web analytics

Të veçanta

Fabula e pyllit ku sundojnë derrat, ujqërit dhe hanë arinjtë me dhelprat

Frymëzuar nga libri “Ferma e kafshëve” i George Orwell

       Na ishte një herë, si çdo herë, në pyll, në xhungël në një sektor të saj, një luaneshë e re, një derr i butë, një gomar përtac dhe një kalë laraman. Ato i kishte vendosur të punonin së bashku në sektorin e ndihmës së kafshëve të gjymtuara kastori i bregut të lumit, i cili qe emëruar nga ujku i murrmë. Detyra e tyre ishte shumë e rëndësishme dhe delikate. Duke qenë detyrë me përgjegjësi dhe sektor i ri, të gjithë duhet të angazhoheshin dhe përpiqeshin maksimalisht ta mësonin si fillim dhe ta bënin sa më mirë punën, që pylli të vazhdonte të jetonte në paqe. Luanesha ishte e përgjegjshme e zgjuar dhe trime, kali ishte fisnik, punëtor dhe i durueshëm, por gomari përtac siç kishte dhe emrin, as s`ja dinte e as s’ja donte ënda punës. Gomari dembel dukej krejtësisht i gatshëm në fjalë, por tepër i avashtë dhe neglizhent në veprime. Në thelb nuk ishte kafshë e keqe, por bëhej e tillë ngaqë nuk dinte, s’kishte vullnet për të mësuar dhe gabonte shpesh nga pakujdesia në punë. Sidoqoftë nuk ishte dhe aq kafshë e mirë , sepse jo rrallë shfaqej vetjake dhe tregonte mosmirënjohje ndaj bashkëpunëtorëve dhe atyre qe e ndihmonin ne përgjithësi.

       Sa i përket derrit të butë, dukej i butë nga jashtë, paqësor, i parrezikshëm, por në thelb ishte derr, ishe idiot, por jo budalla, kishte takat, por i bënte bisht punës, ishte i apasionuar mbas shpërblimit dhe ushqimeve dhe nuk i interesonin shumë kafshët e dobta dhe të gjymta, për më tepër as bashkëpunëtorët, që përpiqej t’jua hidhte vazhdimisht barrën. Për më tepër e pëlqente shumë veten dhe pa kuptuar hidhej në rrezik. Por kur rreziku e kërcënonte fshihej dhe arratisej, sikurse gomari përtac. Por, ky nga babëzia dhe djallëzia, ndërsa gomari nga naiviteti dhe cektësia. Këta ishin armiq të punës, por edhe armiq të njëri-tjetrit, ngaqë kur u haste sharra në gozhdë me kalin dhe luaneshën haheshin me njëri-tjetrin.

      Në fillim, kur ua caktuan detyrat dhe u përgatit stalla për pritjen e kafshëve hallemadhe, gjërat dukeshin në rregull. Edhe kur puna filloi, secili qe njohur me detyrat e tij, dhe siç ndodh zakonisht kishte entuziazëm dhe hare. Por atyre nuk u ishte caktuar mision i lehtë, duhej të merreshin me hallet e kafshëve më në nevojë. Gomari përtac duhej të merrte të dhënat dhe t’i ruante dëshmitë në gropa të ndara, pa i humbur në stallë, pastaj t’i lajmëronte kur të paraqiteshin për garë. Po ashtu kishte detyrë që ndaj gjithë kafshëve që paraqiteshin çalamane, prej vërteti apo shtiracake, t’i informonte mbi proçedurat, t’u tregonte rrugën e t’u mbante gjurmët e pretendimeve. Ndërsa detyra e luaneshës së re dhe derrit të butë ishte të gjykonin drejt për shkallën e nevojës dhe mbështetjes me ushqim dhe siguri për kafshët që kalonin fazën e përmbushjes së kritereve dhe paraqiteshin për vlerësim. Kurse kali të mbikqyrte mbarëvajtjen e gjithë punës.

      Derri i butë, meqënëse merrej dhe me punë të tjera, nuk interesohej shumë të merrej me kafshët sakate. Madje, nëse do ishte e mundur, do t`ua rripte lëkurën e t’ua kafshonte thundrat, sepse vdiste të hante mbi kurriz të kafshëve të tjera, sidomos atyre të pafuqishme. Por, fatmirësisht haste rezistencën e luaneshës dhe kalit, të cilët kishin forcë për të mbajtur drejtësinë në sektor dhe iu dhimbseshin kafshët e vobekta edhe përpiqeshin t’u përmbaheshin rregullave që kishte vendosur kastori i bregut dhe mbreti i xhunglës, për aq sa ata gjykonin se i shërbenin nevojave të kafshëve fatkeqe. Por vështirësitë dhe përplasjet me kafshët e gjymta ishin të shumëllojshme dhe sfiduese. Së pari, ngaqë jo të gjithë përgjegjësit e sektorit i përmbaheshin orarit të caktuar për të ndihmuar dhe sqaruar kafshët. Së dyti, si derri edhe gomari abuzonin nga toleranca dhe durimi i luaneshës dhe kalit. Kështu stalla mbahej në këmbë se dy punonin e dy prej dyve rronin. Po ashtu, prej dy të emëruarve dëmtues, gomari ishte i trashë, gjumash dhe i ngadalë, kurse derri energjik, dinak dhe shejtan, sikur brenda i rronte djall.

      Nuk zgjati shumë dhe filloi të kishte grindje, konflikt mes dy palëve. Jo se kishin krijuar aleanca, porse secili filloi të nxirrte në pah cilësitë dhe të metat. Problemet që krijoheshin i mbesnin të zgjidheshin me kusure prej luaneshës trime dhe kalit fisnik, të vetmit që i mvisheshin dhe e kishin merak punën që duhej bërë.  Kali shpesh shprehte irritim, zemëratë dhe pakënaqësi, sikurse luanesha shprehte irritim, mllef dhe zhgënjim.

      Ndërsa derri dhe arushi dukej sikur s’ua ndjente as për situatat e vështira që sektori përballej, as për ngërçet që prej tyre krijoheshin, dhe as për kritikat, vërejtjet dhe kërcënimet që merrnin qoftë nga bashkëpunëtorët, nga kali, apo kafshët e pafajshme. Në fakt puna shkoi në vazhdimësi e tillë, me tensione dhe përplasje, pa marrë asnjë zgjidhje. Luanesha fryhej e tregonte dhëmbët, paralajmëronte veprime ndëshkuese, përderisa kali ankohej tek kastori i bregut, i cili duhej t`i tregonte ujkut të murrmë, që ishte mbreti i pyllit, që të ndërhynte për të marrë masa për derrin e butë dhe gomarin e ngathtë.

      Por, si duket, këta e kishin shitur veten tek mbreti i pyllit dhe ai nuk informohej siç duhej për hilet dhe dëmet që i sillnin sektorit këta të dy ose ashu ja donte puna, të bënte një sy qorr e një vesh shurdh. Madje as për rrezikun që vetë mbretit të pyllit do t’i kanosej nëse nuk merrte masa, nuk u shqetësuan, për më tepër kjo mund të ishte shkak që kafshët e gjymtuara të ngriheshin në protestë kundra tij dhe kafshëve të përzgjedhura për të menaxhuar pyllin edhe të gjithë mbikqyrësve që kishte vendosur për mbarëvajtjen në pyll… e kjo do te sillte revolucion dhe kaos, që nuk ështe gjë e mirë për të gjithë.

     Situata në pyll mbetet e njëjtë, derrat hanë e përdhosin të patrazuar, gomerët mëe shumë prishin se n(dreqin)…deri kur..?!

     A është e njëjta gjendje vallë edhe me sektorë të tjerë, kafshë të tjera? Me siguri!!

      Derra të butë e të egër, gomerë përtacë e arinj kokëtharë ka plot nëpër pyll si këta në sektorin delikat të mbështetjes së kafshëve të gjymta…

      Pylli është përplot me derra, dhelpra, ujqër të uritur, gomerë kokëshkretë, dhe është gati të shpërthejë e t’i dalë flaka pyllit, prapëseprapë askujt s’i  intereson kjo. Madje as xhungla, përveç ndonjë luaneshe të vetmuar dhe kali kokëfortë që përpiqen të vënë rend dhe shyqyr që janë, se mos të ishin ata kushedi ç’do kishin bërë derrat, dhelprat, ujqërit dhe ushtarët e tyre idiotë. Më vjen keq për kafshët e dobëta të pambrojtura se s’i ndihmoj dot të gjitha sa duhet siç duhet! Sa për veten, as që e vras mendjen, unë tashmë kam lindur në xhungël, pylli është caku im, të jem luan, kalë, dhi është lëkura ime dhe i kam vënë vetes detyrë të mos e ndërroj lëkurën as maskohem, por t’i ndihmoj kafshët të egra e të buta qofshin, sorkadhe  apo dele, përderisa ata kanë nevojë dhe e pranojnë lëmoshën time, qoftë edhe duke u vetëflijuar…!

Nga Ibrahim Xhepmetaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP