A është aborti çështje shkencore?
Kohët e fundit si rezultat i një vendimi të marrë nga Gjykata Supreme në SHBA, në lidhje me abortin, siç edhe ndodh shpesh në sferën publike shqiptare, u ngrit pikërisht çështja e abortit në Shqipëri, duke u bërë kështu material për debate televizive. Fatkeqësisht programet tona televizive, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi janë të paafta për të prodhuar diskutime serioze akademike në lidhje me çështje të tilla. Pra, nuk arrijmë dot të prodhojmë një dinamizëm të tillë që të kontribuojë në ushqyerjen e shëndetshme të opionit publik i cili mbytet pothuajse çdo ditë vetëm me lajme mbi politikën dhe ekonominë. Si të thuash, në një farë mënyre, diskursi mediatik është i dominuar vetëm nga këta dy dimensione. Me shumë mundësi kjo vjen si rezultat i gjendjes ekonomike dhe politike në vend, ndërkohë që çështje si aborti dalin në skenë vetëm atëherë kur këto preken në vendet e zhvilluara të botës duke ndikuar në këtë mënyrë edhe sferën publike dhe atë mediatike në Shqipëri. Megjithatë duke qenë se kjo është një temë tjetër do mjaftohemi vetëm me këtë konstatim të përgjithshëm me qëllim që të krijohet një kontekst më i gjerë për thelbin e këtij shkrimi.
Fillimisht është e nevojshme të theksohet se qëllimi i këtij shkrimi nuk është mbrotja apo refuzimi i abortit por përcaktimi i natyrës së kësaj çështjeje dhe metodave njohëse të realitetit që mund të përdoren për të trajtuar këtë çështje. Lidhur me këtë, më poshtë është argumentuar gjithashtu se aborti nuk është një çështje me natyrë shkencore e cila mund të hidhet poshtë apo të mbrohet shkencërisht siç pretendohet nga aktorë të caktuar publikë. Pra çështja në fjalë ka të bëjë me debatin e zhvilluar mbi abortin në sferën mediatike. Cila është natyra e këtij debati? Cila nga mjetet e njohjes së realitetit fizik apo social duhet të përdoren për të realizuar këtë debat?
Debati në fakt zhvillohet mes dy kategorive: fetarëve dhe jo fetarëve. Fetarët në përgjithësi, pavarësisht faktit se shumë prej tyre e pranojnë abortin për raste specifike, duken të jenë kundër abortit. Ndërsa jo fetarët, të ndikuar edhe nga ndjeshmëria për vlerën që shoqëritë moderne i kanë dhënë të drejtave të gruas, janë pro abortit sepse e shikojnë si çështje që ka të bëjë vetëm me gruan dhe trupin e saj. Pra në një farë mënyre embrioni apo fetusi trajtohen si pjesë e trupit të gruas dhe jo si një qenie njerëzore e ndarë nga ajo. Ndërsa nga ana tjetër fetarët në përgjithësi e shikojnë si qenie njerëzore. Në këtë kontekst pika kryesore mbi të cilën ngrihet i gjithë ky debat ka të bëjë me legjitimitetin e argumenteve që hedhin të dyja palët. Pra si legjitimohen moralisht këta argumente?
Po ti hedhim një sy debateve që zhvillohen në lidhje me këtë temë do vëmë re se personat që janë pro abortit shpesh herë e legjitimojnë këtë akt duke përdorur termin ‘shkencë’ ose shprehje të tilla si: “është e vërtetuar shkencërisht që fetusi apo embrioni nuk janë qenie njerëzore”. Në fakt këtu, më shumë sesa shkencë kemi të bëjmë me një përdorim të autoritetit të shkencës për të legjitimuar moralisht aktin e abortit. Shkenca në vetvete si metodologji, të paktën për shkencat natyrore, por edhe epsitimologjikisht, nuk ka asnjë të drejtë që të prodhojë legjitimitet në lidhje me çështjet morale. Arsyeja është se kjo nuk është detyrë e shkencës por e filozofisë, teologjisë dhe disiplinave të tjera të cilat në thelb janë teleologjike, pra që kanë autoritetin e duhur epistimologjik në kuptimin metodologjik që përdorin për të vendosur gjykime të ngritura mbi baza morali apo të normave sociale. Prandaj dhe të thuash që fetusi apo embrioni mund të hiqet pa asnjë problem sepse shkenca ka provuar se nuk është një qenie njerëzore është një argument i gabuar dhe që nuk ka të bëjë aspak me rolin që shkenca ka në shoqëri. Fetusi nuk mund të jetë qenie njerëzore ngaqë e ka provuar shkenca, por sepse koncepti që këta njerëz kanë për qenien njerëzore është i ndryshëm nga fetusi. Pra shkenca nuk mund të na thotë se përse fetusi nuk është qenie njerëzore sepse kjo çështje është e ngarkuar me vlera sociale dhe është e lidhur ngushtë me moralin dhe normat e shoqërisë dhe jo fenomen natyror që pret të zbulohet nga shkenca. Shkenca në këtë pikë bën vetëm konstatime dhe shpjegime shkencore. Ajo mund të na thotë se në cilat kushte dhe si zhvillohet fetusi apo një njeri i zakonshëm por vlera dhe kuptimi që u jepet këtyre shpjegimeve varet nga shoqëria ose më saktë nga vlerat apo pikëpamjet e ndryshme ideologjike ose fetare që dominojnë në shoqëri.
