Xhihadi Islamik Palestinez së bashku – dy grupet palestineze më vdekjeprurëse. 95 për qind e terroristëve vetëvrasës (sipas të dhënave të mia) kishin të përbashkët luftimin kundër një pushtimi ushtarak që kontrollonte territorin të cilin e konsideronin si atdheun e tyre.

Prej 1994-ës deri në vitin 2005, Hamasi dhe grupet e tjera palestineze kanë kryer më shumë se 150 sulme vetëvrasëse, duke vrarë rreth 1000 izraelitë. Vetëm kur Izraeli tërhoqi forcat ushtarake nga Gaza, këto grupe e braktisën pothuajse tërësisht taktikën. Që atëherë, numri i palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor është rritur me 50 për qind, duke e bërë edhe më të vështirë për Izraelin kontrollin e këtyre territoreve në planin afatgjatë. Ekziston çdo arsye për të menduar se ripërtëritja e pushtimit ushtarak të Gazës nga Izraeli – “për një periudhë të pacaktuar”, sipas Netanyahu – do të çojë në një valë të re, ndoshta më të madhe sulmesh vetëvrasëse kundër civilëve izraelitë.

…….

Megjithëse konflikti izraelito-palestinez ka shumë dimensione, cekja e një fakti na ndihmon në qartësimin e tablosë komplekse. Praktikisht që nga fillimi i viteve 1980, popullsia hebreje në territoret palestineze është rritur pothuajse çdo vit, madje edhe gjatë viteve të procesit të paqes në Oslo në vitet 1990. Shumimi I kolonive nënkupton humbjen e tokës për palestinezët dhe rritjen e shqetësimeve se Izraeli do të konfiskojë edhe më tepër tokë për të vendosur hebrenjtë në territoret palestineze. Në fakt, Yossi Dagan, një kolon i rëndësishëm dhe anëtar i partisë së Netanyahut, ka nxitur krijimin e kolonive në Gaza, të cilat u hoqën prej andej në vitin 2005.

Rritja e popullsisë hebreje në territoret palestineze është një faktor qendror në nxitjen e konfliktit. Në vitet menjëherë pas luftës arabo-izraelite të vitit 1967, numri i përgjithshëm i hebrenjve që jetonin në Bregun Perëndimor dhe Gaza ishte vetëm disa mijëra. Marrëdhëniet izraelito-palestineze ishin përgjithësisht harmonike. Gjatë kësaj periudhe nuk u ndërmor asnjë sulm vetëvrasës nga ana e Palestinezëve dhe pati vetëm pak sulme të llojeve të ndryshme.

Por gjërat ndryshuan pas ardhjes në pushtet të qeverisjes së djathtë e udhëhequr nga Partia Likud (në vitin 1977) e cila premtoi një ekspansion të kolonive. Numri i kolonëve u rrit – nga rreth 4000 në vitin 1977 në 24,000 në 1983 dhe në 116,000 në 1993. Deri në vitin 2022, në territoret Palestineze jetonin rreth 500.000 kolonë izraelitë, duke përjashtuar Jerusalemin lindor në të cilin jetonin 230.000 hebrenj. Me rritjen e kolonive, harmonia relative midis izraelitëve dhe palestinezëve u shpërbë. Fillimisht u krijua Hamasi në vitin 1987, më pas ndodhi intifada e parë e viteve 1987–93, pas kësaj intifada e dytë e viteve 2000–2005 dhe paskëtaj që prej atëherë pasuan konfliktet e vazhdueshme midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Rritja pothuajse e vazhdueshme e kolonive hebraike është një arsye thelbësore se pse ideja e një zgjidhjeje me dy shtete – që nga vitet 1990 – e ka humbur besueshmërinë e vet. Nëse duhet që në të ardhmen të mendohet seriozisht një rrugë drejt krijimit të një shteti palestinez, kjo rritje duhet të marrë fund. Tek e fundit, pse duhet që palestinezët ta refuzojnë Hamasin dhe të mbështesin një proces të supozuar paqeje nëse ky veprim ka për të sjellë humbje të mëtejshme të tokës së tyre?

Vetëm zgjidhja me dy shtete ka për të sjellë siguri të qëndrueshme si për izraelitët edhe për palestinezët. Kjo është e vetmja qasje praktike që e minon vërtet Hamasin, ndaj dhe Izraeli mund dhe duhet të ecë përpara njëanshmërisht me një plan, duke ndërmarrë disa hapa përpara se të negociojë me palestinezët. Qëllimi duhet të jetë ri-aktivizimi i një procesi i cili ka qenë i përgjumur që kur negociatat e fundit dështuan në 2008, pesëmbëdhjetë vjet më parë.

Për të qenë të qartë, ne mendojmë se Izraeli duhet ta kordinojë qasjen politke me atë ushtarake, duke u angazhuar në operacione të kufizuara dhe të qëndrueshme kundër liderëve dhe luftëtarëve të Hamasit përgjegjës për mizoritë e 7 tetorit. Ndërkohë, kjo qasje duhet t’a adaptojë pjesën politike të strategjisë tani, jo më pas. Izraeli nuk mund të presë mbërritjen e një kohe mitike gjatë së cilës Hamasi do të mposhtet vetëm nga fuqia ushtarake.

Ata (nënkupto izraeli) që dyshojnë te realizueshmëria e zgjidhjes me dy shtete kanë të drejtë të mendojnë se rifillimi i menjëhershëm i negociatave me palestinezët vështirë se do t’a dobësonte vullnetin e Hamasit për të luftuar. Një gjë është e sigurt, Hamasi është ithtar i hapur i eliminimit të Izraelit. Ndërkaq pala tjetër, do të ishte një nga humbësit më të mëdhenj në zgjidhjen me dy shtete, pasi një marrëveshje paqeje pothuajse me siguri do të përfshinte ndalimin e grupeve të armatosura palestineze, përveç rivalit kryesor të brendshëm të Hamasit, Autoritetit Palestinez, i cili ka të ngjarë të fitojë përkrahje dhe legjitimitet nëse do të siguronte një marrëveshje që shumica e palestinezëve e mbështesin. Por edhe nëse arrihet një zgjidhje me dy shtete, Izraelit sërish i nevojiten kapacitete të forta mbrojtëse, meqënëse asnjë zgjidhje politike nuk mund ta eliminojë plotësisht kërcënimin e terrorizmit për vitet në vijim.

Kjo është arsyeja se pse qëllimi i tanishëm nuk duhet të jetë parashtrimi direkt i një plani përfundimtar për një zgjidhje me dy shtete – diçka që për momentin nuk është në sferën e mundësive politike. Në vend të kësaj, objektivi imediat duhet të jetë krijimi i një shtegu për një shtet eventual palestinez. Edhe pse skeptikët pretendojnë se një rrugë e tillë është e pamundur për shkak se Izraeli nuk ka partnerë të përshtatshëm palestinezë, Izraeli në fakt mund të ndërmarrë vetë hapa vendimtarë.

Qeveria izraelite mund të shpallë publikisht se synon të arrijë një gjendje politike ku palestinezët të jetojnë në një shtet të zgjedhur nga ata vetë krah për krah me një shtet hebre të Izraelit. Ajo mund të njoftojë se synon të zhvillojë një proces për të arritur këtë qëllim, le të themi, deri në vitin 2030 dhe do të përcaktojë objektiva për të arritur qëllimin në muajt e ardhshëm. Qeveria gjithashtu mund të deklarojë se do të ngrijë menjëherë kolonizimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe do të heqë dorë nga kolonizimi i Gazës deri në vitin 2030 si një haraç paraprak përmes të cilit do të demonstrojë përkushtimin e saj të sinqertë për një zgjidhje me dy shtete. Po ashtu mund të shpallë se është e gatshme të punojë me të gjitha palët –  përfshi vendet në rajon dhe më gjerë, organizatat ndërkombëtare dhe të gjitha palët palestineze – që janë të gatshme t’i pranojnë këto objektiva.

Larg të qenit irrelevante në raport me përpjekjet ushtarake të Izraelit kundër Hamasit, këto hapa politikë do të përforconin një fushatë e cila synon reduktimin e kërcënimeve nga sulmet në afat të shkurtër. Kundërterrorizmi efektiv përfiton nga inteligjenca e popullatës vendase, e cila ka shumë më tepër gjasa të jetë disponibël nëse ka shpresë për një alternativë të vërtetë politike përkundër grupit terrorist.

Në fakt, në planin afatgjatë, mënyra e vetme për të mposhtur Hamasin është krijimi i një ngërçi politik midis tij dhe popullit palestinez. Hapat e njëanshëm të Izraelit që sinjalizojnë një angazhim serioz për një të ardhme të re, do të ndryshonin me vendosmëri kuadrin dhe dinamikën në marrëdhëniet izraelito-palestineze dhe do t’u jepnin palestinezëve një alternativë të vërtetë në vend të mbështetjes së Hamasit. Izraelitët, nga ana e tyre, do të ishin më të sigurt dhe të dyja palët më në fund mund të ecin drejt rrugës së paqes.

…..

Natyrisht, qeveria aktuale izraelite nuk po tregon asnjë shenjë se është në ndjekje të këtij plani. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të përdorin ndikimin e tyre. Për shembull, Shtëpia e Bardhë mund të ushtrojë më shumë presion ndaj qeverisë së Netanyahut për të pakësuar sulmet ajrore të padiferencuara.

Por ndoshta hapi më i rëndësishëm që Uashingtoni mund të ndërmarrë në këto momente do të ishte fillimi i një debati publik rreth sjelljes së Izraelit në Gaza, një debat që do të përfshinte analizën e thellë dhe konsiderimin e strategjive alternative, çka mund të siguronte informacion të çmuar publik për amerikanët, izraelitët dhe njerëzit në mbarë botën për të vlerësuar pasojat. Shtëpia e Bardhë mund të publikojë vlerësimet e qeverisë amerikane lidhur me efektin që ka mbi Hamasin dhe civilët palestinezë fushata ushtarake e Izraelit në Gaza. Kongresi mund të organizojë seanca dëgjimore të përqendruara në një pyetje të thjeshtë: a po prodhon më shumë terroristë sesa po vret fushata ushtarake izraelite?

Dështimi i qasjes aktuale të Izraelit po bëhet çdo ditë edhe më i qartë. Një diskutim i vazhdueshëm publik i këtij realiteti, i kombinuar me shqyrtimin serioz të alternativave smart, ofron mundësinë më të mirë për të bindur Izraelin të bëjë atë që është, mbi të gjitha, në interesin e tij kombëtar.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP