web analytics

Të veçanta

Hapësira, Koha, Toka në mendimin tradicional të Evolas II

Hapësira, Koha, Toka në mendimin tradicional të Evolas

Pjesa II

Nga A. Daimo

“Koha e qytetërimeve tradicionale nuk është një kohë ‘historike’ lineare. Koha, diveniri, qëndrojnë në lidhje me atë që ndaj kohës është sipërore, e tillë që perceptimi mbetet shpirtërisht i transformuar.”37 Koha e kuptuar në sensin modern është diçka e sheshtë, e pakthyeshme ajo është kohë sasiore. Para dhe pas, në raport me një pikë referimi të tashme nuk përcaktojnë asnjë vlerë cilësore të ngjarjve për Evolën. E gjitha reduktohet tek një datë. Ndryshe nga indiferenca mes ngjarjes dhe kohës në botën moderne, qytetërimi tradicional kishtë një kuptueshmëri cilësore të kohës. Ritmi, përsëritje harmonike dhe e formuar në strukturën e vet qëndron sipër serisë së kohës së modernëve. “Nuk rrjedh në mënyrë uniforme dhe të papërcaktueshme por fragmentohet në cikle, në periudha secili moment i të cilit ka një kuptim.”38 Ciklet, sipas Evolës, përfaqësojnë secili periudha të plota zhvillimi, duke formuar njësi të mbyllura dhe perfekte. Gjatësitë e cikleve janë të lëvizshme përsaqë një cikël mund të jetë më i shkurtër sepse manifeston disa evente më shpejt se një tjëtër. Rëndësia qëndron tek zhvillimi komplet dhe organik i manifestimit të momenteve tipike të ciklit.

Midis cikleve të mëdha dhe të vogla qëndron një raport analogjie korresponduese, e përhapur në gjithë mendimin evolian për më tepër, duke krijuar një raport i cili mundëson një afrim, në kohë të caktuara, midis botës së bërjes dhe asaj të qenies. “Duke riprodhuar analogjikisht cikli i vogel të madhin, vendosej kështu një udhë pjesëmarrjeje drejt rendeve gjithnjë e më të larta e të gjera.”39

Koha po ashtu për njeriun e traditës kishte edhe një dimension magjik. Çdo pikë e një cikli kishte një intensitet fuqish të caktuara dhe rrjedhimisht një individualitet dhe manifestime tipike për atë moment dhe fuqi. Kjo përcaktonte kohët e duhura dhe të gabuara për të mbjellë tokën, për të rrethuar një qytet etj. Ritet kishin kohën e tyre që lidhej me fuqitë e caktuara që kishte një moment i dhënë i ciklit. Magjia dhe Ritet duhen kuptuar në sensin e praktikave tepër të përcaktuara dhe ezoterike që përdoreshin me qëllim kontrollin e forcave të holla të natyrës.40[1]

Kohën duhet ta kuptojmë në raport me Mitin. Për Evolën miti nuk është një krijim arbitrar dhe fantastik. Miti rrjedh “nga një process i nevojshëm, ku të njëjtat fuqi që formojnë gjërat veprojnë mbi fakultetin plastik të imagjinatës, pjesërisht e shkëputur nga shqisat trupore, duke u dramatizuar në imazhe dhe figura, që vendoseshin mes thurjes së eksperiencës shqisore dhe e kompletonin me një moment kuptimi.”41 Në pragun e një fenomenologjie të mbishqisores Evola vendos procesin e nevojshëm në qendër të krijimit të miteve, por jo i nevojshëm sepse duhet të justifikohet një eksperiencë e caktuar apo të shpjegohet relativisht, por sepse eksperienca e fuqive metafizike justifikon vetveten nëpërmjet ndikimit me gjurmë figurative tek fakultetet e njeriut.

Eliade shkruan se “Miti tregon një histori të shenjtë; raporton një ndodhi që ka ngjarë në Kohët primordiale…Në fjalë të tjera miti tregon si, përmes bëmave të Qenieve Supernatyrore, realiteti erdhi në ekzistencë, qoftë ky i gjithë realiteti, Kozmosi, apo vetëm një fragment i realitetit.”42 Miti tregon gjithnjë realitete, pra një histori të vërtëtë, dhe vetë miti konsiderohet si histori e shenjtë. Miti i krijimit vërtetohet me gjithçka ekziston, ai i vendosjes së vdekjes me kohësinë biologjike të njeriut e kështu me radhë. Për Eliade mitet gjithnjë i referohen një ngjarjeje reale.

Funksioni i mitit është “të tregojë modele shembullore për gjithë ritet njerëzore dhe gjithë aktivitetet e rëndësishme humane – martesa, puna ose edukimi, arti ose urtësia.”43 Mitet i mësojnë të nistuarve historitë e para që vendosën mundësinë e ekzistencës së tij në raport me ekzistencën e Komzosit dhe gjithë krijimit. Eventet e këtyre tregimeve kanë si protaginst forca dhe qenie supernatyrale, pra miti flet për realitete të formuara nga fuqia e forcave transhendente të cilat krijuan treguesin dhe përcjellësin e mitit së bashku me mitin që e përcjell.

“Të njohësh mitet është të mësosh sekretin e origjinës së gjërave.”44[2]Njohja nuk është vetëm ezoterike, pra e mbyllur për disa të zgjedhur, por përmban edhe disa praktika magjiko-religjioze siç i cilëson Eliade. Realizuesi i praktikave dhe momenteve të tregimit mitik nuk bën gjë tjetër veçse, “hyn në atmosferën e shenjtë në të cilën ngjarja e mrekullueshme ka ndodhur.”45 Pra realizimi i mitit në praktikë implikon automatikisht kategorinë e Kohës. Me ri-aktimin e mitit thërritet dhe jetohet edhe njëherë ngjarja primordiale e origjinës. Koha e fortë e quan Eliade, për të kuptuar me këtë kohën mitike të origjinës që u transformua me një akt afirmues të Qenieve Supernatyrale. “Duke jetuar mitin njëriu del nga profanja, nga koha kronologjike dhe hyn në një kohë, që është e një cilësie tjetër, një Kohe e “shenjtë” , njëherazi primordiale dhe pafundësisht e rekuperueshme.”46

Me realizimin e mitit kemi një zhvendosje cilësore të kohës. Koha kronologjike pezullohet për të jetuar Kohën Primordiale, pra kohën kur ka ndodhur ngjarja. Miti dhe riti mitik janë ritmizimi i kohës dhe thyerja e asaj kronologjike për të kapur kohën e origjinës së mitit. Miti që kryhet sot është kryerja e mitit të parë. Pakthyeshmëria e ngjarjeve historike të kohës moderne qëndron në raport me këtë kohë të fortë në një stad tepër të ulët, madje të deformuar e të varfër. Riaktivizimi i mitit dhe hyrja e kohës primoriale, të jetuarit të historisë së shënjtë, do të thotë se kemi të bejmë me pasoja metafizike të drejtpërdrejta. Akti origjinues i Qenieve Supernatyrale përsëritet me mitin e aktuar periodikisht. Transhendentja me pezullimin e kohës kronologjike ndërhyn në botën e divenirit për të normuar përsëri me fuqitë e saj, krijesat e “origjinës së përhershme.”

Midis njeriut dhe tokës së tij, në botën e traditës, ekziston një raport  intim me karakter psikik dhe jetësor. Analiza që Evola i bën tokës në raport me njeriun shihet në aspektet natyrale dhe supernatyrale. Konceptet e dalluara të zotërimit dhe pronësimit do të na ndihmojnë në kuptimin e analizës evoliane. Aspekti natyral ka të bëjë me një raport midis njeriut dhe tokës që nuk e kapërcen faktin e jetës imediate.

 “Në qenie të tilla predominon kolektivja, qoftë si ligj i gjakut dhe fisit, qoftë si ligj i dheut.”47[3]Në këtë kuptim individi është i destinuar të shkrihet në ekzistencën kolektive të fisit të tij. Jeta e këtij njeriu dhe raportimi i tij me tokën shkon deri në nivelin e të siguruarit të ekzistencës bio-fizike të fisit. Toka prodhon për të  dhe njeriu jep punën për të marrë nga toka. Këtë lloj raporti do ta quajmë pronësim, pra marrëdhënia e njeriut me tokën vetëm për arsye jetese dhe vazhdimësie fizike të gjakut. Pronarët e tokës janë të gjithë anëtarët e fisit, gati një regjim kolektiviteti.

Nga ana tjetër, Evola tregon raportin tradicional të njeriut me tokën. “Këtu futet në lojë një aksion i vërtetë mbinatyral që i ka lidhur një territori të caktuar një ndikim sipëror”48 Ky ndikim nga lart, sipas Evolës, bën që toka të kthehet thjesht në një substrat për forza që e transhendojnë. Duke ndjekur idetë tradicionale Evola shkruan se në botën e Traditës toka dhe e drejta mbi të ishte një e drejtë ekskluzive e aristokracisë dhe fisnikërisë. Aristokracia nuk duhet kuptuar si një klasë shoqërore që ka status për shkak të një rendi pasuror, apo të themeluar nga një fiksion i gjakut. Aristokracia tradicionale për Evolën përbëhet nga familjet që zotëronin ritet e fuqishme dhe të fshehta të cilat mundësonin takimin me forcat e larta. Po ashtu aristokracia duhet kuptuar si një kastë e cila lidhet në mënyrë direkte me natyrën e njeriut. Jo të gjithë mund të ishin të denjë për të trashëguar ritet apo për t’i mësuar ato.49 Këtë do ta quajmë zotërim të tokës duke kuptuar përmasën tej-biologjike që i vishet tokës nga zotërit e saj përmes prezencës dhe prakitikave të tyre.

