Të edukosh konsumatorin shqiptar drejt MADE IN ALBANIA
Si rezultat i tranzicionit demokratik, erdhi hapja e tregut kombëtar ndaj tregut të jashtëm. Bashkë me këtë proces falimentoi edhe ajo industri vendase dhe u ndodh në vështirësi të madhe sektori i shërbimeve dhe ai i bujqësisë.
Kuptohet që mallrat dhe shërbimet e huaja mbytën ato vendase. Por në ato kohë, kjo nuk përbënte ndonjë problem. Pse? Sepse ne importonim mallra dhe shërbime, por në të njëjtën kohë eksportonim krahë pune, emigrantë. Nga njëra anë rrallohej baza konsumatore dhe rralloheshin edhe të papunët, por nga ana tjetër ata që iknin dërgonin para me të cilat vendasit e mbetur blinin mallrat e ardhura nga jashtë. Në këtë mënyrë vendosej një ekuilibër i natyrshëm, por totalisht i pa planifikuar.
Ky model, tani jo vetëm që është jashtë funksionit, por po rëndon tmerrësisht mbi shoqërinë shqiptare. E para sepse emigrantë që sjellin të ardhura ka rënë, për shkak se një pjesë e madhe kanë emigruar familjarisht dhe së dyti për shkak se tanimë emigrantët sjellin mallra dhe jo para cash.
Për shembull ne e dimë që një Mercedez Benz, E Class i vitit 2005, në tregun europian varion nga 3000-4000 euro, ndërsa në Shqipëri varion minimalisht 50% më shumë. Nuk po them të prodhojmë automjete për civilët, edhe pse do të ishte një objektiv i merituar për çdo komb, ashtu siç është sot rasti i shtetit të Turqisë, që ja arriti qëllimit me sukses. Por kjo arritje është rezultat i një sërë procesesh përgjatë historisë së zhvillimit të shoqërise turke. Por nuk dua të flas nga këndvështrimi i ekonomisë si prodhuese, edhe pse zgjimi i saj është objektivi, por dua të flas nga syri i mentalitetit të konsumatorit shqiptar.
Tani sistemi ekonomik shqiptar po çalon keqas. Mallrat dhe shërbimet e huaja, janë bërë problematike, jo ndoshta në përmbajtjen e tyre (për vlerësime të mëtejshmë mund të përmendim skandalin me cilësinë dhe problematikat e importit të miellit nga shteti i Serbisë), më shumë sesa në raportin dhe ndikimin që kanë me produktet dhe shërbimet vendase.
Sa më shumë prodhime të huaja në kurriz të atyre vendase, aq më shumë do të rritet shkalla e të papunëve, si edhe aq më pak fuqi blerëse ka për klientin vendas. Pse? Që klienti vendas të ketë fuqi blerëse, duhet të ketë të ardhura financiare. Që të ketë të ardhura duhet të punojë në një sektor tjetër paralel të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve vendase. Por mungesa e këtij sektori, përveçse sjell reduktim të fuqisë blerëse, për rrjedhojë sjell dëmin drejt sektorit të huaj. Për shkak se klientët vendas pakësojnë konsumin.
Shoqëria ka nevojë të kuptojë se ligjet e tregut hyjnë në veprim vetëm kur ato ndiqen nga mentaliteti kolektiv i blerësve. Nëse këta të fundit e gjejnë me vend të konsumojnë mallra dhe shërbime vendase, atë herë asnjë fenomen si tregti e jashtme, globalizëm apo hapje e doganave, nuk mund ti bëjë asgjë produktit vendas.
Arsyeja se përse kjo gjë nuk ndodh është shume e qartë. Sepse kjo sjellje e klientit vendas do të mbrojë sistemin vendas të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve, pra vendet e punës, pra fuqinë blerëse të familjeve.
Kjo logjikë vjen nga sjellja e ndërgjegjshme e bashkësisë qytetare, e cila ka arsye si dhe është në gjendje ta lartësojë këtë ndërgjegje në nivelin e duhur.
Shumë studiues shprehin se tregu sot është bërë vërtet global, por ndërkohë klienti është lokal. Pra klient global nuk ka.
Kjo do të thotë se kur komuniteti i blerësve nuk bëhet i ndërgjegjshëm kur ndodhet përpara vitrinës apo banakut, jo gjithmonë është mirë të blesh pa mend në kokë, pa parë se ku është prodhuar malli, jo gjithmonë është mirë të blesh mallin e huaj para atij vendas, jo gjithmonë është mirë të blesh mallin gjithnjë e më të lirë përpara atij pak më të shtrenjtë, etj, etj… procesi i zgjedhjeve të klientit.
Ky sistem problemesh, fillon dhe zgjidhet pikërisht nga çfarë u përmend më sipër. Një zgjidhje nuk vjen nga prodhimi, nga sendi, nga ekonomia, por vjen nga marka, nga komunikimi marketing dhe nga komunikimi i markës së sistemit të prodhimit vendas të produkteve dhe shërbimeve në një bashkësi klientësh të ndërgjegjshëm në zgjedhjet e tyre qytetare.
Endri Caci
Komente