web analytics

Të veçanta

Nga revolucioni te filozofia, pjesa e dytë

Nga “revolucioni” te “filozofia”                           

                                         [Pjesa e dytë]


Përgjatë jetës sonë kemi njohur ata shkrues letrar të historisë, të cilët nuk janë përfshirë në çështjet publike. Dhe kemi pasur të bëjmë me politikanë, që në mënyrë konstante prodhojnë ose pengojnë ngjarjet pa menduar shumë për t’i përshkruar ato. Kemi vëzhguar gjithmonë mënyrën se si të parët zbulojnë shkaqe të përgjithshme kudo, ndërsa të dytët jetojnë mes fakteve të përditshme.

 

  1. Sanguinetti

           

Në “Bibël” thuhet: “Në fillim ishte fjala.” Duke sfiduar këtë, Goethe (Gëte) ka thënë te “Fausti” i tij: “Në fillim ishte veprimi.” Në të vërtetë, ky është dualizmi i vjetër shekullor ndërmjet “teorisë” dhe “praktikës”, “shpirtit” dhe “materies”, “ndërgjegjes” dhe “qenies” etj. Duke dashur të theksoja rëndësinë e “teorisë” kundrejt “praktikës”, kam qenë i detyruar t’i referohem në mënyrë të pashmangëshme këtij dualizmi të famshëm klasik. Por i jam referuar atij jo për të mbetur dhe për t’u kufizuar te ai. Nëse “filozofia” i referohet realitetit historiko-politik për t’u rikthyer në mënyrë solipsiste apo egoiste te vetvetja, atëherë ajo vazhdon të mbetet thjesht dhe vetëm “teori” edhe nëse reklamon dhe promovon “praktikën”. Kemi diçka më të rëndësishme për të bërë se sa thjesht të përmirësojmë cilësinë pedagogjike të Departamentit të Filozofisë së Fakultetit të Shkencave Sociale: na duhet të kontribuojmë në përmirësimin e realitetit tonë social-politik. Unë jam për një “filozofi” në shërbim të “historisë”, e cila në pamundësi për t’u aktualizuar duke “bërë për vete masat”[1] siç ka thënë Marxi, duhet të merret me aktualitetin. Vetëm në këtë kuptim dhe vetëm për këtë qëllim, sot më shumë se kurrë na duhet “filozofia”. Dhe pikërisht për këtë arsye, përveç “politikanëve të rinj”, na duhen gjithashtu edhe “intelektualë të rinj”.

Detyra e parë dhe më kryesore e intelektualëve është të qartësojnë veten. Ata nuk mund të “iluminojnë” shoqërinë pa qenë të iluminuar për vete. Një gjë e tillë nënkupton se do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë: te “teoria”. Përderisa edhe Arlind Qori do të pranonte dikur, se nuk duhet të braktisim penën për të kapur pushkën, atëherë nuk kemi arsye që të na vrasi ndërgjegjia për këtë. Kjo tregon njëkohësisht se nuk mund të shpallet si detyrë e intelektualëve braktisja e asaj që ata janë: njerëz të punës mendore. Proletarizimi demagogjik dhe ideologjik i veprimtarisë revolucionare nga marksizmi e presupozonte disi një gjë të tillë, përderisa glorifikonte punën fizike të punëtorit. Për sa kohë që punëtori i thjeshtë ishte shpallur si Mesia i emancipimit politik, puna fizike fitonte përparësi ndaj asaj mendore. Kjo do të ishte një tjetër përmbysje që do të bënte Marxi si materialist, e cila tashmë duhet rikthyer siç ishte në gjendjen e mëparshme. Shoqëria postindustriale e informatizimit të marrëdhënieve të punës dhe të kohës së lirë, na bën të mendojmë se Marxi e ka humbur betejën filozofike me Hegelin dhe me “idealizmin” e këtij të fundit, pikërisht në aspektin praktik. Formula materialiste: praktikë-teori-praktikë, ka kohë që është ribërë: teori-praktikë-teori. Këtë ndryshim perspektive nuk e ka bërë metafizika, por fizika. Përpara se puna e krahut të humbte ekskluzivitetin në procesin e prodhimit, Einsteini do të tregonte në shkencë se ligjet e natyrës krijohen nga studiuesi, dhe Bachelardi do të konfirmonte në filozofinë e shkencës, se ne shkojmë nga teoria në praktikë dhe jo anasjelltas. Manifestimi më kulmor i një gjëje të tillë do të ishte i ashtuquajturi “eksperiment mendor” i Einsteinit në lidhje me konstanten e shpejtësisë së dritës, të cilin ai do ta ideonte në moshën 16 vjeç. Të gjitha këto mund të llogariten si një justifikim shkencor i veprimtarisë profesionale të intelektualit si punë mendore.

            Nëse do të shpreheshim më konkretisht, duke pasur parasysh ato që u thanë më lart, atëherë do të konkludonim se angazhimi i intelektualëve në çështjet social-politike nuk nënkupton se ata duhet të bëjnë punët e të tjerëve. Të presësh që ata të bëjnë këtë, do të ishte njëlloj sikur t’u kërkoje të zhbllokonin pusetat, apo të shtronin rrugët me asfalt. Intelektualët duhet të angazhohen në çështjet social-politike si intelektualë, pa u zbythur nga vendi që ata zënë në shoqëri. Kjo është shumë e rëndësishme të theksohet, jo për arsye të ndonjë aristokratizmi profesional, por që të mos jenë zhbllokuesit e pusetave dhe shtruesit e rrugëve me asfalt, ata që të zënë vendin e intelektualëve, duke marrë përsipër edukimin e masave në vend të intelektualëve. Ne shqiptarët kemi pasur mundësi ta asistojmë këtë jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht – prej përvojës së vyer të “tranzicionit”, në të cilën u kthye me të vërtetë çdo gjë përmbys, duke mos funksionuar ashtu si duhet. Pra, njëlloj si edhe vetë kapitalizmi, edhe ndarja e punës nuk është një dukuri aq reaksionare sa ç’mund të duket në pamje të parë. Përkundrazi! Dhe sikur të mos mjaftonte gjithë kjo, vetë intelektualët janë të parët që duhet ta kenë të qartë këtë fakt! “Në shumë raste vetë dhuntia krejt e veçantë që duket se i shquan njerëzit e profesioneve të ndryshme kur arrijnë pjekurinë, është më tepër rrjedhim se sa shkak i ndarjes së punës. Dallimi midis karaktereve më të ndryshme, midis një filozofi dhe një hamalli të zakonshëm të rrugës, për shembull, duket se lind jo aq nga natyra, se sa nga edukimi, formimi dhe shkollimi.”[2] Prandaj dhe Žižeku i është kundërvënë idesë anarkiste të demokracisë lokale të asambleve popullore, duke argumentuar se nuk do t’i pëlqente aspak të harxhonte kohën kot duke diskutuar çdo mbasdite për çështje administrimi si ajo e furnizimit me ujë, apo dhe gjëra të tjera të këtij lloji, të cilat nuk do të donte t’i bënte ai vetë, por t’i gjente gati nga angazhimi profesional i atyre që duhet të merren me këto lloj gjërash. E vetmja gjë që harron të theksojë Žižeku, është se një gjë e tillë është jo vetëm një miratim i shtetizmit, por edhe i kapitalizmit.

            Kapitalizmi ynë crony me shtetin e tij part-time të “ish-komunistëve” të europianizuar dhe të amerikanizuar, është një dëshmi e faktit se problemi ynë më i madh është pikërisht mos ndërtimi i kapitalizmit (perëndimor) dhe i shtetit të tij (liberal). Nëse “socializmin” e ndërtuam “me forcat tona” – me “kapitalizmin”, përkundrazi, dështuam. Europa nuk na ndihmoi aspak për këtë, pasi ajo mori me “pushime”, apo me bursa pikërisht “ish-komunistët” – duke qenë një gjë e tillë, një ringjallje në miniaturë e paktit stalinisto-hilerian të Mos-sulmimit (1938), që ka përshkuar dhe ndoshta përcaktuar gjithë “tranzicionin” tonë. 

            Kështu, detyra kryesore e intelektualëve është pikërisht të merren me realitetin tonë të kapitalizmit crony dhe të shtetit mafiokratik, i cili funksionon “part-time”, në kuptimin se funksinon vetëm për një pjesë të caktuar njerëzish të privilegjuar. Në vend të bëhen pjesë e “politikës zyrtare” dhe të realizojnë axhendat e politikanëve të kësaj politike të një “tranzicioni” pa fund për në askund, intelektualët duhet dhe duhej të kishin analizuar këtë axhendë, në funksion të gjithë shoqërisë. Me pak fjalë, detyra kryesore e intelektualëve është t’i qëndrojnë besnik statusit të tyre, i cili përcakton rolin e tyre në shoqëri. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë. Te gjërat e tjera duhet të kalohet vetëm përmes kësaj dhe pas kësaj. Nuk mund të kalohet tek angazhimi politik pa u analizuar dhe shqyrtuar konteksti i tij social. Gjëja e parë që duhet të bëjnë intelektualët është kjo e dyta, duke qenë se angazhimin politik mund ta bëjnë të gjithë – edhe ata që s’dinë se ç’bëjnë, si puna e zhbllokuesëve të pusetave dhe shtruesëve të rrugëve me asfalt. Degradimi i militantizmit politik në militantizëm partiak, ndodh dhe ka ndodhur pikërisht për faktin se është rendur pas angazhimit pa menduar asgjë dhe pa menduar në përgjithësi, duke ringjallur në këtë mënyrë formulën e vjetër: “Atë e di partia!”. Aplikimi më i qartë i kësaj formule është pikërisht mbushja e partive me profesorë dhe profesoresha, të cilët në vend të merren me problemet e shoqërisë, merren me politikanët e partive rivale, të shpallur si “armik populli” nga partia e tyre.

            Sigurisht, intelektualët nuk duhet t’i bëjnë kritikë vetvetes, por shoqërisë. Ne i kemi kritikuar ata, sepse ata nuk kanë kritikuar shoqërinë. Një qëndrim armiqësor ndaj intelektualëve në vetvete, do të ishte diçka absurde. Një arsye më tepër për të mos e bërë këtë është fakti se një armiqësi e tillë është manifestuar nga regjimet totalitare, të cilat me ndihmën e marksizmit i vishnin përbuzjes ndaj intelektualëve një petk revolucionar. Kjo armiqësi do të lindte në gjirin e populizmit rus (narodnizmit) dhe do të gërshetohej me përbuzjen klasore të marksizmit, për të mbërritur deri tek bolshevizmi, i cili në lidhje me këtë do të ishte pikërisht një ndërthurje e marksizmit me narodnizmin. Megjithatë, kulmin e kësaj prirjeje do ta manifestonte Mao Ce Duni. Ndoshta ia vlen të ndalemi në rastin e tij.

Ndonëse ai vetë ishte një intelektual me formim perëndimor dhe me patos populist, Maoja do ta shndërronte përbuzjen ideologjike ndaj intelektualëve në një urrejtje politike. I vetmi rast që do ta tejkalonte qëndrimin e tij anti-intelektualist, do të ishte seria e çmendurive të Pol Potit. Dyzimi i Maos ndërmjet intelektualizmit dhe populizmit ishte shprehje e dyzimit të tij më të madh ndërmjet anarkizmit dhe shtetizmit, të cilin do ta nxirrte në pah katrahura e mëvonëshme e Revolucionit Kulturor. Ky dyzim i Maos, do të merrte fund në lidhje me çështjen e intelektualëve, në fushatën e “Njëqind luleve”, apo dhe “shkollave”, ku lejimi i rrymave të ndryshme të mendimit (d.m.th. “luleve”, apo “shkollave”) brënda ideologjisë zyrtare, duke lejuar lirinë e mendimit, do të nxiste nxjerrjen në pah të të metave të sistemit, në formën e kritikës ndaj tij. Kështu, në mënyrë që situata të mos dilte jashtë kontrollit, Maoja veproi njëlloj siç do të bënte më vonë në Revolucionin Kulturor: prirjen që frymëzoi vetë në mënyrë anarkiste, e shtypi po vetë në mënyrë terroriste. U arrestuan 400 mijë vetë nga radhët e intelektualëve, juristëve dhe, madje, edhe të vetë punëtorëve, pa përmendur edhe internimet në zonat e thella rurale të intelektualëve dhe të familjarëve të tyre.

            Baza e armiqësisë do të ishte, gjithsesi, arsyetimi klasor i marksizmit. Ndonëse të gjitha llojet e pushtetit, në të gjtha kohërat, kanë qenë kundër intelektualëve – dhe narodnizmi rus ishte edhe më keq se marksizmi në lidhje me këtë çështje – e veçanta e marksizmit ishte se ai e riformuloi këtë armiqësi të vjetër në trajtën e një argumenti të ri “shkencor”. Narodnizmi idealizonte popullsinë fshatare, duke i konsideruar shtresat e kulturuara si sajesa artificiale, që ishin krijuar dhe ekzistonin në kurriz të popullsisë fshatare. Marksizmi idealizonte klasën punëtore, por nuk paraqiste ndonjë gjykim moral as për të dhe as për klasat e tjera, duke përfshirë dhe atë të intelektualëve. Për marksizmin nuk kishte klasa të këqija dhe klasa të mira, por vetëm klasa të ndryshme, që zinin pozicione të ndryshme në procesin e prodhimit, të cilat përcaktonin sjelljet përkatëse të anëtarëve të këtyre klasave.

            Konsideratën marksiste më të spikatur rreth shtresës së intelektualëve e ka dhënë Kautsky, të cilin Lenini e admironte natën në vetmi dhe e shante ditën në publik. Kautsky e analizon natyrën social-politike të intelektualëve duke e krahasuar intelektualin me mesinë e marksizmit: punëtorin. Dallimi që paraqet Kautsky është se punëtori ka natyrë kolektiviste, ndërsa intelektuali është individualist, duke qenë se ai e fiton pozitën e tij në shoqëri jo në sajë të luftës së përbashkët politike me të ngjashmit e tij, por falë aftësive të veta personale. Pikërisht për këtë arsye intelektuali i përqaset punëtorit në mënyrë paragjykuese, duke e nënvlerësuar atë dhe duke mbivlerësuar veten. Sipas Kautskyt, filozofia e Nietzsches me kultin e saj të mbinjeriut si përmbushje egoiste e individualitetit personal, që nuk i nënshtrohet asnjë kolektiviteti social, s’është gjë tjetër veçse një filozofi e intelektualit, që manifeston psikologjinë  e tij. Zgjidhja që jep Kautsky është asgjësimi social-politik i intelektualit përmes shkrirjes së tij me masat proletare, duke u bërë në mënyrë modeste një punëtor i thjeshtë militant si gjithë të tjerët, pavarësisht njohurive dhe aftësive të tij.

            Ndonëse duket sikur marksizmi ia ka dalë mbanë të eliminojë anomalinë antropologjike të intelektualit përmes dekonstruksionit social-politik të monstrës së mbinjeriut që buron prej tij, ai e riprodhon këtë monstër tek kulti i tij i punëtorit. Duke i kërkuar punëtorit të bëhet intelektual përmes thellimit të vetëmjaftueshëm në kauzën e vet sociale, marksizmi bën “mbinjeri” pikërisht punëtorin! “Teksa i vjen punëtorit prej klasës kapitaliste, shkenca është përshtatur për t’i shërbyer interesave kapitaliste. Proletari ka nevojë për një kuptim shkencor të pozitës së tij në shoqëri. Këtë lloj shkence punëtori nuk mund ta sigurojë në mënyrë zyrtarisht dhe shoqërisht të pranuar. Vetë proletari duhet të zhvillojë teorinë e tij. Për këtë arsye, ai duhet të bëhet tërësisht i vetëmësuar, pavarësisht nëse origjina e tij është akademike, apo proletare.”[3] Por a mundet punëtori që krahas punës së lodhëshme fizike të impenjohet edhe mendërisht, duke konkuruar me Einsteinin? A mund të bëhet ai i gjithanshëm si Leonardo Da Vinci? Përvoja ka treguar se kjo është e pamundur të ndodhë, jo vetëm se edhe vetë Marxi është bërë gjeni sepse nuk bënte punë krahu, por sepse vetë Marxi ka thënë që njeriu do të arrijë të bëhet i gjithanshëm vetëm në kushtet e shoqërisë së presupozuar komuniste, e cila do të zëvendësojë atë kapitalisten. Po atëherë si mund të shfaqet njeriu i gjithanshëm në kushtet e shoqërisë kapitaliste të proletarit? Pra, duke i kërkuar punëtorit të bëhet auto-shkencëtar, marksizmi kundërshton vetveten, sepse injoron pikërisht atë që ai thekson më shumë në procesin e zhvillimit individual: kushtet social-ekonomike. Ne kemi parë se punëtori nuk ka arritur të bëhet dot një gjeni nobelist as në vendet me asistencë të lartë sociale, në të cilat punohet shumë pak, si në vendet nordike, e jo më të realizohet kjo në vende të kapitalizmit të egër pa asnjë politikë sociale, si në rastin e SHBA të Trumpit!

            Kjo do të thotë se punëtorëve, ashtu si dhe gjithë shoqërisë, do t’i duhet të kërkojnë ndihmën e dikujt tjetër, që të mendojë në vend të tyre për kushtet e ekzistencës së tyre. Ky “tjetër” është pikërisht intelektuali, të cilin marksizmi e nxjerr nga dera dhe e rifut nga dritarja! Mirëpo të pranosh këtë, do të thotë të pranosh atë që kemi thënë në fillim: se në kushtet kapitaliste të ndarjes së punës, intelektuali mund t’i shërbejë më mirë shoqërisë vetëm duke i shërbyer më mirë vetvetes. Ai duhet të punojë për shoqërinë në të njëjtën masë që duhet të luftojë për pavarësinë e vet individuale. Për sa kohë që kushtet mbeten të pandryshuara, nuk ka rrugë tjetër veç këtij egozimi profesional të pashmangshëm dhe të natyrshëm, i cili është detyra politike më themelore e intelektualit.

            Por le të rikthehemi te aktualiteti ynë kontekstual i protesës. Thamë në fillim se detyra e “filozofisë” është të merret me aktualitetin. Tashmë që Tirana është përfshirë nga protesta pemanente për çështjen e Zvërnecit, pjesë e këtij “aktualiteti” që duhet bërë objekt i “filozofisë”, është njëkohësisht edhe kjo protestë. Protesta nuk duhet ndarë në mënyrë artificiale nga realiteti ynë i përgjithshëm social-politik. Përkundrazi! Ajo rezulton të jetë një mikrokozmos i këtij të fundit – një shprehje e koncentruar e tij. Ajo manifeston tipare që i gjejmë edhe në realitetin tonë social-politik. Kjo protestë nuk duhet perceptuar si ishulli i “Kurrëkundit” i Piter Panit, apo edhe si versioni origjinar i gjithë ishujve të këtij lloji: si ishulli i “Utopisë” së Thomas More-it. Kështu, nëse ne jemi marrë me parullat e kësaj proteste, kjo ka ndodhur sepse deri tani kjo protestë ka pasur vetëm parulla. Por pikërisht në këtë pikë ajo i ngjan shumë “politikës zyrtare”, të cilës vetë kjo protestë i është kundërvënë. Politika jonë zyrtare është thjesht një “politikë” e frazave, të cilën kryeministri Rama do ta shndërronte në një “politikë” të batutave. Ndoshta ka qenë pikërisht kjo ngjashmëri e natyrës retorike, arsyeja e vërtetë që e ka nxitur Ramën të thoshte së fundëmi, se nëse nuk do të kishte qenë në pozitat aktuale të kryeministrit, ai vetë do të ishte bërë pjesë e protestës. Kushedi se sa parulla interesante do të kishte shpikur Rama si protestues, të cilat gjithsesi ai mund t’ia sugjerojë protestuesëve edhe nga pozitat e tij aktuale të kryeministrit! Të gjithë e dimë se kryeministri ynë ka talent vetëm për dy gjëra: për të bërë batuta dhe për të bërë pallate!                       

 

 

                                                                                                Eksperimentuesi i Kundërzbulimit                                                                                                                       

 

                                                                                                             Qershor 2026

 

[1] Marks K., “Rreth kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës”, “8 Nëntori”, Tiranë, 1979, f. 18

[2] Smith A., “Pasuria e kombeve”, IPLS & Dita 2000, Tiranë, f. 15

[3] https://www.marxists.org/history/etol/revhist/backiss/vol1/no1/kautsky.html

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP