web analytics

Të veçanta

E ardhmja e rendit kombëtar dhe global: Populizmi përjashtues kundrejt qeverisjes globale gjithëpërfshirëse

     Shkatërrimi i sistemit të Luftës së Ftohtë premtoi të krijonte një rend të ri global. Megjithatë kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, bota është përballur me shumë kriza monumentale, pika kthese dhe ngjarje transformuese pa nxjerrë mësimet e duhura prej tyre, çka ka sjellë përdorimin e recetave reaktive dhe hamendësuese të cilat veçse i kanë përkeqësuar problemet. Si pasojë, sistemi ndërkombëtar ka akumuluar një mori çështjesh, problemesh dhe krizash, secila e ndërtuar mbi mbetjet e krizave të pazgjidhura ose të ngrira. Prandaj, kur flasim për krizat aktuale, duhet të kemi kujdes nga rreziqet e hamendësimeve, short-termism-it (përqendrimi në projekte ose objektiva afatshkurtra për fitim të menjëhershëm në kurriz të sigurisë afatgjatë) dhe partikularizmit në analizimin e tyre. Fatkeqësisht, edhe reagimet apo përgjigjet që vijnë si pasojë e cikleve të vazhdueshme zgjedhore në Perëndim – të cilat shpesh shpërblejnë bujarisht grupet populiste, ksenofobike dhe neo-nacionaliste – ndonëse kanë çuar në disa kërkime kontemplative mes klasës politike dhe intelektuale, prapësëprapë gatishmëria për të hetuar shkakun rrënjësor të kësaj tendence përmes vendosjes së saj në një kontekst historik haset shumë rrallë. Zhvillimet e fundit nuk po ndodhin në një mënyrë evolucionare, dhe siç e kam sugjeruar diku tjetër, ne mund t’i përgjigjemi më mirë cikleve tona aktuale të ndryshimit nëse kuptojmë tërësinë e tronditjeve që po formësojnë botën tonë.

  1. Tërmetet në politikën botërore

     Sistemi global u trondit fillimisht nga një tërmet gjeopolitik pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Gjatë kësaj periudhe, harta e Euroazisë u rivizatua, gjeopolitika e Luftës së Ftohtë mori fund dhe një sërë shtetesh të reja u shfaqën në skenë. Me prishjen e strukturës politike autoritare të bllokut komunist, një valë e re demokratizimi shpërtheu në Evropën Lindore dhe Qendrore, së bashku me nisma të reja rajonale, si Bashkimi Evropian. Më pas, pak më shumë se një dekadë më vonë, më 11 shtator 2001, sistemi global u bë dëshmitar i një tjetër tërmeti i cili do të cënonte sigurinë e tij.Ndonëse vlerat si liria dhe demokracia ishin në qendër të tërmetit gjeopolitik, kuadri bazë konceptual pas 11 shtatorit është rrotulluar rreth çështjes së sigurisë, duke krijuar një atmosferë armiqësie, ankthi dhe mosbesimi në sferën ndërkombëtare. Tërmeti i tretë i madh, i cili është ndjerë edhe më fort, goditi sistemet financiare, së pari në Shtetet e Bashkuara në vitin 2008, e ndjekur nga kriza e euros në 2010 dhe si përfundim një krizë financiare globale që është duke u shpalosur. Tërmeti i katërt i madh u shfaq në botën arabe nga viti 2010 e tutje dhe ishte sociopolitik/ekonomik në natyrë. Përderisa ky tërmet nuk përmbush premtimin e tij fillestar për t’u dhënë dinjitet, liri, demokraci dhe përparim ekonomik popujve arabë, ai do të vazhdojë të tronditë të gjithë rajonin deri në themelet e tij.

     Në përgjigje të këtyre tronditjeve sistematike u përdorën kryesisht politika afatshkurtra dhe abstrakte, duke i lënë të pazgjidhura problemet dhe duke i hapur rrugën asaj që po ndodh tani: një tërmet sistemik i karakterizuar nga një valë në rritje e ekstremizmit që varion nga aktivitetet terroriste të grupeve si DAESH (ISIS), deri tek rritja e populizmit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Disa nga pasojat më shqetësuese të këtyre tërmeteve kanë qenë rritja e autokracive populiste, ekskluzivizmit, unilateralizmit, si dhe ndjekja egoiste e interesave të përcaktuara ngushtësisht në terma kombëtarë, në kurriz të vlerave dhe të mirave të përbashkëta.

     Në një shënim paksa më personal, mendoj se Turqia ka qenë në qendër të të gjithë këtyre tërmeteve. Si një akademik që ka shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij intelektuale dhe akademike duke shqyrtuar shkaqet rrënjësore të këtyre tërmeteve, dhe më vonë si ministër i jashtëm dhe kryeministër i Turqisë që duhej të formulonte përgjigjet politike ndaj këtyre ngjarjeve sizmike, arrita të kuptoj se modeli i reagimit i cili duhej t’iu jepte zgjidhje këtyre krizave i përkiste më tepër short-termizmit dhe reaksionit, qoftë ai kombëtar, rajonal apo edhe ndërkombëtar pa arritur të adresojë çështje më të gjera të qeverisjes globale dhe rendit sistematik.

     2.Sfidat dhe mangësitë e ‘rendit’ aktual

     Post-truth, post-order, post-fact si dhe koncepte të tjera të ngjashme janë përdorur me bollëk për të përshkruar atë që po kalon bota sot. Për shembull, ndërsa termi ‘post-truth’ shërben për të shpjeguar kontekstin – ose faktorët që kanë shtruar rrugën për atë që po përjetojmë sot – termi ‘post-order’ përdoret për të përshkruar sistemin global ose mungesën e tij.

     Këto koncepte ftojnë drejt një mungese rigoroziteti intelektual dhe analitik, prandaj duhen parë me ftohtësi dhe skepticizëm, pasi duket se i shërbejnë qëllimit të paqëllim1 për të çliruar përfaqësuesit nga përgjegjësia e tyre për atë që po ndodh. Mendimi i freskët që nuk mbahet peng nga konceptet e reja popullore, duhet të kombinohet me të kuptuarit se përdorimi tradicional i koncepteve dikur shpjegimdhënëse, si djathtas dhe majtas, është dukshëm i kufizuar në llogaritjen e fenomenit aktual.

     “Rendi” i tanishëm ndërkombëtar i mbështetur kryesisht nga fuqia amerikane – gjoja i mbështetur nga vlera të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, tregjet e lira dhe nga institucione si OKB, G20, FMN, BB, OBT – po përballet me sfida të rënda. Së pari, administrata Trump me deklarimin e politikës së saj “America first” duket se po largohet nga sistemi, çka përbën krizën më aktuale të ditëve të sotme. Me sa duket, ndikimi i krizës mund të zbutet ose nëpërmjet angazhimit të vendosur të SHBA-ve ndaj rendit botëror, ose një pronësie më kolektive të tij. Së dyti, sistemi i vlerave të rendit mbizotërues ose është aplikuar në mënyrë selektive ose nuk është zbatuar fare në shumë kontekste. Për shembull, gjatë tërmetit të katërt të shkaktuar nga kryengritjet në të gjithë botën arabe, aktorët ndërkombëtarë miratuan kryesisht politika afatshkurtra dhe vetëshkatërruese në vend që të mbështesnin vlerat demokratike me rëndësi madhore për rendin botëror. Kjo i ka çuar njerëzit tek zgjedhja e papëlqyeshme e terrorizmit kundrejt shteteve policore, gjë që nga ana tjetër ka zvogëluar ndjeshëm legjitimitetin e rendit ndërkombëtar për segmente të mëdha të popullsisë botërore. Së treti, institucionet e rendit mbizotërues ndërkombëtar kanë nevojë urgjente për reforma dhe përditësim. Merrni shembullin e OKB-së: është një institucion kryesisht pa histori suksesi, dhe si rrjedhim, pa besueshmëri. Për më tepër, struktura qeverisëse e këtyre institucioneve nuk është gjithëpërfshirëse, kështu që ato veprojnë si klube ekskluzive të krijuara kryesisht për t’i shërbyer interesave të të fuqishmëve në kurriz të të dobëtve. Për sa kohë që institucionet ndërkombëtare konsiderohen në këtë mënyrë, legjitimiteti i tyre do të mbetet gjithmonë i dyshimtë.

     Debatet e fundit mbi të ardhmen e ‘rendit’ ndërkombëtar janë shkaktuar nga Brexit dhe zgjedhja e Trump. Megjithatë, natyra e nxehtë e së tashmes nuk duhet të ndikojë përgjigjet tona ndaj kësaj krize të thellë. Disa koncepte, çështje dhe ‘fakte’ duhet të jenë nën një shqyrtim serioz. Idetë e ndryshimit dhe rendit, si dhe faktorët e ndryshimit dhe rendit, duhet të shqyrtohen tërësisht përpara se të mund të ofrojmë ndonjë përgjigje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë ndaj krizës aktuale sistematike.

     3.Domosdoshmëria e ndryshimit dhe modalitetet e rendit

     Duke pasur parasysh tërmetin aktual sistematik, klasat politike dhe intelektuale duhet të fillojnë ta pranojnë se ndryshimi është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Pasi të vendoset kjo, pyetjet vijuese janë se çfarë duhet të ndryshojë dhe si. Një nga të metat karakteristike të “rendit” aktual ndërkombëtar ka qenë mbështetja e tepërt e tij tek teknokracia. Ai është jopërfaqësues dhe vuan thelbësisht nga një defiçit demokratik, ç’ka ka çuar në pakësimin progresiv të pronësisë shoqërore të sistemit. Kjo nga ana tjetër ka krijuar një rreth vicioz: sa më shumë është zvogëluar baza sociale e rendit aktual, aq më shumë është mbështetur tek teknokracia globaliste për mbijetesën e tij, megjithatë sa më shumë është mbështetur në këtë teknokraci, aq më shumë njerëzit janë tjetërsuar nga sistemi. Një pjesë e madhe e shoqërive në mbarë botën e konsiderojnë këtë sistem si një protektorat imponues në shkallë globale. Megjithëse për momentin kjo akuzë përdoret nga ana e autokratëve populistë, nuk duhet anashkaluar fakti se tensioni midis natyrës teknokratike të sistemit dhe kërkesave në rritje për më tepër përfaqësueshmëri duhen trajtuar me vendosmëri.

     Sapo kjo të marrë zgjidhje, propozuesit e mbajtjes së një versioni të reformuar të “rendit” aktual duhet të kundërshtojnë kërkesat më regresive dhe përjashtuese për ndryshim të paraqitura nga populistët, me ide shumë më progresive dhe gjithëpërfshirëse për ndryshimin. Kjo do të thotë se çdo rend ndërkombëtar që nuk bazohet në rregulla dhe vlera dhe që në parim nuk reflekton një segment të madh të vlerave dhe interesave të njerëzimit do të jetë i detyruar të dështojë. Më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, padyshim. Megjithatë, ekzistojnë dy qasje kryesore.

     Opsioni i parë është të bini dakord për një sërë parimesh dhe vlerash dhe të ndërtoni rendin bazuar në to. Në këtë mënyrë, vlerat themelore në të cilat bazohet sistemi janë të qarta për të gjithë. Ne do të kishim një sërë rregullash që janë të zbatueshme papërjashtimisht. Për më tepër, kjo qasje ofron gjithashtu kriteret dhe standardet me të cilat gjykohet performanca dhe zbulohet çdo mosfunksionim i sistemit. Një rend i tillë i bazuar në vlera dhe gjithëpërfshirës do t’i jepte atij legjitimitet të mëtejshëm dhe një bazë të gjerë shoqërore në mbarë botën.

     Qasja e dytë është të përpiqemi të ndërtojmë një lloj rendi të bazuar në hamendje dhe pragmatizëm. Ky lloj rendi ngrihet mbi një terren të lëkundshëm dhe që nga dita e parë do të vihet në dyshim. Ai do të përballet me një cikël krizash të shkaktuara nga konkurrenca dhe rivalitetet me “shumë zero”.2 Prandaj, rregullat e bazuara në gjithëpërfshirje dhe drejtësia e udhëhequr nga parimet duhet të jenë pjesë përbërëse e çdo rendi – dhe rendi aktual duhet të paktën të përpiqet të përditësohet duke pasur parasysh këta faktorë. Ndërsa sistemi aktual teorikisht duhet të pasqyrojë qasjen e parë, aplikimet e tij në praktikë tregojnë se është më afër të dytës.

    Kush ka përgjegjësi për themelimin ose përforcimin e rendit? Në nivel kombëtar kemi dy kandidatë: establishmenti dhe drejtuesit populistë të valëve të reja anti-sistematike. Megjithatë, problemi është se establishmenti nuk ka legjitimitetin e nevojshëm për të ndërtuar një rend të ri ose për të përditësuar në mënyrë dramatike rendin e vjetër. Ndërsa populistët e rinj nuk kanë as synimin dhe as njohuritë për të vendosur një rend të ri apo për të rishikuar ndjeshëm atë aktual. Ndërveprimi, lufta mes tyre do të formojë rendin kombëtar, i cili nga ana e tij do të formësojë rendin ndërkombëtar. Në nivel ndërkombëtar, OKB-ja duhet të kishte funksionuar si platforma kryesore ku të diskutohej mbi mundësinë e një rend të ri botëror ose mbi reformimin e atij aktual, megjithatë historia e saj nuk inkurajon shpresa të mëdha.

     4.Nevoja për një qeverisje globale më gjithëpërfshirëse

     Në përgjithësi, rryma populiste në rritje dhe krizat sistematike kanë ilustruar qartë se ‘rendi’ aktual ndërkombëtar është në proçes delegjitimimi në dy nivele. Së pari, ai refuzohet pasi konsiderohet burim padrejtësie, pabarazie dhe imponimi, simptoma këto që tregojnë kalbësinë e elitës globale dhe indiferencën e saj ndaj ankesave të njerëzve në shoqëritë e mbarë botës. Së dyti, “rendi” aktual vihet në pikëpyetje nga grupe të mëdha shtetesh, veçanërisht fuqitë në rritje, përfshirë Turqinë, të cilët me të drejtë e konsiderojnë atë si jopërfaqësues, si pothuajse ekskluzivisht reflektues i projeksioneve dhe prioriteteve të fuqive perëndimore, fitimtare të Luftës së Dytë Botërore. Paaftësia e sistemit për t’i akomoduar dhe përfaqësuar në mënyrë të drejtë të gjithë aktorët jo vetëm që zvogëlon legjitimitetin e tij, por minon funksionimin e tij. Ndikimi i kombinuar i këtyre dy faktorëve gjeneron krizën bashkëkohore të legjitimitetit. Në këtë fazë, pyetja thelbësore është nëse ky delegjitimim mund të çojë në shpërbërjen e plotë të sistemit. Me fjalë të tjera, mbetet ende për t’u parë nëse ky tërmet sistematik do të arrijë kulmin me shpërbërjen e rendit aktual apo me përsosjen e tij. Për të shmangur shpërbërjen, duhet të ndërmerren reforma të mëdha për të rivendosur legjitimitetin, çka përbën të vetmen mënyrë që rendi aktual t’i mbijetojë këtij tërmeti sistematik.

     Përndryshe, tendencat aktuale janë shqetësuese dhe i ngjajnë politikës së shekullit të 19-të ose periudhës së para Luftës së Dytë Botërore. Një krizë ekonomike e vazhdueshme, një rritje e tendencës izolacioniste midis fuqive të mëdha, një rritje në politikat dhe autokracitë populiste, rritja e unilateralizmit, si dhe perceptimi i politikës dhe ndërveprimeve ndërkombëtare si lojëra me shumën zero, përfaqësojnë tendenca të frikshme, që, megjithatë mund të ndryshohen. Zgjedhjet janë të qarta. Bota ose do të shkojë përsëri drejt “balancës së sistemit të pushtetit” reciprokisht shkatërrues ose do të përpiqet të krijojë një strukturë të qeverisjes globale reciprokisht shpërblyese, më dashamirëse, gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe humanitare. Ndërsa interesat e përcaktuara ngushtë dhe unilateralizmi vetëshkatërrues formojnë karakterin kryesor të sistemit të mëparshëm, vlerat dhe rregullat e përbashkëta të sinkronizuara edhe me multilateralizmin reciprokisht shpërblyes, duhet të përcaktojnë konturet e përgjithshme të rendit të dëshiruar.

     Aspirata e paplotësuar që nga vitet 1990 ka qenë formësimi i një të ardhmeje të përkufizuar nga qeverisja globale. Dallimi midis qeverisjes globale dhe rendit ndërkombëtar është se: ndërkombëtar nënkupton që shtetet kombëtare janë njësitë kryesore të këtij rendi dhe se ai formohet si rezultat i marrëdhënieve dhe dialogut midis kombeve. Nga ana tjetër qeverisja globale është ndërvepruese, e bazuar në dialog dhe më transnacionale. Në këtë kuptim, nuk është vetëm dialog ndërmjet shteteve-kombe, por edhe midis qenieve njerëzore, me një sistem ndërveprues, të ndërlidhur që krijon një rend ndërkombëtar. Prandaj, njerëzimi në këtë fazë ka nevojë për një qeverisje globale të bazuar në rregulla dhe vlera shumëpalëshe, konsensuale, të drejta dhe gjithëpërfshirëse.

Ahmet Davutoglu

Përktheu: Kevi Muçllari


 

1Unintended purpose” – qëllim i paqëllim. Domethënë mungesa e qartësisë së këtyre koncepteve, e cila i shërben justifikimit të përfaqësuesve përgjegjës të sistemit, megjithëse mund të mos jetë kjo ajo çka ka dashur të shprehë autori, nga konteksti mund të kuptohet se kjo është më afër kuptimit real të fjalëve.
2Loja me shumë zero është një paraqitje matematikore në teorinë e lojës dhe teorinë ekonomike të një situate që përfshin dy anë, ku rezultati është një avantazh për njërën palë dhe një humbje ekuivalente për tjetrën. Me fjalë të tjera, fitimi i lojtarit një është i barabartë me humbjen e lojtarit dy, prandaj përmirësimi neto në përfitimin e lojës është zero.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP