web analytics

Të veçanta

SOFT POWER

Nga Kevi Muçllari

Nocioni i pushtetit të butë, sipas studiuesit të DP, Joseph Nye

       Pothuajse të gjithë janë të njohur me nocionin e pushtetit të butë i cili është përkufizuar si “aftësia e një shteti për të ushtruar ndikim ose për të marrë përfitime jo nëpërmjet forcës, por nëpërmjet tërheqjes që një shtet ushtron karshi të tjerëve” (Soft Power, Joseph Nye). Pak a shumë ky është përkufizimi që i jep Joseph Nye “pushtetit të butë” dhe i cili përgjithësisht është pranuar nga shumica e studiuesve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Siç edhe mund të dihet ky është një koncept i cili është bërë popullor pas përfundimit të Luftës së Ftohtë (Joseph Nye, po aty), ndaj edhe është e rëndësishme të mbahet parasysh ky fakt, sepse na informon mbi një moment kulminant të zhvillimit të ngjarjeve botërore (Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit, Francis Fukuyama) (paçka se kjo tezë tashmë është vërtetuar si e gabuar).

       “Pushteti i butë” mund të ketë qenë i pranishëm si element faktik përgjatë shumicës së kohës në rendet e ndryshme botërore, por i përvijuar konceptualisht ndoshta vjen me Joseph Nye dhe përpjekjen e tij për të bërë një ndarje midis hard power dhe soft power. Kjo ndarje nuk duhet kuptuar si një hendek i papërshkueshëm midis dy pushteteve, por më tepër si një tentativë për të evokuar rëndësinë që ka “pushteti i butë”, sidomos gjatë një periudhe të pretenduar si dominante për shkak të vlerave dhe parimeve të saj (Hard Power and Soft Power: The utility of Military Force as an Instrument of Policy in the 21st Century, Colin S. Gray). Periudhë kjo e cila përkon me rendin botëror liberal dhe me përhapjen e demokracisë në shumë pjesë të botës (Vala e Tretë, Samuel Huntington), çka ka sjellë me vete edhe mundësinë për shtimin e propagandimit (ose marketimit) në përkrahje të pushtetit të butë. Përsa kohë që një pjesë e madhe e vendeve ish-totalitare vendosën me vullnet të lirë që të përqafonin sistemin e demokracisë liberale, kjo rrjedhimisht intensifikoi edhe nevojën për ta paraqitur me sa më tepër nuanca vërtetësie dhe njëfarë soteriologjie sistemin në fjalë. Në Bibël thuhet se “E vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Kuptohet qartë se pushteti i butë mund të marrë gjithëfarësoj formash në shërbim të një sistemi, i cili për nga natyra e vet e ka të domosdoshme që të mbajë vazhdimisht të karikuar hapësirën publike me pretendimet e veta legjitimiste (Grupet, Rudian Zekthi). Janë pikërisht këto pretendime legjitimiteti që faktorizojnë pushtetin e butë dhe indikojnë një moment domethënës (jo gjithmonë ka momente domethënëse për shtrirjen e ndikimit, ama janë disa momente që lejojnë një punë intensive në këtë drejtim si p.sh. përmbysjet) i cili duhet shfrytëzuar me qëllim shtrirjen e ndikimit.

       Pasi është e qartë se në thelbin e vet edhe soft power ka të bëjë me ndikimin, paçka se shpesh herë një gjë e tillë maskohet me pretendime superioriteti të garantuar. Pra duke qenë se ata që e ushtrojnë pushtetin e butë nuk e paraqesin gjithmonë haptazi qëllimin e vet, ndodh që të kemi pështjellim në lidhje me ndikimin që synohet të arrihet. Por që gjithsesi shtrirja e ndikimit vazhdon të jetë prezente, pavarësisht tentativës për ta mjegulluar ose sforcimit për të mos e vënë re. Ndoshta nuk mund të dihet me siguri, por ka evidenca historike që vërtetojnë se pushteti ose ndikimi ka më tepër qëndrueshmëri atëherë kur kemi të bëjmë me pranim të të vërtetave legjitimuese të tij (Orientalizmi, Eduard Said). Po kështu edhe mundësia për zhvillim dhe prosperim që ofron një rend i caktuar dominant (jo domosdoshmërisht botëror), siguron garanci relative për pranimin e sundimit të atyre që janë në krye të sistemit. Sakaq dihet se është pikërisht soft power ai i cili shërben si amortizues i tensioneve që mund të prodhohen, në një situatë ku pushteti ose ndikimi ushtrohet pa kurrfarë reference kundrejt parimeve ose vlerave. Pra nëse si rregull synohet shtrirja e ndikimit atëherë kur një shtet i forcon pozitat e veta ( Çmimi i hegjemonisë, Robert Kagan), po si rregull nuk mund të pretendohet që ndikimi të pranohet me lehtësi nisur vetëm nga pozitat superiore ushtarake që zotëron një shtet. Sigurisht ka shumë mundësi që ky ndikim të pranohet disi, por kjo vetëm si pamundësi e përkohshme për të ngritur krye kundrejt dikujt i cili të ka kufizuar mundësitë e zgjedhjes. Ç’ka bën të domosdoshme pranimin e fuqisë që ka soft power në rehabilitimin e fuqisë dhe ndikimit në rritje që ushtron një fuqi në zgjerim e sipër. Nënvizojmë, rehabilitim, sepse nuk është soft power mekanizmi qëndror në ngjizjen e kushteve fillestare që bëjnë të mundur përhapjen e ndikimit në masë.

       Po ashtu duhet të kihet parasysh se fuqia që ushtrohet në kushte pabarazie materiale, dhe pa kurrfarë lidhje me ndonjë botëkuptim të pranueshëm (botëkuptim racional, shpirtëror dhe moral njëkohësisht) megjithëse mund të prodhojë ndikim të përkohshëm, e ka të vështirë që të shmangë barbarizmin. (Natyrisht këtu bëhet fjalë për barbarizëm strukturor, ai i cili ushtrohet nga struktura shtetërore dhe jo për barbarizëm aty këtu, i cili mund të ushtrohet nga njerëzit në forma të ndryshme ). Pse ky dallim? Sepse është e rëndësishme të mbahet parasysh tharmi i fuqisë, i cili nëse do të kategorizohej neutralisht do të prodhonte një gjendje fuqie pa kurrfarë thelbi transhendental, por vetëm si fuqi ciklike e përkohshme. Ku kjo e fundit e pa legjitimuar nga e para do t’i jepte të drejtë vetes për t’u ushtruar pa asnjë lloj kufizimi dhe mbi çdokënd që tenton t’i dalë para. Kështu që pavarësisht se fuqia (nënkupto ushtarake) delegon të drejtën fillestare për të shtrirë ndikimin, ajo nuk mund të qëndrojë e shkëputur nga polet e tjera të fuqisë. Pasi janë pikërisht këto pole të tjera fuqie (ku mund të fusim soft power, por edhe fuqinë intelektuale-morale ) që bëjnë të mundur legjitimimin e mjaftueshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e ushtrimit të fuqisë (Bota që krijoi Amerika, Robert Kagan ).

      Pra lidhja që krijohet është e dyanshme, pa patur mundësinë e neglizhencës totale të njërës në favor të tjetrës. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk ekziston një marrëdhënie hierarkike midis tyre, pasi siç shprehet edhe Robert Kagan “Ne na pëlqen të besojmë që triumfi i demokracisë është triumf i një ideje dhe që fitorja e kapitalizmit të tregut është fitorja e një sistemi më të mirë, ndaj dhe që të dyja janë të pakthyeshme. Një ide e mirë s’ngadhënjen dot thjesht për faktin se është më e mirë se të tjerat. Ajo fiton nëse fuqitë e mëdha i dalin asaj për zot”. Qartazi autori prezumon përdorimin e fuqisë ushtarake si faktor kyç në përhapjen e një ideje, e cila edhe pse mund të pretendohet si e vërtetë, nuk ka gjasa që të ushtrojë ndikim të madh në kontekstin e një vakumi force. Edhe nëse një ide vazhdon të ruajë vërtetësinë e vet (kuptohet nëse në momentin e saj të dobësisë nuk anatemohet aq fort sa të ngatërrojë vetveten), ajo nuk mund të dominojë nga vetvetja, nëse vendi që i është rezervuar nga më të fuqishmit e shtyn drejt periferisë. Me siguri që ka njerëz të cilët mund ta përqafojnë një ide si të vërtetë nisur nga yshtja e tyre intelektuale ose nga nevoja e tyre për rehati shpirtërore, por që zakonisht diçka e tillë nuk ndodh në përmasa të gjera ( Si ndryshon gjendja e një populli, Rudian Zekthi ). Mjafton të kujtojmë këtu ushtrimin e gjithëpërhapur të Joga-s në perëndim, e cila dihet se është një praktikë shpirtërore budiste që synon arritjen e pastërtisë shpirtërore përmes kryerjes së ritualeve përkatëse që çojnë drejt gjendjes së Nirvana-s. Natyrisht kjo ide (ose praktikë) është përhapur pa përdorimin e forcës, por kjo ka ndodhur ngase ajo është më tepër një ide mikluese sesa përgënjeshtruese (për aq sa idetë dominuese e kanë të nevojshme legjitimimin e vetes dhe përgënjeshtrimin e të tjerave). Në të kundërt idetë me pretendime dominuese kundrejt gjithë të tjerave, nuk mund të shërbejnë si pyka terapeutike për të mbyllur çarjet e herëpas’hershme të një ideje tjetër dominuese (e cila pretendon vërtetësi në tërësinë e saj). Sepse kjo do të nënkuptonte në mënyrë të pashmangshme kapitullimin, përsa kohë që i lejon vetes të legjitimohet vetëm nën thundrën e idesë dominuese. Pra duke ruajtur inferioritetin e vet në tërësi, por duke e mbajtur me gajret veten se nuk është fare e pavlerë, përkundrazi vlen herë pas here. Ndoshta mund të pyesim se çfarë lidhje ka kjo me përdorimin e forcës ushtarake? E para kjo vërteton deri diku idenë e Robert Kagan se një ide e ka të vështirë të përhapet pa përdorimin e forcës në shërbim të saj, dhe e dyta forca ushtarake amortizon ndikimin gërryes të ideve të tjera. Edhe pse ideja dominuese mund të dështojë herë pas here, forca ushtarake është aty për të mos lejuar kompromentimin total të saj. (Kjo ndoshta na çon drejt një pyetjeje tjetër, çfarë roli luan ideja ose doktrina në ushqyerjen e fuqisë në përgjithësi? Megjithëse kjo do të kërkonte një shkrim tjetër.) Sa më sipër kuptohet që soft power duke i përkitur relativisht rrafshit të ideve (ose kulturës), nuk mund të gjallojë lirshëm pa patur mbështetjen e fuqisë së një shteti në përgjithësi. Megjithëse bota e sotme është bërë më e hapur dhe më e ndërvarur, çka mund të lejojë përdorimin më me efikasitet të soft power, hapja dhe ndërvarësia në vetvete kanë sjellë shumë sfida (Information power and International security, Masahiro Kohara). E para është garantimi i sigursë në një ambient shumë herë më të cënueshëm se sa ai tradicional, çka kërkon më tepër angazhim me sigurinë sesa me lirinë. Dihet që është në një kontekst lirie ku soft power mund të korrë më tepër sukses, sepse edhe gjasat janë më të mëdha që fokusi të jetë tek promovimi i vetes dhe asaj çfarë përfaqëson. Por sakaq në një kontekst të dominimit të sigurisë, nevojitet shumë edhe marketimi i vlerave dhe kulturës për të ulur kundërshtitë që mund të vijnë nga ky lloj konfigurimi.

       Përtej realitetit të botës së sotme (ku kemi një shtim edhe të ndërvarësisë, por edhe të pasigurisë) është e rëndësishme të mbahet parasysh se pushteti i butë është në shërbim të rritjes së fuqisë së vendit. Ndërkaq është fuqia relative e një vendi ajo që garanton suksesin ose jo të soft power, pasi ky i fundit është në shërbim të së parës. Nëse me anë të vlerave dhe kulturës duhen ndikuar të tjerët, nuk kemi të bëjmë tjetër vetëm se me tentativë për të legjitimuar themelet doktrinore të një sistemi ose vendi që e perkrah këtë sistem (ose grup vendesh). Prej nga vjen edhe orvatja për të kombinuar hard power dhe soft power me njëri – tjetrin, me synimin për të avancuar idetë dhe parimet që e mbajnë në këmbë një sistem. Është shumë e vështirë mbërritja e ndikimit vetëm me anë të soft power, ndaj dhe kombinimi i të dyve sjell smart power i cili sipas Teodor Ruzvelt është “kombinimi i duhur i fuqisë së butë me atë ushtarake në kontekstin e përshtatshëm” (Smart Power, Diane Coutu). Jo më kot përmenda më sipër që soft power ka marrë tepër rëndësi pas Luftës së Ftohtë, ngase pas kësaj periudhe u pa e nevojshme që të bëhëshin për vete sa më shumë vende. Natyrisht kjo erdhi pasi ishte bërë e qartë se kush ishte i forti dhe kush i dobëti. Ama momenti qe shumë i përshtatshëm për të pretenduar vërtetësinë e një sistemi kundrejt një tjetri, çka supozohej të arrihej përmes soft power. Gjë e cila vërteton se soft power rezulton më i suksesshëm brenda një arkitekture gjeopolitike me konfiguracion të fuqisë së përcaktuar qartësisht, qoftë kjo edhe përkohësisht.

Referencat

  1. Josepf Nye Soft Power Wilson Center
  2. Josepf Nye Soft Power po aty
  3. Francis Fukuyama Fundi I Historisë dhe Njeriu I Fundit Zenit
  4. Colin S.Gray Hard Power and Soft Power: The utility of Military Force as an Instrument of Policy in the 21st Century Strategic Studies Institute
  5. Samuel Huntington Vala e Tretë AIIS
  6. Gjoni 8:32
  7. Rudian Zekthi Grupet Panorama
  8. Eduard Said Orientalizmi Dy lindje dy Perëndime
  9. Robert Kagan Çmimi I Hegjemonisë Revista Politike
  10. Robert Kagan Bota që Krijoi Amerika IDM
  11. Rudian Zekthi Si ndryshon gjendja e një populli Panorama
  12. Masahiro Kohara Information Power and International Security National Institute of Informatics
  13. Diane Coutu Smart Power Harvard Business Review

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP