web analytics

Të veçanta

Profili i Kandidatit

Profili i Kandidatit

(E mëposhtmja është një analizë e cila fokusohet përgjithësisht tek rasti i Tiranës.)

Kohët e fundit kanë nisur të shpërfaqen diskutimet e para në lidhje me profilin e kandidatit që duhet të përfaqësojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht është një diskutim që i’a vlen të bëhët për sa kohë që pretendohet se figura e kandidatit ka një peshë goxha të madhe në zgjedhjet lokale. Duke qenë se ende nuk ka një kandidaturë zyrtare, e cila do t’i jepte fund diskutimeve mbi profilin, lind nevoja për të reflektuar jo mbi profiling, por mbi situatën ku ndodhet sot Shqipëria dhe PD me qëllim që të kuptojmë se kush profil kandidati është më i përshtatshëm. Megjithëse është një debat që ka fituar vlefshmëri nga konteskti aktual, pra nuk vjen natyrshëm si produkt i brendshëm i një partie, por ndikohet me të drejtë nga disa pjesë të shoqërisë që janë të interesuara si për gjendjen e PD, ashtu edhe për situatën në Shqipëri.

Natyrshëm sipas nesh kjo gjë përbën problem për një parti, përsa kohë që ajo është e deyruar të përthithë një debat i cili buron nga diku jashtë saj dhe i imponohet asaj me pahir. Kuptohet në vetvete debati është i vlefshëm, por fakti që zë qëndrën e vëmendjes, pa qenë prodhim natyral i vetë partisë tregon se ajo parti nuk e ka të lehtë përthitjen e një debati që i prish rehatinë strukturale. Megjithatë pse përbën problem një debat i prejardhur nga pole jashtë partisë dhe pse pikërisht në këtë moment ka ngjallur interesin e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare?

Është ekzaktësisht kjo pyetje që problematizon një fakt i cili paçka një vlefshmërie të pretenduar, është indikacion i një momenti kulminant, që shpërfaq haptazi edhe padurimin për një ndryshim, por edhe mosdurimin e një ndryshimi me tipare politike thelbësisht si ato të kaluarat. Natyrshëm kjo ka çuar tek debati mbi profilin, edhe pse nuk ka referim të drejtpërdrejtë si shkaku i tij. Gjithsesi nuk besoj se ka ndonjë problem pranimi i shkakut ose jo, përsa që vetë debati është pranuar si i vlefshëm tashmë dhe përsa kohë që lëkundja që ai shkakton e shpërfaq tërthorazi ndikimin shkakor të tij.

Prandaj duke marrë si të mirëqenë shkakun ose rrethanat që e prodhuan këtë debat, lipset që këtë debat ta kontekstualizojmë me qëllim që pranizimi i tij të vërtetojë vlefshmërine e dykahshme. Besoj se shumëkush bie dakort me faktin se ka një refuzim të konsiderueshëm ndaj politikës në përgjithësi, ku ndër arsyet kryesore të refuzimit është mosbesimi kundrejt të gjitha kaheve të politikës. Sigurisht duhet të kemi kujdes nga njëjtësimi i të gjitha kaheve, pasi nga vetë fakti se PS ka 8 vitë në qeverisje afëmendsh nuk mund të hiqet paralele me opozitën. Por çka mbetet, madje edhe pranohet nga vetë opozita është problemi me tërheqjen e votuesit gri i cili me shumë gjasa është vendimtar në peshoren e balancave.

Duke pasur parasysh edhe indiferencën ndaj politikës nga ana e këtij votuesi, pritshmëritë e tij janë gati laboratorike, duke bërë që terreni aktual politik vështirë të jetë gravitacional për të. Nisur nga kjo nuk duhet të konkludojmë se, mospërputhja e pritshmërive me terrenin politik e bën të pavlefshëm çdo lloj debati mbi profilin e kandidatit, pasiqë tashmë njerëzit janë të bindur se kjo klasë politike e ka topitur shpresën e tyre. Përkundrazi sipas nesh, fakti që ekziston ende një masë e madhe njerëzish me të tilla pretendime, ka çuar deri tek ky debat aspak i këndshëm për partitë në përgjithësi, por megjithatë i vlefshëm për të mbajtur gjallë edhe atë pak shpresë që duket se po frymon brenda këtij sistemi gati shtypës. Ndaj edhe pritshmëritë sfiduese ndaj realitetit politik, duhen parë jo vetëm si sfidë ndaj rehatisë strukturale të partisë, por edhe si një fakt që nëse mbahet parasysh mund të prodhojë jo vetëm një avantazh moral kundrejt kastës në pushtet, por mund edhe të krijojë pole mjaftueshmërisht me ndikim për të lejuar ripërtëritjen e nevojshme. Madje nëse do të kemi paraysh kornizimin që shpresonim të arrinim më sipër nëpërmjet kontekstualizimit të debatit, duket sikur ai na shpërfaqet tashmë si korrelacion midis rrethanave aktuale dhe pritshmërive të një pjese të shoqërisë shqiptare.

Nëse ky korrelacion merret i mirëqenë se është i vërtëtë, i jep përgjigje edhe burimit të debatit, duke vërtetuar njëkohësisht edhe atë çka thamë më sipër, përthithjen me pahir të një debati të tillë nga partia. Megjithatë përskaj burimit të debatit, tashmë është e rëndësishme të mbahen parasysh arsyet që e shpërfaqën me forcë atë. Dhe nëse realiteti i cili në këtë rast shfaqet aspak natyrshëm si aleat, nuk merret në konsideratë mjaftueshëm, ka potencialin për të krijuar dy efekte negative: disavantazh moral dhe mosangazhim intensiv të faktorit jashtë partiak. Prandaj edhe duhet kuptuar drejt se ky debat është mbartës i një sërë problemesh, si jashtë, ashtu edhe brenda partisë, ndërfutja e të cilave brenda tij, nuk mund të lejojë aspak luksin e eksperimentit me ndikim minimal nga realiteti.

Sigurisht edhe ne që po analizojmë nuk e kemi luksin të determinizojmë atë çka rruga ose procesi mund ta përvijojnë në forma krejtësisht të ndryshme nga ajo çka pretendojmë se mund të jetë. Përtej vërtetësisë së kësaj të fundit, nuk është aspak qëllimi jonë aludimi arbitrar për atë që nuk varet nga ne. Krejt ajo që na intereson është substrati themelor i cili ravijëzon realitetin e tashëm dhe nga i cili nuk pretendojmë të fatalizojmë rezultatin, por të tërheqim vëmendjen mbi rolin determinues që kushtet e realitetit ushtrojnë mbi gjendjen fillestare të garës. Për sa më sipër duke pasur parasysh edhe pyetjen që kemi shtruar, mund të themi se vlefshmëria e debatit dhe prania e tij tek një shumicë e shoqërisë shqiptare, përkundër problemeve që paraqet parimisht për strukturat e partisë, duhet të shërbejë si shtytje për të kuptuar momentin kulminant ku ndodhet PD dhe Shqipëria me qëllim që i gjithë ky debat të mos shërbejë vetëm si marketing mbështjellës i një realiteti të brendshëm që refuzon atë të jashtëm.

Përkundrazi ky është momenti ideal i cili mund dhe duhet të shfrytëzohet edhe nga lideri aktual i opozitës, për të ballafaquar seriozisht realitetin e brendshëm me atë të jashtëm, me qëllim sintetizimin e një momenti tjetër kulminant, i cili do të mund të shpërfaqë shenjat e para drejt një shtegu shpresëdhënës. Cka na detyron edhe njëherë të ripohojmë me forcë se debati po shërben si valvul për të shkarkuar shqetësimet valide të atyre që e iniciuan (debati buroi nga gjendja aktuale e Shiqpërisë më tepër se sa nga vullneti i mirë i PD), përndryshe ai rrezikon të shihet thjesht si një moment kalimtar dhe jo si një moment kulminant sic e parashtruam më sipër. Kështu që sipas meje është totalisht e gabuar që debati të kufizohet mbi një pretendim lokalist, i cili shërben vetëm për konsum të brendshëm, pasi kjo shpërfill jo vetëm burimin e debatit, por edhe mundësinë për të rikthyer në realitetin politik një pjesë të madhe të elektoratit gri. Për më tepër që debati shfaqet më shumë si një ftesë se sa si një refuzim total kundrejt PD, që shpërfaq me domosdo edhe gjendjen kulminante, por edhe ofrimin e një mjeti për tu ballafaquar me këtë gjendje. Prandaj debati mbi profilin si valvul e gjendjes aktuale, lejon njëkohësisht pranimin e momentit kulminant dhe procesimin e këtij momenti si një fazë akute, e cila davarit njëherë e mirë iluzionin e një partie që gjallon nga banaliteti i partisë tjetër. Prandaj duhet që profili i kandidat të jetë sintezë e realitetit të brendshëm dhe të jashtëm, duke integruar nevojat e brendshme të partisë, realitetin aktual dhe ftesën e prejardhur nga dy të parat si një shteg që adekuatizon dy të parat me të fundit dhe nga kjo lejohet përfundimisht vazhdimësia e partisë si një entitet normal në vetvete, dhe jo si antitezë e pahijshme e të kundërtës.

Shkroi: Kevi Muçllari

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP