web analytics

Të veçanta

Shterpësia e reaksionizmit

Nga Kevi Muçllari

      Betejat opozitare që po zhvillohen kohëve të fundit me të drejtë synojnë rivendosjen e balancave në sistemin politik shqiptar. Arroganca e qeverisë në shpërfilljen që i bën opozitës, duket se qëllimisht e detyron këtë të fundit që të intensifikojë aksionin opozitar dhe të radikalizojë veprimet e veta. Nga ana e saj opozita e gjendur përballë shpërfilljes së vazhdueshme (kjo edhe si pasojë e pafuqisë së saj për t’iu imponuar qeverisë) kërkon që përmes aksioneve të veta të mbajë ndezur kauzën e qëndresës (shumica besoj se bien dakord me logjikën e qëndresës aty ku shpërfillja e të drejtave ose keqpërdorimi i besimit bëhen normale). Krejtësisht normale kjo logjikë operimi, përderisa, kemi të bëjmë me një qeveri arrogante (ndoshta kryeministri) e cila mungesën e llogaridhënies e ka shtyrë tashmë në periferi të sistemit politik, për t’i dhënë një vlefshmëri vetëm individualiste. Megjithatë përtej këtyre konstatimeve shqetësuese, opozita nuk mund të shfaqë të njëjtën arrogancë si qeveria në përballjen e vet me shoqërinë. Nëse opozita kërkon të rifitojë mbështetjen e njerëzve, më tepër se sa agresivitet në reagim nevojitet sinqeritet në raport me veten dhe me shoqërinë. Shpërfillja e kërkesave të shoqërisë për një përtëritje të elitës politike opozitare, nuk bën gjë tjetër vetëm se përligj arrogancën e qeverisë karshi opozitës. Me të njëjtën logjikë që Rama justifikon mbrapshtitë e veta, me të njëjtën logjikë ka justifikuar edhe Berisha revanshizmin e vet ndaj kundërshtarëve brenda partisë dhe shoqërisë në përgjithësi. Mjafton të sjellim si shembuj deklaratat e Ramës dhe Berishës, për të kuptuar se si arroganca në raport me tjetrin ushtrohet përmes mbështetjes së shumicës.

      Por ndërkohë që arroganca e qeverisë është e kuptueshme për shkak të pushtetit që zotëron (pushteti jo gjithmonë shoqërohet me arrogancën), arroganca e opozitës del të jetë thellësisht problematike. Kjo ngase opozita nuk duhet kurrsesi të shpërfillë kërkesat apo shqetësimet që burojnë nga njerëzit, për faktin e thjeshtë se moskonsiderimi i tyre cënon ligjshmërinë e kauzës opozitare. Arroganca opozitare për t’u vetëafirmuar përmes teknikaliteteve, duket se e çimenton narrativën e stisur nga vetë opozita, por nuk ofron mundësi afirmimi tek shumica e popullsisë. Pretendimi se sistemi jonë politik është autokratik (ne mendojmë se tiparet autokratike tashmë janë të dukshme), shkon përkrah me narrativën e brendshme opozitare, sipas së cilës mbijetesa e opozitës është beteja kryesore dhe paekuivok që lipset të bëhet në kuadër të kësaj zallamahie politike. Nisur nga kjo, shpërfillja e kërkesave shoqërore duket e ligjshme, pasi shoqëria duhet të kuptojë se beteja në kontekstin e sotëm politik bëhet për hatër të sistemit, i cili pasi të ribalancohet ka për të qenë sërish në shërbim të njerëzve. Megjithatë nisur dhe vetëm nga kjo, opozita duhet të qartësojë se pse i lind ekskluzivisht e drejta për të marrë përsipër përfaqësimin e të gjithëve.

      Duke qenë se opozita kërkon me ngulm që njerëzit të mbështesin përpjekjen e saj (përsa që bëhet për rivendosjen e pluralizmit në vend) del në pah se pretendimet e ngritura nuk janë të mjaftueshme për të fituar legjitimitet përkundër kërkesave të njerëvze. Radikalizimi i përpjekjeve opozitare qoftë edhe si reaksion ndaj sjelljeve të qeverisë, me siguri nuk mund të jetë frytdhënës nëse shumica e shoqërisë e sheh këtë përpjekje vetëm si konfigurim të brendshëm. Ndaj dhe siç duket radikalizimi i deklaratave dhe aksioneve, del të jetë shterp, përsa kohë drejtësia e kauzave përdoret si mjet vetëm për të treguar shpërfilljen e opozitës, pa konsideruar kërkesat shoqërore. Së këndejmi shpërfillja shoqërore ndaj opozitës është një rezultante krejtësisht e kuptueshme, por nga pikëpamja e analizës politike ofron dy mundësi shpresëdhënëse:

      Së pari shpërfillja shoqërore ia bën të qartë opozitës se mungesa e reflektimit vetjak zhbën mundësinë e negociatave me shumicën e njerëzve dhe së dyti pamundësia për të bërë pakt me opozitën aktuale shfaqet si një ofertë e sinqertë që e detyron opozitën të rikonceptojë qëndrimin e saj karshi shoqërisë. Çka do të thotë se përkundër pretendimeve të opozitës për një betejë fillimisht shpërfillëse të shqetësimeve shoqërore – derisa të rikthehet ligjshmëria – duhet bërë detyrimisht përpjekje për të inkuadruar brenda narrativës opozitare shqetësimet e tyre drejtuar opozitës. Paradoksale kjo, por megjithatë e pranueshme brenda logjikës perverse që synon të legjitimojë qeveria. Përderisa qeveria parapëlqen të sillet si arrogante dhe e papërgjegjshme, e ndihmuar nga apatia dhe pavërtetësia e opozitës, kjo e fundit duhet të pranojë paradoksin e llogaridhënies me qëllim që t’i ofrohet mundësia e një rrëfimi shëlbyes. Sakaq kjo do ta ndihmonte opozitën që të imponohej agresivisht kundër qeverisë, sepse tashmë do të përligjej tërësisht përpjekja e saj. Nëse opozita do të rifitonte besimin e shumicës së njerëzve, agresiviteti i saj nuk do të shihej vetëm si heroizëm revolucionar por edhe si përgjigje legjitime ndaj një qeverie të papërgjegjshme. Kësisoj legjitimiteti i kopsitur opozitar do të përbënte vërtet problem për një qeveri të rehatuar, e cila në logjikën e saj operuese kërkon me çdo kusht degradimin e opozitës. Mirëpo pikërisht ky është kurthi tek i cili ka rënë opozita, pasi tensionimi i saj përmes manovrave qeveritare e shtyn atë drejt një gjendje reaksioni i cili synon që të konfigurojë ekskluzivisht aksionet e saj, pa konsideruar asfare refleksionin e domosdoshëm. Preokupimi me gjëndjen e reaksionit ndoshta e ngre moralin luftarak në radhët e opozitës, por nuk lejon që përpjekja e saj të shndërrohet në një lëvizje gjithëpërfshirëse. Bash kjo është ajo çfarë kërkon edhe qeveria.

      Përsa kohë opozita bën beteja që janë të nxitura nga arroganca qeveritare, ajo nuk është më një kërcënim për qeverinë, përkundrazi kthehet në një rrezik për veten e saj. Jo më kot gjatë gjithë kohëve të fundit qeveria (ne mendojmë se pushteti synon mbajtjen e opozitës në një gjendje të dobët) vazhdimisht ka provokuar opozitën, me qëllim që të mbajë ndezur gjendjen topitëse të reaksionit. Ndryshe nga çfarë po deklaron opozita sot se qeverisë i interson më së tepërmi përçarja e opozitës (me siguri që i intereson), ne mendojmë se qeverisë i leverdis më tepër degradimi i opozitës në nivelin e një gjendje reaksioni permanent. Duke vepruar kështu qeveria e di se opozitës i lind e drejta të reagojë kundrejt paudhësive që i bëhen, madje kjo e drejtë fiton ekskluzivitet, meqënëse opozita tashmë ka si betejë rikonfigurimin e saj. E gjithë përpjekja e qeverisë duket se shkon drejt legjitimimit të logjikës opozitare për të fragmentarizuar përkohësisht kauzën e saj. Dhe fatkeqësisht edhe opozita duket se ka rënë pre e kurthit të ngritur, duke besuar se mund të afirmohet tek shumica e popullsisë menjëherë sapo të rifitojë të drejtat e saj legjitime. Besueshëmria e njerëzve tek opozita është pothuajse e thyer, prej nga edhe fragmentarizimi i kauzës duket se synon një fitore kundër qeverisë që do të tejçojë idenë e fuqisë opozitare. Kështu në vend se të ballafaqohet me shoqërinë opozita po synon që t’i imponohet përmes manovrave të veta. E quajmë manovër sepse përpjekja nuk është ballafaqim direkt me të vërtetën që ia imponon shoqëria, por më tepër orvatje për të justifikuar narrativat e vazhdueshme që sfidojnë haptazi realitetin e shoqërisë tonë.

       Ndërkaq këtu krijohet edhe bllofi i dytë, ngase imponimi i opozitës ndaj shoqërisë përmes manovrave sistemike mjegullon mundësinë e një alternative të besueshme për shumicën e shqiptarëve. Angazhimi kryekëput me betejat ekskluzivisht opozitare (nënkupto beteja që shpërfillin kërkesat shoqërore) dhe anashkalimi i ndërtimit të një alternative të besueshme, përforcojnë idenë e një opozite reaksionare e cila reagon vetëm kur cënohen interesat e saj. Neglizhenca për t’u angazhuar me krijimin e alternativës e vendos opozitën në një gjendje reaksioni të dyfishtë, pasi përveçse nxitet që të merret vazhdimisht me qeverinë (sipas nesh e stisur qëllimisht) mjaftohet edhe me deklarata të tipit “ne jemi opozita e vërtetë”. Megjithëse vetë opozita e pranon se ka nevojë për prurje të reja, ajo nuk lejon që prurjet e reja të sfidojnë hegjemoninë aktuale të faktorëve të vjetër opozitarë. Synimi është një llustrim i jashtëm me qëllim që pamundësia e opozitës për t’u afirmuar në popull të davaritet përmes disa prurjeve të reja që do të krijojnë idenë e një hapjeje përtej grupit dominant.

       Sakaq e gjitha kjo shihet se përfundon tek reaksionizmi vetshkatërrimtar i nje grupi të vogël brenda opozitës, i cili kërkon të ruajë dominimin e vet përmes pranimit të reaksionit si e vetmja mundësi prezente në skenën politike. Fatkeqësisht shndërrimi i opozitës në një lëvizje reaksionare e ka çuar atë drejt shterpëzimit të saj, duke qenë se reagimet e vazhdueshme po përdoren për të mjegulluar përfundimisht krijimin e një alternative të besueshme. Tek e fundit kjo është ajo çfarë prodhon reaksionizmi, pamundësia për të prodhuar një alternativë jo vetëm që e komplekson vazhdimisht, por edhe e detyron që të besojë verbërisht tek drejtësia e një kauze ekskluzive. Ndodh shpesh që kauzat të formohen si pasojë e reagimeve kundrejt padrejtësive, ama nuk mund të ndodhë që padrejtësia të kanalizohet për të legjitimuar përpjekjen e fragmentarizuar të një grupi njerëzish, qoftë kjo edhe opozita. Me qëllim që opozita të dalë nga ky qerthull, duhet që kërkesat legjitime të shoqërisë t’i bëjë pjesë të projektit të vet dhe detyrimisht të pranojë se paaftësia për të ndërtuar alternativë vjen si pasojë e konsumit të personave që janë të obliguar ta ndërtojnë. Vetëm përtëritja e lidershipit opozitar ka gjasa ta shndërrojë opozitën nga reaksionare në alternativë të vërtetë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP