Integrimi evropian
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është pa dyshim tema më e nxehtë e ligjërimit publik shqiptar të të gjitha formave dhe shprehjeve, aq sa pa frikë mund të thuhet se kjo çështje është kthyer në kauzën më madhore të shtetit shqiptar, madje mund të thuash se ideja e integrimit evropian është shndërruar në fe dhe BE trajtohet si parajsa e shumëpritur e shpëtimit përfundimtar. A thua se me integrimin në Bashkimin Europian, Shqipëria dhe shqiptarët do të bëhen tjetër popull dhe tjetër shtet sapo të hyjnë në të, apo edhe të gjitha problemet e tyre do të zgjidhen si me të kërcitur të gishtërinjve apo me shkopin magjik.
Nuk ka fare dyshim se integrimi evropian për popullin dhe shtetin shqiptar përbën një mundësi të madhe në shërbim të zhvillimit të tij si shtet dhe për zgjidhjen e disa problemeve serioze, të cilat mbase, për shkak të integrimit, do të jemi të detyruar t’u japim zgjidhje. Por pyetja madhore, supozive, por jo krejtësisht e tillë, shtrohet: çfarë do të bënim ne si popull nëse nuk do të kishte ekzistuar fare Bashkimi Evropian, apo cili do kishte qenë reflektimi i popullit dhe shtetit shqiptar nëse BE-ja do të ishte shpërbërë?! Kjo pyetje, edhe pse potencialisht mund të shtrohej në çdo moment, thuajse ishte e padëgjuar, mbase sepse mungonte edhe guximi për ta shtruar, derisa pandemia e COVID-19, befasoi të gjithë botën dhe bëri që në BE të shfaqet dukshëm ligjërimi centrist. Shteti komb u shfaq edhe një herë, edhe si temë, edhe si realitet, përmes qëndrimeve konkrete të shteteve kryesore dhe liderve të Bashkimit Evropian.
Sido që të vijë puna dhe sido që të jetë fundi i kësaj çështje, duhet të sjellim ndërmend se unione të mëdha si ky i BE-së nuk mendohen dhe nuk priten të shpërndahen kaq shpejt dhe se gëzojnë disa komponentë qëndrueshmërie deri në një farë distance kohore, edhe pse Brexit-i e vë seriozisht në diskutim këtë pohim. Megjithatë, le të mos jemi prej atyre që thjesht presin, por le të shtrojmë pyetjen e më poshtme:
Ligjërimi islam: Pro apo kundër integrimit evropian; apo thjesht indiferent?!
Mobilizimi i faktorëve të ligjërimit islam shqiptar me përgjigjen ndaj kësaj pyetje do të ndihmonte të kishte një përgjigje paraprake ndaj mundësisë së shpërbërjes së BE-së, i cili, në fund të fundit, ka pak dekada që është themeluar, vazhdon të jetë në zgjerim, dmth akoma nuk është pjekur, dhe jo rrallëherë e ka vënë veten e vet në diskutim, ndër to siç përmendëm, edhe prej COVID-19.
Indiferentizmi
Indiferentizmi, faktikisht, ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, deri tani ka qenë tipar dallues i ligjërimit islam dhe faktorëve të tij në Shqipëri. Pra, qëndrimi pro apo kundër nuk është i pasqyruar apo i deklaruar, as në ligjërimin verbal, as në atë të shkruar, as përmes studimeve shkencore apo simpoziumeve, seminareve apo workshop-eve të posaçme për këtë temë.
Normalisht nuk dua, as nuk i jap të drejtë vetes për momentin, ta gjykoj këtë qëndrim, sepse mund të gjenden arsye, të paktën sa për justifikim, që arsyetojnë këtë lloj qëndrimi.
Por për një gjë, të paktën parimisht, duhet që faktorët e ligjërimit islam të bien dakord, se sa më e rëndësishme të jetë një çështje e caktuar dhe sa më me ndikim të jetë për të ardhmen e një populli, aq më i dëmshëm dhe i padrejtë është qëndrimi indiferent.
Pro apo kundër?!
Shtrimi i kësaj pyetje dhe përpjekja për t’i dhënë përgjigje nga ana e faktorëve të ligjërimit islam, mund të duket, me të drejtë si “Koshi mbas të vjelash”, sepse kjo çështje jo vetëm që ka dekada që i është imponuar popullit shqiptar, por tashmë jemi në fazën kur është vënë në diskutim vetë vazhdimësia e saj.
Unë mendoj se më shumë se vetë përgjigja ndaj kësaj pytjeje konkrete, është me shumë interes për ne si faktorë islamë dhe si popull, por edhe për faktorët e tjerë të popullit shqiptar, të kalisim tek vetja jonë guximin intelektual dhe shkencor për të qenë sa më racionalë, syçelë dhe të ndriçuar në qëndrimet tona me karakter kaq strategjik për të ardhmen e brezave.
Ky qëllim merr një vlerë akoma dhe më të madhe tani, në epokën e botës pas pandemike, ku popujt dhe shtetet janë realisht të shqetësuar për mënyrën e organizimit të rendit të ri botëror, për rrezatimin e fuqishëm që mund të ketë në shfaqjen e fuqive të reja dhe në krijimin e aleancave të reja.
Pse pro dhe pse kundër?!
Edhe kjo pyetje meriton të njëjtin parashtrim që i bëra pyetjes: pro apo kundër, përmes paragrafit të mësipërm.
Nuk kam ndërmend, sepse nuk e lejon edhe kuadri i këtij punimi, të merrem konkretisht me përgjigjen e këtyre dy pyetjeve. Prandaj ajo që më intereson shumë në këtë kontekst kaq të rëndësishëm, është të tërheq me këmbëngulje vëmendjen e faktorëve të ligjërimit islam dhe të gjithë faktorëve të tjerë shqiptarë, veçanërisht shtresës intelektuale, se ekzistojnë domosdoshmërisht baza reale dhe konkrete mbi të cilat duhet të ndërtohet qëndrimi i drejtë ndaj mundësive apo alternativave të tilla. Këto alternative, siç po duket qartë, do të jenë të vazhdueshme dhe se “fundi i historisë” qenka akoma shumë larg, ndërsa ne si popull nuk jemi në kushte komode që të turremi me emocionalizma të flakta dhe të ndezuara ndaj alternativave të ndryshme që na ofrohen, thjesht sepse na verbojnë me vezullimin e superioritetit disa-dimensional, por duhet që me qetësinë e urtësisë dhe mençurisë të një populli të vetëdijshëm për fatet e veta, të gjykojmë dhe përcaktojmë me gjakftohtësi linjat e interesave tona konkrete reale, afatshkurtra dhe afatgjata.
Realizimi i sa më sipër kërkon që gjykimi të mbështetet apo orientohet nga disa piketa të qarta konceptuale, vlerore dhe orientuese, të cilat bashkëveprojnë natyrshëm me arsyen e drejtë dhe faktorizojnë emocionalizmin në shërbim të konkluzioneve të pjekura dhe vizionare të arsyes kombëtare.
Këto piketa do të mundësonin:
Përcaktimin e duhur të interesave të drejta.
Rezistencën ndaj presioneve dhe marrjen e vendimeve me gjakftohtësi dhe jo nën trysninë dhe shtypjen e të tjerëve.
Përcaktimin e saktë të interesave reale, dëmeve reale dhe peshimin e mirekuilibruar të tyre.
Zgjerimin e mjaftueshëm të diapazonit të largpamësisë.
Krijimin e besueshmërisë dhe vetëdijes së gjerë, të shtrirë horizontalisht edhe tek masat e thjeshta popullore, ndaj këtyre vendimeve me karakter strategjik, gjë që do të siguronte unifikimin e qëndrimeve nga ku do të merrnin akoma dhe më shumë forcë këto lloj vendimesh.
Cilat janë këto piketa?!
1- Ligjshmëria
Parimi i ligjshmërisë ka parasysh më shumë se sa tekstin e ligjit, të drejtën dhe të vërtetën, pra pyetja shtrohet se sa e drejtë apo e padrejtë, apo se sa e vërtetë dhe sa e pavërtetë është kjo apo ajo alternativë, e cila na grish t’i bashkohemi.
Ky kuptim i ligjshmërisë për ne si popull është shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për t’u pozicionuar ndaj ofertave me karakter madhor dhe strategjik kombëtar, sepse nëse do ta kufizonim konceptin e ligjshmërisë me kufijtë e ligjit apo tekstit të ligjit, kjo do të përbënte problem shumë të madh në ato raste kur ligjin dhe tekstin e tij e bën apo formulon më i madhi dhe më i fuqishmi. Për rrjedhojë i bie që të verbojmë sytë përballë disa të drejtave me karakter historik, që na janë shkelur si popull dhe si komb… . Prandaj kur flitet për ligjshmëri, më shumë se sa vetë ligji, duhet të na interesojë drejtësia, vlefshmëria dhe vërtetësia, gjë e cila do të na mundësonte të insistonim në marrjen e të drejtave tona si popull dhe si komb, qoftë edhe pas një kohe të gjatë.
2- Parimi i realizmit
Pra, sa real, konkret dhe sa i madh është për ne si popull interesi që përfitojmë?! Ky parim do të na shpëtonte si popull nga bërtitjet dhe duartrokitjet të shtyra ose nga entuziazmi i karakterit: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, pa na interesuar aspak volumi i interesit dhe dëmit, apo të shtyrë njëkohësisht, ose nga ndjenja e inferioritetit ndaj më të mëdhenjve, ose nga urrejtja e verbër, histerike dhe e akumuluar ndër dekada, ndaj dikuj tjetër me të cilin mund të na lidhin interesa akoma dhe më të mëdha, më të garantuara dhe më të sigurta. E pakta gjë, të cilën do na e mundësonte ky parim, është ruajtja e miqësive dhe interesave edhe me të tjerët dhe krijimi i sa më pak armiqve të panevojshëm.
3- Parimi i interesit më të madh dhe dëmit më të vogël
Ky parim mund të konsiderohet edhe si vazhdim i shpjegimit të parimit të dytë, megjithatë mendoj se duhet të veçohet për shkak të rëndësisë jetike që gëzon në marrjen e vendimeve dhe qëndrimeve të pjekuara. Në këtë mënyrë duke theksuar se në marrëdhëniet mes popujve dhe shteteve, apo në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka vetëm interesa të pastra, por në përgjithësi kemi interes më të madh dhe dëm më të vogël, ose pranimin e një dëmi më të vogël, për të shmangur një dëm më të madh. Por popujt e mençur e të zotë nuk notojnë në moçalin e dëmit, pra vetëm dobësia dhe paaftësia i bën që të zgjedhin vetëm mes dy dëmeve. E theksoj këtë, dhe besoj thellë se duhet theksuar me të madhe, sepse u bë dekada që populli shqiptar dhe shteti i tij, përballjet me të tjerët dhe përzgjedhjet që i është dashur të bëjë, të paktën me komshinjtë, i ka pasur gjithmonë brenda territorit të interesave të tij.
Pikërisht, ndryshimi i kësaj gjendje, në mënyrë të veçantë, duhet të shndërrohet nga ne si popull në një objektiv strategjik për t’u synuar dhe realizuar nga brezat që vijnë.
Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se, veçanërisht në civilizimin bashkëkohor, sa më e madhe është gatishmëria e një populli për të lëshuar nga interesat e tij, aq më i madh është agresiviteti i popujve të tjerë për ta zhvatur dhe shfrytëzuar.
4- Qëndrueshmëria
Jetëgjatësia e marrëdhënieve mes popujve varet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe nga natyra e interesave në aspektin e jetëgjatësisë. Sa më jetëgjata të jenë interesat, aq më jetëgjata janë dhe marrëdhëniet. Pikërisht këtu kërkohet një qëllim i pastër dhe i sinqertë, i zhveshur nga çdo lloj emocionalizmi, për të vlerësuar ashtu siç duhet interesat në këtë aspekt.
Ky parim luan rol vendimtar në përcaktimin e prioriteteve në listën e partnerëve strategjikë. Siç përbën thuajse përjashtimin e vetëm nga parimi se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miq të përhershëm dhe as armiq të përhershëm.
Këto janë sipas mendimit tim, parimet kryesore apo piketat kryesore nga ku duhet orientuar për të bërë një gjykim sa më të drejtë në lidhje me temën në fjalë, edhe pse kjo listë nuk është shteruese. Madje duke iu referuar dijes së marrëdhënieve ndërkombëtare, kësaj liste mund t’i shtohen edhe disa parime të tjera me karakter historik, të cilat i ka prodhuar dhe provuar zhvillimi historik i njerëzisë dhe i shoqërive.
Kush duhet ta bëjë këtë gjykim?!
Rëndësia e institucioneve të specializuara
Një nga treguesit kryesorë të forcës apo dobësisë së një populli apo shteti, është niveli i angazhimit me interesat strategjik të tij. Në të njëjtën kohë, një nga treguesit e vërtetë të angazhimit me këto interesa është niveli i investimit në këtë fushë.
Forma më e mirë dhe më e dukshme e këtij investimi është ngritja e institucioneve të specializuara si universitete, institute, qendra kërkimore, akademi etj.
Dy janë rolet apo objektivat kryesore të këtyre institucioneve:
E para, studimi i vazhdueshëm dhe konsekuent i zhvillimeve reale në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe i sfidave apo ulje-ngritjeve që ndodhin brenda civilizimit bashkëkohor, duke e konsideruar këtë rol si domosdoshmëri për të gjykuar drejtë dhe saktë mënyrën e pozicionimit të shpejtë apo në perspektivë.
E dyta, rritja dhe formimi i kuadrove të rinj të specializuar në këtë fushë. Pra, nëse duhet apo nuk duhet të bëhemi pjesë e një bashkëpunimi apo jo, gjykimin e kësaj çështje duhet ta marrin përsipër institucionet e specializuara të drejtuara nga kuadro të specializuar.
Roli i faktorëve të ligjërimit islam në këtë fushë:
Normalisht, nuk ka të krahasuar mes rolit të shtetit dhe rolit të faktorëve islamë në aspektin e mundësive për t’i shërbyer këtij qëllimi. Megjithatë edhe faktorët islamë kanë mundësi të konsiderueshme për të dhënë kontributin e tyre me anë të disa formave.
Para se të përmend format e kontributit, duhet të theksoj se faktorët islamë do të fillojnë të kontribuojnë në këtë fushë, vetëm pasi të vetëdijësohen se është pjesë e misionit të tyre islam në faqe të dheut, edhe angazhimi me çështje të kësaj natyre. Si dhe të vetëdijësohen se është e papranueshmë të pretendosh se je pasues dhe misionar i një feje kaq të madhërishme dhe universale, pra Islamit, e në të njëjtën kohë të konsiderosh interesimin për interesat madhorë të vendit dhe shoqërisë si diçka të dorës së dytë apo mos më keq, të konsiderohet si diçka që është jashtë diapazonit të misionit islam në këtë botë.
Format e kontributit:
1- Ngritja e instituteve përgatitore të kuadrove të ardhshëm të aftë për të kontribuar me studimet e tyre në këtë fushë.
2- Ngritja e institucioneve arsimore të larta të specializuara në këtë fushë.
3- Orientimi i burimeve njerëzore rinore me të cilët faktorët islamë kanë kontakt të vazhdueshëm, që një pjesë e tyre të specializohen në fushën e shkencave sociale dhe humane.
4- Mbështetja shkencore e individëve që kanë prirje në këtë fushë, për t’u specializuar dhe kualifikuar profesionalisht, si dhe mbështetja e tyre edhe pas studimeve për të zënë vendin që meritojnë në institucionet e duhura.
Sabahudin Jashari
Komente