Në fakt argumente të tilla përdoren më shumë nga komuniteti jofetar për arsye se aty mungon legjitimiteti metafizik, prandaj dhe dashje pa dashje përdorin shpesh autoritetin e shkencës për të prodhuar legjitimitetin e nevojshëm moral për akte të tilla edhe në rastet kur shkenca nuk mund të thotë asgjë prej gjëje. Pra, meqë koncepti që shoqëria ka për njeriun si një qenie e cila arrin të jetojë jashtë trupit të gruas dhe më komplekse në kuptimin e zhvillimit biologjik dhe duke qenë se embrioni apo fetusi nuk i përmbushin këta kritere atëherë atyre u hiqet ky përkufizim social. Në këtë pikë konstatimi shkencor në lidhje me cilësitë e fetusit përdoret për të legjitimuar moralisht këtë përkufizim që i bëhet atij, duke i ngarkuar kështu shkencës një funksion që ajo nuk e ka, pra në të vërtetë përkufizimi që i bëhet embrionit dhe fetusit si jo qenie njerëzore nuk mund të legjitimohet nga shkenca. Nëse do ishte kështu, konstatimi shkencor mund të përdoret edhe për të kundërtën, për shembull, mund të gjykohet se meqë fetusi përmban natyrë njerëzore në kuptim biologjik sepse është duke u zhvilluar në një trup njerëzor dhe aktorët e realizimit të tij janë njerëz, atëherë edhe ai vetë është një qenie njerëzore e cila edhe pse nuk i ka përmbushur akoma të gjitha fazat e zhvillimit nuk mund t’i hiqet cilësia e të qenit qenie njerëzore.
Pra, lidhur me këtë, debati mbi abortin nuk është dhe nuk ka asnjë shans që të jetë një debat me natyrë shkencore në kuadrin e shkencave natyrore. Përkundrazi ky debat në thelb është sociologjik dhe filozofik. Është sociologjik sepse ka të bëjë me vlerat që grupe të ndryshme sociale përfaqësojnë. Pra debati që realizohet varet plotësisht nga prirjet ideologjike që këta grupe përfaqësojnë. Grupi jofetar i cili përfaqëson një diskurs laik për qenien njerëzore, në këtë rast duke e lidhur me gruan, duke qenë se e percepton gruan si produkt të natyrës dhe me të drejta natyrore, pra nuk e koncepton si mbajtëse apo zbatuese të urdhëresave fetare por si subjekt në veteve e cila ka të drejtat e saj në këtë botë që nuk varen nga një subjekt më i lartë trashedental siç është Zoti, prandaj dhe çështja lidhet pothuajse gjithnjë dhe shpesh herë reduktohet vetëm në të drejtat e gruas në shoqëri; pra të drejtën e saj për të ruajtur autonominë trupore. Ajo që vlen të thuhet në këtë rast është se ky është një pranim apriori me natyrë profane dhe nuk ka të bëjë aspak me shkencën. Shkenca mund të hedh teori që parashtrojnë se njeriu është ose jo produkt i natyrës por kuptimet dhe vlerat sociale që i ngarkohen njeriut nuk varen apo legjitimohen nga shkenca por nga pikëpamjet e njerëzve në lidhje me përkufizimin e qenies njerëzore. Nga ana tjetër fetarët të cilët përdorin diskursin anti – laik, duke qenë se e shohin njeriun si një qenie teologjike me detyra dhe përgjegjësi absolute të vendosura nga Zoti, mendojnë se aborti është marrje e të drejtës për të jetuar. Prandaj dhe domosdoshmërisht është një shkelje e urdhërave të Zotit dhe sigurisht një akt mëkatar i barasvlefshëm me vrasjen.
Pra siç mund të kuptohet çështja e mbështetjes apo refuzimit të abortit në thelb nuk mund të legjitimohet nga shkenca. Gjithashtu kjo çështje është edhe me natyrë filozofike sepse çdo argument që shtrohet apo hidhet poshtë bazohet mbi pranime themelore apriori në lidhje me atë se mbi cilat kritere duhet të përkufizohet njeriu dhe se cili duhet të jetë roli apo vendi i tij në shoqëri. Si përfundim mund të themi se përdorimi i autoritetit dhe kompetencës shkencore për të legjitimuar abortin është i gabuar si shkencërisht ashtu edhe në kuptimin e konradiktës që ka me natyrën e kësaj çështjeje, e cila siç duhet të jetë kuptuar deri më tani nuk është aspak shkencore.
Ledjo Zeneli
Komente