Evola dallon dy pronësi të kundërta: njëra aristokratiko-e trashëgueshme, tjetra e tipit popullor dhe plebeje. Fisnikëria tradicionale krijonte një raport misterioz me tokën duke marrë nxitje “nga altari apo tempulli i vendosur në qendër të tokës së zotëruar.”50 Kjo marrëdhënie në përputhje me ritet e familjes mund të arrinte deri në një fuqizim apo shenjtërim të kufijve të saj. Roli i zotëruesit të tokës në këtë rast përfaqëson atë të Traditës si forcë renduese nga lart. Toka është bërja, diveniri të cilit duhet t’i jepet formë nga zoti i saj. Toka e zotëruar kështu si në rastin e hapësirës dhe kohës mbushet me zona të cilat paraqesin një natyrë gati të dallueshme e individuale. Toka merr një karakter kur zotërohet, dhe de-vlerësohet kur thjesht pronësohet. Toka e pronësuar është toka e gjetur dhe e mbajtur në stadin e vet të “pa formë”, toka e zotëruar është ngritur në nivelin e një karakteri të caktuar që reflekton zoteruesin e saj i cili përfaqëson rendin dhe vlerat e larta që me kalimin e kohës i vishen edhe tokës.

Zotërimi i tokës në botën e Traditës “ është konsideruar si një akt krijimi, si një imazh i aktit primordial, në të cilin kaosi u transformua në kozmos: jo thjesht si një akt human dhe profan, përkundrazi si një aksion ritualistik dhe në një farë mase “magjik” , i cili mendohej se i jepte  një toke apo një hapësire një “formë” duke e bërë të marrë pjesë tek e shenjta, duke e bërë të gjallë dhe reale”51[4]Gjendja e personave reflektohej nga gjendja e tokës. Përmbysja ndodh kur toka fillon dhe përcakton gjendjen e personave. Për Evolën toka si posedim pasuror dhe politik ka gjithmonë tendencën të shkojë nga individi tek kolektivi. Kjo realizohet me kalimin e tokave tek kasta e tregtarëve, pra borgjezia dhe më pas tek skllevërit, të cilit nuk kishin rite dhe të drejta, pra punëtorët ose proletariati. Hapat politiko-shoqërore të procesit janë tregëtimi i tokave, shtetëzimi, kolektivizimi. Toka është e të gjithëve dhe njëkohësisht e askujt.52  “Fjala” nuk do t’i formojë më “Ujërat.”53

[1]0Për më tepër mbi konceptin e magjisë tek Evola shih, Paul Furlong, Social and political thought of Julius Evola, vep. e cit.

41 Julius Evola, La Tradizione Ermetica, vep. e cit., f. 45.

42 Mircea Eliade, Myth and Reality, Harper & Row, Publishers, New York, 1963, f. 5.

43 Po aty, f. 8.

44 Mircea Eliade, Myth and Reality, vep. e cit., f. 14.

45 Po aty, f. 18.

46 Po aty, f. 18. Funksioni i ritit dhe mitit në raport me kohën krijon premisat e një reflektimi mbi njohjen e origjinës, në kuptimin e fillimit apo të krijimit fillues. Miti përcjell origjinën por edhe e konstaton atë në faktin e ekzistencës konkrete të elementeve të cilët përcjell. Origjina në këtë kontekst nuk është e menduar dhe as e origjinuar por e jetuar nëpërmjet riaktivizimit ritualistik të mitit. Origjina e kuptuar kështu pezullon dhe zhvlerëson kërkimin e një origjine të konceptuar si të humbur apo të kaluar. Ritmikisht dhe ciklikisht origjina ri-jetohet me po atë intensitet origjinues fillestar. Për këtë arsye citohet cilësimi njerëzit e “origjinës së përhershme”.Tradita mund te marrë një ngjyrim të tillë tek Evola dhe implikimet e mendimit te tij.

47 Julius Evola, Rivolta contro il mondo moderno, vep. e cit., f. 194.

48Po aty, f. 194.

49 Për më tepër mbi ritet dhe të drejtat mbi to shih: Julius Evola, Revolta contro il mondo moderno, vep . e cit., Rene Guenon Spiritual Authority and Temporal Power, vep. e cit., Fustel De Coulanges, The Ancient City, Lee and Shepard, Boston, 1877.

50 Julius Evola, Rivolta contro il mondo moderno, vep. e cit., f. 195.

51 Julius Evola, Rivolta contro il mondo moderno, vep. e cit., f. 196.

52 Për më shum shih, Fustel De Coulanges, The Ancient City, Lee and Shepard, Boston, 1877, dhe analizën që i bënë shfaqjes së testamentit dhe implikimet e tij në raportimin e njeriut me tokën si zotërues apo pronësues.

53 “2 Toka ishte pa formë dhe e shkretë, dhe errësira mbulonte sipërfaqen e ujërave të thella. Forca vepruese e Perëndisë endej andej- këtej mbi sipërfaqen e ujërave. 3 Pastaj Perëndia tha: “Le të bëhet dritë”. Bibla, Tract Society of New York, New York, 2005, f. 15.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP