web analytics

Të veçanta

Neçajevi si keqkuptim- Nga Armand Dedej

Neve nuk na interesojnë opinionet, por vetëm sistemet. (G. Debord)

Nga: Armand Dedej

Në nëntor të vitit të kaluar (2025), u publikua “Katekizmi i revolucionarit” i Neçajevit i botuar nga “Pika pa sipërfaqe” dhe i përkthyer nga unë. Arsyet që më shtyjnë të ndalem në këtë fakt janë pothuajse të njëjtat, të cilat më kanë nxitur të përkthejë veprën e sipërpërmendur – sigurisht, jo vetëm thjesht ta përkthejë. Por këtyre arsyeve, të cilat do t’i parashtrojë në vijim, i duhet shtuar edhe një tjetër, që është shfaqur pas botimit të veprës në fjalë: ajo e një keqkuptimi të mundshëm. Keqkuptimet mund të ndodhin për arsye të ndryshme. Ka nga ata që keqkuptohen, sepse duan të keqkuptohen; ka nga ata që keqkuptohen, sepse nuk kuptojnë ashtu si duhet; ka nga ata që keqkuptohen, sepse thjesht bëjnë pjesë tek të ashtuquajturit “analfabetë funksionalë”. Madje një ndër arsyet pse kam ngurruar në lidhje me sqarimin e çështjes së Neçajevit, është se numri i personave të kategorisë së fundit është shtuar shumë. Kjo më ka bërë të mendoj, se ndoshta nuk ia vlen të lodhem kot me shpjegime shtesë të këtij lloji.

Deri tani kam “promovuar” vetëm libra që mbajnë autorësinë time. Nuk kam folur në asnjë rast për ato që kam përkthyer nga autorë të tjerë. Në këtë aspekt, Neçajevi përbën përjashtim. Atëherë le t’ia nisim nga kjo.

Arsyet pse nuk i jam referuar veprave të përkthyera nga autorë të tjerë janë disa. Së pari, nuk jam përkthyes profesionist dhe nuk e kam pasion përkthimin. Së dyti, besoj se jam autor veprash vetjake; dhe duke pasur diçka për të thënë, nuk kam kohë të merrem gjatë me ato që kanë thënë të tjerët. Së treti, edhe sikur të isha i angazhuar, entuziazmuar dhe apasionuar pas disa gjërave që kanë thënë të tjerët, më pëlqen më shumë t’i lexoj këto lloj gjëra për vete se sa t’ua “lexojë” të tjerëve duke i përkthyer. Prandaj, nga ana tjetër, nuk kam preferuar as të harxhojë kohën me analiza akademike veprash autorësh të ndryshëm të tipit të disertacioneve, tezave “shkencore”, konferencave dhe referateve. Kam pasur gjëra më të rëndësishme për të bërë se sa të harxhoja kohën me diskutime, dialogje dhe monologje profesorësh; aq më tepër që në kuadrin e degradimit total të arsimit, numri i studentëve po bëhet më i vogël se ai i pedagogëve. Njëlloj siç kemi kapitalistë pa kapitalizëm dhe shkrimtarë pa lexues, po ashtu kemi edhe pedagogë pa studentë. Me fjalë të tjera, ky fokusim tek vetvetja nuk ka qenë vetëm çështje “egoizmi”, por edhe “realizmi”.

Kështu, për të shmangur një keqkuptim të mundshëm, ose të presupozuar po sqarojë se qëllimi i përkthimit dhe botimit të “Katekizmit të revolucionarit” të Neçajevit nuk ka qenë promovimi i ideve të tij. Kjo vihet re menjëherë qysh në rreshtat e parë të esesë së këtij botimi, e cila është paraqitur si parathënie. Aty shpjegohet shumë qartë se rëndësia e Neçajevit është historike dhe jo teorike. Neçajevi është një ndër pararendësit më të rëndësishëm të bolshevizmit. Rasti i tij na ndihmon të kuptojmë më mirë realitetin tonë të dikurshëm stalinist prej të cilit buron ky aktuali i “demokracisë së brishtë”. Prandaj tek eseja e paraqitur si parathënie, “Jeta dhe vepra e Neçajevit”, kam folur më shumë për veprimtarinë e Neçajevit se sa për “Katekizmin” e tij.

Çfarë karakterizon veprimtarinë e Neçajevit është metodika e tij autoritariste, të cilën Bakunini e konsideron si “policore”. Kjo metodikë përshkohet nga logjika makiaveliane, se qëllimi (revolucionar) justifikon çdo mjet. Tek “Katekizmi” bëhet e qartë haptazi, se për të arritur tek revolucioni duhet përdorur çdo mjet, duke filluar nga shantazhet dhe vrasjet e deri tek aleanca me kriminelët ordinerë. Në lidhje me këtë, Neçajevi mund të konsiderohet si një “Machiavelli” i veprimtarisë politike revolucionare. Nëse Machiavelli flet për mjetet që duhen përdorur për ta mbajtur pushtetin, Neçajevi flet për mjetet që duhen përdorur për ta marrë atë.

Mirëpo rëndësia më e madhe e makiavelizmit në vetvete si përqasje, qëndron tek ekspozimi i funksionimit real të pushtetit politik. Machiavelli ka qenë i pari që ka folur për pushtetin politik në mënyrë pragmatike dhe demistifikuese, duke ekspozuar përpara publikut të gjerë mënyrën se si funksionon konkretisht pushteti politik dhe se si ai ushtrohet pavarësisht justifikimeve e preteksteve fetare dhe ideologjike. Të njëjtën gjë manifeston edhe rasti i Neçajevit për sa i përket metodave konspirative dhe puçiste të marrjes së pushtetit, të cilat mund të vazhdohen të aplikohen në mënyrë policore edhe pasi pushteti të jetë marrë në mënyrë revolucionare. Një ndër arsyet pse stalinistët nuk do ta pranonin Neçajevin zyrtarisht – pavarësisht admirimit që Lenini kishte treguar për të duke e konsideruar “titan të revolucionit” – ishte se Neçajevi kishte ekspozuar hapur ato taktika policore, që pushteti totalitar stalinist i aplikonte fshehurazi nën petkun e ideologjisë marksiste. Stalinistëve që pretendonin zyrtarisht se ishin kundër shtypjes së njeriut nga njeriu, nuk mund t’iu leverdiste të pohonin në mënyrë të hapur si Neçajevi, se për qëllime të caktuara (qoftë edhe revolucionare) njeriu duhej instrumentalizuar në mënyrë të pamëshirshme përmes shantazhimit, kompromentimit, spiunimit, persekutimit etj., të cilat çonin pikërisht drejt shtypjes së njeriut nga njeriu. Madje Neçajevi do të akuzohej nga Bakunini pikërisht për këtë! “Ti, miku im i dashur – dhe ky është një gabim i tmerrshëm – je magjepsur nga sistemi i Lojolës dhe ai i Makiavelit, nga të cilët i pari synonte të skllavëronte gjithë njerëzimin, ndërsa i dyti donte të krijonte një shtet të fuqishëm (nuk kishte shumë rëndësi nëse bëhej fjalë për shtet monarkist apo republikan, duke qenë se në të dyja rastet ai do të çonte popullin drejt skllavërimit). Duke rënë në dashuri me policinë dhe me metodat e parimet jezuite, ti synove ta bazosh tek ato organizatën tënde, pushtetin tënd kolektiv sekret, d.m.th. zemrën dhe shpirtin e gjithë shoqërisë tënde. Prandaj ti i trajton miqtë siç trajton armiqtë, përpiqesh t’i përçash ata me dredhi dhe gënjeshtra, madje nxit edhe grindje ndërmjet tyre, në mënyrë që ata të mos jenë në gjendje të bashkohen kundër tutelës tënde. Ti nuk e kërkon forcën te bashkimi i tyre, por te përçarja dhe nuk ke aspak besim tek ata. Ti përpiqesh të mbledhësh fakte të ndyra dhe letra (të cilat shpesh herë i ke lexuar pa pasur të drejtën ta bësh këtë, dhe të cilat madje edhe i ke vjedhur), dhe përpiqesh t’i implikosh ata me çdo mjet, në mënyrë që të bëhen skllevërit e tu.”[1]

Mirëpo nëse këto metoda të kontrollit dhe dominimit mund të vazhdojnë të aplikohen edhe nëse pushteti është uzurpuar si në rastin e regjimit bolshevik, mund të ndodhë që ato të vazhdohen të përdoren edhe kur pretendohet se regjimi në fjalë ka rënë. Pikërisht në këto kushte kemi qenë dhe jemi ne shqiptarët, që kemi pretenduar se ndodhemi në “tranzicionin” e “demokracisë së brishtë”. Ndonëse në aparencë jemi përpjekur t’i ngjajmë sa më shumë të jetë e mundur rendit liberal të Perëndimit, gjithsesi në disa aspekte të caktuara – lidhur me funksionimin dhe ushtrimin e pushtetit politik – kemi qenë dhe jemi më pranë sistemit të dikurshëm stalinist. Me fjalë duam të dukemi si “amerikanë”; ndërsa me vepra jetojmë si “rusë”. I gjithë realiteti ynë social-politik karakterizohet nga një paradoks i tillë, që jo të gjithë kanë qenë në gjendje ta perceptojnë. Një ndër treguesit kryesorë që e dëshmojnë këtë, është ekzistenca e disa prej taktikave të Neçajevit, të cilat vihen re në të gjitha nivelet e dinamikës së jetës sonë sociale të përditshme. Nëse jemi ankuar dhe vazhdojmë të ankohemi për autoritarizëm politik dhe oligarkizëm ekonomik, kjo ndodh sepse në rastin tonë vazhdojnë të aplikohen disa metoda dhe mënyra veprimi si ato të regjimit të dikurshëm stalinist, të cilat i gjejmë të shprehura qartë dhe hapur tek “jeta dhe vepra” e Neçajevit. Pikërisht për këtë arsye vendosa t’ia servirja atë publikut shqiptar. Përmes njohjes së Neçajevit mund të njohim më mirë vetveten. Sigurisht, për këtë nevojitet shumë më tepër se kaq. Neçajevi është thjesht një e dhënë historike, e cila duhet marrë parasysh në të njëjtën masë që nuk i jemi larguar politikisht të shkuarës sonë historike. Por pikërisht këtë manifestojnë edhe disa nga parullat e protestës aktuale rreth çështjes së Zvërnecit, si “Shqipëria kërkon revolucion!”, “PD, PS – këlyshë të komunizmit!”, apo edhe ajo e famshmja “Poshtë komunizmi!”. Nuk besoj se është krejt rastësi, që në parulla të këtij lloji nuk ka asgjë bashkëkohore!

                                                                                                                                  Gusht 2026


[1] Letër e Bakuninit për Neçajevin, 2 gusht 1870, Neçajev S., “Katekizmi i revolucionarit”, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2025, f. 49-50

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP