web analytics

Të veçanta

Konceptimi i artit në filozofinë e Nietzsche-s dhe përligjja estetike e jetës- Pjesa II

Nga: Rigers Balliu

Konceptimi i artit në filozofinë e Nietzsche-s dhe përligjja estetike e jetës- Pjesa e dytë

Konceptimi tragjik i artit

Nietzsche ka një konceptim tragjik të artit. Ai e mbështet këtë konceptim në dy parime. Së pari, arti është e kundërta e një operacioni “të painteresuar”, ai nuk pezullon dëshirën, instiktin apo vullnetin por përkundrazi është një stimulim i vullnetit për fuqi që afirmohet përmes krijimit të artistit. “Pyetja e Nietzsche-s është më këmbëngulëse se kurrë: ‘Kush shikon tek e bukura në mënyrë të çinteresuar?’”[1]. Së dyti, arti është fuqia më e lartë e falsifikimit e cila e zmadhon “botën si gabim” dhe vullneti për mashtrim kthehet në idealin superior. Përmes parimit të parë Nietzsche kërkon një estetikë të krijimit dhe arti shfaqet si një nxitës i vullnetit për fuqi. Nxitje e cila nuk është e jashtme për vullnetin për fuqi, por vullneti për fuqi manifestohet si i tillë duke afirmuar veten vetëm në lidhje me të tjera forca aktive. “Veprimtaria e jetës së artistit shërben si nxitës i afirmimit, të përfshirë në veprën e artit në vetvete, ndaj vullnetit për fuqi të artistit si artist”[2]. Përmes falsifikimit në art dyfishohet ose përsëritet aktiviteti i jetës si fuqi e gënjeshtrës dhe në mënyrë të tillë ngrihet kjo fuqi e falsitetit në një fuqi më të lartë. Ky vullnet artistik për të mashtruar është i aftë të konkurrojë me idealin asketik dhe ta kundërshtojë me sukses.

“Është arti i cili sajon gënjeshtrat që e ngrenë falsitetin në këtë pohues më të lartë për fuqi, që e kthen vullnetin për mashtrim në diçka që pohohet në fuqinë e falsifikimit”[3]. Përmes artistit shlyhet dallimi dukje dhe reale (e vërtetë), dukja nuk i raportohet asnjë marrëdhënie negative me realitetin por si korrigjim, dyfishim dhe pohim. “Bota e vërtetë – tashmë atë e kemi hequr qafe; por cila botë ka mbetur? Ndoshta bota e dukjes? Sigurisht që jo! Bashkë me botën e vërtetë ne kemi hedhur tutje edhe botën e dukjes!”[4]. Kështu e vërteta merr një kuptim të ri, ajo është dukja, por kjo s’duhet të kuptohet në raport me thelbësitë, por si një dukje e cila na kujton mungesën e identitetit, rrjedhshmërinë dhe dallimin. Vetëm kështu dukja mund të japë kuptimin e ri të së vërtetës.

Përmes artit, vullneti për fuqi zbulohet për ne menjëherë dhe në shkëlqimin e tij të dukshëm. Sepse të jesh artist i një arti i cili konceptohet si aftësi për të krijuar, do të thotë të jesh në gjendje për të lindur diçka. “Por të lindësh do të thotë të vendosësh në Qenie diçka që ende nuk ekziston”[5]. Pra të krijosh si vullnet për fuqi përmes vullnetit për falsifikim në art, nga ku afirmohet dhe pohohet vullneti për fuqi i artistit. “Ai e quan jetën ‘forma e Qenies më e njohur për ne’. Për të, vetë Qenia shërben vetëm ‘si një përgjithësim i konceptit jetë’, ‘të qenit i besuar, i vullnetshëm, i efektshëm duke u bërë’. Qenia – nuk ka mënyrë tjetër për ta përfaqësuar atë përveç si të gjallë”[6]. Arti është forma estetike e manifestimit të diferencës, pra vendi ku Qenia shpalos të vërtetën e saj. Por nisur nga një interpretim hajdegerian, e vërteta e Qenies zbulohet si mbulim, ajo vetëm sa na ysht përmes zbulesës mbuluese të saj drejt Qenies. Në një raport të tillë duket se vjen edhe dionisiania në art, përmes sfondit ai nuk vendoset kurrë në fokus si zbulesë, por gjendet aty duke u zbuluar përmes mbulimit. Pasi bëhet fundi nga ku themelohet figura plastike, por pa qenë kurrë përfytyrimi i lidhur me objektin e zbuluar për fokusin.

Bota e vërtetë dhe dukja

Lindjen e tragjedisë Nietzsche del në përfundimin se ka një konflikt midis konceptit tragjik dhe atij teorik të jetës. Dialektika e trajton çdo dallim i cili është elementi i fillesës tragjike si moment të thjeshtë kalimi drejt një pajtimi identitar në fund. Kështu që dialektika si pasion antitragjik i mërisë popullore i drejtohet asaj që duhet të jetë si ajo që është. Në të kundërt nga tragjizmi i cili e shikon atë që është si atë që duhet të jetë. Është një falsifikim që vjen nga ideja për ta trajtuar racionalen dhe realen si të ndërlidhura ajo që i kundërvihet tragjizmit si forma manifestive e mbërjes së jetës. Dialektika na shfaqet jo vetëm si antitragjike, por, ç’është me rëndësi për këtë kapitull, si joestetike. “Mirëpo ndryshe nga gabimi, i cili siç dihet, është i shumëfishtë, e vërteta duhet të jetë e vetme… ajo mund të afirmohet vetëm si reaksion kundër forcave të iluzionit e të gënjeshtrës, pra në mënyrë të veçantë kundër artit”[7]. Mendoj se në këtë kuptim forcat artistike mund të cilësohen si gënjeshtare, pra pasi është pretenduar njëshi nga Sokrati dhe mendimi dialektik. Arti bëhet fuqi falsifikimi vetëm pasi të jetë menduar e vërteta dialektike, përndryshe ajo është forma estetike e manifestimit të diferencës, pra vendi ku Qenia shpalos të vërtetën e saj. Por kur dallimi dhe dukja janë hedhur poshtë për llogari të mendimit dialektik, artit i ngarkohet detyra për të shfaqur shumëfishësinë e falsifikimit si nxitës i vullnetit për fuqi.

Për mendimin sokratik shqisorja është mashtruese sepse na tregon të njëjtat realitete në pamje të ndryshme dhe si pasojë u kundërvihet rregullave të logjikës. Por kjo nevojë për t’ia kundërvënë logjikën shqisave vjen nga përpjekja për ta barazuar realen me racionalen. Duke u nisur nga ajo që kam shtjelluar në kapitullin e parë, mund të përvijoj duke pohuar se e vërteta është ky dallim i pastabilizueshëm në identitet, i cili mund t’i shfaqet dhe të kapet vetëm nga shqisat. Kështu arti si veprimtari që iu drejtohet shqisave është e vetmja mënyrë për t’iu qasur të vërtetës. Por, tashmë jo të vërtetës si njëshi, por shumëfishësisë së pareduktueshme të forcave vitale. “Në fakt arti ‘nuk është gjë tjetër veçse vullneti i shfaqjes si shqisore’, dhe meqenëse kjo shfaqje, siç e kemi parë, nuk është një shfaqje ‘në të vërtetë’, duhet thënë me Nietzsche-n që ‘vullneti i shfaqjes, i iluzionit, i shtirjes, i shndërrimit dhe i ndryshimit është më i thellë, më ‘metafizik’ sesa vullneti i së vërtetës, i realitetit, i qenies’. Përsëri në këtë kuptim arti, në thelbin e tij antiplatonik, ‘ka më shumë vlerë se e vërteta’, se ai është shprehja më e dukshme e jetës, e atij vullneti për fuqi që përbën ‘thelbin më intim të qenies’”[8]. E vërteta me të cilën arti vazhdon ta ruajë lidhjen ka pushuar së qeni identitet dhe është bërë dallim i kulluar i cili shfaq elementin diferencial të forcave vitale.

 

Subjekti dhe “personalizmi Antik”

“Por ajo çka na mëson ‘fiziologjia’ niçeane e artit, është që bukuria nuk është gjë tjetër veçse shprehja e hierarkizuar me stil të lartë e kësaj shumëllojshmërie forcash vitale”[9]. Nietzsche i kundërve individualizmit të modernëve atë që ai e quan “personalizmi i Antikëve”, për të cilët individualizmi ishte i vlerësuar si i tillë vetëm në largësinë dhe diferencën e tij. Individualizmi modern është i lidhur ngushtë me ardhjen e botës demokratike në analizën niçeane. Pasi individi modern themelohet në dallimin nga gjithçka por duke u identifikuar me të gjithë. “Duam lirinë përderisa nuk e kemi fuqinë, ndërsa kur e kemi, duam hegjemoninë”[10]. Personalizmi i Antikëve nuk afirmohet duke iu kundërvënë gjithçkaje, por duke afirmuar dallimin e pakrahasueshëm. “I tillë është ‘personalizmi i Antikëve’ që i përgjigjet jo frymës së demokracisë, por asaj të aristokracisë: atëherë nuk vlerësohet barazia, por distanca dhe hierarkia”[11].

Tek Nietzsche hasim në një dualitet të vlerësimit të artit; si “fiziologji” dhe si “stil madhështor”. Nga njëra anë duket sikur vepra e artit reduktohet në realitetin psikologjik të artistit, nga ku edhe kritika e Heidegger-it kur e cilëson si metafizicienin e fundit. Sepse shikon mes subjektit të artistit tek Nietzsche dhe atij të Descartes-it, një vazhdimësi. Pasi vendoset subjekti në themel të ngrehinës moderne të metafizikës duke marrë tiparet e një antropologjie teorike. “Për të shkuar te thelbësorja, mund të themi se, që prej Descartes-it, metafizika, sipas Heidegger-it, ka qenë një antropologji, një mendim për njeriun si themel i pyetjes filozofike”[12]. Por siç jemi përpjekur të analizojmë në kapitullin e parë, ngjashmëria mes Nietzsche-s dhe Heidegger-it është më e madhe nga ç’prononcohet e kundërta nga vetë Heidegger. Sipas shprehjes fiziologjike të artit del se estetika e tij mbetet peng i kornizave të individualizmit sepse vepra mendohet duke u nisur nga subjekti dhe gjendja e tij estetike. Por në vështrimin e stilit të lartë hierarkik të shumëfishësisë, subjekti zhbëhet përballë së vërtetës, që manifeston vepra, duke na lidhur sërish me Heidegger-in i cili e konsideron artin si streha krijuese e së vërtetës në veprën e artit.

Si konceptimi fiziologjik dhe ai klasik që e shikon artin si shprehje e hierarkizuar e shumëfishësisë së pareduktueshme të jetës, janë të lidhura midis tyre dhe jo vetëm që nuk kundërvihen por bashkohen duke plotësuar njëri-tjetrin. Subjekti artist nuk është cogito, ai nuk synon shprehjen e asnjë ideje përmes krijimit të tij, por manifeston forcat vitale përmes dehjes dionisiake që përbën ndjeshmërinë estetike të “shpirtit” të tij. Ai nuk koncepton përpara krijimit, por përmes instiktit jokonceptual dionisiak, krijon. Krijon përmes forcash gënjeshtare (të shumëfishta) duke mos synuar asnjë përpjekje euripidiane me krijimin e tij. Ndërsa vepra e krijuar nuk redukton asgjë nga ky kaos forcash vitale, por i ruan ato nga ana teknike përmes korit që përbën edhe thelbin e tragjedisë dhe përmes stilit hierarkik dhe distancës, manifestimin e elementit diferencial që qëndron në origjinë të Qenies. Të dy përfytyrimet mbi konceptimin niçean për artin kanë si moment të përbashkët, thyerjen e subjektit. Pas kritikës së gjykimeve të subjektit dhe trajtimit të këtyre gjykimeve nga gjenealogjia si simptoma apo interpretime relative me situatën e veçantë të subjektit, na dhurohet një pafundësi këndvështrimesh duke e bërë kështu subjektin të pareduktueshëm në një njësi të vetme që i lidhet ndërgjegjes. Pra subjekti zëvendësohet nga singulari. Nga ana tjetër klasicizmi i tij vë në qendër dallimin si “një ftesë për ta menduar artin si shprehje e një ‘realiteti’ që nuk është më ai i të qenit por i shndërrimit, e gjen po ashtu burimin e vet në thyerjen e subjektit: ngaqë ky i fundit është ndarë, bota ka pushuar së qeni, objektiviteti është zhdukur, realja është ndryshim; prandaj për të njëjtën arsye e vërteta nuk mund të përkufizohet më gjatë si identitet, si jokontradiktë, vlefshmëri universale, por ajo është bërë Jetë, domethënë shumëllojshmëri, ndryshim dhe kohësi”[13].

 

[1] Deleuze. G, Nietzsche and philosophy, (translated by Hugh Tomlinson) Columbia university press, New York 2006, f. 102.

[2] Po aty.

[3] Po aty, f. 103.

[4] Nietzsche. F, Perëndimi i idhujve, Uegen, Tiranë 2014, f. 34.

[5] Heidegger. M, Nietzsche, Vol. 1 The Will to Power as Art, (translatet from dhe German by David Farrell Krrell) Harper and Row, Publishers, New York 1979, f. 69.

[6] Po aty, f. 70.

[7] Ferry. L, Homo Aestheticus. Shpikja e shijes në epokën e demokracisë, Elena Gjika, Tiranë 2002, f. 164.

[8] Po aty, f. 166.

[9] Po aty, f. 171.

[10] Po aty, f. 178.

[11] Po aty, f. 179.

[12] Po aty, f. 167.

[13] Po aty, f. 201.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP