Imazhpolitika dhe realpolitika
Forma të caktuara të të menduarit dhe kategori të ndryshme arsyetimi identifikojnë periudha të ndryshme në jetën e shoqërive e të shteteve. Koha jonë dominohet nga tiparet e ngutshmërisë së arsyetimeve, të konceptuarit si gjendje normale të veprimeve dhe qëndrimeve ekstreme vetëm se ato burojnë nga më i forti, edhe skepticizmi mbi vlerat dhe përparimin e dikujt që jemi mësuar ta shohim të dobët, janë pjesë e strukturës dominante prej së cilës formohet qasja dhe të gjykuarit e shumëçkaje që na rrethon. Një prej subjekteve ndaj të cilit kjo formë e të gjykuarit ka qenë tejet aktive, ka ndërtuar diskurs e propaganda falë mekanizmave të fuqishme të komunikimit, ka qenë shteti turk e në veçanti politika e Turqisë. Mediat perëndimore dhe një pjesë e madhe e mediave të Lindjes në mënyrë sistematike kanë pasqyruar idetë ‘profetike’ të rrezikut të fundamentalizmit fetar që sipas tyre po rizgjohet në Turqi. Vazhdimisht janë instrumentalizuar disa vendime qeveritare dhe veprimtari politike në fushën e medias dhe kulturës duke i paraqitur si shtypje të lirisë së medias dhe e të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, investimet e realizuara nga ana e Turqisë në fushën e historisë, rikonfigurimit të identitetit dhe restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore në territorin e shtetit si edhe në trojet që i përkisnin administrimit të Perandorisë Osmane janë interpretuar si tendencë e rrezikshme neootomane për të rikthyer edhe një herë pushtetin politik të periudhës së Perandorisë.
Në një cikël jetësor të rënies së nivelit të intelektualitetit dhe urtësisë të cilin po e përjetojmë, janë të pakët ata individë të cilët duan të kuptojnë e të njohin gjëra që qëndrojnë përtej interesit të tyre të ngushtë, madje aq më të pakët janë persona të cilët reflektojnë dhe formojnë lidhje midis informacioneve të servirura nga media dhe sfondeve historike dhe parimorë-logjikë. Kjo fazë dhe kjo prirje duhen luftuar me përpjekje inteletuale dhe njohje reale. Politika e Turqisë përbën një element të vlefshëm studimi dhe reflektimi, kuptimi më të thellë e objektiv të premisave funksionale dhe të ndikimit të afërt e të largët. Qasja nga ky këndvështrim ndaj këtij fenomeni ka një dobi sa intelektuale aq edhe shoqërore. Por si mund të koncpetohet politika e Turqisë përtej zhurmave sipërfaqësore dhe inkoherente të mediave?
Rritje e zhvillimit të brendshëm dhe kredibilitetit diplomatik
I shndërruar brenda shumë pak kohe në një potencial madhor ekonomik, politik edhe kulturor, Turqia përbën sot një ndër faktorët ekuilibrues të politikave në Euro-Azi, në Lindjen e Mesme edhe në Ballkan. Përkushtimi i madh i shtetit turk në zhvillimin dhe progresin e brendshëm ka ecur paralel me pjesëmarrjen efektive dhe bërjen e politikës së jashtme duke rritur standartet e ballafaqimeve dhe duke shtuar forcën diplomatike. Në të njëjtën kohë Turqia ka luftuar në jug të saj me grupet terroriste dhe ka negociuar me superfuqitë më të mëdha për të përcaktuar rolin e vet në konfliktin sirian dhe në mbrojtjen e kufijve.
Jeta politike e një vendi vlerësohet nga faktet e sigurisë së mirëqënies së brendshme të shoqërisë dhe nga garancia e kufijve prej rreziqeve të jashtme. Dekada e fundit ka qenë dëshmitare e shumë ngjarjeve thelbësore në arenën ndërkombëtare. Kriza ekonomike globale e vitit 2008 edhe ekspansionet ushtarake të superfuqive perëndimore në Lindjen e Mesme kanë qenë ngjarje alarmante për të gjitha shtetet e botës, pasojat e të cilave ndihen ende në shumë prej tyre. Por, për Turqinë nga ana tjetër, këto faza përkuan me zhvillime tejet pozitive. Ekonomia dhe mirëqenia patën rritje të vazhdueshme, ndërsa kërcënimi luftarak u menaxhua dhe eleminua mjaft mirë në periudhën kur ishte më afër shtetit turk. Këto arritje të politikës së Turqisë të cilat shumëkush i fsheh e nuk do t’i pranojë, janë mësim par exelence për të gjitha vendet në zhvillim apo të pa zhvilluara, por edhe për vendet e zhvilluara. për dy të parat janë orientues në mënyrën e kapërcimit të krizave dhe vullnetit për ta realizuar vetveten politikisht, ekonomikisht edhe kulturalisht, ndërsa për të dytat janë mësim për filozofinë e ringritjes mbi kapacitetet dhe fuqitë personale, pa iu mbështetur aleatëve fiktivë, ose mësim për të lënë të lira vendet në zhvillim të vendosin vetë ardhmërinë e tyre.
Diplomacia e Turqisë nga ana tjetër ka pësuar zhvillime të shumanshme e të shpejta. Janë intesifikuar marrëdhëniet dhe marrëveshjet me shtetet më të fuqishme të globit dhe kombit turk i është rikthyer dinjiteti i nëpërkëmbur gjatë kohë. Prirja për të mos u nënshtruar ndaj asnjë faktori të fuqishëm politik dhe rezistenca ndaj presioneve edhe tensioneve të forta diplomatike ia kanë rritur shumë vlerën Turqisë në arenën ndërkombëtare. Tanimë ky shtet i artikulon vetë standartet dhe aspiratat e veta, ia përcakton vetë qëllimet ardhmërisë së tij dhe përfshihet në marrëdhëniet globale si një vend i realizuar politikisht, ekonomikisht dhe me një identitet të theksuar kombëtar, çka përbën një shembull të gjallë për shtetet e vogla në sfidat e tyre të zhvillimit dhe forcimit. Madje karakteri diplomatik i Turqisë është pasuruar me qëndrimet karshi ngjarjeve dhe gjendjeve në shtete të shtypura të botës. Deklaratat e forta në mbrojtje të të drejtave njerëzore në Palestinë, Egjipt, Venezuelë etj janë në antagonizëm me qasjet e superfuqive. Mjafton të merret si referencë deklarata nga ana e autoriteteve të Turqisë në lidhje me ngjarjen e fundit më të rëndësishme në Egjipt, vdekjen e presidentit legjititm Muhamed Mursi, ndodhi për të cilën nuk reagoi asnjë superfuqi, por jo edhe superfuqia e konfiguruar vitet e fundit në mejdanin diplomatik e cila nuk heshti në këtë rast padrejtësie. Një model i tillë pra, është modeli i subjektit që e përkrah të drejtën dhe e thotë të vërtetën para çdokujt, por pa e flijuar vetveten, edhe pse aktualisht nuk mundet që ta ndryshojë të keqen reale.
Artikulimi i mendimit politik dhe formimi i një shoqërie politike
Detyrë e njerëzve të lirë, me ambicje dhe të pajisur me parime e vlera është të hulumtojnë për modele të mira, t’i njohin e më pas t’i ndjekin ata. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për arritjet e shumë shteteve perëndimore në fushën e shkencave eksperimentale dhe në aplikimin e demokracisë. Por gjithashtu jemi dëshmitarë edhe të pamundësisë për të prodhuar prej këtyre rezultateve shkencore diçka më shumë se sofistikimi teknokratik dhe nga ana tjetër konstatojmë zbehjen e demokracive të këtyre shteteve, shtimin e racizmit edhe rritjen e fuqisë të partive ekstremiste. Kur modelet konkrete e humbin fuqinë gravitacionale dhe efektin e ndikimit, përtej strukturave teorike të trashëguara prej tyre, njerëzit priren të kërkojnë më shumë për modele të tjera të gjalla, konkrete e të prekshme.
Për vendet në zhvillim dhe me impakt të ulët diplomatik, veçanërisht si vendi ynë, një model të vlefshëm dhe praktik të të bërit politikë përbën Turqia. Prej arsyeve të këtij relacioni, përveç faktit të shndërrimit të Turqisë si model real, janë edhe lidhjet e heshrshme historike dhe kulturore të vendit tonë me të.
Brenda një shteti me etni dhe identitete shumë-dimensionale si Turqia ka arritur të formohet një klasë e mirëfilltë intelektualësh të cilët e kanë të qartë se në ç’pozita ka qenë e ndodhet vendi i tyre, por gjithashtu nuk iu mungon as vizioni se çfarë duan të arrijnë. Ky është thelbi i të poesduarit mendim origjinal politik. Arritja deri në fazën e artikulimit të plotë ka zgjatur paksa, por në rastin konkret pritja ia ja vlejtur.
Ndryshe nga Perëndimi që e ka identifikuar mendimin politik me zhvillimin e shkencave politike, Turqia ka hapëruar në kauzën e përcaktimit të politikës si veprimtari në lidhje me gjithçka që prodhon zhvillimin dhe begatinë e komunitetit njerëzor. Kështu mendimi politik i ndërtuar në këtë shtet përfshin shumë elementë të shoqërisë. Qasja akademike ndaj të kaluarës dhe ndërgjegjësimi i gjerë popullor mbi historinë e lavdishme të Perandorisë ka qenë hapi i parë i konfigurimit të një vije politike origjinale. Zhvillimi i kulturës dhe turizmit, rritja e rolit të tyre në jetën dhe vetëdijen e njerëzve e ka ndikuar pozitivisht mendimin politik por edhe popullin si subjekt politik duke e kthyer kah shfrytëzimi dhe mirëmenaxhimi i potencialeve të veta e duke e tërhequr nga inferioreiteti dhe vetëkritika e padobishme. Një tjetër domen i formësimit të mendimit politik ka qenë edhe përvetësimi i dijeve akademike-shkencore i lëvizjeve politike dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre. Fryma politike e themeluar nga Erbakani dhe e vazhduar nga Erdogan, Dawtoglu edhe gjithë klasa politike e kësaj kategorie kanë hapëruar në politike mbi vetëdije të qarta dhe me një sfond të pasur historik, ligjor, ontologjik e aksiologjik.
Ndërtimi i një vetëdije të qartë politike, i strategjisë dhe parimeve të udhëheqjes kanë prodhuar natyrshëm një shoqëri politike që zotëron elementët themelorë të të qenit pjesë e jetës politike; alternativat reale të përzgjedhjes, atmosferës së lirisë dhe zbatimit të vullnetit të saj. Të gjithë këta elementë janë dëshmuar në jetën politike të popullit turk. Ndryshimet kushtetuese të arritura me referendum, përqindjet e larta të pjesëmarrjes në votime, dhe së fundi fitorja e zgjedhjeve për kryetar bashkie të Stambollit nga Imamoglu, kandidat i partisë opozitare, treguan karakterin e lirë dhe të pamanipulueshëm të turqve në aspektin politik dhe argumentin e pakundërshtueshëm se edhe në politikë Turqia ka krijuar një model të pashmangshëm, jo thjeshtë si grupacion politikë por si tërësi shoqërore, e zhveshur nga fanatizmi, militantizmi dhe interesat e ulëta.
Komente