web analytics

Të veçanta

”Mbi Televizionin” – Pierre Bourdieu


Skena televizive dhe kulisat e saj

      Librin e vet “Mbi Televizionin” Pierre Boudieu e nis me një pyetje sa profesionale aq edhe profane: ‘Përse edhe në kushtet e zakonshme njerëzit pranojnë të marrin pjesë në emisione televizive, pavarësisht të gjithave?’ Qasja e autorit realizohet në lidhje me mungesën e kësaj pyetje, çka ai e konsideron si mani për t’u dukur, ose për të qenë ‘i perceptuar’, çka ngjan shumë me teorinë filozofike të Berkley ‘të jesh është të jesh i perceptuar’. Për intelektualët e sotëm, të jesh nënkupton të qenit i perceptuar nëpërmjet televizionit apo gazetarëve. Kjo varësi ka shkaktuar rënien e tyre në mediokritet dhe gazetarët në instrumentalizim.

       Bourdieu mendon se fenomeni i emisioneve televizive prodhon një censurë  të përsosur e cila cënon autonominë për shkak të imponimit të temës,  kushteve të komunikimit dhe kufizimit të kohës. Kjo censurë, sipas tij, ka ndikim politik dhe funksionin si e padukshme. Politika emëron drejtues të lartë dhe nëpunës në televizione të cilët ndiejnë pasiguri për të ardhmen e tyre profesionale të cilën e garantojnë më anë të konfirmizmit politik. Kështu prodhohet tek njerëzit një formë e vetëdijshme ose jo e autocensurës për të cilën ata skanë nevojë të kujtojnë urdhra.

       Një censurë tjetër sipas Bourdieu, është edhe censura ekonomike. Kjo lloj censure nuk ushtrohet vetëm nga pronarët, shteti apo paguesiet e reklamave, por edhe nga koorporatat e mëdha të cilat zotërojnë televizione me influencë. Gazetarët që përvetësojnë këto mekanizma të autocensurës arrijnë të përvetësojnë një imunitet të fortë ndaj analizave të aktivitetit të tyre. Kjo përbën atë që në sociologji quhet ‘dhunë simbolike’. Dhuna simbolike ushtrohet reciprokisht nga ata që e pësojnë dhe nga ata të cilët e ushtrojnë atë në mënyrë të pavetëdijshme. Një shembull të kësaj dhunë autori sheh transmentimin dominues të kronikës së zezë në televizione, çka ka zënë vendet më të rëndësishme të lajmeve.  Në pamje të parë këto tip lajmesh nuk trondisin ndokënd e as krijojnë konflikte, por shumë dendur marrin kohën e njerëzve, një nga gjërat më të vlefshme të jetës. Rëndësia e këtyre kronikave qëndron vetëm në faktin se bëhen shkak për të fshehur gjëra shumë të rëndësishme. 

       “Të fshehësh duke treguar” – ky është emërtimi të cilin Pierre Bourdieu i vendos tendencës për të treguar më anë të televizionit ato gjëra të parëndësishme, por që marrin rëndësi për shkak se zënë vendin e lajmeve më vlerë. Si shembull të lajmeve pa rëndësi autori sjell ngjarje nga periferitë e vendbanimeve. Këto ngjarje gazetarët i koncpetojnë më anë të ‘syzeve’ të tyre të veçanta dhe kanë prirjen për t’i dramatizuar situatat e tilla. Kësisoj ata i emërtojnë lajmet me tituj të fuqishëm,më fjalë të mëdha, për të zmadhuar rëndësinë e pseudo-tragjedive periferike. 

       Bourdieu në librin e tij vazhdimisht pohon se televizioni është një nga mjetet e ndikimit politik.  Një nga format e këtij ndikimi, sipas tij, është edhe ndërtimi i realitetit nga gazetarët,  formësimi i një pikpamje të caktuar mbi ngjarjet dhe fenomenet, të cilat ndikojnë drejtëpërdrejtë në vetëdijen mbi realen. Kështu televizioni kthehet në një mjet që shkruan apo parashkruan botën shoqërore.

       Mania e televizioneve dhe gazetave për të soditur përmbajtejen e lajmeve dhe informacioneve të mediave të tjera prodhon një rreth vicioz të qarkullimit të të njëjtave tema dhe trajtimin e informacioneve të ngjashme. Produkti konsiston në një mbyllje apo izolim mendor, pasi mediat nuk shqetësohen shumë për këtë çështje, por luftojnë për reputacion dhe dominim në konkurrencë me mediumet e tjerë.

        Dilemës se a mund të transmetohet mendim më anë të televizionit, autori i përgjigjjet me një logjikë të mprehtë. Ngutja për të realizuar programin dhe kufizimet përkatëse nuk i lë hapësirë të ftuarit të mendojë saktë dhe drejtë. Si shembull për argumentimin e vet ai sjell Platonin i cili tregonte se në agora njerëzit nuk kanë kohë për të menduar ,vetëm filozofët që kishin kohën dhe komoditetin përkatës mund të mendonin, sepse të menduarit është arisktokratik në këtë kuptim.

       Sa i përket debateve televizive, Bourdieu ndalet tek fakti i të qënit të debatuesve  miq prapa-skene apo përtej publikut. Pak a shumë, oponencat e tyre ndaj njëri-tjetrit realizohen me anë të një konsensusi të dukshëm. Gjithashtu, edhe roli i prezantuesit në reduktimin e përmasve të shprehjes së mendimeve nga ana e të ftuarve e zbeh tejmase efektin e përcjelljes së lajmet apo mendimit në origjinalitetin dhe plotësinë e vet. Edhe kompozomi i skenës, në gjithë dimensionet e saj; pozicioni i të ftuarve, sfondi, formati i emisionit kategoria e të ftuarve etj, kanë ndikimin  e vet në vlerën e debateve. 

Struktura e padukshme dhe efektet e saj

       “Bota e gazetarisë është një mikrokozmos që ka ligjet e saj e që përkufizohet prej pozitës së vet në rendin global, nga tërheqjet dhe shtytjet që pëson prej mikrokozmove të tjerë.” ; kështu e interpreton Bourdieu gjendjen dhe rolin e medias në fundin e mijëvjeçarit të dytë. Këtë faktorizim të tillë dhe efektet që ai prodhon, sipas autorit,  nuk janë produkt vetëm i  ndikimit ekonomik, por ka struktura të padukshme të cilat përcaktojnë rregulla dhe ligje të caktuara brenda botës mediatike. Kështu, për të kuptuar atë çka ndodh brenda një televizioni, duhet marrë parasysh gjithë bashkësia e forcave objektive të gazetarisë.

       Ashtu si në çdo dimension të jetës shoqërore,  edhe në fushën e gazetarisë ekziston një hapësirë e strukturuar e ndërveprimit të forcave: aty ka të nënshtruar dhe nënshtrues, ka marrëdhënie të qëndrueshme pabarazie. Nga mënyra e bashkëveprimit brenda këtij universi, çdo aktori social i caktohet pozita dhe strategjia. Sa i përket konkurrencës ekonomike mes kanaleve televizive,  këtë proces e kryejnë gazetarët duke konkurruar me njëri-tjetrin. Kësisoj, edhe ajo çfarë shkruan një gazetar, ndikohet nga qasja e tij personale ndaj fenomenit për të cilin shkruan, nga pozita që mban në median përkatëse, por edhe prej pushtetit që zotëron organi i tij i shtypit.

       Televizioni shpërfaq informacione të cilat për njerëzit nuk përbëjnë ndonjë substrakt të veçantë, thelbësor.  Lajmet zakonisht përçojnë dije të cilat nuk ndikojnë në sferën e strukturave të mendimit dhe nuk evoluojnë mënyrat e të menduarit të njerëzve.  Rezultati i përcjlljes së lajmeve prodhon forca të cilat vënë në pah veç banalitet , kronika dhe ngjarje nga përditshmëria të cilat nuk e ndryshojnë jetësën mentale dhe sociale të komunitetit. Madje,  këto aspekte banale transmetohen prej gazetarëve nëpërmjet një moralizimimi i cili është konform vlerave ekzistuese. 

        Bourdieu thekson faktin se në vitet 90’ televizioni ndryshoi fokusin e programeve të  transmetimit. Nga programe më natyrë kulturorë, çka karakterizonte televizionet e viteve 50’, u kalua në programe që synonin të plotësonin shijet e publikut për të rritur audiencën. Mirëpo këto produkte përcillen bruto dhe përmbajnë mjaft banalitete.

       Një fenomen të cilin autori e trajton në librin e tij është edhe ai i bashkëpunimit që ekziston midis gazetarëve dhe pseudo-shkencëtarëve. Në sajë të këtij ndërveprimi realizohen vlerësimet ndaj filozofëve, historianëve, shkencëtarëve etj, të vërtetë,  dhe janë pikërisht këta pseudopërfaqësues të disiplinave të dijes të cilët tregojnë se sa është kompetent filan dijetar apo filan shkencëtar. Duke pasur të drejtën e të qenit para ekraneve më shumë se profesionistët e vërtetë të shkencave; këta lloj gazetarësh dhe pseudo-intelektualësh të cilët bashkëpunojnë për të lartësuar imazhin e tyre e nga ana tjetër për të zhvlerësuar imazhin e profesionistëve, E përdorin audiencën për të promovuar revista dhe libra. Botimet e tyre mund të mos kenë kurrfarë vlere shkencore apo artistike, por ndikimi që ata ushtrojnë ndaj masave i bën ata më të suksseshëm në shitjen e botimeve. 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP