Këndvështrim mbi marrëdhënien e njeriut me botën
Në këtë botë gjendja e njerëzve ndryshon nga njëri tek tjetri. Njerëz që janë nën dhé, e megjithatë na vizitojnë në ëndrrat tona. Dhe njerëz që janë mbi dhé e megjithatë, nuk na e kthejnë përshëndetjen. Mund të jetosh në kështjellë, mirëpo jeta të është ngushtuar. Mund të jetosh në shpellë, por kraharorin e ke ‘të zgjeruar’ (i lumtur).Mund të jesh i bardhë, mirpo meriton të thirresh ‘i zi’ dhe mund të jesh i zi, megjithatë dritë e bardhësi del nga ty. Mund të kesh vëllezër e prapë se prapë je i vetmuar, e mund të jesh i vetmuar dhe rrethohesh me vëllezër. Mund të shikosh shokët e tu që të godasin pas shpine, sikurse mund të shikosh armikun që të shpëton jetën. Mund të shikosh të pasurit që marrin rryshfete, sikurse dhe sheh miskinët të japin lëmoshë. Të mirat dhe gjestet e këndshme që ke bërë mund të harrohen, por kurresesi nuk humbasin,prandaj, mos u pendo për ato çaste që ke bërë ndokënd të lumtur, edhe pse nuk e meritonte. Mbase do të zhgënjeje edhe ti ndonjë tjetër dhe do të doje që dikush të ta jepte dorën në buzë të greminës. Kur më të mirët goditen në zemrat e tyre, ata premtojnë hakmarrjen dhe sapo u vjen mundësia, si në një pjatë të artë, ndërgjegjia e tyre ka forcën të bërtasë: “Fal,ndërkohë ti ke shancin dhe të drejtën për t’u hakmarrë”.
Mos supozo që tani për të ardhmen tënde. Ka patur njerëz që ishin barinj, por më pas drejtuan popuj, e ka patur popuj që drejtuan botën dhe më pas u zhdukën sikur të mos kishin ekzistuar. Ti je i lirë që t’i urresh sjelljet e dikujt, apo të gjykosh si të duash çfarë nuk të pëlqen, por që nuk është e drejta jote të dëmtosh reputacionin e atij që urren, as të shpreshësh neveri dhe mospëlqim në sy të atij me të cilin nuk bie dakord. Është e pamundur që dikujt t’i shkojë, ajo që për ty është caktuar. Ajo që nuk të ra për pjesë s’kishte sesi të godiste dhe ajo që të priti nuk do i shmangeshe çfarëdo të kishe ndryshuar. Kështu që qetësohu. Të shkuarën kujtoje për të nxjerrë mësimet, por mos u ndal për të kuvenduar.
E pyetën një njeri të urtë: “Cilin do më shumë, vëllain apo shokun?” Tha: “E dua vëllain kur më bëhet shok dhe e dua shokun kur të më bëhet vëlla!” Nuk është për të qarë për dikënd që vdes, por për të qarë është ndërgjegjen kur ajo humbet. Nëse dikush të ka zili dhe urren të të shohë të lumtur, uro dhe lutu të furnizohet me atë lumturi, që ta harrojë tënden. Ne jemi në provim dhe në çdo moment mund të tërhiqet fleta dhe të mbarojë koha jote. Të lutem! Përqëndrohu tek fleta jote dhe lëre fletën e tjetrit. Njeriu i mençur kënaqet edhe nga të ardhurat financiare të pakta. Ndërsa atij që i mungon mençuria, nuk kënaqet as me pasuri materiale të bollshme. Njeriu i zgjuar armikun e bën mik. Ndërsa i pamendi edhe mikun e bën armik. Atij që i janë dhënë mençuria, urtësia, durimi, qetësia, shpresa, forca e mendimit,vizioni i qartë dhe vetëbesimi posedon gjithçka që i nevojitet. Sepse mençuria dhe urtësia të zbulon dijen dhe të udhëheq të njohësh e kuptosh të vërtetën, të drejtën e të mirën. Durimi ju siguron ruajtjen e dhuntive dhe premton ardhjen e mirësive që kërkohen dhe aspirohen. Qetësia ju jep lumturi edhe nëse keni humbur gjithçka. Shpresa është ajo që mban gjallë çdo dëshirë. Forca e mendimit është fuqia më e madhe që posedon njeriu i mençur, ndërsa vizioni i qartë ja qartëson rrugën dhe e afron me objektivat dhe vetëbesimi i siguron shkaqet nga dështimi.
Njeriu mund të ketë shumë pasuri, shëndet, fuqi dhe zgjuarsi. Por nëse i mungon urtësia, ai do të jetë më i mjeri mes të mjerëve. Të paktë janë ata tek të cilët gjenden të bashkuara të gjitha këto cilësi dhe me të vërtetë njerëz të tillë janë bekuar të jenë prej të zgjedhurve. Kënaqësia është burimi i lumturisë dhe siguria është shkaku i qetësisë dhe qetësia është themeli i të ndjerit i kënaqur. Sepse njeriu është i varfër nga frika se mos varfërohet. Ai është i sëmurë nga frika se mos sëmuret. Pritja e fatkeqësisë është më e madhe se vetë fatkeqësia. Bota është aq komplekse sa vete ne, por ne nuk mund ta njohim atë pa kuptuar ç’jemi vetë. Por për fat, këtë e kam kuptuar: Mendja është kushtëzuesi më përcaktues i gjendjes së përgjithshme të njeriut dhe së bashku me shëndetin e zemrës, definojnë mirëqenien e shpirtit, që si një i tërë, përbëjnë njeriun…
Ibrahim Xhepmetaj
Komente