web analytics

Të veçanta

Në Mbrotje Të Sociologjisë

         Sociologjia ka një veçori që tërheq shumë më tepër vëmendje se disiplinat e tjera akademike. Ekonomia mund të jetë një shkencë e mundimshme, e pa interesuar me punët praktike të jetës së përditshme dhe e mbushur me terma që pak njerëz i kuptojnë. Sidoqoftë, sociologjia kritikohet nga çdo aspekt; thuhet se është e copëtuar, nuk ka një temë të qëndrueshme dhe që përdor një gjuhë të pakuptueshme. Çfarë del në pah kur kryqëzoni një sociolog me një anëtar të mafias? Një ofertë që nuk mund ta kuptoni!

      Çfarë është ajo që e bën problematike sociologjinë? Përse sociologjia në syrin e shumë njerëzve është kaq shqetësuese? Disa sociologë mund t’i përgjigjen këtyre pyetjeve duke e konsideruar si injorancë, të tjerë mund të thonë se është frikë. Përse frikë? Sepse për disa sociologë mund të jetë tërheqës mendimi që sociologjia është e rrezikshme dhe shqetësuese. Këta janë të prirur të thonë se sociologjia është e prirur të shkatërrojë. Sociologjia provokon si pikëpamjet që kemi për jetën tonë personale ashtu edhe ato që kemi për kontekstin social më të gjerë brenda të cilit ndodhemi. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë me radikalizmin politik. Sipas shumë njerëzve në vitet 1960 disiplina e sociologjisë arriti pikën kulmore të këtij disfatizmi.

         Megjithatë, në fakt sociologjia në vitet 1960 dhe 1970 jo vetëm që nuk kishte lidhje me revolucionistët, por as me të majtën në thelb. Krahas cilësimit të saj si opozitë, ajo ishte e ekspozuar edhe ndaj kritikave intensive të marksistëve të shkollave të ndryshme të cilët e shikonin atë si reflektim i pastër i rendit borgjez.

            Në fakt zhvillimi i sociologjisë nga disa aspekte ka një histori të gjatë dhe të lidhur me të djathtën. Max Weber i cili njihet nga të gjithë si një nga themeluesit klasik të sociologjisë ka qenë i prirur më shumë djathtas se majtas dhe i ka kritikuar fuqishëm ata të cilët në kohën e tij vetëshpalleshin si revolucionistë. Vilfredo Pareto dhe Robert Michels nga fundi i jetës së tyre kanë flirtuar me fashizmin italian. Shumë sociologë, me shumë mundësi për shkak të prirjeve politike dhe temperamentit janë bërë liberalë. Kjo situatë vlen për Emile Durkheim dhe shumë sociologë të tjerë të rëndësishëm të brezave të mëvonshëm si R. K. Merton, Talcott Parsons, Erving Goffman dhe Ralf Dahrendorf.

        Sociologjia në SHBA – vendi ku ajo është zhvilluar prej vitesh -, kohët e fundit po kalon një periudhë të vështirë. Para disa kohësh sociologu Irving Louis Horowitz botoi librin e titulluar  The Decomposition of Sociology (Copëtimi i Sociologjisë) në të cilin shprehej se “nga të shkruarit më shumë se sa krenari ndjej dhimbje”. Horowitz hodhi idenë se sociologjia po shkon për keq. Kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbyllën tre departamente të sociologjisë. Një nga këto departamente ishte edhe departamenti i rëndësishëm i sociologjisë në Universitetin e Washingtonit në St. Louis ku vetë Horowitz kishte punuar disa kohë. Në Universitetin Yale i cili strehon një nga dapartamentët më të vjetër të sociologjisë në vend, u prenë pothuajse gjysma e burimeve për këtë departament. Gjatë 20 viteve të fundit prej 1970, ka patur një rënie të konsiderueshme të numrit të studentëve që studiojnë në këtë degë. Për shembull ndërkohë që numri i studentëve në vitin 1973 ishte 36.000, ky numër në vitin 1994 pësoi një rënie nën 15.000. Por sipas Horowitz problemet nga të cilat po vuan sociologjia nuk e tregojnë veten vetëm në rënien e interesit që kanë studentët për këtë degë. Problemet në fakt kanë të bëjnë me gjendjen e rrezikshme të kësaj disipline. Horowitz shprehet se ndërkohë që më përpara sociologjia nuk kishte asnjë lidhje me pikëpamjet politike, pas viteve 1960 filloi të krijonte një lidhje të fuqishme me to. Sociologjia u kthye në një çerdhe pakënaqësish ku mblidhesheshin grupe të ndryshme të cilët kishin aktualitetet e tyre, duke filluar që nga ata që mbrojnë të drejtat e homoseksualëve deri te përkrahësit e teologjisë shpëtimtare. Sociologjia po copëtohet sepse po afrohet  pikërisht në pikën e “ pseudoshkencës”, për të cilën kritikët mendojnë se sociologjia përmban dhe veçanërisht shumë shkencëtarë me prirje empirike kanë filluar të punojnë në fusha me kufij akoma më të ngushtë si ligji, kriminalistika, demografia, planifikimi urban. Edhe pse përkeqësimi i sociologjisë nuk sjell fundin e studimeve sociale të cilat vazhdojnë të realizohen në shumë fusha, e ka reduktuar shumicën e këtyre hulumtimeve në një empiricizëm të ngurtë, i cili është i varfër për nga udhëzimi i pikëpamjeve të dobishme teorike. Ajo që humbet në fakt është funksioni i sociologjisë për të qenë një qendër bashkuese për degë të ndryshme të studimeve sociale.

         Mbyllja e departamentëve të sociologjisë në Universitetin Washington dhe vende të tjera ndezi fitilin e debateve të nxehta në të cilat u gjend dhe vetë Horowitz. William Julius Wilson i cili njihet për shkrimet e tij në lidhje me të varfërit e vendeve urbane mbrojti idenë se sociologjia është larguar shumë nga problemet aktuale të popullit dhe që duhet të priret më shumë në çështjet e politikave praktike. Për më tepër, ashtu siç vetë Wilson u shpreh, nuk mund të flitet për mungesë të problemeve sociale të cilat mund të analizohen nga sociologët ndërkohë që kemi shkatërrim të qyteteve, thellim si kurrë më parë të ndasisë mes të bardhëve dhe të zinjëve dhe përhapjen e krimeve të dhunshme.

        A ndodhet në telashe sociologjia? Nëse është kështu, është fenomen që i përket vetëm Amerikës apo përfshin të gjithë botën? Apo sociologjia është një shkencë si shuli i derës së jashtme, siç edhe kritikët e saj e kanë prezantuar prej kohësh?

        Fillimisht, le ti hedhim një sy tezës që është bërë si çamçakëz i cili përtypet nga çdo gojë në lidhje me mos pasjen e një teme studimi për sociologjinë. Në fakt ashtu siç ata të cilët punojnë në këtë fushë e dinë shumë mirë, fusha studimore e sociologjisë është e përcaktuar po aq qartë sa e çdo disipline tjetër akademike. Për shembull historia. Kjo disiplinë duket se ka një fushë studimi të qartë; e shkuara. Por “e shkuara” përqafon çdo gjë. Nëse problemi është kufizimi dhe qartësia e fushës që analizohet, duhej që debatet në lidhje me hetimin e natyrës së vërtetë të disiplinës së historisë të ishin shumë më tepër se në sociologji.

        Sociologjia para së gjithash është një disiplinë përgjithësuese e cila merret me modernizmin, me dinamikat dhe karakterin e shoqërive industriale ose moderne. Shumica e problemeve dhe strategjive metodologjike të sociologjisë janë të përbashkëta jo vetëm me disiplinën e historisë, por me çdo fushë të shkencave shoqërore. Nëse temat me të cilat merret janë më eksperimentale është vetë realiteti konkret. Sociologjia mes të gjitha shkencave sociale është ajo e cila çështjet që na interesojnë në jetën tonë të përditshme si zhvillimi i urbanizimit modern, krimi dhe ndëshkimi, identiteti gjinor, familja, feja, pushteti ekonomik dhe social, i studion në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme.

        Nëse marrim parasysh fatkin se hulumtimi dhe të menduarit sociologjik në shoqëritë bashkëkohore janë pak a shumë të domosdoshme, është e pamundur ti kuptosh kritikat sipas të cilave sociologjia nuk është fare iluminuese dhe që nuk është më shumë se sa fjalë të zakonshme të fshehura pas një gjuhe akademike e cila nuk duket aspak tërheqëse. Edhe pse pjesë specifike të sociologjisë mund të jenë gjithmonë të hapura për diskutim, askush nuk mund të thotë  se është e pakuptimtë të bësh (p.sh.) një studim krahasues të raporteve të divorceve që ndodhin në shtete të ndryshme. Sociologët bëjnë çdo lloj studimi i cili për vrojtues të logjikshëm dhe objektiv duket interesant. Për më tepër ka një shkak tjetër i cili nuk bie menjëherë në sy por që bën të duket sikur sociologjia shpjegon thjeshtë fenomene që shpesh herë dihen nga të gjithë. Kjo është e vërteta se hulumtimi social nuk ka qenë dhe as nuk mund të jetë i ndarë nga bota që përshkruan. Studimi social e ka formëzuar kaq shumë një pjesë të vetëdijes sonë sot, saqë e pranojmë pa e vënë fare në dyshim. Të gjithë ne, sensin tonë të përbashkët, kur themi “gjë që e dinë të gjithë” e bazojmë pikërisht në studime të tilla. Për shembull në shoqërinë e ditëve tona të gjithë e dinë se numri i divorceve është i lartë; megjithatë përsëri në themelin e këtij “informacioni të qartë” shtrihen studime sociale të bëra si nga sociologë akademikë ashtu edhe nga studiues zyrtarë. Dalja në pah e rëndësisë që përmban për specifiken dhe ekzistencën tonë shoqërore më pak se sa është, duket si fati i sociologjisë. Jo vetëm studimet eksperimentale, por edhe teorizimet apo konceptet sociologjike mund të bëhen një pjesë e madhe e punëve tona të përditshme si “ gjëra që dihen nga të gjithë”. Për shembull sot shumë njerëz pyesin nëse një lider ka apo jo karizëm, diskutojnë për shqetësimet morale ose për statusin social të dikujt, dhe të gjitha këto janë koncepte të dala dhe të përhapura nga ligjërimi sociologjik.

        Këto konstatime na e bëjnë të vështirë të besojmë se periudha e ndritur e sociologjisë – nëse ka qenë me të vërtetë e tillë – pas viteve 1970 e këtej filloi të copëtohej dhe të pësojë një regres të trishtueshëm. Gjatë 30 viteve të fundit në sociologji kanë ndryshuar shumë gjëra, por jo të gjitha këto ndryshime janë negative. Para së gjithash ka rrëshqitur qendra e pushtetit. Sociologjia Amerikane e cila më parë udhëhiqte sociologjinë e botës e ka humbur tashmë këtë aftësi. Sidomos kur bëhet fjalë për konceptualizime sociologjike, qendra e rëndesës ka rrëshqitur diku tjetër, veçanërish në  Evropë. Soociologë të rëndësishëm si Pierre Bourdieu, Niklas Luhmann dhe Ulrich Beck nuk dalin më nga Amerika por nga Evropa.

          Sociologjia në SHBA, së bashku me grupet kërkimore të cilat janë të fokusuara në fushat e tyre të kufizuara dhe që kanë shumë pak interes dhe informacion në lidhje me temat e të tjerëve, duket sikur është profesionalizuar jashtë mase. Në sociologjinë amerikane të gjithë kanë një “fushë” dhe cilado që të jetë fusha e ekspertizës së një sociologu është pikërisht ajo që përcakton edhe identitetin e tij. Mania për të numërizuar (quantophrenia) është tepër popullore në sociologjinë amerikane. Sipas shumë personave, nëse diçka nuk mund të kthehet në numra duhet të mendohet si inekzistente! Pasoja që ka krijuar kjo mani, të paktën, mund të jetë një mungesë e dukshme kreativiteti.

      Ka një pjesë të madhe vërtetësie në rekomandimin që William Julius Wilson u ka bërë sociologëve. Rekomandimi në fjalë ishte kështu: Sociologët duhet të merren urgjentisht me studime që kanë të bëjnë me çështjet e politikave publike dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në debatet gjithëpërfshirëse që mund të lindin si rezultat i këtyre studimeve. Gjithsesi shumë probleme që dalin në fushën e politikës si mirëqënia, krimi dhe familja janë sociologjike. Studimi sociologjik nuk shërben vetëm për formulimin e problemeve politike në lidhje me këto, por edhe për të parë se çfarë pasojash mund të sjellin politikat që janë filluar.

         Ta rilidhësh sociologjinë me aktualitetin e krijimit të politikave publike nuk do të jetë një përgjigje për çështjet e tjera që kanë të bëjnë me rënien e rëndësisë së sociologjisë. Për shembull, për rrezikun e copëtimit të sociologjisë që shqetësonte dhe Horowitz-in. Po mirë, a është sociologjia një disiplinë nën rrezikun e ndarjes në fusha specializimi që nuk kanë lidhje me njëra – tjetrën dhe as një bazë të përbashkët konceptuale? Dhe a kanë kaluar shkrimtarët më kreativë në fusha të tjera? Ndoshta, më e rëndësishmja, qëndron në humbjen e anës së saj të mprehtë?

        Kur e krahasojmë sociologjinë me ekonominë shihet qartë që ajo ka një brendësi shumë herë më të pasur. Në ekonomi ka shkolla dhe qasje të ndryshme teorike por pikëpamja neo – klasike është pak a shumë dominuese kudo dhe përbën pothuajse brendësinë kryesore të të gjtha teksteve hyrëse. Por sociologjia nuk ndodhet nën robërinë e një sistemi të vetëm konceptual në të njëjtën masë me atë të ekonomisë. Kjo gjendje nuk duhet parë kurrësesi si një dobësi, por si një shenjë pushteti. Unë nuk e shikoj këtë shumëllojshmëri si diçka të ngatërruar, por besoj se mundëson pluralizmin e nevojshëm që duhet të ekzistojë patjetër kur analizohen tema të debatueshme dhe komplekse si institucionet dhe sjelljet sociale të njerëzve.

        A ka ndonjë provë që tregon se shkencëtarë të aftë të cilët më përpara punonin në fushën e sociologjisë tani kanë kaluar në fusha të tjera? Pa dyshim që disa prej tyre në vitet 1960, edhe pse jo për shkak të ofrimit të një rruge që shkon në revolucion, ishin marrë me sociologjinë ngaqë ishte e re dhe e modës; sot nuk mund të flitet për një tërheqje të tillë. Sidoqoftë, shumica e këtyre personave me shumë mundësi nuk ishin të mendimit për të bërë një karrierë brenda kufijve të akademisë. Në fakt, faktorët që kanë ndikuar gjithë botën akademike dhe jo vetëm sociologjinë, janë më tepër shpjegues. Shumë njerëz të aftë të cilët më parë kishin hyrë në jetën akademike, sot me shumë mundësi nuk do të merrnin pjesë, sepse rrogat e akademikëve kanë rënë ndjeshëm njëzet vitet e fundit dhe kushtet e punës janë përkeqësuar.

          Megjithatë përsëri mund të bëhet një konstatim i gjendjes duke thënë se sociologjia angleze sot po bën punë shumë më të mira se sa brezat e mëparshëm. Për shembull le të krahasojmë fitimet e sociologjisë gjatë viteve të fundit me ato të antropologjisë. Në vitet e para të pas luftës ky vend lavdërohej me antropologët e famshëm botëror që kishte dhe pranë tyre nuk kishte ndonjë grup shkrimtarësh sociologë emrat e të cilëve vlenin të përmendeshin.

         Ndërsa tani situata është kthyer përmbys. Ka shumë pak antropologë të brezit të sotëm, dhe këto ndoshta, mund të njësohen me sukseset e brezit të antropologëve që u përmend më lart. Ndërsa sociologjia angleze mund të numëroj mjaft sociologë të njohur në nivel botëror si John Goldthorpe, Steven Lukes, Stuart Hall, Michele Barret, Ray Pahl, Janet Wolff dhe Michael Mann.

           Për më tepër, duke u bazuar në të dhëna të pastra statistikore,  mund të thuhet se sociologjia në këtë vend  nuk ka pësuar rënie ashtu siç ka ndodhur në SHBA. Sociologjia në arsimin parauniversitar është tepër popullore dhe përkundër regresit po njeh zhvillim. Ndërsa për regjistrimet që bëhen në nivel universitar, mundësia më e keqe mund të thuhet se janë të qëndrueshme në raport me degët e tjera.

          Sigurisht që kopështi i sociologjisë nuk është i mbushur me tëndafila, dhe asnjëherë nuk ka qenë kështu. Për shkak se pas viteve 1970 e këtej fondet që ndahen për studimet sociale kanë pësuar një rënie të theksuar, nuk ka mundësi për studime eksperimentale ashtu si më parë. Por nëse vazhdojmë ta shikojmë çështjen nga një perspektivë më ndërkombëtare si ajo e mëparshmja, është e vështirë të thuash se sociologjia ka pësuar regres për nga aspekti intelektual. Sot shumica e debateve që përcaktojnë titujt e temave intelektuale brenda shkencave sociale por edhe ato humane janë në masë të madhe sociologjike. Debatet mbi postmodernizmin, shoqërinë pas industriale, pra shoqërinë e informacionit, globalizmin, transformimin e jetës së përditshme, seksualitetin dhe gjininë, natyrën e familjes dhe punës që ndryshon, “nën klasat” dhe etninë janë drejtuar gjithnjë nga shkrimtarë sociologë.

          Përsëri mund të pyesni se çfarë kuptimi kanë të gjitha këto ndryshime. Ka akoma shumë punime sociologjike që duhen realizuar. Pavarësisht se disa prej këtyre duhen bërë me anë të eksperimentëve dhe analizave, disa të tjera duhet të jenë teorike. Mendimi sociologjik në konceptimin e fuqive sociale që ristrukturojnë jetën tonë në ditët e sotme është shumë herë më i rëndësishëm se të gjitha përpjekjet e tjera intelektuale. Ndërkohë që jeta sociale është e ndarë, e copëtuar dhe e mbërthyer me papërcaktueshmëri të reja i bie për pjesë mendimit kreativ sociologjik të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë po ndodh. Pikëamja e William Julius Wilson është padyshim e rëndësishme: Sociologët duhet të fokusohen të bëjnë analiza udhëzuese të ndryshimeve transformuese të jetës sociale të kohërave të fundit që i shërbejnë ndërtimit të praktikave dhe politikave të nevojshme. Sidoqoftë, nëse sociologjia nuk do të merrej me çështje madhore, ajo do kthehej në një shkencë vërtetë të mërzitshme dhe me shumë mundësi do të ishte shkatërruar me kohë.

        Ndërkohë që neo – liberalizmi së bashku me socializmin ortodoks po largohen dhe po humbasin nga sytë, sociologjia duhet të mund ta dijë përsëri anën e saj të mprehtë. Ndërkohë që disa pyetje që kemi përpara janë pyetje të vjetra të cilat kanë nevojë për përgjigje të reja, disa të tjera janë shumë të reja. Për të mund të ngadhënjyer mbi të dyja ashtu si në të shkuarën, siç na tregon dhe shprehja e famshme e C. Wright Mills, është e nevojshme një dozë e mirë rregulluar e “imagjinatës sociologjike”. Sociologë, mos i humbisni shpresat! Ju keni akoma një botë të cilën mund ta fitoni ose të paktën të mund ta interpretoni.

Përktheu: Ledjo Zeneli

Shënim: Teksti origjinal është shkruar në gjuhën angleze nga sociologu i njohur Anthony Giddens. Ndërsa përkthimi në shqip është bërë nga turqishtja. Gjatë përkthimit janë bërë disa ndryshime të vogla në mënyrë që kuptimi në shqip të dalë sa më i pastër dhe i qartë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP