web analytics

Të veçanta

Zgjidh ciklin e jetës

       Thonë që vdekja merr më të mirët. Zoti merr pranë vetes “para kohe” ato që i do më fort. Të parën e krahasojnë me shembullin e atij që futet në një kopësht dhe këput lulet më të bukura. Përnagjasim i zgjuar. E dyta edhe qëndron. Ama besoj se njeriu nuk përfaqësohet dhe aq me atributet e lules, me të bukurën dhe aromën. Ky send më ngjan i mangët për ta krahasuar njerinë. Ne themi se njeriu jeton për nder, për t’i ardhë “era njeri”, për të lënë shije të mirë, për një pjesë për t’u shfaqur bukur. Por, kjo nuk e plotëson kuadrin e tij si njeri. Njeriu ka në thelb të mirën, dobinë. Nëse bëhesh lule, do jesh tërheqëse, e këndshme, por vështirë se do duhesh për gjë tjetër veç aromës dhe hijeshisë. Madje të të këpusin, të mbajnë për aq kohë sa nuk i humb këto dy vlera dhe të flakin sikur të mos ishe. Unë them ji si pema! Nuk këputesh, nuk thyhesh, as nuk shkulesh. Edhe nëse era e fortë t’i përkulë degët, t’i then apo rrëzohesh, ti përsëri e mbin farën, e nxjerr filizin. Rrënjët s’ti rrezikon askush. Farën s’ta vjedh njeri. E kur të jesh rritur, pjekur, hijeshuar, mund të të gjuajnë me gur, ti do u lëshosh fruta. Edhe po spate ç’tu japësh do ju bësh hije. Edhe nëse ti presin degët do u bëhesh mbështetëse. E nëse edhe trungun do ta presin, do jesh ndenjëse. Por, edhe në bën vaki edhe rrënjët arrijnë që të t’i shkulin me gjithë dhè ti e ke lënë farën, ti e bëre tënden, e ke kryer farzin. Pra ti nuk je lule. Je pemë! Pemë që çel lule. Lule që japin fruta. Ne jemi si pemët. Ne duhet të synojmë të jemi pemë me fruta, pemë të forta, të larta, të drejta, të paktën të jemi pemë… Të vazhdojmë të japim edhe po na dëmtuan a luftuan. Ne nuk jemi asnjëherë për vete. Edhe po u shterruam, ne mbetemi gjallë. Po tani nuk është akoma koha për të vdekur. Ne s’do vdesim edhe pak. Bota pret ndihmën tonë, strehën e saj. Kurrsesi nuk mbaron jeta pa kuptim. Nuk ka tragjedi. Ka shpresë. Ka jetë!

Ibrahim Xhepmetaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP