web analytics

Të veçanta

UNË NUK JAM KARANTINIER I DËSHPËRUAR

     Siç dihet, bota sot ndodhet nën kthetrat e një pandemie e cila po vërshon duke sulmuar sa mundet prenë e saj; njeriun. Përveç pasojave në humbjen e jetëve, ekonomi dhe të tjera, si rrjedhojë e këtyre natyrisht, ka ndikuar edhe në lindjen e pasojave psikologjike tek njerëzit. Një faktor tjetër i rëndësishëm ndikues në parehatinë psikologjike është qëndrimi për një kohë të gjatë i mbyllur brenda në shtëpi. Duke marrë parasysh këtë që po ndodh, mendojmë se janë të vlefshme disa këshilla dhe udhëzime në lidhje me atë se si duhet të kalohet apo si duhet konceptuar nga ana jonë kjo periudhë “e huaj” për ne,  e të ndenjurit brenda, i kufizuar.

     Së pari, duhet të kuptojmë se njeriu nuk është vetëm qenie biologjike, por edhe sociale. Për këtë arsye reagimi ndaj aspektit social është i mirëkuptueshëm. Njeriu, sikurse zotëron trup biologjik, zotëron edhe trup social. Ky trup social, që të mbijetojë, ashtu si trupi biologjik ka nevojë për ushqim që të mbush ‘stomakun’. Por ndryshe nga ushqimi me të cilin furnizohet stomaku biologjik, ky social furnizohet me ushqim të një natyre tjetër; ajo sociale. Ushqimi social i cili mbush këtë stomak është i rëndësishëm sepse furnizon me energji gjendjen tonë shpirtërore dhe mungesa e tij ose konsumimi në mënyrë jo të shëndetshme destabilizon shëndetin shpirtëror. Duke qenë se marrëdhënia me njerëzit, punën dhe njësi të tjera janë “toka të begata” ku rritet ky ushqim; mos punimi i tyre ka bërë që ushqimi të pakësohet. Meqë u kuptuam deri këtu, atëherë çfarë duhet bërë për të zgjidhur sadopak këtë problem?

     Gjëja kryesore që duhet bërë është të krijojmë kushtet për t’u ‘ngopur’ me këtë ushqim të mangët. Kushtet janë të ndara në tre lloje: 1) Biseda me veten; 2)Leximi i librave; 3)Biseda më shumë se zakonisht dhe më të ngrohta me familjen. Radhitja nga e para deri në të tretën nuk është rastësi por është ndërtuar duke marrë parasysh gradën e rëndësisë të ndërlidhur me supozimin se sa do realizohen këto pika nga njerëzit në përgjithësi. Meqë jemi të  prirur të rrimë më shumë me veten, e para është më me rëndësi. Më pas nëse si pasojë e bisedës me veten lind dëshira për të bërë diçka ndryshe, për të investuar tek vetja për shembull, përse të mos jetë hapi i parë leximi i një libri?! Dhe e treta, është në fund sepse të ndërtosh një bisedë ndryshe dhe më të ngrohtë me familjen kërkon edhe një transformim të sistemit të të menduarit dhe shpirtëror tek njerëzit. Dhe që ky të ndodh dy të parat janë parakushte të pashmangshme.

     Me bisedën me veten dua të them reflektim mbi veten. Kjo kohë e gjatë nëse shfrytëzohet siç duhet na jep mundësinë që të deshifrojmë të gjitha nivelet e koduara të jetës; duke na  bërë të mundur kështu të shikojmë pamjen finale të asaj se çfarë jemi në të vërtetë, ku jemi dhe se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Shumë nga ne nuk kemi kohë për këtë sepse jemi të zënë, si të thuash, me gjëra më të rëndësishme. Por tani që kemi një mundësi të tillë përse mos ta shfrytëzojmë?  Natyrisht, kalimi i secilit nga një nivel tek tjetri nuk mund të jetë i njëtrajtshëm sepse te çdo njeri këto nivele kanë natyrë dhe shifra të ndryshme. Por mendoj ekziston hyrëse të cilën e parashtron ky material: çfarë është vetja juaj për ju, a është ashtu siç do e donit atë, cilat janë gjërat që nuk pëlqeni në veten tuaj dhe çfarë mund të kërkoni nga vetja juaj. Duke u nisur nga eksperienca e shkencave sociale dhe traditat shoqërore, mund të pohojmë se thellimi brenda këtij kuadri do na dërgojë në largësi që aktualisht për ne janë të panjohura, kështu që mos të ngurojmë ta lodhim  të menduarin tonë në të kuptuarin e kësaj çështjeje.

     I dytë është leximi. Leximi ka dobi jashtëzakonisht të mëdha për zhvillimin mendor, kulturor dhe rrjedhimisht edhe në përmirësimin e komunikimit. Leximi i duhur dhe i kujdesshëm në maksimum, bën që të pajisemi me koncepte të reja. “Martesa” me këto koncepte lind frytet e saj; na jep një mënyrë më të thelluar për të kuptuar botën. Bota që ne njohim mbahet e varur nga këto koncepte, pra ne e kuptojmë botën duke i ngarkuar kuptime asaj me anë të koncepteve. Nëse një njeri nuk e njeh konceptin pemë, ai nuk do arrijë dot që ta kuptojë pemën kur të përballet me të. Nëse shikojmë me vëmendje fëmijët do e kuptojmë më mirë këtë; fëmijët gjithnjë pyesin për gjërat që shikojnë për herë të parë sepse në mendjet e tyre nuk ka një koncept i cili ta bëjë këtë gjë të kuptueshme për ta. Ja përse pajisja me sa më shumë koncepte na jep një kuptim më të mprehtë të botës. Dobia nuk mbaron me kaq sepse lidhja e koncepteve me njëri – tjetrin fuqizon të kuptuarin dhe na mëson modele të reja fjalish; gjë që çon në përmrëisimin gradual të komunikimit. Dobia tjetër është se përmes këtij procesi pajisemi me njohuri të reja, kështu që ngritja jonë kulturore bëhet më e shpejtë dhe më e gjerë njëkohësisht. Përveç këtyre, bota e re të cilën do e mësojmë përmes kësaj do të na ndihmojë edhe në dhëniet e përgjigjeve ose shqyrtimin më saktë të tyre për pyetjet e mëparshme në bisedën me veten. Tani, si mund të mos e shfrytëzojmë këtë kohë të domosdoshme për të “vjedhur” pakëz nga ky thesar kolosal?

     E treta siç edhe e thamë më sipër, janë bisedat më intensive dhe më të ngrohta me familjen. Për shumë njerëz kjo nuk është e thjeshtë për arsye të ndryshme. Disa prej tyre nuk janë në gjendje të hapen ndryshe ngase e njohin veten, disa të tjerë mund të mos kenë gjëra speciale për të biseduar. Fillimisht duhet të kuptojmë që çdo njeri ka shumë, madje shumë gjëra për të biseduar me familjen, thjeshtë ai refuzon t’i kërkojë ato. Ka me të vërtetë shumë gjëra. Për shembull mund t’u flasim për botën e re që njohëm dhe do jemi duke njohur gjatë kohës së leximit; në këtë mënyrë, butësisht do arrijmë t’ia imponojmë edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes këtë bukuri kaq dehëse. E dyta, mund të flasim për gjëra që lidhin interesin e përbashkët familjar ose vetjak; i cili është i shumëllojshëm. Mund të përpiqemi të kuptojmë më mirë dhe më me mirëkuptim pjesëtarët e familjes duke qenë se tani kemi kohë më të madhe dhe vëzhgimi në këtë do jetë më i mprehtë. Puna e vazhdueshme ndonjëherë na hedh hi syve dhe kështu na pengon të kuptojmë jetën familjare duke na bërë të ndihemi të ngopur vetëm me disa fragmente, ndërkohë që filmi mund të na japë mesazh plotësisht më ndryshe se sa mendonim në fillim. Përveç këtyre sigurisht që do gjejmë më shumë “gjëegjëza” për të zgjidhur gjatë kësaj kohe, ajo që duhet të bëjmë është thjeshtë të kërkojmë.

     Si përfundim le të biem dakord që kjo është rruga më efektive për t’u ‘ngopur’ me më pak ushqim ose ndoshta, pse jo, me ushqim më të shëndetshëm se i mëparshmi. Shpresoj që ta jetësojmë këtë rrugë dhe të kemi sa më shumë përfitime nga kjo sepse ne nuk duhet të jemi karantinier të dëshpëruar por të fituar.

                                                                  Ledjo Zeneli

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP