web analytics

Të veçanta

Ngjarjet janë zbuluesi më i mirë i kuptimeve hyjnore-kuranore

Ngjarjet janë dëshmia më e mirë se Kurani është burim i pashtershëm drite dhe udhëzimi. Prandaj edhe zbritja e tij vazhdimisht ka qenë në përgjigje të zhvillimeve të ndryshme që kanë ndodhur gjatë 23 vjeçarshit të zbritjes së tij. Kështu brezit profetik i bëheshin më të prekshme kuptimet kuranore dhe u bëhej më i kapshëm udhëzimi i tij.
Në betejën e Uhudit zbriti verseti kuranor:” Muhamedi është thjesht profet, para tij kanë kaluar edhe profetë të tjerë. Mos vallë, nëse vdesë apo vritet, ju do t’i ktheni shpinën
fesë së Zotit?! Dijeni se ai që kthen shpinën, nuk i bën dëm vetëm se vetes së vet dhe Allahu do ti shpërblejë falenderuesit ( e Allahut). Kuran
Në betejën e Uhudit mori pjesë edhe Umer Ibnu Hatabi. Natyrisht, edhe ai e kishte dëgjuar këtë ajet kuranor. Mirëpo duhej të ndodhte vdekja e Profetit Muhamed a.s që ai të kapte thelbin e kësaj fjale hyjnore kur atë e lexoi Ebu Bekri r.a për të qetësuar zemrat e trazuara nga pesha e rëndë e lajmit.
Në betejën e hendekut, pjesa më e mobilizuar e brezit profetik kuptoi thellësisht realitetin e premtimit të Allahut të Diturit e të Mençurit;”A menduan njerëzit se do i lëmë të pretendojnë imanin dhe nuk do sprovohen” Kuran, prandaj menjëherë u pozicionuan:”Kjo është ajo çka na ka premtuar besnikërisht Allahu dhe Profeti i Tij. E kjo ua shtoi edhe më shumë besimin dhe mbështetjen” Kuran.
Aty, ata kuptuan se sa më i madh të jetë misioni aq më i madh është privilegji, aq më e madhe është sprova, aq më afër është ndihma e Zotit, sakaq aq më i madh duhet të jetë besimi dhe qëndrueshmëria sepse Allahu nuk e shkel premtimin e Tij.
Kurani është i mbushur plot me shembuj të tillë.
Në këtë formë, Kurani themeloi një metodologji unike, zbuluese të kuptime të tij.
Kjo metodologji, ashtu e mishëruar në vetë Kuranin, gëzon katër cilësi substanciale:
1- Përrjetësia.
Dmth gëzon funksionalitet të përjetshëm në çdo vend, kohë dhe rrethanë. Dmth çdo ngjarje, e madhe apo e vogël, individuale apo kolektive, është në gjendje të zbuloje nga një kuptim të ri kuranor që i përgjigjet realitetit dhe nevojës së asaj ngjarje.
2- Universale.
Dmth, nuk ka ngjarje në këtë dynja që të mos gjejë përgjigjen e nevojës së vetë në këtë metodologji. Madje mund të themi, pa luhatje se, imtësia dhe dendësia e ngjarjeve, shpeshtësia dhe rralltësia e tyre nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se ia shtojnë akoma më tepër fleksibilitetin dhe pjellorinë kuptimore Kuranit, deri në ditën e kijametit.
3- Vërtetësia
Ngjarjet e ndryshme, në këtë dynja janë zbuluesi më i mirë dhe më i përpiktë i vërtetësisë së Këtij libri hyjnor, Kuranit. Pra, çdo ngjarje e përjetuar nën dritën kuranore është një minator i vërtetë që nxjerr në pah copëza të arta nga miniera e pashtershme e të vërtetës kuranore. Jo më kotë na urdhëron Allahu i Madhërishëm vazhdimisht në Kuran:” Ecni nëpër tokë dhe shikoni…”
4- Realizmi
Ngjarjet, pikërisht ngjarjet që përjetojmë për ditë, janë vërtetuesi më i fortë dhe më i sofistikuar i faktit se ky Kuran është sa hyjnor aq edhe real dhe se këtë Kuran Allahu nuk e ka zbritur për Vete por për ne. ” “Në të është përkujtimi juaj…” Kuran
Sot, dola nga shpia, për disa nevoja familjare. Tirana, me gjendjen e saj, me qetësinë e saj të rrallë, me boshatinë e saj, me palëvizshmërinë e saj e me disa demostrime të rralla të këtij lloji më mundësoi të përjetojë, normalisht pjesërisht, përfytyrimin e inspiruar nga verseti Kuranor:”Çdo gjë mbi të, mbi tokë, do të çbëhet, dhe do mbetet vetëm Allahu me Madhështinë dhe Fisnikërinë e Tij” Kuran.

Sabahudin Jashari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP