web analytics

Të veçanta

Kufinjtë, deti dhe e drejta ndërkombëtare

Që në fillimet e historisë të dokumentuar të njerëzimit, hasemi me forma shtetërore të ndryshme, në vende të ndryshme të botës, me kufinj të përcaktuar nga një zonë në tjetrën. Pra ndarja kufitare ka qenë karakteristikë e përhershme e shteteve të çdo periudhe. Luftërat janë bërë për këtë arsye, ekspancionin territorial, që rrjedhimisht do t’i mundësonte një shteti edhe zgjerim të kufinjve të tij. Ne si popull jemi prej atyre që e kanë pësuar më së shumti ndryshimin kufitar të kohë pas kohshëm. Çdo pjesë kufitare toke e jona, ndërlidhet me pjesë toke, në të cilat historikisht kanë jetuar shqiptarët dhe paraardhësit tanë.

Edhe aktualisht, në kohën që po jetojmë ka zona të ndryshme të cilat përballen akoma me ndryshim kufinjsh; aneksimi i Krimesë, lufta Azerbajxhan-Armeni, okupimi izraelit në Palestinë, përplasjet për Kashmirin, kërkesa e Serbisë për territore të Kosovës, e të tjera të ngjashme, vërtetojnë faktin që kufinjtë janë nga elementët kryesore që pretendojnë shtete të ndryshme.

Por ka edhe zona të cilat tashmë, në situatën aktuale, i kanë të përcaktuara kufinjtë territorialë të tyre, edhe vetëm ngjarje madhore mundet të sjellin ndryshim. Shembull marrim rastin e vendeve të BE-së, kufinjtë e shteteve të së cilës mund të ndryshojnë vetëm nëse fillon një luftë midis vetë këtyre shteteve, por në situatë normale një shtet nuk mund të ketë pretendim territorial ndaj një tjetri.

Në këtë kontekst, duke pasur ndarje territoriale, të cilat nuk mund të kontestohen në gjendje normale, është dakordësuar edhe ndarja e ujërave territoriale, se deri ku shkon zona ekskluzive, pjesë e një shteti. Për këtë është krijuar edhe Konventa e Montego Bay, e cila përcakton edhe kufinjtë ujorë të një shteti, pikën maksimale për të cilën një shtet i caktuar ka kontroll, të njëjtë si në territorin e tij tokësor.

Në këtë kuadër, ka lindur edhe debati për ndryshimin e kufinjve ujorë të Greqisë, që si pasojë do të sillte ngushtimin e hapësirës ujore shqiptare. Sipas Konventës se Montego Bay, maksimumi që një shtet mund të zgjerohet në det është 12 milje. Greqia aktualisht ka një zgjerim vetëm 6 milje në det, edhe pretendimi i saj vjen në bazë të Konventës që përmendëm. Por si na prek ne si shtet ky pretendim grek? Sigurisht në pjesën kufitare Shqipëri-Greqi, pasi zgjerimi i saj në mesin e pjesës së territorit të vet nuk na prek në asnjë lloj forme.

Pikëpyetja më e madhe është mënyra e zgjerimit të Greqisë. A i mundësohet Greqisë zgjerimi deri në 12 milje pa konsideruar asgjë tjetër? Përgjigja sigurisht që është negative. Përsa kohë që ky zgjerim prek kufinjtë e një shteti tjetër, gjërat nuk mund të merren të mirëqena. Shqipëria ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë çështje. Ky ndryshe konsiderohet vijë e kuqe nga shteti shqiptar. Asnjë vendim tjetër nuk mundet të dalë mbi këtë vendim. Çdo vendim në kundërshtim me atë që ka vendosur Gjykata Kushtetuese konsiderohet i pavlefshëm.

Fjalimet e zyrtarëve të lartë grek në parlament apo në media kanë qenë shkëndija për debate në lidhje me këtë çështje edhe në skenën publike shqiptare. Një ndër termat e përdorur ishte edhe ideja e shitjes së detit ndaj Greqisë. Në këtë mënyrë paraqitej që zgjerimi i Greqisë në det do të thonte edhe humbje e Shqipërisë në territorin e saj. Sigurisht që ky pohim ka nevojë për analizë, sepse ashtu si shpeshherë në debate publike për çështje të ndjeshme në Shqipëri, i gjithë diskutimi ngushtohet në spektrin opozitë- pozitë.

Sa e mundshme është ideja e shitjes së detit?

Në mënyrë hipotetike gjithçka është e mundshme. Por a bëhet kjo në mënyrë të fshehur dhe pa transparencë? Kjo është pyetja, përgjigja e së cilës e zgjidh gjithë problemin. Në ligjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, lidhja e një marrëveshjeje nuk mund të bëhet vetëm nga ana e dy qeverie, sidomos në raste si ato të kufinjëve, për të cilën minimalisht duhet miratimi i parlamentit. Në një rast i yni, kemi edhe një vendim gjykate kushtetuese, që edhe nëse ndodh që parlamenti ‘lajthit’, ky vendim nuk mundet të mos kalojë në sitën e gjykimit kushtetues.

Nëse çështja do të ishte thjesht marrëveshje qeverish, mund të ishte nënshkruar shumë thjeshtë një dokument. Edhe fjalët e politikanëve të shteteve të tjera, jo gjithmonë janë të vërteta. Politikanët grekë mund të pretendojnë që janë zgjeruar apo kanë fituar territore, por ky është pohim i njëanshëm dhe mbetet vetëm në kontekstin e fjalimit, ndoshta edhe për fitimin e pikëve politike. Në të ardhmen mund të dalin edhe zyrtarë të lartë grekë me fjalime apo edhe me dekrete zyrtare që sipas tyre territori grek shkon deri në Shkumbim, por në fund janë  thjeshtë ‘letra bakalli’ që s’kanë asnjë lloj vlere.

Nga ana tjetër ka pasur tentativë për shuarjen e këtij debati nga ana e faktorëve politikë shqiptarë. Sigurisht që trajtimi nga ana e opozitës që deti po shitet nuk ka asnjë bazë, por edhe mostranparenca e pozitës është metodë e gabuar. Përderisa çështja do të kalohet për gjykim ndërkombëtar, faktorët përgjegjës të qeverisë duhet të krijojnë patjetër një grup pune që do të përgatitet për çdo skenar të mundshëm në gjykatë. Duhet pasur parasysh se ku është kufiri përfundimtar, përtej të cilit nuk mundet të niset asnjë lloj negociate. E gjithë kjo duhet bërë në mënyrën me transparente të mundshme, pasi një çështje e tillë edhe e ndjeshme për shoqërinë dhe çdo qytetar i kësaj Republike ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh me këtë çështje.

Gjykata ndërkomëbtare, siç aludohet do ti japë të drejtë Greqisë për zgjerim. Sigurisht që kjo është e vërtetë, pasi kur Konventa e Montego Bay ja lejon zgjerimin deri në 12 milje, nuk ka gjykatë që mund ta quajë të pavlefshëm këtë pretendim. Por nga ana tjerër, çështja mbetet përcaktimi i pikave kufitare Shqipëri-Greqi. E këtu shteti grek, edhe pse vend i BE dhe më i fuqishëm se Shqipëria, nuk do ta ketë privilegjin që të përfitojë gjithë pretendimet e tij. Kjo pasi mund të krijohet precendet edhe për shtetet e tjera, të cilët do të bazoheshin në këtë rast për të kërkuar zgjerimin e territoreve të tyre. Prandaj thekoj edhe një herë që pala shqiptare duhet të përgatitet për çdo skenar e për çdo detaj në lidhje me këtë çështje, në mënyrë që të mos hyjmë një udhëkryq tjetër, i cili mund të sillte një gabim tjetër historik për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP