web analytics

Të veçanta

Një “rikthim” tek Marxi ose Marxi si pretekst për “ekonominë politike”- Nga Armand Dedej

Nga: Armand Dedej

 “Punëtori jo detyrimisht fiton kur përfiton kapitalisti, por detyrimisht humb kur edhe ai humb.” – K. Marx

            Në shkrimin“Majtizmi i protestës dhe ekonomia politike e Shqipërisë”, kam sugjeruar se E Majta mund të ringjallet politikisht vetëm nëse rikthehet tek çështjet ekonomike, apo tek e ashtuquajtura “ekonomi politike” e kohërave të Marxit. Për ironi të fatit, ndonëse jam shprehur se nuk bëhet fjalë për një rikthim tek vetë Marxi, më rezulton se ky i fundit mund të na shërbejë si pretekst për “ekonominë politike”. Kështu, për t’u “rikthyer” tek “ekonomia politike”, le të “rikthehemi” pikërisht tek Marxi.

Para një viti (2025) është botuar nga shtëpia botuese “Pika Pa Sipërfaqe”, vepra rinore e Marxit, “Dorëshkrimet ekonomiko-filozofike të vitit 1844”. Ajo ka qenë e vetmja vepër e rëndësishme e tij, që nuk ishte përkthyer në shqip gjatë diktaturës tonë staliniste të Enver Hoxhës. “Dorëshkrimet” nuk paraqesin një “Marx” romantik në raport me atë të mëvonëshmin me pretendime ekonomike shkenciste të “Kapitalit”. Përkundrazi! Ato shënojnë pikënisjen e rrugëtimit filozofik, që do të rezultojë tek ekonomia politike e “Kapitalit”. “Dorëshkrimet” janë vepra e parë ekonomike e Marxit. Deri më parë ai kishte shkruar vepra me karakter filozofiko-politik si “Mbi çështjen çifute” dhe “Rreth kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës”. Do të jetë eseja e Engelsit, “Skicë e kritikës së ekonomisë politike”, e përfunduar në Janar të 1844-ës, ajo që do ta nxisë Marxin ta përqendrojë vëmendjen e tij tek ekonomia politike, për të ndërmarrë, në këtë mënyrë, një “kritikë” të “ekonomisë politike klasike” edhe më sistematike se ajo e Engelsit.

Përqendrimi i vëmendjes së Marxit në mënyrë përfundimtare tek ekonomia politike, nuk bëhet për t’u larguar në mënyrë pragmatiste nga filozofia, por për ta bërë ekonominë objekt të filozofisë. Ekonomia politike bëhet alfa dhe omega e ndërthurjeve të komponentëve të sipërpërmendur të mendimit marksist. Nuk është e vështirë të vihet në dukje, se në qoftë se për Hegelin filozofia duhej të bazohej tek historia, për Marxin ajo duhej të orientohej nga ekonomia. Por kjo nuk është thjesht çështje preference skolastike – të paktën në rastin e Marxit. Ky i fundit do të aderonte tek materializmi jo për të kundërshtuar idealizmin e Hegelit thjesht sa për variacion, por sepse zhvillimi galopant i kapitalizmit gjatë epokës post-napoleoniane të Pax Britanica e bëri të mendonte se forcat lëvizëse të historisë nuk janë shpirtërore, por materiale. Siç do të theksonte me të drejtë Marcuseja, analiza marksiste do të bazohej në premisa filozofike materialiste, sepse vetë realiteti social kapitalist ishte thelbësisht materialist. “Teza materialiste që përbën pikënisjen e teorisë marksiste pohon në këtë mënyrë, para së gjithash, një fakt historik, duke shpalosur karakterin materialist të rendit mbizotërues, në të cilin ekonomia e pa kontrolluar dominon mbi të gjitha marrëdhëniet njerëzore.”[1] Konstatimin e këtij fakti (“historik”), Marxi do ta artikulojë pikërisht tek “Dorëshkrimet”, përmes konceptit të punës së tëhuajëzuar që karakterizon prodhimin kapitalist, i cili do të jetë një koncept që zë një vend qendror tek vepra në fjalë. E thënë shkurt, puna e materializuar tek malli dominon ekzistencën e prodhuesit të tij (punëtorit), për sa kohë që shoqëria kapitaliste është një shoqëri e prodhimit dhe konsumit të mallrave, ku një prej të cilëve është dhe vetë puna që i prodhon ato. Punëtori nuk zotëron vetveten, sepse i duhet të shesë fuqinë e tij punëtore (paga), në mënyrë që përmes kësaj të blejë produktin e punës së vet (mallin). Punëtori është i huaj ndaj botës që ai vet ka krijuar dhe krijon, – botës kapitaliste të mallrave – sepse vet kjo botë që nuk i përket është e huaj për të.

Së pari, vetë koncepti i tëhuajëzimit, që përmendëm më lart, i cili përbën kontributin më origjinal të “Dorëshkrimeve”, është importuar nga filozofia (Hegeli dhe Feuerbachu), ku rolin më të rëndësishëm e ka luajtur kapitulli IV i “Fenomenolologjisë” së Hegelit, në të cilin flitet për raportin padron-skllav si manifestim i “vetë-ndërgjegjes” njerëzore.[2] Por nëse tek Hegeli, tëhuajëzimi paraqitet në formën “ekzistencialiste” të një uni (ego) tjetër që s’është uni im, tek i cili uni im duhet ta gjejë veten në formën e luftës për afirmim, apo pranim (d.m.th. afirmim dhe pranim të unit tim prej këtij uni tjetër), tek Marxi tëhuajëzimi transferohet në fushën ekonomike të prodhimit material (punës). Ndërvarësia abstrakte e individëve transferohet në kuadrin konkret të dominimit (“humanizimit”) të natyrës nga puna njerëzore. Konceptet mitologjike të Hegelit “padron” dhe “skllav”, shndërrohen në ato historiket “kapitalist” dhe “punëtor”. Individi abstrakt i Hegelit shndërrohet në punëtorin me mëditje, apo proletarin e Marxit. Tashmë individi duhet ta gjejë afirmimin e vetes në formën e luftës (klasore) për përvetësim nga punëtori të produktit të punës së vet. Pikërisht kjo është tema qëndrore e “Dorëshkrimeve”, e cila buron nga një frymëzim filozofik si ndikimi i një filozofi me “F” të madhe i staturës së Hegelit. Por ky lloj ndikimi, siç dhe kemi përmendur, shtrihet më tej edhe tek “Kapitali”.

Ky aplikim i koncepteve dhe metodave filozofike në ekonomi të krijon përshtypjen sikur Marxi e trajton ekonominë si një tërësi të dhënash empirike, që duhet të përpunohen dhe kategorizohen me ndihmën e mendimit filozofik. Sigurisht, në një aspekt të përgjithshëm logjik, Marxi e ndërton përqasjen e tij ndaj dukurive ekonomike realisht në këtë mënyrë. Por kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë sa ç’mund të duket në pamje të parë; aq më pak mund të konsiderohet një gjë e tillë si një shpikje ekskluzive e Marxit, siç priret ta paraqesë Hyppolitei.

Do të ishte Proudhoni, i cili, përpara Marxit, do të aplikonte koncepte dhe metoda filozofike në shqyrtimin e realitetit ekonomik, në veprën e tij të famshme “Ç’është prona”, e cila përshkohet nga disa “antinomi” si ato të Kantit tek “Kritika e arsyes së kulluar”. Veç kësaj, në kohën e Marxit ekonomia ishte tashmë një shkencë e mirëstrukturuar nga pikëpamja konceptuale, e cila posedonte koncepte vetjake. Kështu, Marxi e nis hulumtimin e tij me konceptin e punës si diçka esenciale nga pikëpamja ekonomike jo vetëm sepse synon të përmbysë metodologjinë e Hegelit, por edhe për shkak se vetë babai i ekonomisë politike, Adam Smithi, e nis kryeveprën e tij të famshme, “Pasuria e kombeve”, duke analizuar pikërisht konceptin e punës njerëzore. Ja, pra, ku sapo kaluam ashtu si pa e kuptuar, nga “idealizmi gjerman” (filozofia) tek “ekonomia politike angleze” (ekonomia)!

Adam Smithi bën një përmbysje në ekonominë politike përmes përcaktimit të punës si burimin e pasurisë së shoqërisë. Merkantilistët kishin shpallur paranë si burim të pasurisë dhe, në bazë të kësaj, shtetet monarkike të ancient régime synonin të akumulonin sa më shumë monedhë në trajtë thesari dhe të eksportonin sa më pak prej saj jashtë vendit. Pikërisht këtë lloj mendësie stanjative ka parodizuar Molieri tek “Kopraci” i tij i famshëm. Adam Smithi iu kundërvu kësaj pikëpamjeje sa fetishiste aq edhe parazitare, duke sugjeruar se burimi i pasurisë së shoqërisë njerëzore nuk është paraja, por puna. Paraja është masë nominale e vlerës, ndërsa puna është krijuesja e saj reale.[3] Vlera e mallit konsiston në sasinë e punës që është harxhuar për prodhimin e tij. E gjithë analiza marksiste e procesit të prodhimit kapitalist do të bazohet mbi këtë konstatim të Adam Smithit, të konsideruar tashmë si aksiomë.

Pavarësisht të metave që përmban teoria e vlerës nga puna, prej së cilës Marxi do të deduktonte idenë e mbivlerës si punë e papaguar e punëtorit që përvetësohet nga kapitalisti në formën e fitimit, gjëja më e rëndësishme është prirja për të shkuar drejt një analize tërësore të sistemit kapitalist. Kjo vihet re jo vetëm tek vepra “Kapitali”, ku mbivlera shpallet si një zbulim i madh shkencor që ka zgjidhur misterin e kapitalit si vlerë që rrit vetveten, por sidomos edhe tek vepra në fjalë e “Dorëshkrimeve”. Madje tek kjo e fundit një gjë e tillë spikat akoma më tepër për vet faktin se marrëdhëniet kapitaliste analizohen pa u reduktuar tek problemi i vlerës. Nëse tek “Kapitali”, Marxi e ndërton analizën e tij tërësore të sistemit kapitalist, duke u bazuar në analizën e punës si burim i vlerës, tek “Dorëshkrimet” kemi të bëjmë me një kalim të menjëhershëm në totalitetin e marrëdhënieve kapitaliste. “Dorëshkrimet” nuk merren me komponentët e vlerës së mallit siç ndodh tek “Kapitali”, por me komponentët e vet sistemit kapitalist prodhimit: punëtorin dhe kapitalistin, apo punën dhe kapitalin. Ka qenë kjo përqasje analitike e nivelit makro me natyrë parimore e “Dorëshkrimeve”, ajo e cila ka bërë që kjo vepër të jetë tepër tërheqëse për studjuesit marksistë me formim jo ekonomik (d.m.th. për filozofët dhe sociologët), ndër të cilët spikasin ata të Shkollës së Frankfurtit dhe të Internacionales Situacioniste.

Por edhe në këtë aspekt të nivelit makro, Marxi është bazuar si gjithmonë tek i njëjti pararendës legjendar: Adam Smithi. Të famshmin karakter kontradiktor të dinamikës së sistemit kapitalist, si një sistem i konkurencës së lirë që prodhon monopolizëm, Marxi do ta deduktojë prej konstatimit të Adam Smithit se interesi i klasës së kapitalistëve është në kundërshtim me atë të shoqërisë.[4] Kapitalistët synojnë drejt rritjes monopoliste të çmimeve, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë – drejt uljes së tyre. Por konkurenca që siguron uljen e çmimeve sjell njëkohësisht, nga ana tjetër, edhe pozitat monopoliste të atyre që i mbijetojnë asaj. Kështu, konkurenca shndërrohet në të kundërtën e vetvetes: në monopolizëm. Një gjë e tillë, d.m.th. suksesi në kushtet e konkurencës, përcaktohet nga përmasat e kapitalit. Sa më i madh të jetë një kapital, aq më shumë ai rritet dhe, për pasojë, i mbijeton konkurencës. Pasurimi i më të pasurve dhe varfërimi i më të varfërve realizohet pikërisht në këto kushte, të cilat janë kushtet e zhvillimit të natyrshëm të sistemit kapitalist të laissez faire. Tëhuajëzimi i punëtorit realizohet pikërisht në këtë kontekst të akumulimit progresivisht monopolist të kapitalit. Prandaj tek “Dorëshkrimet”, Marxi, përpara se të flasë për tëhuajëzimin e punëtorit, flet pikërisht për këtë kontekst të përgjithshëm të funksionimit të sistemit kapitalist. “Duke qenë se ne dimë tashmë që çmimet-monopol janë sa më të larta të jetë e mundur, duke qenë se interesi i kapitalistëve, edhe nga pikëpamja e pranuar gjerësisht nga ekonomia politike, është në kundërshti armiqësore me atë të shoqërisë, dhe duke qenë se rritja e fitimit vepron mbi çmimin e mallit, nga kjo rrjedh se e vetmja mbrojtje ndaj kapitalistëve është konkurenca, e cila, sipas të dhënave të ekonomisë politike, vepron në favor të rritjes së pagave dhe të uljes së çmimeve të mallrave, që është në avantazh të publikut konsumator. Por konkurenca është e mundur vetëm nëse kapitalet shumohen dhe zotërohen nga shumë duar. Formimi i shumë kapitaleve është i mundur vetëm si rezultat i një akumulimi shumëpalësh; dhe akumulimi shumëpalësh shndërrohet domosdoshmërisht në akumulim njëpalësh. Konkurenca ndërmjet kapitaleve rrit akumulimin e kapitaleve. Akumulimi, aty ku mbizotëron prona private, është përqendrim i kapitalit në duart e pak personave, ai është përgjithësisht një pasojë e pashmangshme e lënies së kapitaleve që të ndjekin itenerarin e tyre të natyrshëm, dhe është pikërisht përmes konkurencës që parapërgatitet rruga për këtë destinacion të natyrshëm të kapitalit. Na është thënë se fitimi prej kapitalit është në përpjestim me përmasat e tij. Kështu, një kapital i madh akumulohet më shpejt se një kapital i vogël, edhe po të mos marrim parasysh konkurencën gjatë një kohe të tillë. Si rezultat i kësaj, akumulimi i kapitalit të madh procedon më shpejt se ai i kapitalit të vogël pavarësisht prej konkurencës.”[5] 

Për ta mbyllur me aspektin ekonomik, i cili tek “Dorëshkrimet” është më parësor se ai filozofik – duke qenë se kemi të bëjmë me vënien e filozofisë në shërbim të ekonomisë – nuk duhet harruar të shtojmë, se qëllimi nuk është të nxjerrim përfundime prej konstatimeve ekonomike të Marxit në funksion të vet Marxit; dhe aq më pak të dalim në të njëjtat përfundime me të. Dihet botërisht se nga konstatime të njëjta mund të nxirren përfundime të ndryshme. Vetë Marxi, për shembull, doli në përfundimin se akumulimi progresiv i kapitalit në kushtet e konkurencës së lirë do të sjellë vetëshkatërrimin e pashmangshëm të sistemit kapitalist. Kjo nuk ndodhi për shkak të rolit të një faktori që Marxi do ta injoronte: shtetit. Ishte pikërisht shteti modern, të cilin Marxi e interpretonte si diçka që kishte lindur prej zhvillimit të kapitalizmit, ai që do ta shpëtonte kapitalizmin nga vetvetja.

Keynesi do të tregonte, se shteti mund ta shpëtonte sistemin kapitalist duke mbajtur nën kontroll dinamikën e tij përmes rishpërndarjes së të ardhurave (taksimit progresiv) dhe rritjes së shpenzimeve publike. Këtë zgjidhje që Keynesi do ta parashtronte në planin kombëtar afatshkurtër, Piketty do ta projektonte më vonë në planin ndërkombëtar afatgjatë përmes konceptit të “taksës globale mbi pasurinë”, duke e konsideruar, në këtë mënyrë, thellimin e pabarazisë në kuadrin e akumulimit të kapitalit, si një problem global për njerëzimin të ngjashëm me ngrohjen globale, apo dhe me ndonjë katastrofë tjetër të mundshme si goditja e planetit tonë nga ndonjë asteroid, apo supervullkan. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është se zgjidhjet e llojit të Keynesit dhe Pikettyit konfirmojnë saktësinë e plotë të asaj që ka konstatuar Marxi (dhe pjesërisht edhe Adam Smithi), se kapitalizmi është një sistem ekonomik, i cili, nëse lihet i lirë në funksionimin e vet të natyrshëm, priret të shkojë drejt vetëshkatërrimit. Kjo tregon se Marxi nuk është krejtësisht i padobishëm! Përderisa tregu nuk është i vetëmjaftueshëm siç do të pretendonte i ashtuquajturi “Ligj i Sayt”, atëherë, në mos “fantazma e komunizmit”, të paktën ajo e Marxit do të vazhdojë të jetë e pranishme. Kjo vlen akoma dhe më tepër në raste krizash globale si ajo e pandemisë së Covid-19 dhe e luftës aktuale të Ukrainës, të cilat, siç ka vënë në dukje Stiglitz, dëshmuan edhe një herë paaftësinë e tregut të lirë të modelit neoliberal për të zgjidhur probleme të këtij lloji.[6] Por nëse këto të dyja do të ishin kriza nga jashtë sferës ekonomike, kriza të tilla si Depresioni i Madh i 1929-ës dhe kriza financiare e 2008-ës do të tregonin të njëjtën gjë nga brenda vet sistemit ekonomik kapitalist. Në këto dy raste të fundit, sistemi ekonomik u shemb së brendëshmi nga logjika inherente e vet funksionimit të tij, d.m.th. nga logjika e “dorës së padukshme” të laissez faire. Kapitalizmi financiar i bankave, i bazuar në fitimin e shpejtë dhe gjigant të spekulimeve virtuale, rezultoi të ishte akoma më tepër i vetëshkatërrueshëm se kapitalizmi industrial klasik i fabrikave të kohërave të Marxit.

Një tjetër shembull që dëshmon karakterin iluzor të idesë së vetëmjaftueshmërisë së tregut është përvoja historike e vendeve ish-staliniste. Shumë ekonomistë të viteve ’90 të shekullit të kaluar besonin se heqja e planifikimit të centralizuar do të ishte më se e mjaftueshme, që në këto vende të lindnin spontanisht tregjet e lira.[7] Duke qenë të përfshirë nga ethet ideologjike të neoliberalizmit, ata nuk arritën të kuptonin se tregjet funksionojnë vetëm në kushtet e rregullimit të tyre ligjor nga shteti, i cili duhet të garantojë të drejtat e pronësisë, detyrimin kontraktor, transparencën, etj., pa të cilat është e pamundur të ketë marrëdhënie kapitaliste të tipit liberal. Kështu, në vend të ekonomisë së tregut të lirë, në shoqëritë ish-staliniste me shtete autokratike u shfaqën të ashtuquajturit “oligarkë” me zotërime monopolistike të siguruara nga një marrëdhënie okulte me shtetin. Kjo tregoi se ekonomia kapitaliste e tipit liberal kishte nevojë për ndërhyrjen institucionale të shtetit jo vetëm për të vazhduar ekzistencën e saj, por edhe që të lindëte si e tillë në ato raste ku nuk ekzistonte – si në rastet e vendeve ish-staliniste, të cilat kishin kaluar nga “feudalizmi” në “socializëm” pa ndërtuar “kapitalizmin”. Gjithsesi, vetë Marxi nuk do ta kishte mbështetur një eksperiment të tillë si bolshevizmi dhe stalinizmi, përderisa kishte qenë gjithmonë i mendimit se revolucioni komunist nuk mund të ndodhte në vendet e pa industrializuara. “Oligarkët” e Europës Lindore dhe “kapitalizmi me vlera aziatike” i Kinës do të ishin pasojë e mirëfilltë e devijimit nga modeli perëndimor i rrjedhës së ngjarjeve, të cilin kishte parasysh Marxi.

Kështu, njëlloj si Marxi, edhe ne duhet të mbetemi ndërmjet filozofisë dhe ekonomisë. Kjo vlen edhe në funksion të përqasjes ndaj vetë Marxit. Ai as nuk duhet rikthyer dhe as nuk duhet braktisur. Çështja është se ai që duhet bërë objekt studimi nuk është Marxi, por realiteti historiko-politik. Marxi duhet përdorur në funksion të këtij të fundit. Ai duhet aplikuar.

Ndoshta do të na duhet të tregohemi konkretë në lidhje me çështjen e aplikimit të Marxit, duke vënë në dukje se analiza marksiste e ekonomisë nuk mund të aplikohet pikërisht për realitetin tonë historiko-politik, i cili është ai i një vend ish-stalinist. Si studiuesit tanë liberalë, ashtu edhe ata marksistë, i kanë konsideruar “oligarkët” tanë sikur janë kapitalistë të mëdhenj të tipit neoliberal. Ata e marrin si të mirëqenë faktin se jetojmë në një sistem liberal të modelit perëndimor, në të cilin akumulimi monopolist i kapitalit është pasojë e mosndërhyrjes së shtetit në ekonominë e tregut. Disa radikalë të majtë s’bëjnë gjë tjetër veçëse ripërsërisin  në versionin marksist të njëjtën mendësi klasike përmes së cilës i janë përqasur realitetit tonë social të gjithë ata që janë përpjekur ta analizojnë atë, duke filluar nga Ylli Polovina dhe Artan Fuga e deri tek Ardian Civici: çështjen e të zgjedhurit ndërmjet një ekonomie sociale të tregut me një shtet intervencionist dhe një ekonomie neoliberale të një shteti minimal, që e lë çdo gjë në dorë të tregut (d.m.th. në “dorën e padukshme” të Adam Smithit). Kjo lloj recete nuk i përgjigjet problemit tonë. Është njëlloj sikur një person që vuan nga dhimbja e kokës të kurohet me ilaçe kundër kapsllëkut. Me pak fjalë, ata na sugjerojnë të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve të ekonomisë së tregut, ndërkohë që ne nuk kemi fare ekonomi tregu.

Realiteti ynë social-politik nuk është i tipit liberal, si nga pikëpamja shtetërore, ashtu dhe nga ajo ekonomike. (Pikërisht këtë jam përpjekur të tregojë edhe tek libri im “Intepretime filozofike dhe politike” teksa kam bërë dallimin ndërmjet autoritarizmit lindor me kapitalizëm shtetëror dhe demokracisë perëndimore me kapitalizëm liberal.) “Oligarkët” e modelit lindor si këta të tanët, nuk janë krijuar nga konkurrenca e tregut të laissez faire, siç thotë Marxi tek “Dorëshkrimet” teksa shpjegon krijimin e monopoleve kapitaliste prej konkurrencës së lirë. Këta “oligarkë” nuk janë krijuar nga tregu, por i janë imponuar dhe i imponohen tregut në mënyrë të paracaktuar. Ata janë krijuar nga shteti dhe favorizohen nga shteti, por jo në një mënyrë institucionale dhe legale. Janë krijuar nga privatizimet nomenklaturore e aparatçike të pronave të shtetit të dikurshëm dhe bazohen në koncesionet dhe PPP-të crony e jobbery të shtetit të sotshëm, duke paralizuar paraprakisht konkurrencën dhe funksionimin normal të tregut. Në këtë kontekst barbar, nuk shtrohet aspak çështja se në ç’masë duhet ta bazojë shteti ekonominë tek konkurrenca e tregut të lirë. Kjo e fundit thjesht nuk ekziston. Ajo nuk është lejuar dhe nuk lejohet të zhvillohet, duke qenë e penguar nga vetë shteti – njëlloj si në kohërat e shtetit stalinist. Prandaj në këtë rast nuk kemi njëkohësisht as “shoqëri civile” në kuptimin klasik të fjalës – përsëri njëlloj si në kohërat e shtetit stalinist. Është pikërisht kjo ngjashmëri me kohërat e stalinizmit, ajo që më ka shtyrë ta përkufizojë këtë realitet jo liberal si “neobolshevizëm”.

Sigurisht, shembulli i mësipërm nuk nënkupton se Marxi është krejtësisht i pavlefshëm, por se ai, ashtu si dhe çdo autor tjetër, duhet përdorur si referencë për aq sa rezulton të jetë i dobishëm nga pikëpamja aplikative, në funksion të njohjes dhe kuptimit të realitetit aktual. Një nga arsyet kryesore pse një aplikues par excellence i Marxit si Debordi, u largua nga grupi Socializëm Ose Barbari,ishte mos aprovimi i idesë pedante për të marrë leksione rreth marksizmit të vërtetë autentik, të cilat Castoriadisi dhe Lyotardi ua jepnin ndjekësve të tyre të rinj. Në të njëjtën mënyrë, më shumë se sa marksizmi në vetvete, ai që na nevojitet është përqasja e tij filozofike ndaj ekonomisë, e cila na sugjeron t’i referohemi asaj në një aspekt të përgjithshëm parimor, duke e lidhur me fusha të tjera të veprimtarisë njerëzore. Le të shpresojmë që ky botim i “Dorëshkrimeve” të Marxit të shërbejë më shumë për një gjë të tillë se sa për njohjen e vetë filozofisë së Marxit – d.m.th. të na shërbejë më shumë neve se sa Marxit. Besoj që është e qartë për këdo, se nuk është qëllimi ta bëjmë Marxin të famshëm! Dihet tashmë se edhe ata që nuk kanë lexuar veprat e tij, nuk e kanë të vështirë për ta njohur si autor, duke qenë se mund ta gjejnë në të gjitha manualet shkollore të historisë së ekonomisë, sociologjisë, filozofisë dhe antropologjisë.

                                                                                                                                Tetor 2026


[1] Marcuse H., “Ragione e rivoluzione”, Mulino, Bologna, 1997, f. 307

[2] Hyppolite J., “Studies on Marx and Hegel”, Harper Torchbooks, 1969, f. 130-131

[3] Smith A., “The Wealth of Nations”, Books I-III, Penguin Classics, f. 133-150

[4] Marx K., “Economic and Philosophic Manuscripts of 1844”, Prometheus Books, 1988, f.40

[5] Marx K., “Economic and Philosophic Manuscripts of 1844”, vep. cit., f.41-42

[6] Stiglitz J. E., “Shock Therapy for Neoliberals”, Apr. 5, 2022

[7] Fukuyama F., “Liberalism and Its Discontents”, Profile Books, 2022, f. 22-23

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP